Shko te përmbajtja

Ikonostasi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ikonostasi i Kishës Ortodokse "Lindja e Krishtit" në Shkodër

Në krishterimin lindor, ikonostasi (Greqisht: εἰκονοστάσιον) është një perde prej druri të latuar, e stolisur me ikona, që ndan ajodhimën nga pjesa tjetër e një kishe. [1] Ikonostasi evoluoi nga temploni bizantin, një proces i përfunduar deri në shekullin e 15-të.

Një krahasim i drejtpërdrejtë për funksionin e ikonostasit mund të bëhet me planin e Tempullit të Madh në Jeruzalem . Ky tempull është i ndarë tri pjesë. Pjesa më e shenjtë ishte ajo në të cilën mbahej Arka e Besëlidhjes.[2][nevojitet citimi i plotë] Kjo pjesë, Shenjtërorja e Shenjtëroreve, ndahej nga pjesa e dytë më e madhe e brendshme e ndërtesës nga "perdja e tempullit" . Vetëm Kryepriftit i lejohej të hynte në Shenjtëroren e Shenjtëroreve. Pjesa e tretë ishte oborri i hyrjes.

Kjo traditë arkitekturore për dy pjesët kryesore të tempullit është ende e pranishme në kishat ortodokse lindore, por edhe në ato lindore katolike, ku ikonostasi ndan Tryezën e Shenjtë, në të cilën kryhet Liturgjia Hyjnore - manifestimi i Besëlidhjes së Re, nga pjesa më e madhe e kishës.[3][nevojitet citimi i plotë] Në traditën ortodokse, zakonisht vetëm burrat mund të hyjnë në pjesën pas ikonostasit. Megjithatë, do të shihni gra në ajodhimë/kungë në manastiret e grave.

Fjala ikonostas rrjedh nga greqishtja εἰκονοστάσι(-ον) ( eikonostási(-on) ), ende në përdorim të zakonshëm në Greqi dhe Qipro), që do të thotë vend ikonash.

Nefi ose anijata është pjesa kryesore e kishës ku qëndrojnë shumica e besimtarëve. Shenjtërorja (e quajtur edhe ajodhimë ose kungë) është zona përreth Tryezës së Shenjtë, në lindje të nefit. Shenjtërorja është një deri në tri shkallë më e lartë se anijata. Ikonostasi vendoset disa metra larg skajit të shkallës së sipërme. Kjo formon një hapësirë përpara ikonostasit për klerin, të quajtur solea. Në qendër të soleas është një platformë e ngritur, zakonisht e rrumbullakët me emrin ambon, mbi të cilën dhjakoni qëndron për të dhënë litanitë gjatë shërbesave.

Ikonostasi, megjithëse i lartë, nuk takon në tavan në shumicën e kishave. Kjo lejon që ekfonesat të dëgjohen qartësisht nga besimtarët. Në kishat e vogla, me stil modern, ai mund të mungojë: në raste të tilla zëvendësohet nga disa ikona të vogla.

Ikonostasi përbëhet nga tri dyer: Dera e Bukur në qendër dhe Dera Veriore dhe Jugore.

Ikonat e dhjakëve të shenjtëruar shpesh janë të pikturuara në dyert veriore dhe jugore (veçanërisht ikonat e Shën Stefanit - martirit të Parë, dhe të Shën Efrem Sirianit ). Dera Jugore është zakonisht dera e "hyrjes", dhe Mikaeli përshkruhet atje sepse është "Mbrojtësi"; Dera Veriore është "dalja" dhe Gabrieli përshkruhet këtu sepse është "I Dërguari" i Zotit. (Në traditën liturgjike greke dhe antiokiane, Kryeengjëlli Mikael zakonisht vendoset në derën veriore, dhe Gabrieli në derën jugore, dhe se është shumë më e zakonshme në kohët moderne të shohësh Kryeengjëjt sesa Dhjakët në këto dyer). Këto dyer mund të quhen edhe "dyert anësore".

Ka disa përjashtime ku në të dyja dyert anësore ndodhet ikona e Kryeengjëllit Mikael. Kisha e Shën Gjergjit (Aghios Georgios) brenda Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës e ka këtë veçori.

Ikonostasi i katedrales ortodokse të Bukureshtit. (Ikonostasi më i madh në botë).
Kisha e Shën Savës në Beograd
  1. "Kuptimi i fjalës Ikonostas ‹ FJALË". fjale.al. Marrë më 2025-06-25.
  2. "Tempulli i Jeruzalemit", Wikipedia, 2020-04-18, marrë më 2025-06-25
  3. HonoLulu (2020-06-02). "Ajodhimë – Shqipopédia". Marrë më 2025-06-25.