Ismail Strazimiri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ismail Strazimiri

Ismail Strazimiri (Strezimir, 1868 - Sllovë, 17 nëntor 1943) ka qenë një veprimtar i lëvizjeve revolucionare, kryengritëse dhe arsimore shqiptare.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në fshatin Strezimir të Rekës së Epërme, asokohe në vilajetin e Kosovës. Qe ndër veprimtarët e degës lokale të klubit "Bashkimi" në zonën e Dibrës në pragun e periudhës së dytë parlamentare osmane,[1] duke qenë edhe një nga organizatorët e Kongresit të Dibres.

Mori pjesë në kryengritjen e vitit 1910. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912, ishte komandant i çetës, që zhvilloi veprime të armatosura në krahinën e Dibrës në mbrojtjen e zonës nga ofensiva serbe. Ismail Strazimiri iu kundërvu lëvizjeve të Esat Pashës për një autonomi nga Turqia dhe aleancë me serbët. Ai përshëndeti shpalljen e Pavarësisë dhe përkrahu veprimtarinë e Qeverisë jetëshkurtër të Vlorës dhe Ismail Qemalit.

Gjatë viteve 1914-1915 ai mbajti funksionet e Nën-prefektit dhe Prefektit të Dibrës, detyra në të cilat ai u dallua për ndershmërinë dhe profesionalizmin e treguar.

Vitet që pasuan pavarësinë ishin vite të turbullta në Ballkan i cili u bë teater i luftërave ballkanike dhe botërore. Në vitin 1920 gjatë konflikteve u internua nga pushtuesit serbë. Në vitet 1920-1921 ai luftoi kundër tyre përkrah forcave popullore të komanduara nga Isuf Elezi. Isufi do të ishte gjatë shumë viteve një nga njërëzit më të aftër të Ismailit deri në vdekjen e tij në v.1924.

Ishte pjesëmarrës i Revolucionit të qershorit te drejtuar nga Fan Noli (1924) dhe kundërshtar i mënyrës të qeverisjes zogiste të mëpasme.

Në vitin 1943 u bashkua me forcat partizane dhe ndikoi për bashkimin e popullit të Dibrës rreth Frontit Nacionalçlirimtar dhe për shuarjen e hasmërive. Në këtë mënyrë Ismaili doli kundër forcave Nacionaliste dhe kolaboracioniste të bajraktarëve të veriut, të cilët dhe e ndëshkuan. Ismaili bie dëshmor në luftimet mes tyre në Sllovë në nëntor 1943 pikërisht në shtëpinë e Elez Isufit, emrin e të cilit vazhdonte ta ruante i biri, Cen Elezi. Ai njihet si një nga dëshmoret me moshë më të madhe vdekur në frontet e Luftës II Botërore, Elezi. Ismail Strazimiri morri pas vdekjes dekoratën "Dëshmor i Atdheut".

Vepra historike[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më vitin 1931 një libër kujtimesh historike për periudhën 1910-31, ku ai prezanton në mënyre kronologjike faktet historike nga këndvështrimi i një dëshmitari të privilegjuar. "Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë” është parë me shumë interes nga studiuesit dhe historianët, si një thesar të fshehtash “përvëluese” për intrigat që kanë gërryer luftën e drejtë të patriotëve për liri dhe pavarësi. Në këtë libër, shkruan studiuesi Shaban Sinani, gjenden shumë të vërteta të rezervuara prej studimeve historiografike deri më sot, nga droja se mos historia kombëtare mos po bëhet jo aq kombëtare, nga vetë karakteri monumentalizues i historiografisë tradicionale, nga presionet që ushtrohen mbi historishkrimin për shkak të protagonizmit të zgjatur nga koha në kohë. Në këtë kontekst, le të çmojmë kurajën e një njeriu që e deshi shumë Shqipërinë, e deshi deri në dhimbje, nuk arriti “ta shohë zonjë” si shumë e shumë idealistë të tjerë dhe u përpoq që edhe me fjalën të shërojë dhe të mos përsëritet pjesa e keqe e së shkuarës”.

Sipas Prof.Dr. Kristo Frasherit: "..Tjetër figurë e respektuar dibrane që jetonte në vitet e monarkisë ishte Ismail Strazimiri (1868 – 1943). Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike. Mori pjesë në mënyrë aktive në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare në vitet e fundit të sundimit osman. Mori pjesë gjithashtu në Lëvizjen Kombëtare për çlirimin e vendit nga zgjedha turke dhe më pas kundër synimeve të shovinistëve serbë. Përkrahës i Revolucionit të Qershorit. Më 1931 botoi librin e tij “ Kujtime Historike mbi Lëvizjen Kombëtare në Qarkun e Dibrës”. Qëllimi i botimit ishte të shpaloste kontributin që dha populli dibran në luftën për pavarësi, demokraci e përparim...”.

Familja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Familja Strazimiri ishte një familje e njohur në zonën e Dibrës për aktivitetin politik dhe shoqëror. Ashtu si Ismaili shumë Strazimirë vdiqën gjatë përpjekjeve dibrane dhe shqiptare për emancipim, kulturë, pavarësi dhe shtet. Emrin e Ismail Strazimirit e mbajnë sot disa rrugë në Peshkopi dhe Tiranë. Fëmijët e tij u bënë më pas personalitete të shquara në fushat ku punonin. Ndër ta mund të përmendim:

Inxhinier Lutfi Strazimiri është ndoshta ndërtuesi dhe projektuesi më i suksesshëm i urave në historinë e Shqipërisë. I diplomuar për "Inxhinieri" në Berlin te Gjermanisë, ndër punimet e tij numërohen pothujse te gjitha urat e rëndësishme, të ndërtuara në terrene tejet të vështira dhe me shpenzime, makineri e teknologji të reduktuara.

Arkitekt Gani Strazimiri, i shkolluar në TorinoItalisë e me pas i diplomuar Bashkimin Sovjetik për "Arkitekture", është projektuesi i një sere ndërtimeve ambicioze te kohës si kompleksi i Pallateve "Shallvare" dhe "Agimi" në Tirane, te cilat ende sot vazhdojnë t'i rezistojnë kohës si komplekse tejet funksionale nga pikëpamja e organizimit. Me pas si drejtor i Institutit te Monumenteve te Kulturës dha një kontribut te rëndësishëm në ruajtjen e vlerave arkitekturore te traditës shqiptare, duke shpëtuar nga shkatërrimi veç te tjerash edhe një numër te rëndësishëm objektesh fetare në vitin 1967. Në nderim te tij, në vitin 2007 Instituti i Monumenteve të Kulturës mori emrin "Gani Strazimiri".

Kolonel Siri Strazimiri, i shkolluar gjithashtu ne Itali, ishte një nga themeluesit e artilerisë shqiptare dhe më pas ai kreu detyra të rëndësishme administrative në shtetin shqiptar të pasluftës.

Regjisorja Drita Strazimiri Agolli ishte një artiste e shquar e teatrit shqiptar.

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Cami, Sakip. "Klubi atdhetar "Bashkimi" i Dibrës së Madhe". fjalaelire.com.