Injac Ndojaj

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Injac Ndojaj

Injac Ndoja (Shkodër, 13 nëntor 1913 - Tiranë, 16 mars 1993) është gjeologu i parë shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër më 13 nëntor 1913, ku kreu edhe shkollën e mesme (Shkollën Industriale dhe Gjimnazin e Shtetit). Që në vitet e shkollës së mesme merr pjesë në jetën kulturore të Shkodrës, kryesisht në atë muzikore dhe teatrale. Është pjestar i Bandës Muzikore të qytetit dhe bën pjesë edhe në grupet amatore teatrale. Është autor i pjesëve “Akshija (gjelltari) i grabitur” dhe “Ç’dreqin të pruni në Stajka”. Në 1935 në gazetën “Illyrija” boton artikujt “Nji studim mbi muzikën shqiptare” dhe “Ahengu Shqiptar”. Më 1941, në revistën “Shkëndija” boton “Muzika shqiptare”, ndërsa më 1949, në gazetën “Bashkimi” boton “Dasma shkodrane”.

Në vitin 1936 ndoqi studimet e larta në Universitetin Mbretëror të Torinos (Itali), ku më 12 korrik 1940 diplomohet në degën e Shkencave të Natyrës, me profilizim Petrografi, me tezën “Vendburimi i kromit në Iballë të Pukës, Shqipëri”, botuar në revistën “Hylli i Dritës”. Në vitet 1941-1947 është mësues në Gjimnazin e Shkodrës. Më 1941 është ndër 20 profesorët e Gjimnazit të Shkodrës nënshkrues të peticionit “Cordiniano në gjyq përpara botës”, në përgjigje të artikullit “Shqipëria në histori e në jetë ose shikim panoramik i një bote të vogël primitive” të Fulvio Cordiniano-s. Më 1941, në revistën “Hylli i Dritës” publikon studimin “Fauna ihtiologjike e Liqenit të Shkodrës”, që, në vitin 2001, përfshihet në bibliografinë e Liqenit të Shkodrës. Më 1947 transferohet në Tiranë në Institutin e Shkencave të Natyrës, ku më 1949 ngriti dhe kryesoi pavionin “Gjeologji/Petrografi/Paleontologji”. Më 1953 organizon dhe drejton Sektorin e Petrografisë pranë Laboratorit Qendror të Gjeologjisë (më pas Instituti i Kërkimeve Gjeologjike) dhe jep leksionet e Kristalografi-Petrografisë në Degën e Minierave të Institutit të Lartë Politeknik. Më 1957 me themelimin e Universitetit të Tiranës, emërohet petagog. Në vitin 1962 ngriti dhe drejtoi, deri më 1966, Katedrën e Mineralogjisë dhe Petrografisë në Fakultetin Gjeologji-Miniera. Në vitin 1957 qe i pari që mbrojti një disertacion në Shqipërinë, për gradën “kandidat i shkencave Mineralogjike-Petrografike” me temë “Squfuri i Kërçishtit (Peshkopi)”. I akordohet titulli shkencor “docent”. Në Universitetin e Tiranës dha lëndën e petrografisë. Më 1962 boton tekstin e parë të petrografisë në vendin tonë: “Petrografia e Shkëmbenjve Magmatikë” (Sistematika). Në vitin 1967 boton librin “Petrografia”.

Ka bërë studime të shumta në fushën e magmatizmit dhe të kërkimit të mineraleve të dobishëm (magnezit, azbest, olivinite, etj), si dhe në fushën e Petrografisë, të Petrologjisë dhe të Gjeologjisë Krahinore. Është nismëtar i futjes së nocioneve të reja për ofiolitet e Shqipërisë dhe i studimit të tyre mbi baza moderne dhe i lidhjes së Gjeologjisë shqiptare me shkollat e përparuara bashkëkohore të Gjeologjisë alpine. Më 1965, me gjeologun francez Jean Aubouin, në “Buletinin e Shoqatës Gjeologjike të Francës”, boton studimin “Vështrim mbi gjeologjinë e Shqipërisë dhe vendi i saj në gjeologjinë e Dinarideve”. Më 1965 Injac Ndojaj është gjeologu i parë shqiptar që bëhet antar i Shoqatës Gjeologjike të Francës. Është autor i monografisë “Vështrim mbi kromitet në Shqipëri” (1976), që ishte sintezë e studimeve të tij dhjetravjeçare, dhe autor i një vargu artikujsh, raportesh, projektesh dhe referate shkencore. Vdes në Tiranë, më 16 mars 1993.

Në nekrologjinë e Shoqatës së Gjeologëve të Shqipërisë, me titull: “Injac Ndojaj - pionier i gjeologjisë shqiptare”, shkruhej: “Megjithë potencialin e madh shkencor, megjithëse ishte i pari që e meritonte në fushën e tij, megjithëse qe mësuesi i një plejade të tërë gjeologësh shqiptarë, diktatura komuniste nuk i dha atij titullin “profesor” dhe as nuk e caktoi anëtar të Akademisë së Shkencave” dhe “Injac Ndojaj mbeti gjithnjë një mësues gojë-ëmbël, një njeri i çiltër dhe me zemër të madhe, optimist dhe i pa-epur, një shqiptar nacionalist dhe patriot me shpirt demokratik, një njeri i vërtetë kulture, një erudit me njohuri të thella edhe në letërsi dhe histori, në muzikë dhe teatër, i gatshëm për të ndihmuar dhe në çdo rast me tërë njohuritë dhe përvojën e tij të shumë-anëshme tërë kolegët më të rinj. Ai mbeti përherë “profesori” i gjeologjisë shqiptare”. Në Fjalorin Enciklopedik, botim i vitit 1985, Injac Ndoja shënohet si i pari ndër studjuesit e petrografisë në Shqipëri dhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, botim i vitit 2010, “Injac Ndojaj” përfshihet, si zë i veçantë. Një biografi e Injac Ndojaj është përfshirë në “Kalendarin Enciklopedik” (1998). Injac Ndojaj konsiderohet si pararendësi i etnomuzikologjisë shqiptare. Sipas studimit të dr. Eno Koços “Injac Ndojaj, pararendës i etnomuzikologjisë shqiptare” (2009), tre artikujt e tij “Një studim mbi muzikën shqiptare” (Iliria, 1935), “Ahengu shqiptar” (Iliria, 1935) dhe “Muzika shqiptare” (Shkëndija, 1941), japin aspektet themelore të muzikës tradicionale shqiptare dhe Injac Ndojaj është i pari që shtjelloi nocionet e etnomuzikologjisë në Shqipërinë e viteve ’30. Në vitin 2005, me Vendim të Këshillit Bashkiak Tiranë, me emërin “Injac Ndojaj” emërtohet një rrugë në zonën jug-perëndimore të Tiranës. Në Konferencën Jubilare “90 vjet Gjeologji Shqiptare” (Tiranë 2012), Injac Ndojaj citohet i pari gjeologu i parë shqiptar dhe studimi i tij i vitit 1940 “Vendburimi i kromit në Iballë të Pukës, Shqipëri”, cilësohet si studimi i parë i botuar i një gjeologu shqiptar.

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • 1) Asti Papa - “Injac Ndojaj”, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, vëll. II, Tiranë, 2010
  • 2) A.Plaka dhe I.Xhamaj - “Kalendarin Enciklopedik” (1998)
  • 2) Eno Koço - “Injac Ndojaj, pararendës i etnomuzikologjisë shqiptare” (2009)
  • 3) Qamil Gjyrezi - “Etnomuzikologu Injac Ndojaj në pendën e profesor Eno Koços” (2011)
  • 4) Kopi Kyçyku - “Enciklopedia Injac Gj. Ndojaj” (2012)
  • 5) Ismail Turku - “Vullkanidet e Mirditës” (2013)
  • 6) Vendim Nr.24, dt.23.05.2005 i Këshillit Bashkiak Tiranë