Kisha e Shën Gjergjit (Strum)

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kisha e Shën Gjergjit (Strum)
VendndodhjaStrum, Rrethi i Fierit, Qarku i Fierit, Shqipëri
Ndërtuar1782
Organi drejtuesDRKK Fier
Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore
LlojiNën mbrojtje
KriteretI
Përcaktuar30.05.1970
Nr. i referencësFR012

Kisha e Shën Gjergjit (Strum) e ndërtuar në 1782, dhe e pikturuar nga vëllezërit Çetiri nga Grabova,[1] është një monument i trashëgimisë kulturore në Strum, rrethi i Fierit, në qarkun e Fierit, Shqipëri [2]. Ky monument është miratuar me numër "68/7, 30.05.1970".

Histori dhe përshkrim[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kisha ndodhet 1 km në veri të Strumit, në krahun e djathtë të rrugës automobilistike që lidh Strumin me fshatin Suk i Poshtëm. Ka një gjatësi 10m dhe lartësi 3.5m. Ajo është në formë drejtkëndëshi, e vendosur në drejtimin lindje-perëndim dhe mbulohet nga një çati me tavan të rrafshët. Ka dy porta, njëra në veri e tjetra në perëndim. Naosi njënefësh dhe absida mbuloheshin dikur me afreske, të cilat sot ndodhen në një gjendje tejet të rëndë. Vetëm në pjesën perëndimore të murit verior mund të shihen të ruajtura më mirë figurat e pesë shenjtorëve, ndërsa ruhen edhe pjesë të vogla të tyre. Kisha është pikturuar dikur nga piktorët e familjes ikonografe të vëllezërve Çetiri nga Grabova. Më saktë i pari piktori grabovar qe Joan Çetiri që e pikturoi në vitin 1782. Gjithashtu ai dekoroi me afreske edhe kishën e Shën Gjergjit në Fier, pra ka shumë gjasa që afresket e të dy kishave të kenë qenë të ngjashme. Nën kambanore ndodhet edhe një portë me qemer e cila i përket dorës së parë të ndërtimit, asaj të kohës kur është ngritur kisha. Hyrja është e lartë 1.8m dhe është ndërtuar me gur të bardhë, të skalitur, ku janë imituar kolonat antike, mbi të cilat është vendosur një hark i zbukuruar me dy rozeta. Pikërisht mbi të ndodhet edhe mbishkrimi që daton ndërtimin e kishës, në të cilin është shkruar në greqisht muaji, prill 1782.[1][3]

Për nga teknika e ndërtimit në të janë përdorur gurë gëlqerorë të marrë nga guroret aty pranë, ku nuk mungojnë edhe mermerë të sjellë nga ndërtime antike. Gurët janë lidhur me llaç gëlqereje dhe objekti ka qenë i suvatuar nga brenda. Ikonostasi dhe objektet e tjera mungojnë, ndërsa në dyshemenë e pashtruar të faltores, pikërisht pranë absidës, shihen dy pjesë kolonash antike me kanelyra dhe një pjesë mermeri e një kapiteli dorik, të marra nga ndërtime antike, ndoshta edhe nga qyteti Dimali që ndodhet aty pranë. Kisha nga ana verilindore ka edhe një paraklis të vogël, i cili është në gjendje të rrënuar, ku ruhen dy absida të vogla dhe ku duken gjurmët e qirinjve që ndezin besimtarët. Dikur objekti rrethohej nga të tre anët, si ato veriore, perëndimore dhe jugore, nga një mur guri i cili kishte një gjerësi prej 0.7 m dhe lartësi prej 2.5 m. Sot ai është në gjendje të rrënuar dhe prej tij ruhet vetëm pjesa që ndodhet në anën perëndimore, pranë kambanores. Kambanorja ka një lartësi prej shtatë metrash ajo është rindërtuar në vitin 1935. Këtë gjë e shohim edhe nga mbishkrimi që kambanorja bart, në të cilin shkruhet “Ndreqja e kambanave nën kujdestarinë e Lil Çobos dhe Lil Stambolliut më 25 gusht të vitit 1935 nga usta Vasil Lapi”.[1][3]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b c Gjika, Ilirian (19 nëntor 2015). "Kisha e Shën Gjergjit në Strum. Nevojë për ndërhyrje restauruese". Marrë më 27 nëntor 2017. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)[lidhje e vdekur]
  2. ^ LISTA E MONUMENTEVE: RRETHI I FIERIT (PDF). Instituti i Monumenteve të Kulturës - Ministria e Kulturës. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 16 maj 2017. Marrë më 1 gusht 2017.
  3. ^ a b Daci, Valbona (15 korrik 2011). "Strum, Kisha e harruar e Myzeqese. dikur me e bukura e zones". Fieri. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 27 nëntor 2017. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]