Gjon Markagjoni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Gjon Marka Gjoni)
Markagjoni

Gjon Marka Gjoni (Orosh, 15 gusht 1888 - Romë, 28 prill 1966) ose Kapidan Gjoni qe prenkë i Mirditës, plak/pleqnar kanuni me kontribut të madh në pajtesa, senator i Mbretërisë Italiane, min. i Mbrojtjes gjatë qeverisë Bushati[1], udhëheqës antikomunist dhe themelues i Bllokut Indipendent.

Jeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjon Marka Gjoni lindi pinjoll i derës kapidanore të Gjonmarkajve, dhe ishte djali i vetëm i Mark Gjon Markut i njohur Marka Gjoni.[2] dhe Davës të Kolë Radës[1] U mbrua përmes rragatave që ia përshkuan krahinën e prirë prej derës së tij. Mbas vdekjes së të atit, më 1925, i doli prija dhe trashëgoi përgjegjësinë për të udhëhequr Mirditën sipas tagrit historik të derës si autoritet moral.

Më 1904 u martua me Mrikën e Gjokë Pjetrit, nga fisi i Pervizëve të Kurbinit, dhe patën pesë djem e pesë vajza.[3]

Prej vitit 1926 deri në vitin 1928 ndërmori bajrak për bajrak pajtimin e gjaqeve dhe ndreqjen e ngatërresave. Kësodore, pas dy pajtimeve të familjeve të rëndësishme, iu rrit zëri anekënd krahinës. Shprehja fjalëpake që diktonte apelimin përfundimtar "Në mos të pelqefët gjygji, tek a' Gryka e Oroshit"[4] gjeti pikëmbështetje të themeltë e jehonë të mëtejme me veprimtarinë e gjerë të Kapidanit përgjatë vjetëve që pasuan. Më 28 gusht të 1937 mblodhi popullin në Abacinë e Oroshit për të jetësuar ripërcaktimin e disa nyjeve për t'iu përshtatë nevojave që afronin kohët e reja.[5]

Me pushtimin e italianëve paria e Shkodrës ngarkoi Gjonin që të shkonte të bisedonte me kontin Galeaxo Çiano më 12 prill 1939, ku si pjesëmarrës dhe përkthyes qe Patër Anton Harapi. Bisedime të cilat nuk kaluan pa tension mes parisë së Shkodrës dhe pritësve italian.[6][7] Më 4 gusht 1939 u thirr, bashkë me Mustafa Krujën, Sh. bej Vërlacin dhe V. Turtullin, si persona që ndikuan në këtë bashkim, për t'u nominuar si senatorë.[8]. Emërohet senator i Mbretërisë Italiane në dhjetor të 1939 deri më 20 dhjetor 1944 kur dha dorëheqjen[1] Shërbeu si ministër Mbrojtjeje në qeverinë jetëshkurtër të Maliq bej Bushatit, prej 12 shkurtit deri më 28 prill 1943.

Mbasi rezistencën antikomuniste ia la në dorë të birit, Mark Gjonmarkut, la vendin më 27 nëntor 1944 duke u përshëndetur me të.

Më 1960 u sëmur, por mbas 45 ditësh, i shtruar në Poliklinikë të Universitetit të Romës, u kthye në shtëpi. Më 1964 sëmundja iu shfaq përsëri e për dy vite e dhjetë muaj qëndroi i shtruar derisa vdiq në orën 21:15 të 28 prillit 1966 duke i shtrënguar dorën të birit, Ndue Gjonmarkajt. Trupi i tij u varros më 30 prill, i përcjellë nga përfaqësuesit e mbarë mërgatës shqiptare.[2]

Burime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c "Skeda e Gjon Marka Gjonit në sitin e Senatit italian". Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 24 janar 2015. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b Koliqi E., Gjon Marka Gjoni Kapidan'i Mirditës, Romë: "Shêjzat" vj. X, nr. 5-6, fq. 152-156.
  3. ^ Nakovics B., Kapidan Gjon Marka Gjoni, gjonmarkagjoni.com, marrë më 16 janar 2015.
  4. ^ Gjeçovi Sh., Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër: Botime françeskane, 2010.
  5. ^ Lajme rrokull Shqypnís, Shkodër: "Hylli i Dritës" vj. XIII, korrik-gusht 1937, nr. 7-8. fq. 417-418.
  6. ^ Pearson O., "Albania in the Twentieth Century, A History: Volume I: Albania and King Zog", I.B. Tauris & Co. Ltd., London-NY, 2004 fq. 462.
  7. ^ Çoba E., "Jetë e humbun", Tiranë: sh.b. "Mediaprint", 2010. fq. 127-128.
  8. ^ Perla L., Rassegna Storica Del Risorgimento, 49 (1962), n. 3, fq.444.