Karnavalet

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Karnevalet Shkodër 1937

Karnavalet janë një periudhë festive e vendeve me popullsi të krishterë në përgjithësi, dhe katolike romake në veçanti, para periudhës së Krezhmeve.

Në viset shqiptare festimi i karnavaleve ka qenë përgjithësisht fenomen urban, i ndjekur në qytete me popullsi të krishterë si në Korçë,[1] Përmet, Shkodër, por edhe në rrethin e Gjirokastrës në fshatrat e Zagorisë. Deri më 1926 bëheshin natën. Në Përmet njihen si llazore, ndërsa tek popullata myslimane është ndjekur diçka e ngjashme e njohur si teferiç.[2]

Karnavalet e Korçës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Karnavalet kanë filluar të festohen në Korçë para viteve ’40, periudhë në të cilën jeta kulturore në këtë qytet ka qenë e larmishme. Megjithëse një festë pagane , Karnavalet më vonë festoheshin ditën e Ndjesave në muajin Shkurt. Veç individëve të shumtë të veshur karnavale, kishte edhe grupe me kitara, këmbajka dhe maska butaforike si koka kafshësh dhe njerëzish.

Karnavalet e Korçës morën një hov të madh pas krijimit të shoqërive kulturore si “Rinia Korçare” etj. Në këtë periudhë karnavalet shoqëroheshin me mandolina, kitara dhe këngë humoristike. Festimi i Karnavaleve u ndërpre pas viteve 60, për të rifilluar në kushte të tjera shoqërore pas viteve 90.

Karnavalet e Shkodrës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Karnevalet në Shkodër, 1897

Fillonte një natë para të Enjtes së Majme, ishte zakon që të thirreshin bijat në gjini. E gjithë java shkonte me gostitje petullash, ndërsa të Martën e Majme që ishte dita e fundit ishte zakon që përveç gjellëve të tjera, festa të mbyllej me një pulë të pjekur.[3] Ditën e fundit, karavani i veshur me maska (të quajtur nga populli surretën) shoqëruar me tingullin e dajreve, klarinetave e trombetave futeshin qitshin bejte të improvizuara rrugëve, përhapnin fletëpalosjet e tyre bejtexhinjtë që i prinin karvanit, nëpër shtëpitë e zotërinjve që i qirasnin me cigare, raki e para. Në të perënduar mblidheshin në lagjet "Ara e Pashës" apo në "Serreq", ku mes bejteve, britmave, vajeve e valleve digjnin dordolecin (si personifikim i të metave të vitit) e vënë mbi një kalë.[2][4]

Pas çlirimit 1944-es, karnevalet u festuan pesë herë gjithsej të ndërlidhura me data të veprimtarive politike (kongrese, zgjedhje), me iniciativën e Klubit të Punëtorëve “Vaso Kadija” më 21 shkurt 1951, 28 prill 1957, 20 maj 1962, 26 prill 1964 dhe e fundit më 22 prill 1967. Karnevalet përgjatë regjimit u shfrytëzuan nga propaganda e kohës, kështu qe e pamundur të kultivohej kritika ndaj politikëbërësve që kryhej para '44.[4]

Pas rënies së regjimit komunist, karnevalet rinisën të festoheshin më 1999. Pas 2010 administrimi i festimit të tyre iu besua administrimit nga firma "Venice Art Mask Factory", ndërsa pas 2016 karnavalet u përkujdesën nga shoqëria kulturore "Illyricum" dhe ajo "Zef Jubani".[4]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Elsie, Robert (2001). A Dictionary of Albanian Religion, Mythology and Folk Culture (në anglisht). C. Hurst & Co. Publishers. fq. 50. ISBN 9781850655701.
  2. ^ a b Podgorica, Fadil (2004). Fjalor etnofolklorik. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 337.
  3. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 301. OCLC 645720493.
  4. ^ a b c Stefa-Missagli, Gjon (2017). Historiku i karnevaleve shkodrane - trashëgimi në vazhdimësi. Shkoder: Gjergj Fishta. fq. 482. ISBN 9789928222190.