Kleopatra Lloci
Kleopatra Jorgji Lloci Premti (lindi më 5 prill 1927) në fshatin Pecë të Delvinës dhe u rrit në një familje ku jetonin e rritesin 4 vajza dhe një djalë. Ajo ishte vajza e tretë dhe vazhdoi të mësojë në shkollë si dhe të ndihmonte familjen si gjithë pjesëtarët e tjerë, në punët e bujqësisë dhe me blegtori. Më 7 prill 1939, si gjithë familjet e tjera në fshat e në krahinë, dëgjuan për qëndresën kundër fashistëve në qytetin e Sarandës dhe e mbështetën atë. Me fillimin e lëvizjes mbarëpopullore, familja aktivizohet në përkrahjen për largimin e pushtuesve.
Duke u rritur dhe duke dëgjuar vazhdimisht për luftën, që zhvillonin forcat partizane me çetat, batalionet e brigadat, si dhe për pjesëmarrjen në to edhe të vajzave, Kleopatra doli partizane dhe mori armën për të luftuar pushtuesin, duke marrë përsipër sakrificën për çlirimin e vendit. Kur mbushi moshën 17 vjeç, iu bashkua batalionit të sapokrijuar “Lefter Talo”, që vepronte edhe në krahinën e Muzinës, në muajin qershor të vitit 1944.