Jump to content

Kllezna

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Këllezna)
Vendndodhja e Klleznës, me të kuqe, në Komunën e Ulqinit. Me ngjyrë të verdhë është Ana Malit.
Ura e Klleznës, monumenti më i njohur i Klleznës.

Kllezna është fshat i cili i takon Komunës së Ulqinit. Ajo shtrihet në luginën e Klleznës, prej fshatit Pelink e kufizohet me liqenin e Shasit. Ajo në veri-jug të Anës së Malit shtrihet në mes maleve Mozhur - Zhgep dhe Malit të Brisë nga Ulqini. Me Anë të Malit kufizohet me Malin e Shasit, Malin e Kërpnetit dhe Malin e Pavarës. Përbëhet prej dy tërësive: Kllezna e Sipërme (Kllezna naltë) dhe Kllezna e Poshtme (Kllezna poshtë), të cilat ndahen në mënyrë natyrore me sheun e Megjureçit.

Ky fshat në dokumentet arkivore dhe në histori ka tre emra: Kalezina, Kelezena dhe Kllezna. Po ashtu të moçmit pohojnë se dikur moti ky vendbanim i vogël, është quajtur Bria, e nga kjo ndërsa sot e kësaj dite përdoren toponimet: Mali i Brisë, Fusha e Brisë, Liqeni i Brisë, Mulliri i Brisë dhe Kroni i Brisë. Një ndër monumentet më të njohura në Kllezën është Urën e Klleznës, e cila është dëshmi e një lashtësie shekullore. E ndërtuar në vitin 1696 nga një mjeshtër dibran, varri i të cilit ende gjendet në një arë afër xhamisë së Klleznës, kjo urë ka qenë e vetmja që ka lidhë Ulqinin me Klleznën, por edhe me Anën e Malit dhe me Krajën.

Kllezna është e banuar me shqiptarë autoktonë mysliman dhe katolikë. Në Klleznën e Sipërme gjendet xhamia, ndërsa në Klleznën e Poshtme kisha. Por, edhe Kllezna, sikur të gjithë fshatrat e tjerë të banuar me shqiptarë në Mal të Zi, lëngon nga një plagë e dhimbshme – emigrimi. Sot në Kllezën kanë mbetur rreth 80 familje. Shumë familje nga Kllezna janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shtete e Evropës, ndërsa shumë të tjera kanë dalë e jetojnë në Ulqin.

Tabelë në drejtim të Klleznës së Poshtme
Tabelë në Kllezën të Sipërme

Sipas regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi në vititn 2011, Kllezna kishte 291 banorë. Prej këtyre 165 në Klleznën e Sipërme dhe 126 në Klleznën e Poshtme.

Popullsia e Klleznës sipas etnisë
Shqiptarë
98.73%
Malazezë
1.27%
Popullsia e Klleznës sipas religjionit
Myslimanë
76.04%
Katolikë
20.83%