Grykat e Osumit
Grykat e Osumit, të njohura ndryshe edhe si "Kanionet i Skraparit", është kanioni më i madh lumor në Shqipëri.
Ai gjendet në rajonin jugor të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht në Qarkun e Beratit, Rrethi i Skraparit. Pamjet mbresëlënëse të natyrës në këtë kanion e bëjnë atë një nga më tërheqësit në rajonin e Ballkanit.
Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 m i gjerë, i thellë deri në 70-80 m, me shpate vertikale. Koha e formimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë.
Kur udhëton në brendësi të tij mahnitesh nga bukuria befasuese, por edhe nga disa përshtypje të çuditshme dhe të pabesueshme që të krijohen: coprat e qiellit së bashku me pjesë të mureve vertikale të gëlqerorëve gri dhe të bimësisë të blertë pasqyrohen në pellgjet e shumta të lumit, duke krijuar kështu një përzjerje ngjyrash dhe formash të përmbysura, që me fluiditetin e tyre të hutojnë, të çorientojnë dhe të zhytin në një botë krejt tjetër, ireale, por që të ngjallin ndjesi të ëmbla, nga të cilat nuk ke dëshirë të dalësh. Kjo nuk është e vetmia mrekulli e këtij kanioni: në disa sektorë të tij shfaqen ujëvara të mëdha me bukuri befasuese, sidomos në ditët me diell, rrezet e të cilit zbërthehen nga piklat e ujit, duke formuar ylbere, që fillojnë nga qielli, vazhdojnë në shpatet e kanionit, nga ku pasqyrohen në pellgjet e ujit dhe në shtratin e lumit. Në këto raste e ke të vështirë të vendosësh kufirin midis tokës dhe qiellit, të shaqen ndjesi të tjera edhe më të fuqishme, që të ndjekin nga pas edhe kur del prej kanionit, madje edhe kur je larg tij, ato të ftojnë të kthehesh dhe ta vizitosh përsëri atë.
Në muret vertikale të kanionit ka mjaft guva e zgavërime të formuara nga proceset e karstit. Midis tyre dallohet "Vrima e nuses", që ndodhet 800 m në afërsi të fshatit të Bigazit dhe që është një zgavër apo ndoshta një shpellë karstike në formën e një galerie me gjatësi 7 – 8 m dhe diametër rreth 2 m. Me siguri në muret vertikale gëlqerore ka edhe shpella të tjera shumë më të mëdha, të cilat presin eksploratorët për t’i zbuluar dhe evidentuar vlerat e tyre të shumta.
Legjenda mbi kanionin
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Ka qenë pikërisht bukuria e veçantë dhe forma interesante e këtij kanioni që rreth tij të dilnin edhe legjenda, të cilat kanë udhëtuar gojë më gojë deri në ditën e sotme. Midis tyre tregohet legjenda e nuses dhe ajo e gjurmës të shenjtit Abaz Aliu. Legjenda e lidh shpellën e "Vrimës së Nuses", të përmëndur më lart, me fatin e një nuseje që po martohej pa dëshirën e saj, por që ishte e detyruar të zbatonte zakonin e vjetër. Krushqit po ktheheshin me nusen që kishin marrë në një fshat tjetër, kur arritën këtu nusja u thotë atyre se "po e çonin tek burri pa dëshirën e saj", por krushqit nuk i dhanë përgjigje. Ndaj ajo e mendoi vet planin e ikjes. Duke iu lutur zotit, i drejtohet shkëmbit të kanionit: "Hapu, o shkëmb që të shpëtoj nga sikleti që më ka zënë". Dhe shkëmbi e dëgjoi, menjëherë hapi një vrimë, zgavër. Nusja u hodh nga kali dhe u fsheh në këtë vrimë. Krushqit u kthyen në fshat pa të. Më vonë kjo vrimë nisi të vizitohej nga nuse të reja që kërkonin të bëheshin me fëmijë. Legjenda e dytë lidhet me format e çuditshme të krijuara nga karsti (tretja) e gëlqerorëve në ujë. Këto forma janë të ngjashme me gjurmën e një kali dhe të një shkopi. Ato gjenden pranë fshatit Dhores, rreth 5 km larg qytetit të Çorovodës. Legjenda i cilëson ato si gjurmët e shenjtit Abaz Aliu, i cili erdhi në Tomor nga Qerbelaja, hipur mbi kalin e tij të bardhë. Ai fluturoi dhe e la gjurmën e tij në dërrasën e Kajcës, nga ku përsëri fluturoi në malin e Tomorit. Besimtarët bektashianë për të qetësuar shpirtin, kërkojnë ndihmën e gjurmës së shenjtit Abaz Aliu.
Sapo kalon qytetin e Çorovodës dhe merr sipër rrjedhën e lumit, papritmas te shfaqet pamja e mrekullueshme e Kanionit te Osumit. Ky kanion ende i panjohur mire për shkak te mungesës se publicitetit, është një nga perlat e natyrës shqiptare dhe një vend gati tërësisht i virgjër për tu eksploruar nga turistet si vendas ashtu dhe te huaj. Kanioni nis ne vendin e quajtur Hambull afro 18 kilometra nga qyteti i Çorovodës, pëson një ndërprerje pasi kalon fshatin Lapan, për shkak se shtrati i lumit zgjerohet në vendin e quajtur "Mulliri i Babait" dhe prej aty deri ne Vaun e Grepckes, gati dy kilometra larg qytetit të Çorovodës kanioni shfaqet madhështor dhe të ofron pamje me të vërtete te mrekullueshme e te papërsëritshme. Por pjesa me e bukur e tij shtrihet nga fshati Blezencke deri në fundin e fshatit Çerenisht.
Kanioni
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kanionet e Osumit, kanë një gjatësi prej 26 km dhe ndodhen 450 m mbi nivelin e detit. Mendohet se ato jane formuar 2-3 milionë vite më parë nga erozioni i ujit që depërton thellë në tokë.Përgjatë gjithë grykës ka mjaft kalime nëntokësore dhe shpella të paeksploruara.Ka hamendje se kanionet kanë shërbyer kohë më parë si nënkalime mbi lumin e Corovodës, por me kalimin e shekujve, tavanet e nënkalimeve nënujore janë shembur duke nxjerrë dhe formëzuar një tjetër reliev, sot këtë kanion.Ne gjirin e këtij kanioni , që përshkrohet nga lumi Osum, në të dy krahët e tij rrjedhin ujvara nga fshatra të ndryshme, të cilat kalojnë në një sistem shkëmbor .Kanioni si origjinë, më i madhi në Shqipëri, është ndër me fantastikët ne Europë, i karakterizuar kështu dhe nga studiuesit europiane, gjeografë që kanë ardhur në zonë.Ky kanion ka bukurinë mahnitëse edhe për ekosistemin që ruan në vetvete, ku gjelberimi në të dy krahët gjatë shpateve të kanionit, është i përhershëm.Shkurre mesdhetare me bimësi si marja, shqopa etj me nje botë të pasur të gjallë dhe peshq të kategorive nga më të ndryshme të ruajtura në themelet e lumit Osum.Në shpatet e të dy krahëve të kanionit, veprimtaria erozive e faktorëve te jashtëm ka krijuar një sëre shkëmbinjsh, nga më të rrallët të gjendur në kanionet shqiptare. Për luginën e Osumit, banorët rrëfejnë shumë legjenda, të cilat vijnë nga shumë vite larg...duke filluar me Mullirin e Babait, Vrima e Nuses dhe Shenjtori Abaz Aliu...shumë interesante për cdo vizitor. Në Kanionet e lumit Osum, ndodhen 6 ngushtica, ku kanioni në shtratin e lumit merr nje ngushtësi deri në 1.5 m, ndërsa hapësira lart në sipërfaqe shkon deri në 35 m.Përvecse tyre , te kanionet ndodhet Katedralja, Syri, Porta e Djallit...Gërryerjet ndër vite i kanë dhënë formën e ngrehinës natyrore të kultit. Të ndërtuara për të qënë një bukuri dhe thesar i mbarë njerëzimit, nëpërmjet mrekullisë krijuese të mjeshtrit më të madh të kohërave, natyrës, kanionet e Osumit bëhen emocionuese në cdo moment, në cdo kohë dhe magjia të mbërthen që në sekondën e parë që i sheh,duke të bërë pre të dashurisë së përjetshme. Eshtë tepër e vështirë, herë e pamundur për të përshkruar ato emocione që përjeton duke i parë dhe prekur dhe ndoshta është e pabesueshme por është e vërtetë që takimi me to të ndryshon jetën. Pamja që të ofrojnë ato kur i sheh nga sipër është padiskutim marramendëse, por ajo cka ti prek kur futesh mes tyre dhe shëtit, të bën të mendosh se je në një përrallë, në një vend-ëndrrash...
Turizmi
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kanioni i Osumit ka qene thuajse i pashfrytëzuar për qëllime turistike deri në fillimin e viteve '90. Por qysh nga ajo kohe kanionin kane nisur ta vizitojnë turiste të huaj kryesisht italiane dhe franceze, të cilit e kanë kthyer në një rit të përvitshëm. Ata janë kryesisht të dhëne pas vozitjes me kanoe e kajak. Në kater-pese vitet e fundit numri i vizitoreve që shijojnë pamjet e mrekullueshme të kanionit është rritur ndjeshëm si të atyre vendas ashtu dhe turisteve të huaj. Kanioni mund te vizitohet në dy mënyra, nëpërmjet shtratit të lumit me kanoe, kajak apo gomone, ose në rruge tokësore me automjet apo në këmbe. Lundrimi mund të bëhet në çdo stine të vitit pasi lumi nuk është shumë i rrëmbyeshëm, por zakonisht amatoret e këtij sporti preferojnë periudhën nga pranvera deri në fundin e vjeshtës. Lundrimi rafting, kajaking dhe kanotazhi mund të bëhet duke i pasur vete këto mjete, në të kundërt një shërbim i tillë të ofrohet nga shoqata sportive e liçensuar për sportin rafting në Shqipëri Albania Rafting Group, në qytetin e Beratit, e cila nëpërmjet partnerëve të saj lokalë ofron veç të tjerash dhe hotel, kuzhine tradicionale të zonës si dhe një guide rafting nëpër kanion. Paketa bazë nga Berati deri në pjesën e sipërme të kanionit dhe rafting deri në urën e Corovodës, të ofrohet për 6 mije leke të reja. Ndërsa nga toka kanioni mund të vizitohet në çdo kohe dhe me shumë pak shpenzime. Kanioni është krejtësisht një vepër e natyrës.
Guida
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Rruga automobilistike që lidh qytetin e Çorovodës me skajin e sipërm të kanionit të quajtur Hambull kalon thuajse ngjitur me bregun e kanionit. Ky aks rrugor nuk është i asfaltuar por mund të përshkohet me fuoristrade apo autoveture. Nga Çorovoda deri në Hambull mund të shkosh me linje furgoni që e përshkon këtë distance dy herë në ditë, në mëngjes, nisja në orën 7.00 dhe pasdite në orën 16.00. Gjate vizitës neper kanionin e Osumit mund të shijosh edhe pamjen përrallore të disa ujëvarave, të cilat bien në lume nga një lartësi e madhe, si ne Çerenisht, Zogas, Kalanjas, Dhores, Pigas e Blezencke. Gjatë kanionit mund të ndeshesh dhe disa shpella interesante. Një pamje të rralle të kanionit mund ta shijosh dhe nga e vetmja ure që ndodhet në te, në afërsi të fshatit Blezencke. Pikërisht aty është vendi me i ngushte i kanionit dhe arrihet lartësia me e madhe nga shtrati i lumit. Në afërsi të fshatit Dhores mund të vizitosh dhe vendin e shenjte për besimtaret bektashian te zonës, pasi sipas legjendës aty gjendet "Gjurma e Imam Aliut". Ky vend i shenjte ndodhet në pjesën e sipërme të kanionit, ku në masivin shkëmbor, në të dyja anët e lumit, dallohen qarte gjurma e një njeriu, e një kali dhe gjurma e një bastuni. Sipas legjendës Imam Aliu e ka kaluar kanionin me një kërcim të kalit të tij. Si gjatë vozitjes neper lum ashtu dhe nëse ecën me këmbe ndesh burime me ujë të ftohtë, por nuk ka lokale, kështu që duhet të marrësh me vete edhe pak ushqim apo pije të ndryshme. Hotelet me te afërta me kanionin ndodhen në qytetin e Çorovodës. Çmimet ne to janë shumë të arsyeshme. Në restorantet e qytetit të ofrohet gatimi tradicional i zonës, mishi ne hell i shoqëruar me disa produkte bulmeti si dhe me rakinë me nam të Skraparit. Kanioni mund të përshkohet për afro treçerek ore me makine, tre ore në këmbe dhe pak me shumë se dy ore me kanoe apo kajak.