Ja si dua të informohem ! : Deutsche Welle në shqip, një zë europian në dy dekada, 1992 - 2012

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Ky artikull dyshohet nga vërtetësia pasi nuk ka mjaft referenca ose nuk ka asnjë referencë.
Jeni të lutur të ndihmoni këtë artikull duke shtuar referenca dhe duke korrigjuar informacionet.


Ja si dua të informohem ! : Deutsche Welle në shqip, një zë europian në dy dekada, 1992 - 2012. Autori: Arben Muka. Botuar nga Instituti Shqiptar i Medias. Tiranë, 2012. Faqet e librit 171.

Botimi është pjesë e një studimi gjithëpërfshirës që autori ka ndërmarrë për përgatitjen e tezës së Doktoraturës “Radio në peisazhin mediatik shqiptar – probleme dhe perspektiva”, ku një aspekt i veçantë lidhet me performancën e radiove të huaja në gjuhën shqipe dhe ku DW në 20 vitet e fundit ka një vend shumë të rëndësishëm.

Ky libër ka në fokus produktin në 20 vite të Radios Deutsche Welle në shqip. Synon që të shikojë në disa aspekte kryesore rolin dhe ndikimin e këtij stacioni gjerman, jo vetëm në informimin e publikut me standarde të qëndrueshme gazetareske, por dhe në përcjelljen e frymës europiane tek shqiptarët kudo jetojnë, në promovimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, në realizmin sistematik të projekteve konkrete për kualifikimin në të gjitha nivelet të kolegëve nga redaksitë lokale etj.

DW në gjuhën shqipe që nga mbrëmja premierë e 1 qershorit të vitit 1992 ka qenë dhe vijon të jetë pandërprerje një aktor prominent në tregun mediatik shqipfolës, një burim serioz dhe i besueshëm për aktualitetin dhe perspektivën, që nëpërmjet lajmeve, kronikave, intervistave, reportazheve, vox – pop-eve, si dhe të gjitha formateve të informimit, më shumë se gjithçka respekton raportimin e pavarur, tërësor, të vërtetë dhe në mënyrë pluraliste.

“Ja si duhet të informohem!” është një kthim prapa në momentet më kulmore të angazhimit të redaksisë dhe rrjetit të korrespondentëve në terren të DW-së në shqip, në rrugën evoluese të formës dhe përmbajtjes së kontributeve në 20 vite, duke sjellë dinamikën e kalimit nga oferta vetëm me transmetimin audio të programeve, në performancën multimediale dhe zgjerimin e shërbimeve on line, si përshtatje me zhvillimet e avancuara teknologjike dhe trendet e reja të preferencave që ka publiku për mënyrat e informimit dhe të argëtimit nëpërmjet internetit.

Ky libër, i cili ka për titull një spot identifikues të DW-së në shqip, mbështetet në radhë të parë në përmbajtjen e programeve në vite, që nga “koha e shiritave” dhe deri në aplikimet e sotme digjitale; duke ecur në gjurmët e ngjarjeve më të rëndësishme; duke u orientuar nga kronika, vlerësime, perceptime e qëndrime publike të bëra ndër vite; duke nxjerrë nga sirtarët ato lloj dokumentesh të shkruara dhe pamore, që në kësi rastesh të nderojnë; duke “kërkuar ndihmë” nga kujtesa e vetë ndjekësve të transmetimeve, nga ata që mbajnë mend dhe emisionin e parë, apo nga ata që e njohin së fundi vetëm virtualisht, njerëz të zakonshëm, personalitete të njohur dhe të panjohur të jetës publike, në mosha, profesione, përkatësi gjinie e besimi nga më të larmishmet, të cilët, paçka pozicioneve të ndryshme në shoqëri, vijnë me të përbashkëtën e besimit dhe sigurisë që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë për radion e tyre të preferuar. Mendimet që ata shprehin për raportin personal me DW në shqip, ngjajnë në njëfarë mënyre me bashkëautorësinë për realizimin e portretit të një programi 20 vjeçar, që në fakt nuk ka bërë në asnjë rast, asnjë shmangie e asnjë kompromis tjetër përveç objektivit që t’u dedikohet deri në detaj vetëm atyre: dëgjuesve, shikuesve, klikuesve.

“Ja si duhet të informohem!” është një përpjekje që të prezantojë ngjarje që kanë ndodhur me të vërtetë, kontribute konkrete që janë kryer, por dhe të ngacmojë në memorien e lexuesit fakte dhe ndodhi që i pasurojnë më shumë marrëdhëniet e tij ndërpersonale me DW në shqip; të nxisë hulumtime dhe rrëfime të tjera, që plotësojnë në mënyrë konkurruese historinë deri tani 20 vjeçare të një mediumi që i shërben shqiptarëve në çdo cep të globit.