Jump to content

Karl Topia

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Karl Topia
Princ i Arbërisë
Karl Topia
Kont
Mbretërimi1358-1388
PasardhësiTanush Topia
PasardhësiGjergj Topia
FëmijëGjergj Topia, Helena Topia, Maria Topia, Vojsava Topia, Niketa Topia
DinastiaTopiajt
I atiAndrea Topia
E ëmaHelena Topia
U lind1331
Durrës, Mbretëria e Arbërisë
Vdiq1388
Elbasan, Principata e Topiajve
VarrimiManastiri i Gjon Vladimirit, Shqipëri

Karl Topia (fl. 1358 - 1388) ka qenë një fisnik arbër që sundoi në Arbëri në shekullin XIV, dhe pasi ftoi fuqitë osmane për të luftuar rivalët Balshaj u bë me gjasë vasal i tyre dhe më pas i venedikasve.

Më 1380 ai rindërtoi manastirin e Shën Gjon Vladimirit pranë Elbasanit, që ishte shkatërruar nga një tërmet.[1] Ndërtoi manastire e kështjella në Durrës, Petrelë dhe Elbasan.[2]

Karli qe i biri i AndreasTanush Topisë, kont i Matit, dhe i Helenës, bija natyrore[2] (una figliuola bastarda) e mbretit të Napolit, Robertit I të Anzhuve. E bija jashtëkurore e mbretit i ishte premtuar bajlozit të Moresë, ishte dërguar për në Durrës ku u njoh me Andrean; jo shumë kohë më pas u thirrën në Napoli me shkasin për t'u pajtuar dhe t'u pranohej bashkimi, por u ekzekutuan.[1] Në mbishkrimin trigjuhësh, greqisht, latinisht e serbisht, të manastirit të Shën Gjonit më 1381, Karli ka lënë të shkruar se rrjedh "prej gjakut të mbretit francez".[3] Karli me të vëllanë, Gjergjin, u rritën në Krujë.[1]

Karli doli në pah më 1358 pasi korri një fitore spektakolare me arbërorët e vet në betejën e Akelout kundrejt despotit të Epirit, Niqefor Orsinit II; i cili donte t'i dëbonte arbërorët nga zotërimet e veta, por ra në betejë. Prej këtu e tutje iu drejtua vetes si "Princeps Albaniae".[1]

Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve me Anzhuinët, kishte vendosur t'u shkëpuste atyre Durrësin prandaj e sulmoi në vitin 1362, por nuk e mori dot.[4] Rreth 1365 zotërimet e tij përfshinin thuajse gjithë Shqipërinë e sotme të Jugut, e për një periudhë të shkurtër zotëroi edhe Janinën.[2] Më 1366 iu dha qytetaria venedikase.[1] Më 1368 Durrësi ra në duart e tij,[5] pasi bëri flotën e vet i përkrahur nga venedikasit, u njoh prej tyre "dominus Albanie in partibus versus maritimam de Durachio".[1] Më pas ra sërish kaloi në duart e Anzhuinëve të Napolit.[6]

Më 1380 ai u përpoq për një aleancë me Luigjin I të Hungarisë, i cili e konfirmoi në zotërimet që kishte në Durrës dhe rrethina. Aleancë kjo që nuk përshëndetej as nga venedikasit e as nga Kuria Romane, përderisa mbreti hungarez mbështeste antipapën e Avinjonit. Duke refuzuar legjitimitetin e Karlit mbi Durrësin, Papa ndërseu kunatin e tij Balshën II kundër tij.[1]

Më 1383 Karl Topia e bleu atë kundrejt një shume të madhe të hollash.[6] Më 1384 Balshajt ia pushtuan dhe dëbuan nga zotërimet e tij. Pas një viti, Karli së bashku me disa fisnikë të tjerë thirrën osmanët, të cilët luftuan me Balshajt në betejën e Savrës ku fituan. Pas humbjes së rivalëve dhe largimit nga Durrësi, Karli hyri prapë në Durrës,[1][6] pas gjase nën syzerenitetin osman.[7] Më 18 gusht 1386 nënshkroi një pakt me Republikën e Shën Markut, në të cilin zotohej se do të ndihte Venedikun me 600 dukate në vit në çdo luftë, ta furnizonte me grurë dhe t'u garantonte tregtarëve venedikas privilegje tregtare. Në këmbim iu dha një galerë me një ekuipazh lufte dhe të drejtën që të rekrutonte mercenarë në territoret venedikase.[1]

Sipas Shuflajt, emri i tij tingëllon anzhuinisht dhe dikton ndikimin e Anzhuve në botëkuptimin e fisnikërisë arbërore të kohës; venedikasit e quanin "catolicus princeps Albanie",[8] nga serbët quhej "župan velji" (zhupan i madh) dhe në letrën e Papës Gregor XI më 1374 quhet "magnus comes" (kont i madh);[3] Papa i dërgoi dy letra ku i drejtohej "Dux Albaniae et Croatiae" dhe i lutej që t'i kërkonte me këmbëngulje arqipeshkvit të Sardës që "më së fundi" t'i dërgonte Selisë Shenjte tributin e kishës, letër që dëshmon autoritetet edhe në viset e Shkodrës.[2] Ai nuk ngurronte të vinte në dukje "lidhjet e gjakut" që kishte me Anzhuinët e Napolit, madje i shtoi stemës së Topiajve edhe simbolin anzhuin, zambakun.[9]

  1. ^ a b c d e f g h i Bartl, Peter (1981). "Thopia, Karl". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). 4: 311–312.
  2. ^ a b c d Vlora, Eqrem bej; Von Godin, Amelie (2010) [1955-56]. Ndihmesë për historinë e sundimit turk në Shqipëri v. I. Tiranë: 55. fq. 55–56. ISBN 978-99943-56-83-6.
  3. ^ a b Shuflaj, Milan (2004) [1925]. Serbët dhe shqiptarët. Përkthyer nga Hasan Çipuri. Tiranë: Toena. fq. 163. ISBN 99927-1-854-4.
  4. ^ Xhufi 2002, p. 289
  5. ^ Xhufi 2002, p. 289
  6. ^ a b c Xhufi 2002, p. 290
  7. ^ Fine, John V. A. (1994). The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest (në anglisht). University of Michigan Press. fq. 390. ISBN 0-472-08260-4.
  8. ^ Thalloczy, Ludwig v. (2004) [1917]. Vëzhgime iliro-shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 18. ISBN 99927-56-34-9.
  9. ^ Xhufi 2002, p. 288-289
  • Allgemeine Encyclopädie der Wissenschaften und Künste, hrsg. v. Johann Samuel Ersch, Johann Gottfried Gruber. Leipzig 1868. Theil 86, S. 41-42