Hamid Gjylbegu

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Hamid Gjylbegu (Shkodër, 28 shkurt 1889 - Elbasan, 24 shkurt 1979) ka qenë ushtarak dhe poet shqiptar. Drejtues në terren i forcave qeveritare dhe vullnetare shqiptare gjatë Luftës së Koplikut.[1] Poezia e të cilit është cilësuar përfaqësuese e njëfarë neo-misticizmi.[2] Me daljen në pension u dha pas krijimtarisë letrare dhe botoi shumë broshura me vjersha lirike, filozofike, për fëmijë, përkthime dhe folklor.[3] Shumë nga vëllimet e tij u ndaluan nga regjimi komunist në Shqipëri pas 1948, ndër to Agimi i filozofís, Çikrrime filozofije, Drita e s'vërtetës, Flutura ndër lule, Kunora e lumnís, Fletra e jetës: pasqyra e s'vërtetës.[4]

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër, i biri i Sulejmanit të Tahir Gjylbegut, ndër familjet hanedane të qytetit.[5] Ndoqi arsimimin fillor në mejtep dhe atë të mesëm administrativo-ushtarak në ryzhdien e qytetit, vitin e fundit të së cilës e ndoqi dhe e kreu në Manastir. Shkollimin e mëpasëm ushtarak e vijoi në Akademinë Ushtarake në Stamboll, të cilën e kreu pas tre vjetësh.[6] Gjatë viteve të Akademisë qe në kontakt me rrethin studentor shqiptar në kryeqytet, por edhe me të tjerë si franko-algjerianin Marsel Muhjedin, korrespondent i gazetës Les temps.[7]

Në korrik të 1912 u emërua instruktor i rekrutëve të regjimentit të 38-të në Selanik. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike shërbeu në korparmatën e Selanikut, e cila luftoi kundër trupave serbe në Kumanovë, Qyperli, Perlep e Manastir; më pas kaloi në frontin jugor kundër grekëve në Bilisht, Korçë e Janinë. Më 6 mars 1913 Janina iu dorëzua grekëve dhe Hamidi i zënë rob lufte, u dërgua në ishullin Zanta. Në tetor u lirua dhe u kthye në Stamboll.[6]

Ktheu në Shqipëri në prag të ardhjes së Princ Vidit, duke shërbyer në xhandarmëri, ai luftoi kundër Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme.[3] Ato vite organizata "Krahu Kombëtar" e themeluar në Durrës, kaloi në seli në Shkodër dhe me zgjerimin e saj iu afruan edhe Hamidi, Maliq beg Bushati, Riza Dani, etj.[8]memuaret e veta, Eqrem bej Vlora e përmend se gjatë Luftës së Parë Botërore shërbente në ushtrinë italiane, autoritetet e së cilës e kishin gjysmë internuar në KaljariSardenjës,[9] mbase nga kundërshtia që pati ndaj qeverisë së dalur prej Kongresit të Durrësit.[7]

Pas lirimit qe anëtar i kryesisë së Komitetit «Mbrojtja Kombëtare e Kosovës» dhe përkrahu Kongresin e Lushnjes. Qe drejtuesi në terren i operacioneve luftarake mbrojtëse në Luftën e Koplikut së bashku me kolegun akademist dhe bashkëluftëtarin Taip Shkodra.[7]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Flutura ndër lule, 1924;
  • Pak a shum, vjersha, 1925;
  • Fjala e virtytit. Intime filosofije, 1929;
  • Monumenti i Atdheut, 1930;
  • Kunora e lumnís, caku i filozofís, 1931;
  • Fletra e jetës pasqyra e së vërtetës, 1932;
  • Kopje origjinale, 1933;
  • Agimi i filozofís, 1933;
  • Drita e s'vërtetës, 1933;
  • Çikrrime filozofije, 1934;
  • Kuvendi i shqiptarit, 1934;
  • Hiret e shueme. Vjerrsha në prozë, 1939;
  • Fyelli i barive. Jone shpirtnore, 1943;
  • Harpa e thyeme. Jone shpirtnore, 1943;
  • Zana e shitueme, 1943;

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Haklaj, Veli (2009). Kryengritja e Delvinës e vitit 1937. Tiranë: Kristalina-KH. fq. 297. ISBN 9995643103.
  2. ^ Norris, Harry Thirlwall (1993). Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht). Univ of South Carolina Press. fq. 192-195. ISBN 9780872499775.
  3. ^ a b Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 555. OCLC 645720493.
  4. ^ Peçi, Admirina (9 janar 2016). "Festivali i artit të ndaluar: 154 veprat e para që ndaloi regjimi komunist" (PDF). Shqiptarja.com: 20–21.
  5. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet: Pemë gjenealogjike familjesh shkodrane. 3. Idromeno. fq. 28.
  6. ^ a b Bushati, Xhahid (2018). Burra të vdekur - të gjallë... Fiorentia. fq. 110–111. ISBN 9789928191953.
  7. ^ a b c Bushati, Nexhmi (1994). "Hamid Gjylbegaj: Jeta dhe vepra". Shkodra në shekuj. Muzeu Historik i Shkodrës. 1: 353–361.
  8. ^ Kaloçi, Dashnor (25 tetor 2003). "Hamid Gjylbegu, shkodrani që nuk votoi kurrë për komunistët". Gazeta Shqiptare. IV (2622): 12–13.
  9. ^ Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 424. ISBN 99927-780-6-7.