Jump to content

Kazakistani

Checked
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Kazakhstan)

Kazakistani (kazakisht: Қазақстан, Qazaqstan; rusisht: Казахстан, Kazahstán), zyrtarisht Republika e Kazakistanit, është vend në Azinë Qendrore dhe Evropë. I radhitur i nënti për nga sipërfaqja, si dhe më i madhi në botë si vend jobregdetar.[1][2] Ka 2.727.300 km² (më shumë se Evropa Perëndimore). Kufizohet me Rusinë, Kirgizinë, Turkmenistanin, Uzbekistanin dhe Republikën Popullore të Kinës. Vendi ka dalje të konsiderueshme në Detin Kaspik.

I madh me territor, relievi i Kazakistanit është i shumëllojshëm: ultësira, stepe, tajga, kanjonë shkëmborë, kodra, male, maje të mbuluara me borë dhe shkretëtira. Kazakistani është i 62-ti në botë me popullsi; ka pak mbi 15 milionë banorë dhe një dendësi prej 68 frymësh në km². Kazakët dhe rusët janë dy grupet më të mëdha etnike në vend, ndërsa kazakishtja dhe rusishtja janë gjuhë zyrtare.

Gjatë pjesës më të madhe të historisë, treva e Kazakistanit të sotëm u banua nga fise nomade. Kah shek. XVI, kazakët u formuan si grup i veçantë, i ndarë në tri hordhi. Rusët përparuan drejt stepave kazake në shek. XVIII, ndërsa në mes të shek. XIX mbarë Kazakistani u bë pjesë e Perandorisë Ruse. Pas Revolucionit Rus të 1917-ës dhe Luftës Qytare Ruse në vijim, terrotiri i Kazakistanit u riorganizua disa herë para themelimit të Republikës Socialiste Sovjetike Kazake më 1936, si pjesë e Bashkimit Sovjetik. Gjatë shek. XX, Kazakistani ishte vatra e projekteve të rëndësishme sovjetike, përfshirë këtu kampanjën e Hrushçovit të “Tokave të Pashkelura”, kozmodromin Baikonur, si dhe poligonin e Semipalatinskut, fushëtestimi parësor i armëve bërthamore sovjetike.

Kazakistani shpalli mëvetësinë më 16 dhjetor 1991, si republika e fundit sovjetike që mori këtë vendim. Udhëheqësi i periudhës sovjetike, Nursulltan Nazerbajev, u bë kryetari i parë i vendit. Prej pavarësimit, Kazakistani ka ndjekur politikë të jashtme të baraspeshuar dhe ka punuar për zhvillim ekonomik, sidomos në industrinë e hidrokarbonit.

Kazakistani është republikë presidenciale, ku pushteti i presidentit është zgjeruar dukshëm me kushtetutën e fundit të viti 1995. Kreu i shtetit, që emëron kryeministrin dhe mibkëqyr punën e qeverisë, zgjidhet nga populli për mandat 7-vjeçar.

Presidenti Nazerbajev ushtron kontroll të rreptë mbi politikën shtetërore. Liderë të opozitës dhe gazetarë janë vrarë në vitet e fundit, ndërsa vëzhguesit perëndimorë në përgjithësi nuk i vlerësojnë si të lira dhe të ndershme zgjedhjet në Kazakistan. Megjithatë, Kazakistani shihet si shteti dominues në Azinë Qendrore.[3]

Vendi është anëtar i disa organizatave ndërkombëtare: Kombeve të Bashkuara, Partneritetit për Paqe të NATO-s, Bashkimit të Shteteve të Pavarura dhe Organizatës për Bashkëpunim të Shanghait. Më 2010, Kazakistani do të kryeojë OSBE-në, ndërsa më 2001 do të bashkojë doganat me Rusinë dhe Bjellorusinë.

Kanjoni Sharën

Me sipërfaqe prej 2,7 milion km², Kazakistani është shteti i nëntë më i madh në botë dhe më i madhi vend jobredgetar. Përshtrirja e vendit është e barabartë me atë të Evropës Perëndimore. Ndan kufirin prej 6.846 km me Rusinë, 2.203 km me Uzbekistanin, 1.533 km me Kinën, 1.051 km me Kirgizinë, si dhe 379 km me Turkmenistanin. Qytetet kryesore përfshijnë Nursultanin, Almatën, Karagandën, Shëmkentin, Atëraun dhe Oskemenin. Kryesisht i ndodhur në Azi, Kazakistani ngërthen një copë toke të shtrirë në perëndim të Malit Ural në Evropën Lindore.

Kazakistani shtrihet perëndim-lindje prej Liqenit Kaspik deri te Malet Altaj dhe veri-jug prej ultësirës së Siberisë Perëndimore deri te shtetet e Azisë së mesme. Stepat apo rafshnaltat kazake, me sipërfaqe afro 804.500 km², zaptojnë një të tretën e territorit të mbarë vendit dhe njihen si rajoni më i madh në botë i stepave të thata. Stepat krakterizohen nga hapësira të gjera të kullotave dhe trevave ranore. Ujërat më të rëndësishme ngërthejnë Detit Aral, lumenjtë Ili, Irtësh, Ishim, Ural, Charyn dhe liqenet Balhash dhe Zajsan.

Liqenet më të mëdha në Kazakistan janë liqeni Aral, Balha, Zaisan, Alakol, Tengiz dhe Seletengiz. Kazakistani mban pjesën më të madhe të gjysmës veriore të bregdetit lindor të detit Kaspik – liqeni më i madh në botë.

Klima është e ashpër kontinentale. Temperaturat verore mund të arrijë + 45 ° C, ndërsa të dimrit – 45 °C. Në veri, reshjet arrijnë 3000 mm, në male 1600 mm, ndërsa në shkretëtira më pak se 100 mm në vit.

Bota shtazore e Kazakistanit është e pasur dhe e llojllojshme. Ka 158 specie gjitarësh, 485 lloje shpezësh, 52 lloje reptilësh, 12 lloje amfibësh dhe 150 lloje të peshkut. Nëntëmbëdhjetë lloje kafshësh dhe 23 lloje të shpezëve janë të përfshira në Librin e Kuq Ndërkombëtar të llojeve të rralla dhe të rrezikuara të kafshëve.

Ekonomia kazake është më e madhja në Azinë Qendrore, falë rezerva të mëdha të fosileve djegëse dhe mineraleve e metaleve të ndryshme. Qeveria e Kazakistan planifikon që më 2018 të trefishojë prodhimin vendor bruto (PVB) të vitit 2000. PVB-ja kazake është rritur në vitet e fundit në shkallë mbi 9%. Kazakistani përfitoi nga chmimet e larta të naftës në fillimvitet 2000, ndërsa vazhdoi të eksportonte grurë, tekstil dhe gjedhe. Parashihet që kah viti 2010 Kazakistani të bëhet eskportuesi më i madh i uraniumit në botë.

Kazakistani është shtet me laramani etnike e kulturore, si rrjedhojë e internimeve masive të grupeve etnike gjatë regjimit të Stalinit në ish-BRSS. Kazakët janë kombësia më e madhe, e ndjekur nga rusët. Kazakistani garanton lirinë e besimit, ndërsa fe të ndryshme përfaqësohen në vend. Islami është feja kryesore, ndërsa krishterimi ortodoks është i dyti. Gjuhë zyrtare janë kazakishtja (me status të veçantë të gjuhës shtetërore) dhe rusishtja, ndonëse kjo e fundit përdoren për komunikim të përditshëm, sidomos mes komuniteteve të ndryshme në vend.

Për dy dekada të fundit popullsia e Kazakistanit është rritur prej 8,5 në 16,3 milion banorë. Këto ndryshime janë pasojë e një biodinamike të theksuar të popullsisë. Përveç lindshmërisë së lartë (16%) e karakterizon edhe vdekshmëria e lartë (10,4%) dhe shtimi natyror prej 5,6%. Me 6 banorë në një kilometër katrorë është shteti më i pabanuar në shtetet e Azisë së mesme. Në Kazakistan jetojnë shumë kombësi (rreth 100 sosh), por grupacionet më të mëdha etnike janë kazakët 46%, rusët 35%, uzbekët 2%, tatarët 2% etj. Popullsia urbane përbën 55% të banorëve.

Etnonimi kazak rrjedh nga fjala turke që ka kuptimin e pavarësisë, lirisë së shpirtit. Rrënjët i ka në kulturën kazake, në të cilën kuajt kanë luajtur rol të madh. Për këtë arsye emërtimi është i lidhur me termin Kazak. Gjuha e vjetër persishte –stan, ka kuptimin e vendit ( tokës), kështu që Kazakistan në përkthim do të thotë “tokë e kazakëve.”

Kultura kazake ngërthen në vete traditën e lashtë nomade-turke, të ndikuar më pas nga përhapja e islamit dhe në fund nga sundimi rus dhe sovjetik. Sot, diversiteti kulturor në Kazakistan përfshin edhe doket ruse, gjermane e chifute, si dhe ndikimet moderne të globalizmit.

  1. ^ Agjencia Statistikore e Republikës së Kazakistanit (ASRK). 2005. Treguesit kryesorë demografikë. Gjendet në http://www.stat.kz
  2. ^ United States Central Intelligence Agency (CIA). 2007. “Kazakhstan”, The World Factbook. On-line; gjendet në https://www.cia.gov/library/publications/the-world-factbook/geos/kz.html
  3. ^ Medvedev Visit Underscores Kazakh Victory Over Uzbekistan For Regional Dominance Arkivuar 28 maj 2008 tek Wayback Machine Radio Evropa e Lirë

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
 Commons: Kazakistani – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale