Gjon Kastrioti II

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Gjon Kastrioti II, një vizatim i portretit origjinal nga Pietro Cavoti (1851)

Gjon Kastrioti II (i njohur edhe si Gjon Kastriota, ital. a Giovanni Castriota; * 1456; † 2. gusht 1514) ka qënë një princ shqiptar dhe njëkohësisht Kont i Soletos si edhe Signore di Monte Sant’Angelo dhe San Giovanni RotondoMbretërinë e Napolit.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Vdekja e Skënderbeut më 17 janar 1468, qe një gjëmë e madhe për Arbërinë. Po aq e madhe qe edhe për familjen e Heroit. Donika Kastrioti dhe djali i saj Gjon Kastrioti, 13-14-vjeçar, e patën të vështirë të jetonin në Shqipëri pa kryefamiljarin e tyre.

Rreziku i vazhdueshëm shkaktuar nga pushtuesit osmanë detyroi Donikën dhe të birin të largoheshin nga Shqipëria. Republika e Venedikut e kishte shpallur Gjonin, birin e Skënderbeut, "Qytetar Nderi" dhe kishin siguruar edhe një shtëpi banimi në ishullin Kurcola. Pavarësisht kësaj Donika preferoi Mbretërinë e Napolit. Arsyeja parësore ishte trashëgimia nga bashkëshorti i dy feudeve në Pulia, të cilat mbreti i Napolit, Ferdinandi, ia kishte dhuruar me dekret më 1464 - njërën në Monte Santanxhelo, tjetrën në San Giovanni Rotondo. Një tjetër arsye themelore ishte siguria që realizohej prej Mbretërisë së Napolit, të cilët ndryshe nga Venediku.

Betejat kundër Perandorisë Osmane[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit, anijet napoletane iu drejtuan Shqipërisë së Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër kryengritjesh antiosmane. Ndërkohë në Shqipërinë e Epërme, në rajonet malore të Lezhës e të Shkodrës vepronin forcat e Nikollë Dukagjinit e Lekë Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës, gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte përforcime ushtarake edhe në këtë zonë. Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë Qendrore si trashëgimtar i ligjshëm i vendit. Me ardhjen e tij kryengritësit e këtyre rajoneve e fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë. Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi kundër tyre një pjesë të ushtrisë osmane, e cila po përgatitej në rrethinat e Vlorës për të shkuar në Itali.

Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve të vet në mbrojtje të një shtegu nga do të kalonin trupat armike. Por luftëtarët shqiptarë nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse të gjithë ranë robër. Kjo humbje ia lëkundi besimin Gjon Kastriotit për suksesin e kryengritjes, prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve të Kastriotëve shprehën një gatishmëri masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë rob prej osmanëve në betejën e mëparshme.

Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në viset perëndimore të Shqipërisë së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane. Nën drejtimin e Konstandin Muzakës luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3000 ushtarëve në drejtim të Himarës. Por rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve dhe lanë mbi 1000 të vrarë e robër. Midis robërve ishte edhe beu i Rumelisë, Sulejman Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre të thella për Gjergj Kastriot Skënderbeun, si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit si trofe beun e Rumelisë. Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës, në viset bregdetare të Shqipërisë së Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më 31 gusht 1481 dhe më pas ajo e Sopotit.

Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në mbretërinë e Napolit. Më 10 shtator të vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanët nga Italia. Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht të vitit 1481 kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin e saj. Megjithëse nuk arritën ta merrnin atë, pasi kështjella e Krujës ishte e fortifikuar dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në fund të vitit 1481 shqiptarët çliruan një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj. Si kryezot i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.

Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe pse në janar të vitit 1484 luftëtarët e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve përkohësisht filloi të dobësohej prej presionit të madh e të pandërprerë të trupave pushtuese. Në verë të vitit 1484 osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në pronat që Kastriotët kishin në Itali. Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.

Familja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjon Kastrioti u martua me Princeshën Jerina Brankoviç-Palaiologina, bijë e Despotit Llazar Brankoviç dhe të shoqes Helena e Moresë. Jerina ishte pasardhëse e Perandorëve Bizantinë nga ana e mamasë së saj, mbesë e Manuelit III. Gjoni dhe Jerina patën pesë fëmijë:

• Gjergj II (Giorgio Castriota)

• Konstandin, Peshkop i Izernias (Costantino Castriota, Vescovo d'Isernia) i cili vdiq në vitin 1500 në moshën 20-vjeçare

• Ferrante, Duka i San Pietro in Galatina dhe Konti i Soleto (v. 1561), i cili trashëgoi titujt e të atit. Ai u martua me Princeshën Adriana Acquaviva d'Aragona me të cilën pati fëmijë. M. Barleci do ti kushtonte Ferrantes një parathënie në librin e tij “Historia e Skënderbeut".

• Alfonso (ose Federiko) , i cili vdiq më 1503 në moshën 15-vjeçare në ValenciaSpanjës ku kishte shkuar së bashku me gjyshen e tij Donika Kastriotin si shoqërues fisnik i mbretëreshës Joana të Aragonës, dhe ku u varros me nderime mbretërore.

• Maria, e cila lidhi kurorë me Carlo Minutolo, dhe iu përkushtua plotësisht artit.

Mendohet se Gjon Kastrioti u nda nga jeta pas vitit 1502 dhe titujt e tij u trashëguan nga i biri Ferrante Kastrioti. Pasardhësit e tij arbëresh të cilët jetojnë kryesisht në jug të Italisë njihen ende nën mbiemrin Castriota-Scanderbeg.

Literaturë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Carlo Padiglione: Di Giorgio Castriota Scanderbech e de'suoi discendenti. Giannini, Napoli 1879.
  • Gennaro Maria Monti: La spedizione in Puglia di Giorgio Castriota Scanderbeg e i feudi pugliesi suoi della vedova e del figlio. In: Japigia. Nuova serie, Bd. 10, 3, 1939, Stampa:Catalog lookup link, S. 275–320.
  • Papàs Francesco Chetta-Schiro: I Castriota, Principi d'Albania. Nell'Ordine Sovrano e Militare di Malta. Origine della famiglia Castriota. „Malta“, Valletta (Malta) 1929.