Shko te përmbajtja

Jusuf Rexhepi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Jusuf R. Rexhepi (Tetovë, 15 qershor 1922 - Tetovë, 28 nëntor 2004)[1] ishte kardiolog dhe profesor universitar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtines .[2]

Jusuf Rexhepi ka lindur në Tetovë në vitin 1922. Ka përfunduar dy klasat e para në Gjimnazin real të Tetovës “Kirill Pejçinoviq” në vitin 1940. Në verën e vitit 1941, kur ishte 17 vjeç, u përfshi në OVRA, shërbimi kundërzbulues i Italisë, dhe në vjeshtë në Prishtinë i përfundoi edhe dy klasat e mbetura të gjimnazit. Më pas u dërgua në një kurs tre mujor zbulimi të OVRA në Padova të Italisë. Në vitin 1942 përfundoi edhe kursin në degën romake të OVRA. Gjatë kësaj kohe iu mundësua të regjistrohej në vitin e parë të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Padovës.

Në vitin 1943 u kthye në Tetovë dhe iu bashkua Batalionit të Pavarur “Luboteni” nga Tetova si nënoficer. Pas tre muajsh u gradua në nëntoger, ndërsa në vitin 1944 u bë toger në shërbimin informativ të Shqipërisë dhe u punësua në kvesturën e Tetovës për luftë kundër komunistëve. Pas Çlirimit shkoi për studime në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Beogradit dhe pas diplomimit në vitin 1952 u punësua si mjek në Tetovë.

Strukturat politike shqiptare të Tetovës e kandiduan dhe ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Republikës Socialiste të Maqedonisë në periudhën 1968–1971. Në vitin 1975 mori edhe gradën toger rezervë i APJ-së. Në vitin 1977 doktoroi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë me temën “Studime epidemiologjike mbi faktorët e rrezikut të sëmundjes koronare te punëtorët industrialë të SAP Kosovës”. Nga viti 1981 ishte shef i Katedrës së Sëmundjeve të Brendshme në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ndërsa më vonë punoi si mjek i praktikës së përgjithshme në Qendrën Mjekësore në Tetovë nga viti 1986.

Me propozim të Konferencës Komunale të Lidhjes së Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Prishtinës, më 24 mars 1987 Sekretariati Komunal për Mbrojtje Popullore në Prishtinë nisi procedurë kundër tij për nxjerrje para Gjykatës së Nderit. Në vitin 1987 zgjedhja e tij si anëtar i Komitetit Republikan të Frontit Socialist të Punës së Maqedonisë shkaktoi reagime të forta në opinion dhe në shtyp. Me formimin e partisë së dytë politike shqiptare në Maqedoni, NDP-së, më 23 korrik 1990, Jusuf Rexhepi u zgjodh kryetar i saj i parë.[3][4].

  1. ↑ "In Memoriam Prof.dr.Jusuf Rexhepi (15.06.1922 – 28.11.2004)". 27 nëntor 2005. Arkivuar nga origjinali më 2016-03-05. Marrë më 2009-11-01.
  2. ↑ "Prometeu tetovar Jusuf Rexhepi - PORTALB" (në anglishte amerikane). 2016-09-30. Marrë më 2026-01-01.
  3. ↑ "HUTA - Prof.Dr. Jusuf Rexhepi". www.tetovamuzeuvirtual.org (në anglishte amerikane). Marrë më 2026-01-01.
  4. ↑ Реџепи, Зеќирја. "ОПШТЕСТВЕНО-ПОЛИТИЧКИТЕ НАСТАНИ КАЈ АЛБАНЦИТЕ ВО МАКЕДОНИЈА 1990-2001" (në maqedonisht). Marrë më 2009-11-01.