Jump to content

Hafiz Tasim Luniku

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hafiz Tasim Luniku u lind në qytetin e Elbasanit në vitin 1898. Familja e tij ka qenë e lidhur me fenë prej brezash. Ai u rrit, u brumos dhe vdiq, pa u larguar nga qëllimi i tij në jetë: përhapja e fesë islame.

I arsimuar në medresenë e Elbasanit, Hafiz Tasim Luniku kreu detyra fetare si imam, myezin, vaiz e myfti me përkushtim të madh. Punoi me ndërgjegje e ndershmëri të madhe për të ngritur lart fenë islame. Autoriteti i tij në qytet e në fshat qe kurdoherë i madh. Zotëronte tri gjuhë të huaja: arabishten, turqishten dhe persishten. Ruante një bibliotekë të pasur me literaturë fetare, shkencore dhe artistike.

Pas çlirimit të vendit nga nazi-fashistët, qeveria moniste zhvilloi edhe kundër Hafiz Tasim Lunikut luftën e klasave. Për këtë po veçojmë disa aspekte:

  • 1. Me shpalljen e fesë si ent privat në vitin 1947, si pasojë, rroga iu zbrit në maksimum. Si të mos mjaftonte kjo, iu hoq edhe sistemi i triskëtimit.
  • 2. Rast e pa rast, Hafiz Tasim Luniku thirrej nga organet e sigurimit të shtetit, ku, në forma nga më të ndryshmet, i bënin presion që të largohej nga rruga e fesë dhe e besimit.
  • 3. Në vitin 1954 atë e pezullojnë nga puna dhe deri në vitin 1968, që shënon edhe vitin e vdekjes së tij, Hafiz Tasim Luniku, nuk iu dha e drejta e pensionit.
  • 4. Në vitin 1967, viti i të ashtuquajturit Revolucioni Kulturor Shqiptar, kur nisi aksioni famëkeq i prishjes së objekteve e kulteve fetare në mbarë vendin, pa u kujdesur për vlerat patriotike e kulturore që kishin objektet fetare, po që kishte për qëllim vetëm rritjen e një kulti, atë të Enver Hoxhës, Hafiz Tasimin e diskredituan publikisht në kinemanë e qytetit dhe në lagjen ku banonte, bile propozuan edhe për ta internuar familjarisht. Si të mos mjaftonin të gjitha këto “linçime”, kërkuan me këmbëngulje, dhe, në fakt edhe e diskredituan me karikatura të ndryshme, të cilat i vendosën në qendër të qytetit, në muret e ish-kinemasë verore, në Sheshin e Tabakëve.
  • 5. Në lëvizjen e fshatarëve të Labinotit për të kundërshtuar fenë, Hafiz Tasim Luniku u gjet papritur para presionit më të madh të njerëzve të çoroditur e të indoktrinuar keqaz, të cilët kërkuan edhe izolimin e tij të plotë. Dhe ashtu ndodhi. Njeriu i mirë e i përkushtuar në atë që besonte, në fenë islame, eruditi i kulturës së Lindjes, Hafiz Tasim Luniku, mbeti i izoluar mbyllur në muret e shtëpisë, pa takuar asnjë njeri tjetër, veç familjarëve, që edhe i shërbenin.

Shumë kohë pas vdekjes së Hafiz Tasim Lunikut, pasi kishte ardhur edhe në Shqipëri dielli i demokracisë, djali i tij, Xhevdeti, plotësoi edhe amanetin e lënë me gojë nga babai i tij, dhe dërgoi me shpenzimet e veta dy njerëz për kryerjen e haxhillëkutMekë, për nder të babait dhe nënës së tij, Razije.

Fisi i madh i Lunikasve në Elbasan janë brez pas brezi të dhënë në mënyrë tepër konkrete pas fesë islame. Ky kontribut daton që në shek. XVIII, ku u dalluan pinjollët e parë të fisit Luniku si, Hafiz Sulejman Luniku (1777-1853), Hafiz Seit Luniku (1811-1886), Hafiz Sulejman Luniku (1851-1913), Hafiz Mustafa Luniku (1859-1907), Hafiz Qamil Luniku (1902-1971), Sheh Shaqir Luniku (1895-1937) dhe Hafiz Tasim Luniku (1898-1968), të cilët bënë për fenë islame në Elbasan e në gjithë trevën tonë më shumë se kushdo tjetër.

Le të jetë ky shkrim një homazh për të gjithë dëshmorët e fesë islame, se të tillë meritojnë të quhen ideologët Lunikas të fesë islame, të cilët, ndonëse në kohë të ndryshme, dhanë ndihmesen e tyre te vyer për islamin.