Kanuni

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kanuni i Laberisë)
Jump to navigation Jump to search

Kanuni, ose kanûja në malësitë e Veriut,[1] është ligjja apo përmbledhje e ligjeve të pashkruara zakonore, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore.[2] E drejta zakonore mori emërtime të ndryshme në varësi të trevës etnografike, i Maleve, i Lekë Dukagjinit, i Dibrës, Kurbinit (Skënderbeut), Bendës, Çermenikës, Labërisë (Papa Zhulit, Idriz Sulit) dhe i Çamërisë.

Botëkuptimi kanunor vijoi të ushtrohej ndër këto vise, si dhe në trevat e Vilajetit të Kosovës në periudhën jugosllave. Shteti shqiptar në vitet e regjimit komunist i suprimoi me forcën e ligjit praktikat zakonore duke i mënjanuar si "zakone prapanike". Ushtrimi i normave kanunore u rikthye pas viteve '90 brenda shtetit shqiptar.

Etimologjia[redakto | përpunoni burim]

Termi Kanun është etimologjikisht i lidhur me fjalën greke "κανών" ("canon"), që nënkupton rregull,[3] i ardhur në gjuhën shqipe përmes osmanishtes.[1]

Prejardhja[redakto | përpunoni burim]

Shtegtuesja dhe vizitorja angleze Durham mendonte se vjetërsia e kanunit mund të cekte Epokën e bronzit.[4] Të tjerë e kanë parë si kodifikim të ligjeve ilire,[5] si dhe kanë sugjeruar se mund t'i gjurmohen elemente të mbetura nga periudhat prehistorike para-Indoeuropiane.[6] Sidoqoftë mund t'i vihet re shtresëzime të të gjitha periudhave, si të asaj para-Indoeuropiane ashtu edhe Indoeuropiane, greke antike, romake, ballkanike dhe osmane.[7]

Kodifikimi i variantit të Lekë Dukagjinit i atribuohet vetë fisnikut arbëror të shek. XV sipas disa studjuesve.[8] Por gabimisht mendohet se ky variant praktikimi i të drejtës kanunore ka qenë i vetmi, dhe autorësia vetëm besohet se është e fisnikut arbër.[9] Malcolm hamendëson se një kapitull i Zakonikut të Car Dushanit të ketë qenë përpjekja e parë për t'i integruar ligjet e maleve.[10] Ndërsa te Statutet e Shkodrës, më të vjetra se Zakoniku, të vetmen gjurmë të arbërishtes ka foljen bessare që mendohet se është institucioni i besës.[11][12]

Historia[redakto | përpunoni burim]

Në shek. XVII një anonim përgatit një studim në gjuhën venete "Informacion mbi origjinën dhe metodën e arbitrazhit në çeshtjen e marrjes së gjakut në Shqipëri", i drejtohej Republikës së Venedikut me qellim që të harmonizoheshin ligjet e shtetërore të Venedikut me Kanunin e shqiptarëve në hapësirën nga Kotorri deri në Shkodër ku shtrihej sundimi i administratës së Venedikut. Senati nuk e miratoi këtë studim, sepse nuk desh të njihej një ligj tjetër në provincat e tij.[13]

Komisioni dhe Kanuni i Xhibalit[redakto | përpunoni burim]

Në kuadër të Tanzimatit dhe zbatimit të reformave, administrata osmane për t'u raportuar me normat zakonore të cilat i kishte lejuar të ushtroheshin lirisht, hapi një zyrë me emërtimin Komisioni i Maleve të Shkodrës (tr. Iskodra Xhibali Komisioni) krijuar në vitet 1856-1858, me qendër në Shkodër dhe me pushtet administrativ e gjyqësor në krahinat.[14] Komisioni mishëronte qëndrimet centralizuese të reformave perandorake dhe qasjen që do të kishte me të drejtën zakonore lokale[15] në viset e bajrakut dhe mbështetej kryesisht te Kanuni i Maleve (tr. Kanun-i Xhibal) me ndonjë element administrativ osman. Më 1863 bylykbashi i Grudës nëpërmjet një letre dërguar serxherdesë i kërkonte Kanunin e Xhibalit. Letër që jep arsye për të besuar se bëhet fjalë për një kodifikim në osmanisht. Pjesë të këtij kanuni janë njëzet paragrafë të botuar në salnamenë e vilajetit të Shkodrës më 1894, të cilët u botuan të përkthyera në italisht dhe frëngjisht.[16]

Kanunet[redakto | përpunoni burim]

Në Labëri[redakto | përpunoni burim]

Mbledhja e këtij varianti u bë në vitet '50 nga Rrok Zojzi i praktikuar në krahinat jugperëndimore të Shqipërisë, Lumi i Vlorës, Himarë e Kurvelesh.[17] Forma Kanuni i Papazhulit përdorej më përpara dhe sipas Eqrem bej Vlorës kur gjysmën e parë të shek. XVIII lebërit filluan të bëheshin muslimanë, e quajtën i Idriz Sullit - që ishte në atë kohë një kryetar i Progonatit. Himara që mbeti e krishterë vijoi të përdorte emërtimin e moçëm.[18]

Në fshatin Zhulat gojëdhëna kumton që në kohët bizantine jetonte një prijës i shquar i quajtur Papazhuli, i cili "nga mosha ish plak'i thinjur, por nga mëndja e nga krahu ish djal'i ri". Në atë kohë një ushtri e madhe kish ardhur nga deti, prijësi i të cilës quhej Kryelesh. Forcat e zbarkuara nga Adriatiku u ndalën në Fushën e Bardhë nën Zhulat dhe i çuan fjalë Papazhulit se ajo ushtri mësynte Kostantinopojën dhe nuk kishte qëllim të mpleksej me krahinën. Palët dhanë besë që për tri ditë të mos prekej njëri-tjetri dhe shkëmbyen pengje besimi, Papazhuli u tërhoq dhe të tretën ditë iu fanit sikur i foli dielli duke i thënë "mos e prek arín që të pret udhën". Kësodore Papazhuli e lejoi të kalonte ushtrinë lirisht ndër ato vise, Kurveleshit i mbeti emri në ndër të prijësit Kryelesh dhe në Kanunin e vendit u bënë disa ndryshime për t'iu afruar Kanunit të të huajve.[18]

Sipas një gojëdhëne radhitur nga Çabej më 1938-39:[19]

"Thuhet se para afërsisht një shekulli u patën bashkuar dy të parë nga të Labërisë, Idris Sulli nga Zhulati dhe Demir Dosti prej Kardhiqi për të reformuar kanunin e vjetër, posaçërisht për të rregulluar rishtas çështjen e rrëmbimit të moçëm dhe të zbimit të gruas."

Më tej shton komentimin e tij:

"Si duket, institucionet e lashta nuk po përkonin më me gjendjen e kohëve të reja."

Studimet[redakto | përpunoni burim]

Të parët që nisën grumbullimin e të drejtës zakonore ishin klerikët katolikë Lazër Mjedja, Nikollë Ashta dhe Shtjefën Gjeçovi.[20] Më pas kjo punë grumbullimi përvijoi nga Zef Valentini, Margaret Hasluck, Rrok Zojzi, Qemal Haxhihasani, Frano Illia, Kristo Frashëri.[21]

Referencat[redakto | përpunoni burim]

  1. ^ a b Dizdari, Tahir (2005). Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. 2014: AIITC. f. 491–492. 
  2. ^ Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe - Tiranë, 1980
  3. ^ κανών, Henry George Liddell, Robert Scott, A Greek-English Lexicon, on Perseus
  4. ^ Arsovska, Jana (2006). Gender-based Subordination and Trafficking of Women in Ethnic Albanian Context. Garant: Kolor: Journal on moving communities v. 6, n. 1. f. 10.  90-441-2008-5. 
  5. ^ Cook, Bernard (2001). Europe since 1945: an encyclopedia. 1. Garland Publishing. f. 22.  0-8153-4057-5. 
  6. ^ Cancik, Hubert; Schneider, Helmuth (2002). Brill's New Pauly Encyclopaedia of the Ancient World. Classical Tradition. Brill. f. 92.  90-04-14221-5. 
  7. ^ Sellers, Mortimer; Tadeusz, Tomaszewski (2010). Rule of Law in Comparative Perspective. Springer Verlag. f. 205.  978-90-481-3748-0. 
  8. ^ Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913. London: IB Tauris. f. 30.  9781845112875. 
  9. ^ Di Lellio, Anna (2006). The Case for Kosova: Passage to Independence. Anthem Press. f. 181.  978-0-85728-712-0. 
  10. ^ Malcolm, Noel (1998). Kosovo A short history. New York: New York University Press. f. 54.  0-8147-5598-4. 
  11. ^ Klosi, Ardian (30 tetor 2002). "Statutet e Shkodrës - kujtesa historike e rigjetur". Shekulli. 297: 1, 17. 
  12. ^ Vehbiu, Ardian (27 shtator 2009). "Etiketat shtegtare". peizazhe.com. 
  13. ^ Zeqo, Moikom (2002). Zgjidhja e mosmarrëveshjeve sipas Kanunit të shqiptarëve në optikën e të huajve. Pajtimi 1. f. 57–60. 
  14. ^ Ulqini, Kahreman (2003). Struktura e shoqërisë tradicionale shqiptare. Shkodër: Idromeno. f. 93.  9789992784150. 
  15. ^ Pritchard, Eleanor (2014). Albanian Law and Nation-Building in Northern Albania and Kosovo. Oxford. f. 184. 
  16. ^ Ulqini, Kahreman (1991). Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror. Tiranë: Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë: Instituti i Kulturës Popullore. f. 72–76. 
  17. ^ Bardhoshi, Nebi (2016). Antropologjia e Kanunit. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. f. 172–173.  978-9928-185-38-9. 
  18. ^ a b Vlora, Ekrem (1957). "Disa gojëthanje mbi "Kanunin e Papazhulit (ose të Idriz Sullit)"". adsh.unishk.edu.al. Romë: Shêjzat (it. Le Pleiadi) vj. 1, nr. 2-3. f. 56–61. 
  19. ^ Çabej, Eqrem (2006). Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes. Tiranë: Çabej. f. 25–26.  99927-33-72-1. 
  20. ^ Fiedler, Wilfried (2006). Einführung in die Albanologie. Meißen. f. 102. 
  21. ^ Ahmeti, Musa (2005). Kanuni i Skënderbeut, vepër monumentale e kulturës sonë. 9. Lemba.