Karl Gustav Jung
Karl Gustav Jung (26 korrik 1875, Kesevil - 6 qershor 1961, Kysnaht) ka qenë teoricien, psikiatër dhe psikoterapist zviceran. Është themeluesi i shkollës së psikologjisë analitike, një ndër personalitetet më ndikuese në fushën e psikologjisë dhe mbase më autentiku prej tyre.
Biografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Si bir i një familjeje që ndër breza ka patur edukim të gjerë, Jungu ka mundur të zhvillojë prirjet dhe aftësitë e tij që në moshë të hershme. Kur ishte vetëm 6 vjeç, i ati, Pol Jungu, filloi t'i mësonte latinishten. Për të, kjo qe një përvojë falë së cilës mundi të zgjerojë më tej interesin e tij të pashterrshëm për gjuhët dhe letërsinë, veçanërisht ato të lashtësisë. Është mjaft domethënës fakti se ai ishte ndër shumë të paktit njerëz që mund të lexonin një gjuhë të vdekur si sanskritishtja. Falë njohjes së saj ai mundi të lexojë në gjuhën origjinale, shkrimet e shenjta të fesë hindu. Njohuri si këto do të ndikonin më vonë së tepërmi në teorinë e tij.
Atë e kanë përshkruar si adoleshent të cilit i pëlqente më shumë vetmia sesa shoqërimi me të tjerët. Me tipin e tij introvert shpjegohet pjesërisht edhe fakti se paçka se ishte i ditur dhe i aftë, e tërhiqte më shumë bota e tij e brendshme sesa vajtja në shkollë. Kur mbërriti moshën e studimeve universitare iu përkushtua fillimisht studimit të arkeologjisë, por e braktisi këtë zgjedhje në favor të studimeve mjekësore. Përfundimisht, nën ndikimin e punës që bënte nën mbikqyrjen e neurologut Kraft - Ebing e ndau mendjen ta ndërtonte karrierën e vet në fushën e psikiatrisë.
Në fillimet e punës së tij ka qenë thellësisht i ndikuar nga zbulimet e Frojdit të cilin për herë të parë e takoi më 1907. Përshtypja që i la Jungu Frojdit ishte po aq e madhe sa ndikimi që ai vetë kishte mbi Jungun. Ditën e takimit, pasi kishin biseduar njëfarë kohe Frojdi anulloi të gjitha takimet e tjera të asaj dite, ndërkohë që biseda mes tyre mori plot 12 orë! Megjithatë, krisja e marrëdhënies nuk qe e largët dhe pati të njëjtin intensitet që kishte pasur edhe pëlqimi dhe mirëkuptimi mes tyre. Bëhej fjalë për dy mendje të ndritura njëri ndër të cilët nuk toleronte asnjë shkarje nga teoria e vet, ndërsa tjetrit ajo teori kishte filluar të mos i mjaftonte. Përmbledhtazi mund të pohohet se dy dallimet bazike mes tyre qëndronin te përmbajtja e së pavetëdijshmes dhe roli i simbolizmit që do të zinte vend parësor në teorinë jungiane.
Përmasa shpirtërore e Jungut ka qenë e pakrahasueshme, pothuajse e pashpjegueshme dhe kësisoj e pangjashme me atë të teoricienëve të tjerë. Padyshim mes interesit dhe dijes së tij të gjerë për mitologjinë, fetë, historinë, gjuhët dhe letërsinë nga njëra anë dhe përjetimeve të tij të brendshme të shprehuara përmes gjendjeve shpirtëore, ëndrrave e vegimeve të shpeshta e të kthjellëta dhe mendimeve të pakufizuara nga përmasa kohore kishte një lidhje të posaçme shpjegimin dhe lidhjen mes të cilave mund ta bënte vetëm një mendje si e tija.
Jungu ka qenë i martuar dhe ka patur 5 fëmijë. Bashkëshortja e tij quhej Ema Rojshenbah. Ata kanë jetuar së bashku deri në vdekjen e saj më 1955. Ema vetë ka qenë shembull i zhvillimit personal, sepse ndonëse në fillimet e marrëdhënies së tyre ishte mjaft e kufizuar nga ana intelektuale, arriti të studiojë dhe të ruajë një barazpeshë fine mes përparimit të saj profesional që kulmoi me karrierën e saj të suksesshme si psikoanaliste dhe përkushtimit ndaj punës së të shoqit të cilit i shërbeu si asistente. Në të gjallët e tij, Jungu është përfolur për marrëdhënie jashtëmartesore me të paktën dy gra, Sabina Shpilrainin dhe Toni Ulfin. Studiues dhe partizanë të tij e kanë refuzuar një mundësi të tillë.