Historia e Lipjanit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Si vendbanim, Lipjani njihet që nga periudha romake, por jo si vend i rëndësishëm. Qytet me rëndësi dhe kryqëzim i rëndësishëm i rrugëve ishte Ulpiana, e cila ndodhej në verilindje në largësi rreth 10 km nga Lipjani. Lipjani, në periudhën romake ishte kryesisht një vendbanim i vogël në rrugën për në Lissum. Identifikimi i Lipjanit me emrin Ulpiana më vonë është vërtetuar edhe me zbulimet e gërmadhave të vendbanimeve të antikës së vjetër dhe të periudhës bizantine në Lipjanin e sotëm.

Nga antika e vjetër emri Lypenion, Lypiana padyshim vihet deri te emri i tashëm Lipjan. Ky vendbanim shtrihet në pjesën qendrore të Kosovës, përrreth luginës së lumit Sitnicë, qyteti ishte i vogël deri në vitin 527, kurë ka pasur emrin Ulpiana. Nën themelet e kishës së vjetër në këtë pjesë të qytezës janë zbuluar themelet e bazilikës bizantine, ndërsa nga vet Lipjani janë të njohura disa monumente - epigrafe, prej të cilave vërtetohen të dhënat për ekzistimin e Ulpianës.

Me zhvillimin e industrisë – minierës në vendbanimin e Janjevës, u bë e njohur edhe Prishtina, që deri atëherë nuk ishte e njohur. Kështu me kalimin e kohës, Lipjani humbi rëndësinë e mëparshme dhe funksiononte si një “shesh” i thjeshtë në kuptim lokal.

Në përgjithësi deri me ndërtimin e hekurudhës nga francezët, në fund të shek. të kaluar (1873-1874), Lipjani ishte një fshat i rëndomtë, i njohur si kryqëzim i rrugëve në rajon. Në këtë hekurudhë Lipjani fitoi stacionin hekurudhor krahas të cilit u ndërtuan punëtoritë e para me karakter tregtar, depot për grumbullimin e drithërave, dhe disa dyqane zejtare, kështu që deri në fund të shek. XIX gjatë kohës së sundimit turk, kjo pjesë e re e Lipjanit fitoi pamjen e një qyteze. Definitivisht, Lipjani merr formën e qarshisë rreth vitit 1890, kurse kjo pjesë e re e quajtur “qarshia” zgjerohet nga pjesa jugore dhe veriore.

Pas luftrave ballkanike zhvillohet pjesa e Lipjanit afër stacionit hekurudhor, në pjesën lindore të të cilit ekzistonin disa shtëpi që nga viti 1890. Mirëpo, me përfundimin e Luftës I-rë Botërore është rritur numri këtyre shtëpive. Ishin shtëpi me karakter fshati. Pas luftës Lipjani zgjerohet edhe nga pjesa jugore, veriore dhe perëndimore. Ndërtimet e para individuale fillojnë në pjesën përgjatë rrugëve Prishtinë-Shtime – Ferizaj, ndërsa më vonë edhe nga jugu nga Mostina (lagje e Lipjanit). Deri në vitin 1912, në kohën e sundimit turk ka qenë në përbërje të Vilajetit të Kosovës, që është shtrirë deri në Manastir. Prej vitit 1914-1918 –(Lufta e Parë Botërore) Lipjani mbetet në pjesën e Kosovës, e cila ka qenë e sunduar nga Bullgaria.

Me funksionimin e hekurudhës Kosovë-Maqedoni-Greqi u rriten aktivitetet ekonomike, konkurrenca në treg në qendra, si Mitrovicë, Ferizaj dhe Lipjan, të cilat ndikuan në dobësimin e tregut në qendrat më të mëdha, si Prishtina, Prizreni dhe Gjakova.

Që nga kjo kohë fillon të zhvillohet Lipjani. Në 120 m nga Lipjani fillon formimi i pjesës tjetër përreth stacionit, kryesisht aktivitete tregtare. Me ndërtime individuale gjithashtu përfshihet edhe pjesa në anën e majtë dhe të djathtë të rrugës për në Prishtinë.

Në veri të vendbanimit janë ngritur objektet publike dhe bujqësore, derisa në rrugën për Magurë ngriten objektet kolektive të banimit. Në kuadër të Lipjanit hynë edhe qyteza e vjetër e vendbanimit të Janjevës, e cila përfshin pjesën qendrore nga ana veriore – malore e Komunës së Lipjanit, ndërsa nga aspekti tregtar më shumë gravitohej nga Prishtina.

Në vitin 1918 fillon ndarja në Banovina. Lipjani ka qenë njësi nën prefekturën e Prishtinës, kurse qendra e Banovinës ka qenë në Shkup. Mandej Lipjani hyri në kuadër të rrethit të Graçanicës me seli në Prishtinë, kurse si qytezë Lipjani është shpallur në vitin 1920. Nga viti 1925 bëhet një organizim i ri me këshilla lokalë: Shalë, Janjevë, gushtericë, Babush i Muhaxherëve, Magurë dhe Lepi. Lipjani ka qenë qendër e këtyre këshillave lokale, me kryetarin e këshillave lokale nën prefekturën e Prishtinës deri më 1941.

Burimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Përmbledhje nga shënimet e gjetura në Planin urbanistik për qytetin e Lipjanit 1986