Shko te përmbajtja

Kampi i Valiasit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

"Kampi i Internimit i Valiasit" apo Kampi i Valiasit ka qenë një strukturë internimi në përngjasim me kolkozet sovjetike në fshatin Valias në afërsi të Tiranës. I krijuar fillimisht si kamp burgosjeje për ushtarët nazistë të kapur rob gjatë luftës, pas vitit 1945 u kthye në kamp internimi për armiq të regjimit, disidentë politikë dhe familjarë të tyre.

Kampi u ngrit fillimisht në vitin 1945, si pjesë e rrjetit të kampeve ku u vendosën robërit gjermanë të luftës. Më pas, aty u internuan edhe familjarët e të arratisurve dhe të dënuarve politikë kryesisht gra dhe fëmijë.[1]

Kampi u ndërtua pranë një kompleksi të madh industrial dhe minierës së qymyrgurit.[2]

Në vitin 1950 ky kamp numëronte rreth 800 të internuar, prej të cilëve një në dy ishte fëmijë, ose foshnjë.[3]

Ky kamp funksionoi deri në vitin 1952, kur të internuarit u transferuan për të vuajtur dënimin në kampe të tjera të punës së detyruar.

Shumë prej të dërguarve në Kampin e Valiasit nuk kishin kryer asnjë vepër penale. Shumë prej të internuarve ishin persona me biografi apo prejardhje “të keqe”, ndërsa të tjerë u dënuan sepse kishin qenë pjesëtarë të një familjeje të pasur para luftës. Mjaftonte të kishe të afërm jashtë shtetit apo të shprehje mendime ndryshe nga vijat e partisë për tu internuar.[4]

Megjithëse fëmijët e internuar në kamp kapnin numrin e një shkolle, nuk patën mundësi të shkollohen plotësisht. Shkollimi ishte i kufizuar dhe i indoktrinuar.[4]

Kushtet e jetesës dhe higjienës në kamp ishin shumë të vështira. Jetesa e të internuarve ishte në kufijtë e mbijetesës. Dëshmitarët që kanë vuajtur dënimin në kamp tregojnë se jetonin në kasolle balte.[2]

Të burgosurit punonin në minierën e qymyrgurit, shpesh pa masat minimale të sigurisë, dhe në kushte skllavëruese. Fëmijët rriteshin brenda kampit, në mjedise të izoluara dhe të kontrolluara.[2]

  1. "Një tjetër kamp famëkeq i regjimit! 'Ana tjetër e Valiasit', dëshmi nga të mbijetuarit: E shkuara mos të harrohet - Shqiptarja.com". shqiptarja.com. Arkivuar nga origjinali më 2025-08-22. Marrë më 2025-08-22.
  2. 1 2 3 "Ambient ferri për fëmijët e gratë/ Kampi i Valiasit, plaga e hapur e diktaturës, dëshmi dhe dokumente". www.panorama.com.al. 2025-08-22. Arkivuar nga origjinali më 2025-08-22. Marrë më 2025-08-22.
  3. "VIDEO/ Kampi i Valiasit, publikohen të dhëna tronditëse – si zhdukeshin foshnjat që u merreshin nënave me forcë". Arkivuar nga origjinali më 2025-08-22. Marrë më 2025-08-22.
  4. 1 2 "Ambient ferri për fëmijët e gratë/ Kampi i Valiasit, plaga e hapur e diktaturës, dëshmi dhe dokumente". www.panorama.com.al. 2025-08-22. Marrë më 2025-08-22.