Kërceni tek përmbajtja

Isuf Plloçi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Isuf Plloçi (1919–1969) [1] ishte një atdhetar dhe veprimtar shqiptar, i njohur për kontributin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare, përkushtimin ndaj pushtetit popullor dhe ndërtimit të socializmit në Shqipëri. Mban titullin Hero i Punës Socialiste për heroizmin e treguar në mbrojtje të pasurisë së përbashkët.

Lindi në vitin 1919, në fshatin Lenë të Martaneshit, rrethi i Matit, në një familje të varfër fshatare. Që në rini u angazhua në luftën për çlirimin e vendit dhe më 1942 iu bashkua çetës partizane të Martaneshit. Pas çlirimit të zonës së Martaneshit dhe Çermenikës, u emërua në komandën vendore të zonës.

Pas përfundimit të Luftës, Plloçi shërbeu deri në vitin 1949 në forcat e ndjekjes, ku u dallua për trimëri dhe vigjilencë. Më pas kaloi në sektorin e pyjeve [2] në Martanesh, ku punoi me përkushtim dhe ndershmëri, duke u bërë shembull në punën e tij.

Përveç veprimtarisë profesionale, Isuf Plloçi mori pjesë aktive edhe në jetën shoqërore të zonës. U bë anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë në korrik të vitit 1956. Gjeti vdekjen heroike më 5 nëntor 1969, në përpjekje për të shuar një zjarr të madh në pyll, duke mbrojtur me vetmohim pasurinë shtetërore.

Jeta dhe vepra e tij mbeten simbol [3] i përkushtimit dhe sakrificës për atdheun, ndërsa kujtimi i tij nderohet si shembull i lartë i heroizmit në kohë paqeje.

  1. ^ https://wiki.shqipopedia.org/pllo%C3%A7i-isuf/
  2. ^ https://tesheshi.com/zjarret-ne-pyll-legjenda-e-isuf-pllocit-nga-mati-qe-komunizmi-e-veshi-mitin-e-gelltitjes-se-teseres-dhe-heroizmi-taulant-balles/
  3. ^ https://www.panorama.com.al/ku-je-isuf-plloci/