Kolë Kamsi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kolë Kamsi
Fotoporteti
Emri Kolë
Mbiemri Kamsi
Lindur më 23 shtator 1886
Lindur në Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më 1960
Vdiq në Tiranë, Shqipëri
Kombësia Shqiptar
Shtetësia Otomane, Shqiptare
Profesioni Albanolog, gjuhëtar, pedagog, tekstolog
Mirënjohje

Kolë Kamsi (Shkodër, 23 shtator 1886 - Tiranë, 25 shkurt 1960) ka qenë arsimtar, folklorist, tekstolog, përkthyes, fabulist e publicist shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Shkodër më 23 shtator 1886 në gjirin e një familjeje qytetare, i biri i Palokë Kamsit.[1] Kola ndoqi shkollën fillore e të mesme duke marrë diplomën në Shkollën Teknike Tregtare italiane në qytetin e lindjes. I vijoi, pra, me 1904 studimet në Kolegjin e Shën Adrianit, duke kryer me 1907 shkollën normale. Po atë vit u emërua mësues i gjuhës shqipe në Shkollën e Vlorës. Më 1915-1916 kur çelet shkolla fillore për djem në Vlorë drejtor u emërua Kolë Kamsi. Mësues u caktuan: Jani Minga, Thoma Papano, Halim Xhelo. Duke parë se shkolla shqipe vuante për shkak të mungesës së teksteve për shkollën fillore, Kamsi iu përvesh punës dhe Brenda katër vitesh hartoi tri vepra për shkollën fillore. Kamsi qe anëtar dhe veprimtar i klubit "Labëria".

Dha mësime gjuhe shqipe së bashku me Jani Mingën, në kursin e shkurtër pedagogjik për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, që do të jepnin mësim në 44 shkollat e hapura në krahinat e Vlorës e të Gjirokastrës.[2]

Më 1920 Kamsi ishte në Shkodër në shkollën qytetëse të françeskanëve dhe me hapjen e gjimnazit të shtetit u punësua si mësues i gjuhës shqipe (1922-23). Më 1924 qe drejtor i shkollës fillore «Teuta» po në vendlindje. Më 1925 u çel në Korçë një kurs pedagogjik për mësuesit e qytetit dhe të qarkut. Drejtor dhe mësimdhënës u emërua Kamsi. Më 1926 qe drejtor i konviktit të Ujit të Ftohtë, pas një viti u caktua drejtor i Institutit Tregtar po në Vlorë.[3] Sipas autobiografisë intervistuese të Petro Markos, Kamsi ishte "i heshtur, por punëtor i madh. Ai na bënte gjuhësi, gramatikë, lexim, hartim. E them me plot gojën se na e mësoi shqipen mirë: gramatikën, poetët tanë, historinë e shkrimit të shqipes dhe kulturën tonë."[4]

Më 1928 u kthye në Gjimnazin e Shkodrës. Më 1936 u emërua drejtor i institutit femëror “Donika Kastrioti”, po në vendlindje.

Pas pushtimit italian emërtohet drejtor i institutit femëror të emërtuar rishtazi «Nana e Skanderbegut» në maj të 1939 duke zëvendësuar Sotir Papahriston.[5] Qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare themeluar më 1940 dhe po atë vit punoi në Komisionin Teknik të teksteve pranë Ministrisë së Arsimit së bashku me Aleksandër Xhuvanin dhe Eqerem Çabejn. Më 1942 rikthehet në Gjimnazin e Shkodrës tashmë si drejtor.

Me hyrjen e regjimit komunist punoi në Institutin e Shkencave në Tiranë që nga 1948, vijuesi i Institutit i të cilit ishte anëtar që më 1940. U delegua me cilësinë e folkloristit pastaj në qytetin e lindjes, në gjimnazin “29 nëntori” dhe në shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”, me riorganizimin e Institutit të Shkencave më 1955 u emërua "kandidat i shkencave". Më 1957 u emërua pedagog i folklorit në Institutin e Lartë Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës.[3]

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Me dekretin nr. 2544 datë 19.10.1957, u dekorua me Urdhrin e Flamurit, me motivacion për kontributin e vlefshëm në edukimin e brezave të rinjtë gjatë 50 vjetëve punë të rregullt e të pandërprerë në sektorin e arsimit. Njëkohësisht me dekretin nr. 459 të datës 13.02.1993, Presidenti Sali Berisha i dha Z. Kolë Palok Kamsi titullin “Mësues I Popullit” me motivacion:" Mësues i fillimeve të arsimit kombëtar shqiptar, studiues i pasionuar i gjuhës dhe historisë, i kulturës dhe traditave kombëtare, botues veprash dhe artikujsh shkencorë, shembull qytetarie, shpirt demokratik e përparimtar".[2]

Vepra[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë vjetëve të Luftës së parë Botërore boton disa libra për shkollat fillore (abetaren «Jeta e ré» që pati dy botime e nji botim të tretë të përgatitun, por të pabotuem; «Mësime përmbi natyrën» e antologjinë «Lulet e mendimit»). Në fushën e gjuhësisë ai u dallua me veprën “Manual praktik i gjuhës shqipe”, shkruar italisht-shqip mbi strukturën gramatikore të gjuhës shqipe. Me rëndësi është dhe bashkëpunimi i tij në “Fjalorin italisht-shqip” të Kordinjanos. Të vlefshme janë dy monografitë e tij “Jeta dhe veprat e Frang Bardhit” dhe “Disa vërejtje gjuhësore mbi veprën e Pashko Babit”. Për institutin e Studimeve, më 1948-n, Kamsi redaktoi veprën “Material leksikor”, të mbledhur në rrethin e Gjakovës nga Murat Paci, ish-nxënës i Gjimnazit të Shtetit të Shkodrës që u vra nga fashistët në vitin 1943.[6]

Në lëmën e publicistikës botimet e tij gjenden tek “Albania” (Londër, 1907), “Kalendari kombiar” (Sofje, 1912), “Përparimi” (Shkodër, 1915), “Corriere della Puglie” (Numër I posaçëm mbi Shqipërinë, 1917), “Kuvendi” (Romë, 1919), “Edukata e re” (Tiranë, 1930), “Agimi” (Shkodër, 1920), “Dituria” (Tiranë, 1928) etj.[2]

Për historinë e letërsisë shqiptare, përveç artikujve mbi shkrimtarët arbëreshë, Kolë Kamsi botoi punime me vlerë edhe për Pashko Vasën, Shirokën, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Fan S. Nolin, Justin Rrotën etj. Me interes janë edhe artikujt mbi Ismail Qemalin, Miss Edit Durhamin, etj. Në fushën e folkloristikës sonë Kolë Kamsi mbetet një nga studiuesit më të mirë të proverbave të shqipes me veprën e tij të çmueshme “Goja e popullit tonë”. Libri përmbledh thënie popullore të shkurtra, Në fushën e krijimtarisë së tij letrare janë për t’u shënuar disa vjersha për fëmijë, disa tregime të bukura edukative etj.[1]

Tituj të veprave[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Jeta e ré, abetare. Bari, 1915.
  • Mësime përmbi natyrën. Bari, 1917.
  • Lulet e mêndimit - vjerrsha për shkollën fillore të përmbledhuna. Vlorë, Shtypshkronja italiane, 1919.
  • Shkollë e jetë. Antologji për shkollat e mesme. Bashkëautor me Ndue Palucën e Ernest Koliqin. Shkodër, 1935.
  • Te Praku i jetës. Bashkëautor me Karl Gurakuqin. Tiranë, 1940.
  • Rreze Drite. Ibidem. Tiranë, 1941.
  • Shkrimtarë shqiptarë. Ibidem. Tiranë, 1941.[3]
  • Bota shqiptare. Bashkëautor me Xhuvanin, Çabejn dhe Gurakuqin. Tiranë, 1943.
  • Manuale pratico della lingua albanese - Zara, E. De Schönfeld, 1930 e Shkodër 1940, 1942.[3]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Dushi, Anila (5 prill 2010). Familja Kamsi, intelektualët e djeshëm e të sotëm të Shkodrës. Tiranë: Shekulli - Nr. 2926, V. fq. 16–17. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c "Kolë Kamsi, punëtor i palodhur në lëmin e arsimit e kulturës kombëtare". 55. 21 shkurt 2013. Marrë më 11 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)[lidhje e vdekur]
  3. ^ a b c d Kamsi, Willy. "Kolë Kamsi për Arbëreshët". Phoenix. Arkivuar nga origjinali më 6 janar 2005. Marrë më 11 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Marko, Petro (2000). Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët). Tiranë: OMSCA. fq. 57. ISBN 99927-40-33-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Lalaj, Meri (2013). Instituti Femnor "Nana Mbretneshë". Tiranë: Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës. fq. 90. ISBN 978-99943-51-90-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Leka, Ferdinand. "Parathënie". Phoenix. Arkivuar nga origjinali më 4 mars 2016. Marrë më 11 mars 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)