Historia e Junikut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Juniku në vitin 1912.

Kuvendi i Junikut[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kuvendi i Junikut (21 maj - 25 maj 1912). Zgjerimi i veprimeve luftarake të kryengritësve shtroi si një detyrë të ngutshme bashkërendimin dhe organizimin e kryengritjes në shkallë kombëtare. Të parët që e ndjenë këtë nevojë të organizimit ishin udhëheqësit e forcave kryengritëse të Kosovës. Në thirrjen drejtuar popullit shqiptar në fillim të muajit maj nga Malësia e Gjakovës shtrohej kërkesa e bashkimit të kryengritësve nën drejtimin e një komiteti të vetëm kombëtar, i cili, duke pasur edhe një organ shtypi në gjuhë të huaj, të propagandonte programin e luftës së armatosur të popullit shqiptar: “Lirinë administratore të Shqypëniës”. Thirrja ishte nënshkruar nga Mahmut Zajmi, Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Pjetër Çeli, Halil Mehmeti, Idriz Jaha, Hasan Ballanca dhe nga Sali Hoxhë Elbasani, si sekretar i përgjithshëm. Përmasat që po merrte lëvizja kryengritëse në trevat verilindore të vendit bënë të mundur organizimin e shtrirjen e kryengritjes në të gjithë Shqipërinë dhe bashkimin e të gjitha forcave rreth një programi politik kombëtar. Për këto qëllime u vendos të thirrej në Junik një kuvend shqiptar. Sulmi i kryengritësve mbi Gjakovë krijoi kushte të volitshme për mbajtjen e kuvendit, sepse forcat e Korparmatës së 7-të osmane (me qendër në Ferizaj) u detyruan të përqendroheshin atje. Ministri i Brendshëm turk deklaroi atëherë në parlament se “kryengritësit shqiptarë po u krijonin udhëheqësve të tyre mundësitë për të mbajtur lirisht kuvendin në Junik”. Kuvendi u mblodh në Junik më 21-25 maj 1912, me nismën e Hasan Prishtinës. Në të morën pjesë 250 delegatë nga vilajeti i Kosovës, si dhe nga sanxhakët e Dibrës, të Shkodrës dhe të Elbasanit ; ishin gjithashtu disa përfaqësues nga krahinat e Jugut. Me përpjekjet e Hasan Prishtinës, që u mbështet nga Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë, Kuvendi arriti të paralizonte qëndrimet e elementëve turkomanë, të cilët kishin depërtuar në radhët e pjesëmarrësve, dhe të neutralizonte lëkundjet e krahut të moderuar. Me vendimet e Junikut do të bashkohej edhe Riza bej Kryeziu. Misioni “i paqes” i dërguar në Junik nga mytesarifi i Pejës nuk arriti t’i bindte pjesëmarrësit e Kuvendit të hiqnin dorë nga kryengritja e armatosur. Madje, anëtarët e tij u mbajtën peng në Junik për disa ditë. Shumica e pjesëmarrësve të Kuvendit u treguan të vendosur për vazhdimin e kryengritjes. Në Kuvend u lidh besa dhe u vendos të ndërmerrej një kryengritje e përgjithshme kundër sundimit të huaj. Krerët autonomistë, në kundërshtim me parinë turkomane të Kuvendit, shpallën këtu programin politik të kryengritjes, i cili u miratua nga Kuvendi dhe iu dorëzua qeverisë së Stambollit. Programi përmbante këto kërkesa: njohjen e autonomisë së Shqipërisë, vendosjen e administratës shqiptare, caktimin e gjuhës shqipe me alfabetin kombëtar si gjuhë zyrtare, ngritjen e flamurit shqiptar në të gjithë vendin, emërimin e një stërnipi të familjeve “princore” shqiptare si guvernator të përgjithshëm dhe garancinë e Fuqive të Mëdha për plotësimin e këtyre kërkesave. Vendimet e Kuvendit të Junikut i dhanë një shtytje të mëtejshme kryengritjes së përgjithshme shqiptare. Ato u përkrahën edhe nga kuvendet dhe komitetet e viseve të tjera të Shqipërisë. Pas këtij Kuvendi qeveria turke mori masa të reja ushtarake për të penguar shtrirjen e mëtejshme të kryengritjes. Krahas saj, xhonturqit, duke u mbështetur edhe në parinë turkomane, ndërmorën një fushatë shpifjesh kundër vendimeve të Junikut, kundër kryengritësve dhe udhëheqësve të tyre, të cilët i quajtën vegla të të huajve. Xhonturqët për t’iu kundërvënë këtyre vendimeve u përpoqën të organizonin edhe tubime të veçanta, por këto tubime u bojkotuan nga shqiptarët. Menjëherë pas Kuvendit u trilluan telegrame drejtuar qeverisë, si ai i bërë gjoja në emër të popullsisë së Prizrenit, në të cilin dënoheshin “kryengritësit dhe ngatërrestarët” e rrethinave të Gjakovës e të Pejës, shprehej besnikëria e parisë turkomane ndaj sunduesve osmanë, si edhe kundërshtimi i tyre ndaj alfabetit latin. Xhonturqit nxitën gjithashtu parinë turkomane të Tetovës të ngrihej kundër disa “rebelëve qëllimkëqinj të rajoneve të Pejës e të Gjakovës, (të cilët) në kuvendet e mbledhur në emër të Shqipërisë, kanë shfaqur haptazi kërkesa të jashtëligjshme”. Me protesta të tilla të sajuara u bashkuan edhe përfaqësues të parisë së Prishtinës. Në telegramet e elementëve turkomanë të Tiranës e të Durrësit vendimet e Junikut paraqiteshin si kërkesa të individëve a të një pakice njerëzish. Telegrame me përmbajtje të njëjtë iu dërguan Stambollit edhe nga paria turkomane e Dibrës, e Shkodrës dhe e Shkupit. Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë iu vunë punës për të vënë në jetë vendimet e Kuvendit të Junikut. Ai lëshoi një shpallje në gjuhën turke dhe në gjuhë të tjera, drejtuar “Shqiptarëve liridashës dhe botës së qytetëruar”, në të cilën theksonte se “pas përpjekjesh të pafrytshme për sigurimin e të drejtave kombëtare me mjete ligjore, përmes zbatimit të kushtetutës, shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër veç asaj të rrëmbimit të armëve. Është momenti kur vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”, përfundonte thirrja e Hasan Prishtinës. Pasi kaloi afati i armëpushimit me autoritetet turke, kryengritësit vijuan luftën për të vënë në jetë vendimet e Kuvendit të Junikut.

Lufta e UÇK-së në Junik[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas betejës së Loxhës ofensiva serbe vazhdoi në viset e tjera të Kosovës. Për ndihmesë të Junikut ishte planifikuar edhe njësiti operativ brigada "Skënderbeu" e udhëhequr nga eprori Fuad Ramiqi, e cila disa herë kishte bërë përpjekje për të hyrë, por ishte penguar nga persona të papërgjegjshëm. Sipas major Nazif Ramabajas, ish kryeshefit te Shtabit operativ te Rrafshit te Dukagjinit, pamundësimi i hyrjes së kësaj brigade, mosdhënia e ndihmës së Sali Çekajt nga ana e shtetit shqiptar dhe mosarritja e armatimit të premtuar për njësitet operative të Brigadave 131, 134 dhe 133 e përshpejtoi edhe rënien e Junikut.[1] Pas Betejës së Loxhës, ku UÇK-ja kishte marrë si trofe lufte shumë armë, municione dhe një motorolë 16 kanalëshe nga inspektori Sergjan Peroviç, ndodhi ofensiva e Rahovecit. Përveç Rahovecit ishte ndërmarrë edhe sulmi mbi Junikun sipas planit të qeverisë serbe për pastrimin e pesë kilometërshit të zonës kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Brigada e 13 e UÇK-së, e mbetur në Junik, në pritje të një lloj armatimi superior i cili duhej të arrinte nga një shtet i fortë. Këtë armatim nuk e kishte as Serbia në arsenalin e saj ushtarak, por ky armatim nuk mbërriti kurr. Duke parë se në çfarë situate gjendej Juniku dhe fshatrat e Rekës së Keqe, me pëlqimin e komandantit të njësiteve operative të Rafshit të Dukagjinit, Tahir Zemajt, Sali Çekaj u tërhoq për në Shqipëri për të siguruar një pjesë të armatimit për t´i ardhur në ndihmë Junikut. Ai edhe pse kontaktoi njerëz të rëndësishëm të pushtetit në Shqipëri nuk arriti të sigurojë veç një sasi simbolike, e cila ishte e pamjaftueshme për luftëtarët e Junikut. Gjatë rezistencës së mbrojtjes së Junikut kontribut të jashtëzakonshëm dha oficeri Agim Ramadani, i cili u bë i njohur me këtë luftë e sidomos për shpërthimin e rrethimit dhe kurthet që u përgatiti forcave ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe në minimin e rajoneve në Junik, Gjocaj dhe Jasiq dhe tërheqjen e të plagosurve dhe popullatës civile për në Shqipëri. Agim Ramadani u bë sinonim i një strategu dhe profesionisti se si duhej luftuar. Ndihmesë të madhe në këtë i dha edhe Rrustem Berisha me ushtarin Astrit Ademajn.[1] Ndodhi sulmi në Rahovec dhe vrasja e Agim Qelës, siç kishim marrë informata nga luftëtari Alush Gjocaj, i cili edhe vet ishte plagosur, menjëherë pas rënies së Rahovecit në duart të soldateskës, policisë dhe paramilitarëve serbë. Në këtë ofensivë kishin marrë pjesë edhe mercenarë rusë-biellorusë dhe ukrainas. Ishte fillimi i ofensivës serbe për marrjen nën kontroll të rrugës kryesore, apo magjistralës Prishtinë-Pejë. Luftime të ashpra u bërë në Grykën e Llapushnikut, granatimet e Gllarevës dhe magjistrales Prishtinë-Prizren të Caraleva, fshatrat e Shtimes si dhe rrethina e Therandës. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin intensitet ishin sulmuar dhe granatuar fshatrat e brezit kufitar me Shqipërinë, Reka e keqe: Smolica, Dobroshi e Juniku. Gjatë sulmeve serbët sulmuan Malishevën nga të katër anët: nga ana e Rahovecit nga ana e Kijevës, nga ana e Llapushnikut dhe nga ana e Caralevës dhe sipas planit të tyre pra më 28.07.1998 kanë planifikuar të mirret Malisheva dhe në orët e mbrëmjes pas tërheqjes së UÇK-së Malisheva ka rënë në duart e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë. Në ndërkohë është sulmuar edhe Dobroshi, Juniku, Jasiqi, Gjocaj në Rekën e keqe.[1]

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Gazeta Bota Sot: Intervistë me major Nazif Ramabajën, kryeshef i Shtabit oparativ të Rrafshit të Dukagjinit dhe komandant i njësiteve operative të UÇK-së në Lugun e Baranit]