Këshilli i Lartë i Drejtësisë e Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë (shkurt: KLD)është një institucion kushtetues në Republikën e Shqipërisë, i cili kryesohet nga Presidenti i Republikës.

Struktura e Këshillit të Lartë të Drejtësisë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Struktura e KLD-së garanton një mbikqyrje të pavarur të sistemit gjyqësor, pavarësisht se kjo mbikqyrje e pavarur duhet të garantohet edhe në veprimtarinë e përditshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke qëndruar larg influencave dhe dualiteteve ligjore apo nënligjore me institucione që përfaqësojnë pushtetin ekzekutiv.

Dispozitat Kushtetuese[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kushtetuta përcakton se KLD-ja përbëhet nga pesëmbëdhjetë anëtarë: Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi dhe nëntë gjyqtarë të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Afati i qëndrimit në detyrë është pesë vjet dhe anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë të kërkojnë rizgjedhje të menjëhershme.

Kryetari i KLD-së është Presidenti i Republikës dhe anëtarët e KLD-së zgjedhin, me propozim të Presidentit, një Zëvendëskryetar prej rradhëve të veta, për të organizuar veprimtarinë dhe për të kryesuar në mungesë të Presidentit.

Neni 147 përshkruan më tej disa nga detyrat kryesore të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, veçanërisht transferimin dhe disiplinimin e gjyqtarëve dhe, për shkelje të caktuara, shkarkimin e tyre nga postet që mbajnë. Neni 147 jep arsyet në bazë të të cilave Këshilli i Lartë i Drejtësisë mund t’i shkarkojë gjyqtarët: kryerja e një krimi, paaftësia mendore a fizike, akte apo sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, ose pamjaftueshmëri profesionale. Një shkarkim mund të apelohet në Gjykatën e Lartë.

Neni 137 i jep Këshillit të Lartë të Drejtësisë kompetenca të mëtejshme në disiplinimin gjyqësor, pasi procedimi penal për çdo gjyqtar të Gjykatave të Rretheve Gjyqësore dhe Gjykatave të Apelit, kërkon miratimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe, nëse ky Këshill nuk jep pëlqimin për procedim penal brenda 24 orëve që nga njoftimi i akuzës, organi i procedimit penal duhet ta lirojë gjyqtarin.

Në mbështetje të nenit 136, Këshilli i Lartë i Drejtësisë luan një rol kyç në emërimin e gjyqtarëve. Për funksionin e gjyqtarit në Gjykatat e Rrethit Gjyqësor dhe Gjykatat e Apelit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë i propozon kandidatura për emërim Presidentit, me kushtet dhe procedurat për një përzgjedhje të tillë, të përcaktuara me ligj.

Gjithashtu, në përputhje me nenin 154, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjedh tre anëtarë që shërbejnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Anëtarët[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bujar Nishani Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Elvis Çefa Zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Petrit Vasili Ministër i Drejtësisë

Shpresa Beçaj Anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Tritan HAMITAJ Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Ilir MUSTAFAJ Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Flamur KAPLLANI Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Dritan HALLUNAJ Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Shkëlqim MIRI Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Dritan CAKA Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Dhurata HAVERI Anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Besnik IMERAJ Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Neshat FANA Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Hysen SALIKO Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Mbledhja e Këshillit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Kreu III, përmbildhen dispozitat për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjatë kryerjes së funksioneve Këshilli është i ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji, të veprojë në mënyrë kolegjiale në mbledhjet e tij.

Sipas Ligjit mbledhjet e KLD duhet të mbahen çdo dy muaj, por nga hulumtimi i deritanishëm i veprimtarisë së KLD rezulton se mblidhet zhvillohen në mënyrë të rregullt mesatarisht çdo muaj. Mbledhjet caktohen nga Kryetari i Këshillit, i cili vendos për datën dhe kohën e mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por jo më rrallë se një herë në 2 muaj. Kryetari mund të vendosë shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe në një rast të tillë, anëtartë e Këshillit duhet të njoftohen për ndryshimin, në datën dhe kohën e vendosur për mbledhjen e KLD.

Kryetari e thërret mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë edhe kur kjo kërkohet me shkrim nga jo më pak se pesë prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nga Zëvendëskryetari ose nga Ministri i Drejtësisë. Një parashikim i tillë ligjor ka pasur parasysh të çlirojë veprimtarinë e Këshillit nga situata bllokuese të mundshme.

Njoftimi për thirrjen e mbledhjes së Këshillit i bashkëlidhet rendi i ditës dhe materialet e çështjeve për të cilat do të diskutohet në mbledhje. Njoftimet për thirrjen e mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë bëhen jo më vonë se 48 orë përpara datës së vendosur për mbajtjen e mbledhjes.

Kur mbledhja është thirrur me nismën e anëtarëve të tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, brenda 15 ditëve nga marrja e kërkesës, thërret mbledhjen.

Në ligj parashikohet edhe rastet kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë mbildhet në Mbledhjet e jashtëzakonshme. Kështu Këshilli mblidhet brenda 24 orëve në ato raste kur një gjyqtar ndalohet ose arrestohet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Në nenin 21 të ligjit për KLD parashikohet hapësira e Kryetarit për të zhvilluar mbledhje të jashtëzakonshme edhe në raste të tjera të veçanta, kur çmohet nga Kryetari.

Rendi i Ditës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Caktimi i Rendit të ditës është kompetencë e Kryetarit të Këshillit. Edhe pse nuk parashikohet shprehimisht në ligj në përcaktimin e çështjeve të rendit të ditës Kryetari mund të këshillohet me Zëvendëskryetarin. Në rendin e ditës përfshihen çështje të cilat, sipas ligjit, janë zbatim i detyrave të ngarkuara Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga Ligji dhe Kushtetuta.

Përvec Kryetarit, të drejtën për të kërkuar shqyrtimin e çështjeve të caktuara, pra për t’i bërë pjesë e rendit të ditës së mbledhjes të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e kanë Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë dhe 5 anëtarë të tjerë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në rast se kërkohet të futet në rendin e ditës një cështje, kur kërkesa është bërë nga Ministri i Drejtësisë, cështja shqyrtohen në mbledhjen më të afërt të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kërkesa për të përfshirë një çështje në rendin e ditës bëhet me gjithmonë me shkrim, jo më vonë se 2 ditë përpara datës së njoftimit.

Rendi i ditës u shpërndahet anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së bashku me njoftimin për thirrjen e mbledhjes materialet e përgatitura për secilën nga pikat nëse ka të tillë.

Në nenin 22/6 të ligjit për KLD, parashikohet mundësia e shtimit të çështjeve të tjera që nuk janë përfshirë ne rendin e ditës të mbledhjes, me kusht që të ketë marrë aprovimin e 2/3 të votave të të gjithë anëtarëve. Një vendim i tillë zë vend në fillim të mbledhjes, në momentin kur kalon për miratim rendi i ditës.

Kuorumi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një mbledhje e Këshillit të Lartë të Drejtësisë do të quhet e rregullt, kur formalisht në të marrin pjesë tetë anëtarë të tij. Ky është një kriter i njohur demokratik që është implementuar në organet kolegjiale me qëllim sigurimin e një veprimtarie sa më normale dhe mirëfunksionimin të tyre si dhe shërben si një garanci për një vendimmarrje sa më pak arbitrare.

Format e votimit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i merr vendimet me votim të hapur. Në ato raste kur votohet për çështje që lidhen me anëtarë të tij, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm, mund të vendosë marrjen e vendimeve me votim të fshehtë.

Ligj ka parashikuar një ndalesë përsa i përket votimit më abstenim për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që janë të pranishëm në mbledhje nëse nuk kanë ndonjë pengesë ligjore për të votuar në kuptimin e nenit 37 të ligjit nr. 8485, datë 12.5.1999 “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që janë në kushtet e pengesës ligjore, nuk marrin pjesë në diskutimin dhe në votimin e çështjes përkatëse të rendit të ditës.

Ministri i Drejtësisë nuk merr pjesë në votim, në rastet e nisjes nga ana tij e procedimeve disiplinore ndaj një gjyqtari. Po kështu, Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit nuk merr pjesë në votim në rastet e propozimeve për emërim të gjyqtarëve.

Me qëllim që të mos imponohet në mendimin apo të ndikojë në vendimin e anëtarëve të tjerë të Këshillit, në momentin e votimit, drejtuesi i mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë voton i fundit.

Vendimet e Këshillit të Lartë i Drejtësisë do të quhen të vlefshme kur janë marrë me shumicën e votave të anëtarëve që janë të pranishëm në mbledhje, përveç rasteve të prashikuara në ligji në të cilat kërkohet një shumicë e cilësuar.

Në rastet kur votat ndahen në mënyrë të barabartë propozimi për procedim quhet i rrëzuar, ndërsa një propozimi për emërim quhet i pranuar.

Cdo anëtar ka të drejtë pas votimit të shpjegoë votën e kundër.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë merr vendime vetëm në mbledjet e tij. Në ligj nuk parashikohet ndonjë formë tjetër e marrjes së vendimeve qoftë edhe për gjëra të një rëndësie të vogël në peshën e cështjeve për të cilat Këshilli duhet të shprehet me vendim.

Lidhje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]