Shko te përmbajtja

Hekurudha Selanik-Shkup-Mitrovicë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Hekurudha Selanik-Shkup-Mitrovicë është një linjë hekurudhore transnacionale që lidh qytetin port të SelanikutGreqi me ShkupinMaqedoninë e Veriut dhe Prishtinën e Mitrovicën në Kosovë. Kjo linjë me një gjatësi prej 350 km ka pasur një rol të rëndësishëm historik dhe ekonomik, veçanërisht në transportin e mallrave dhe pasagjerëve mes këtyre rajoneve.

Ndërtimi i linjës Selanik-Shkup-Mitrovicë ishte hartuar në vitin 1870, me synimin për të lidhur Selanikun me Shkupin, Prishtinën dhe Mitrovicën dhe rrjedhimisht me hekurudhën evropiane. Linja Selanik-Shkup-Mitrovicë nisi ndërtimin më 9 shkurt 1871 si pjesë e rrjetit historik të njohur si Hekurudhat Orientale (Frengjisht: Chemins de fer Orientaux, anglisht : Oriental Railway ; turqisht : Rumeli Demiryolu ose İstanbul-Viyana Demiryolu) ( shenja raportuese : CO). Gjatë kësaj periudhe, Greqia e Veriut dhe Ballkani jugor ishin ende nën sundimin osman. [1] Projekti u ndërmor nga bankieri bavarez-hebre Maurice de Hirsch.

Më 9 gusht 1873 është bërë lëshimi në qarkullim i trenit në segmentin hekurudhor Selanik - Shkup,[2] ndërsa segmenti Shkup - Mitrovicë është lëshuar në qarkullim më 29 dhjetor 1874 kur edhe arriti treni i parë në qytetin verior të Kosovës.[3] Finalizimi i kësaj linje hekurudhore ka qenë një ngjarje me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e përgjithshëm të transporti në rajon. Përparësia e komunikacionit hekurudhor ka qenë e tillë që nuk ka mundur të krahasohet aspak me çfarëdo lloj tjetër të mjetit transportues që është përdorur deri atëherë.

1. Segmenti Selanik – Shkup

Ky segment i linjës është ndër më të rëndësishmet për transportin e mallrave dhe pasagjerëve. Ajo ka pasur një përdorim të vazhdueshëm që nga ndërtimi dhe ka shërbyer si një arterie e madhe e transportit në rajon.

Nënsegmentet
  • Selanik - Miravc
  • Miravc - Shkup
2. Segmenti Shkup – Mitrovicë

Ky segment ishte veçanërisht i rëndësishëm gjatë periudhës jugosllave, duke lidhur Kosovën me rrjetin hekurudhor të Maqedonisë dhe më tej me Greqinë dhe Europën.

Nënsegmentet
  • Shkup - Fushë Kosovë
  • Fushë Kosovë - Mitrovicë

Stacionet në linjën hekurudhore Mitrovicë - Shkup - Selanik janë:

Në relacionin Selanik-Shkup-Mitrovicë orari i nisjes dhe i arritjes së trenave ishte si vijon: nisja nga Selaniku ishte në orën 7:30 në mëngjes, ndërsa arritja në Shkup në orën 16:30 pas dite; pastaj nisja nga Shkupi në drejtim të Selanikut në orën 8:00 në mëngjes, ndërsa arritja në Selanik ishte në orën 17.00 pasdite. Në këtë relacion treni udhëtonte gjatë ditës së hënë, të mërkurë, të premte dhe të diel. Nga Shkupi në drejtim të Mitrovicës treni nisej në orën 6:30 në mëngjes, ndërsa arrinte në Mitrovicë në orën 11:49. Nga Mitrovica në drejtim të Shkupit nisej në orën 13:11, ndërsa në Shkup arrinte në orën 18:30. Në këtë relacion të hekurudhës treni udhëtonte të martën, të enjten dhe të shtunën. Nga ky orar i udhëtimit mund ta kuptojmë se brenda ditës së njëjtë nuk kishte mundësi të udhëtohet nga Selaniku në Mitrovicë dhe nga Mitrovica në Selanik, por kjo duhej të bëhej ditën tjetër ose dy dytë më vonë, nëse ditën tjetër nuk kishte linjë. Kjo nënkuptonte që udhëtarët që kanë dashur të udhëtojnë në këtë relacion është dashur të qëndrojnë në ndonjë han ose hotel në Shkup.[4] Kjo gjendje ka vazhduar deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore kur orari i levizjes së trenave është përmirësuar dukshëm edhe me trena të linjave më të gjata dhe qarkullime më të shpeshta në të dy drejtimet.

Roli ekonomik dhe strategjik

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave dhe më pas të Jugosllavisë socialiste, kjo linjë u bë një nga rrugët kryesore të transportit të qymyrit nga Minierat e Kosovës drejt Greqisë dhe vendeve të tjera ballkanike. Mitrovica, si një qendër industriale dhe minerare, kishte nevojë për një infrastrukturë të zhvilluar transporti për eksportin e xeheve të ndryshme.

Në kohën e Jugosllavisë socialiste, në vitet 1970 dhe 1980 në këtë linjë ka qarkulluar treni i famshëm Akropolis Ekspres në relacionin Mynih - Prishtinë - Athinë.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe konflikteve të viteve 1990, përdorimi i linjës ka pësuar ndërprerje dhe ndryshime të shumta, veçanërisht në segmentin Shkup – Mitrovicë.[5] [6]

Gjendja aktuale dhe perspektivat

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sot, linja Selanik – Shkup mbetet aktive dhe luan një rol të rëndësishëm në transportin rajonal, megjithëse me kapacitet të kufizuar. Ndërkohë, segmenti Shkup – Mitrovicë është funksional vetëm pjesërisht, deri në Fushë Kodovë, por nuk ka shërbime të rregullta pasagjerësh në të gjithë gjatësinë e linjës. Investimet e ardhshme në infrastrukturën hekurudhore të Ballkanit mund të sjellin një ringjallje të kësaj rruge strategjike.

Në kuadër të projekteve për modernizimin e hekurudhave në Ballkanin Perëndimor, janë propozuar investime të reja që mund të rikthejnë këtë linjë në një arterie kyçe të transportit rajonal. Kjo do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe do të lehtësonte lëvizjen e mallrave dhe pasagjerëve midis Europës Juglindore dhe Mesdheut Lindor.

Projekti i transportit të mallrave është mjaft i rëndësishëm, për të dhënat e hekurudhave të vendeve përkatëse, pasi përveç lidhjes së Portit të Selanikut me vendet e Ballkanit, kjo ofron edhe një lidhje të Portit të Pireut me Europën Qendrore.

  1. "Σιδηροτροχιά". idomeni.gr (në greqisht). Arkivuar nga origjinali më 22 korrik 2017. Marrë më 10 maj 2017.
  2. Emini, Besnik (26 shtator 2023). "Shkup – 1873, viti i ardhjes së trenit të parë". revistashenja.com - REVISTA SHENJA. Marrë më 4 shkurt 2025.
  3. "The railway line Thessaloniki-Skopje-Mitrovitsa". www.macedonian-heritage.gr (në anglisht). Marrë më 4 shkurt 2025.
  4. "Shkup – 1873, viti i ardhjes së trenit të parë - revistashenja.com". revistashenja.com - REVISTA SHENJA (në anglishte amerikane). 26 shtator 2023. Marrë më 4 shkurt 2025.
  5. European Commission (2024). "Upgrade of the Polikastro-Idomeni railway section" (PDF) (në anglisht). Marrë më 19 nëntor 2024.
  6. "Σύμβαση 11,5 εκ. ευρώ για την σιδηροδρομική γραμμή Θεσσαλονίκη-Ειδομένη" (në greqisht).