Hëna Spahiu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë


Hëna Spahiu arkeologe shqiptare. Ka lindur më 26 shkurt 1933. Pasi kreu shkollën e mesme në Tiranë, vazhdoi studimet e larta ne Universitetin e Budapestit ku dhe u diplomua në fushën e arkeologjisë duke pasur si udhëheqës profesorin e shquar hungarez Lazio Gjulia, specialist i mirënjohur i arkeologjisë së periudhës "së dyndjes së madhe të popujve". U nda nga jeta më 1992.

Punimet si studente[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Tema e diplomes, "Kultura e Komanit", mbeti edhe më pas në qendër të vëmendjes së kërkimeve e studimeve të saj. Lidhur me këtë temë, ende si studente, kishte vizituar varrezën pranë Kalasë se Dalmacës (Koman) dhe kishte marrë pjesë ne gërmimet hetimore që nisën më 1956 ne një varrezë tjetër arbërore pranë Krujës. Këto gërmime i vazhdoi si bashkautore edhe në vitet që pasuan.

Punimet dhe arritjet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me pasionin e një arkeologeje gjithnjë të re, ajo punoi për rreth 30 vjet ne kantiere të ndryshme arkeologjike. Përgatitja e mirë universitare në fushën e arkeologjisë së hershme mesjetare si dhe kërkimet e para të saj të suksesshme në këtë fushë, e bënë përfundimisht këtë të fundit drejtimin shkencor të punës se saj, ku ajo dha një ndihmesë të çmuar. Kjo ndihmesë pasqyrohet fillimisht në një numër studimesh e më vonë në dizertacionin "Varreza arbërore e Kalasë se Dalmacës" të mbrojtur prej saj më 1982, me të cilin fitoi gradën "Doktoreshë e Shkencave".

Studime të tjera të Hëna Spahiut dëshmojnë për një përkushtim të posaçëm të saj për kërkimet në një fushë të re të arkeologjisë shqiptare siç ishte ajo e periudhës se mesjetës. Është i njohur tashmë studimi monografik i saj me bashkautor D.Komatën, kushtuar rezultateve të gërmimeve 4 vjeçare (1967-70) në Shurdhah-Sarda, një qytet i fortifikuar mesjetar shqiptar. Vepra e dytë monografike e Hëna Spahiut është "Qyteti i fortifikuar i Beratit", të cilën nuk e pa të botuar. Hëna Spahiu punoi edhe në fushën e numizmatikës bizantine, duke hartuar katalogun e parë të monedhave bizantine të gjetura në Shqipëri. Është gjithashtu bashkautore e një albumi ilustrativ për stolitë arbërore.

Këmbëngulëse në punën e saj, e mirëpërgatitur dhe me një horizont të gjerë njohurish, ajo megjithatë ndonjëherë nuk qe ndihmuar dhe vlerësuar drejt nga drejtuesit zyrtarë. Por Hëna Spahiu e gjente kënaqësinë te puna.

Disa fushata gërmimesh, me mjete të kufizuara e vështirësi të kohës, i dhanë asaj një lëndë të pasur arkeologjike, që do të përbënte një bazë të fuqishme për një punim madhor për kulturën arbërore, për të cilin kishte filluar punën përgatitore, por që ndarja nga jeta ia ndërpreu në mes.

Veprimtaria shkencore e Dr. Hëna Spahiut është manifestuar edhe në pjesëmarrjen në dy Kuvendet e Studimeve Hire dhe në veprimtari të tjera shkencore brenda dhe jashtë vendit.

Vdekja e parakohshme la pa realizuar edhe plane të tjera premtuese, për të cilat, edhe pse në pension, ajo punonte me të gjitha fuqitë e veta, duke u frymëzuar nga aspirata për të dhënë kontribute të reja për arkeologjinë mesjetare shqiptare. Për vlerën e punës shkencore që la pas, emri i Hëna Spahiut do të kujtohet gjithnjë me respekt të veçantë.[1]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]