Jump to content

Ismail Mal'Osmani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ismail Mal'Osmani (Tiranë, 3 janar 1910 - 12 shkurt 1983) ka qenë tipograf dhe botues shqiptar para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2000 Bashkia e Tiranës i dha Ismail Mal'Osmanit titullin "Mirënjohje e Qytetit të Tiranës" me motivacionin: "Për vlera të larta qytetare dhe intelektuale të vëna në shërbim të qytetit të Tiranës dhe për të cilat qytetarët e saj i shprehin mirënjohjen e tyre". Një monografi e titulluar Ismail Mal'Osmani, njeriu i librit është punuar nga Spiro V. Mëhilli botuar më 2010.

U lind në një familje të mesme qytetare, i biri i Hysenit dhe Zyhrasë; kishte edhe dy vëllezër, Xhelalin dhe Sulejmanin.

Me hapjen e shtypshkronjës "Mbrothësia" sjellë nga Sofia prej Kristo Luarasit dhe e vendosur në një ndërtesë me tre kate në Rrugën e Kavajës, Ismaili u fut aty ai punëtor i thjeshtë. E tërhoqi zanati i tipografit. Si mësoi sekretin e shtypit të të librave dhe gazetave, u largua prej aty dhe ngriti në rrugën Dibrës një shtypshkronjë të vogël, me makineri të përdoruar. Në janar të vitit 1932 u formua shoqëria "Gutenberg" me pjesëtarë Ali Ndroqin dhe Ismail Mal'Osmanin. Në vitin 1935 shtypshkronja u transferua në rrugën "Bari" dhe u quajt "Gutenberg".

1943 ai i shiti bashkëpunëtorit të tij gjysmën e shtypshkronjës dhe vendosi të hapë shtëpinë botuese që mbajti emrin e tij. Sigla e kësaj shtëpie botuese ishte një vendosje harmonike e tri gërmave IOM dhe në të djathtë të tyre një pishtar. Kuptimi i saj është: Ismail Mal'Osmani përhapës i dijes. Në faqen e parë, në kopertinë shkruhej: Ismail Mal'Osmani, Botonjës-Tiranë. Për t'iu dhënë botimeve një hop cilësor mbante pranë një përkthyes, Kristaq Cipon, dhe për t'iu ardhur në ndihmë punëtorëve të tij, mbante në shërbim një mjek.

1947 shtëpi botuese u shtetëzua dhe ai doli i papunë. Më 1951 u martua me zonjushën Leman Ruga nga Durrësi, e bija e Xhemil Rugës, Sekretar i Përgjithshëm i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit Shqiptar. Më 1956 fillon punë radhitës në gazetën "Zëri i Popullit", ndërsa e shoqja në Ndërmarrjen e Grumbullimit. Në moshën e pensionit Mal'Osmani u dërgua në Fier dhe Elbasan për të ngritur dy shtypshkronja të cilat bouan gazetat "Drapër e çekan" dhe "Shkumbini". Ndërroi jetë më 12 shkurt 1983 në moshën 73-vjeçare.[1]

  1. ^ Demo, Elsa (22 prill 2010). "Mal'Osmani: ka pasur një kohë një model botuesi: [Ismail Mal'Osmani: veprimtaria në kuadër të Ditës Botërore të Librit, në Bibliotekën Kombëtare]". Shekulli (gazetë) (2943): 18–19. Arkivuar nga origjinali më 8 nëntor 2021. Marrë më 8 nëntor 2021.