Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search

Koordinatat: 41°19′35.67″V 19°49′20.20″L / 41.3265750°V 19.8222778°L / 41.3265750; 19.8222778

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (shk. KMSH) është një institucion fetar i pavarur i myslimanëveShqipëri, themelimi zyrtar i të cilit daton më 24 shkurt 1923 deri më 1967, vit në të cilin u mbyll për t’u rihapur më 16 nëntor 1990.[1]

KMSH-ja është e regjistuar si person juridik dhe si bashkësi fetare jopolitike e pavarur nga shteti, ku përfshihen të gjithë besimtarët myslimanë në territorin e Republikës së Shqipërisë që pranojnë parimet themelore të fesë islame.[1]

Bashkësia[redakto | përpunoni burim]

Selia e komunitetit është në Tiranë, ndërsa kryetari i tanishëm i tij është Skënder Bruçaj.

Në ushtrimin e veprimtarisë së tij, ai ka qëllim fetar e bamirës dhe ka si objekt të përhapë, zgjojë dhe forcojë tek besimtarët myslimanë, besimin islam, të ruaj traditën e trashëguar nga të parët tanë, të mbrojë dinjitetin, të drejtat dhe interesat e myslimanëve, të rrisë e zhvillojë ndjenjën e dashurisë e të besnikërisë ndaj fesë dhe atdheut, si dhe të ruaj e forcojë dialogun mes Komuniteteve Fetare Tradicionale në vendin tonë.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është i ndërgjegjshëm për rolin dhe identitetin e tij në shoqërinë shqiptare dhe për këtë posedon strategji afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, duke bërë efektive bashkëpunimin me akademikë, intelektualë, personalitete, me të rinj dhe të reja.

Stafi i kualifikuar i KMSH në qendër dhe rrethe, ka merita për arritjet e mira dhe pasurohet herë pas here me kuadro të arsimuar, të cilët i japin zhvillim Komunitetit Mysliman. Ai ka një metodë sistematike për konsolidimin e kapaciteteve të bërthamës kryesore të stafit, përmes pjesëmarrjes në programe trajnimi të vlefshme dhe në programe kualifikimi ‘master’.

Megjithëkëtë, një Komunitet është vërtet bashkëkohor kur mbështetet mbi një infrastrukturë bashkëkohore. Ne përpiqemi të zgjerojmë dhe të plotësojmë mjediset, duke nisur që nga qendra, myftinitë, bibliotekat, informatizimi, e duke mbërritur deri te restaurimi i xhamive, i cili është ndër prioritetet e para të punës sonë.

Në këtë faqe zyrtare do të gjeni informacione rreth fesë islame dhe aktiviteteve të ndryshme në rang myftinie të Republikës së Shqipërisë. Kjo faqe do të plotësojë njohuritë tuaja rreth organizimit të KMSH, strukturave të funksionimit të tij dhe aktualiteteve të ndryshme me karakter fetar islam.

Që Komuniteti Mysliman i Shqipërisë të arrijë zhvillime të mëtejshme, ne do të vazhdojmë të punojmë me dedikimin që na karakterizon bashkë me qindra mijëra njerëz që janë pjesë e traditës dhe t’u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre që duan të mësojnë më shumë rreth tij.

Historia[redakto | përpunoni burim]

Vitet njëzetë të shekullit XX, në vendin tonë, ishin vitet e luftës për demokraci e përparim shoqëror. Në këto vite ekzistonte një atmosferë me ndjenjë të theksuar kombëtare, e cila ishte pasqyruar në shumë drejtime. Patriotët klerik në gjirin e komuniteteve fetare, të cilët kishin marrë pjesë aktive në çështjet kombëtare, iu vunë punës që kjo frymë kombëtare të pasqyrohej edhe në jetën e vet komuniteteve fetare. Përpara tyre shtrohej detyra e organizimit të komuniteteve dhe e pavarësisë së tyre. Klerikët myslimanë me forma të ndryshme sensibilizuan opinionin shqiptar dhe autoritetet shtetërore për mbështetje në punën e nisur në rrugën e pavarësisë.

Më 1921, për arsye të pushtimit të Stambollit, ku ishte edhe kalifati dhe si rrjedhojë të humbjes së lidhjeve në varësi institucionale, Bashkësia Islame Shqiptare shpalli shkëputjen prej Shejhul Islamit të Perandorisë Osmane. Zyrtarisht e kreu këtë shkëputje me rastin e kongresit të parë të myslimanëve, i cili u themelua në Tiranë dhe i zhvilloi punimet nga 24 shkurti deri më 12 mars të vitit 1923, duke zgjedhur si kryetar të bashkësisëun e deriatëhershëm Haxhi Vehbi Dibrën. Ai u shqua për organizimin, drejtimin dhe mbarëvajtjen e Komunitetit Mysliman, si dhe për krijimin e marrëdhënieve të reja me Shejhul Islamin e Stambollit, tashmë si një njësi politike autonome në rang shteti, por e njëjtë fetare-islame. Kongresi Mysliman Shqiptar përfaqëson një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për jetën fetare e shoqërore të Shqipërisë, por edhe për jetën politike kombëtare të mbarë popullit tonë. Ai shënon një stad të rëndësishëm në rrugën për reformimin e organizimit islam, në përputhje me kërkesat e kohës dhe sidomos me faktin që u theksua shumë aso kohe, vend-ndodhjen e Shqipërisë në mesin e Evropës. Mendohej, jo pa të drejtë, që vetëm me këtë rrugë mund të forcoheshin pozitat e islamit në kontinentin evropian. Në kongres morën pjesë 36 delegatë nga i gjithë vendi. Ky kongres hyri në histori për vendimet e rëndësishme teologjike me kahje kombëtare. Ndër ta mund të përmendim:

1) Shpalli mëvetësinë e “Xhamisë Shqiptare” duke prerë të gjitha lidhjet me Kalifatin.

2) Themeloi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, i cili do të interpretonte dhe menaxhonte në të ardhmen gjithçka që kishte lidhje me fenë myslimane tek ne.

3) Zgjodhi Këshillin e Naltë të Sheriatit të përbërë nga Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Vejsel Naliu etj. dhe Këshillin e Xhematit. Kryetari i Këshillit të Naltë të Sheriatit përfaqëson Komunitetin Mysliman me titull Myfti i Përgjithshëm. Për të përfaqësuar tarikatet u zgjodhën: Haxhi Adem Bala dhe Sheh Ibrahim Karbunara. Ndërsa Drejtor i Përgjithshëm i Vakufeve u zgjodh Sali Vuçiterni.

4) Hartoi Statutin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, mbi të cilin do të mbështetej e gjithë veprimtaria e Komunitetit Mysliman.

5) Vuri mbi baza të drejta shkencore kombëtare shkollimin e ardhshëm të kuadrove fetarë në vendin tonë si dhe zhvillimin e predikimeve dhe të botimeve fetare në gjuhën shqipe.

6) Miratoi rregulloren mbi zgjedhjet në forumet e Komunitetit Mysliman.

7) Miratoi gjithashtu, rregulloren mbi organizimin e vakëfeve myslimane në Shqipëri etj.

Vendimet e Kongresit të parë Mysliman Shqiptar, si dhe masat e përpjekjet për zbatimin e tyre, bënë që abrogimi i Kalifatit Islam një vit më vonë të kalonte pa ndonjë reagim negativ, siç mund të mendohej apo siç ndodhi në vende të tjera islame, qoftë në Ballkan. Kjo masë e Republikës Turke dha rastin të ngulej këmbë për të thelluar e për të çuar përpara vendimet e marra në mars të vitit 1923 në Tiranë. Në zbatim të vendimeve të Kongresit të parë islam, u themelua Komuniteti Mysliman i Shqipërisë dhe, sikurse në të gjitha rrethet e tjera të vendit, edhe Myftinia e Tiranës. Në fakt, institucionet e fesë islame në Shqipëri kanë ekzistuar qëkur u islamizua vendi, por këtu është fjala të inkuadruara në strukturat e Komunitetit Mysliman të sapoformuar. Në tetor të vitit 1923 fillon botimin revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman e titulluar “Zani Naltë” për t’u mbyllur në vitin 1939. Në të vërehen tonet patriotike dhe atdhetare të shkruesve që lanë shënimet dhe shkrimet e tyre. Gjatë luftës së dytë botërore Komuniteti Mysliman ka pasur si organ zyrtar revistën “Kultura Islame”. Më 1924’n, u hap dhe filloi vitin e parë shkollor Medreseja e Tiranës. Nëpërmjet administratës së ngritur me dijetarë myslimanë dhe me besimtarë të përkushtuar civilë, në qendër dhe në gjithë vendin përfshirë dhe fshatin, Komuniteti Mysliman ka realizuar interpretimin teologjik dhe realizimin praktik të parimeve të fesë islame. Gjithashtu është kujdesur për menaxhimin dhe vënien në efiçencë të të gjitha pasurive të luajtshme dhe të palujtshme-vakufeve në Shqipëri.

Rihapja e aktivitetit fetar islam pas sistemit komunist në Shqipëri, u bë më 16 nëntor 1990 në Xhaminë e Plumbit në Shkodër. Institucionalizimi i funksionimit zyrtar i Komunitetit Mysliman u bë në vitin 1991. Gazeta “Drita Islame” e cila e vazhdon dhe sot aktivitetin e saj si zëri i vetëm zyrtar i KMSH, e ka filluar botimin e saj të parë në vitin 1992. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që nga themelimi i tij është drejtuar e kryesuar nga këta atdhetarë e dijetarë të fesë islame:

Struktura[redakto | përpunoni burim]

Medh'hebi (shkolla juridike) për zbatimin e riteve fetare nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në Republikën e Shqipërisë, është medh'hebi Hanefi, i cila e mbështet të gjithë veprimtarinë e tij në Kuran, librin e shenjtë të Islamit, dhe sunnet, traditën profetike.[1]

Organet drejtuese të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë janë:

Drejtoritë[redakto | përpunoni burim]

KMSH ka në varësi të tij këto drejtori:

  • Drejtoria e Arsimit
  • Drejtoria e Burimeve Njerëzore
  • Drejtoria e Çështjeve Sociale
  • Drejtoria e Financës
  • Drejtoria e Haxhit dhe Marrëdhënieve me Botën Islame
  • Drejtoria e Kabinetit
  • Drejtoria e Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar
  • Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Median
  • Drejtoria e Rinisë dhe e Marrëdhënieve me Xhematin
  • Drejtoria e Vakf-Investimeve
  • Drejtoria e Thirrjes në Islam
  • Zyra e Gruas

Myftinitë[redakto | përpunoni burim]

2rightarrow (Nuvola colors).svg Për më shumë informacione shikoni artikullin Lista e myftinjëve të Shqipërisë

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë e ushtron veprimtarinë e tij në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet myftinive. Çdo rreth i Shqipërisë ka myftininë e vet dhe në rang vendi janë 35 myftini dhe këshilla myftinish.

Kryetarët[redakto | përpunoni burim]

Haxhi Vehbi Dibra, kryetari i parë i KMSH-së
Skënder Bruçaj, kryetari i tanishëm i KMSH-së

Kryetarët e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë janë:

Nr. Kryetari Vitet Shënime
1 Vehbi Dibra 1923–1929 kryetari i parë i KMSH-së
2 Behxhet Shapati 1929–1942
3 Sherif Lëngu 1942–1945
4 Musa Basha 1945–1954
5 Sulejman Myrta 1954–1966
6 Esat Myftija 1966–1967
7 Sabri Koçi  1990–2003 kryetari i parë i KMSH-së pas komunizmit
8 Selim Muça 2004–2014
9 Skënder Bruçaj 2014–sot kryetari i tanishëm i KMSH-së

Shkollat[redakto | përpunoni burim]

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë operon shtatë medrese (të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm) dhe Universitetin Bedër.[1]

Medresetë[redakto | përpunoni burim]

Medresetë e KMSH-së janë:

Universiteti Bedër[redakto | përpunoni burim]

2rightarrow (Nuvola colors).svg Për më shumë informacione shikoni artikullin Universiteti Bedër

Universiteti Bedër (i njohur edhe si Shkolla e lartë “Hëna e Plotë”) është universitet privat dhe jofitimprurës në Tiranë, i themeluar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në vitin 2011. Ka 2 fakultete dhe 6 departamente, të cilat ofrojnë 7 programe studimi të nivelit të parë (bachelor) dhe 14 programe studimi të nivelit të dytë (master).[2]

Shiko edhe[redakto | përpunoni burim]

Referencat[redakto | përpunoni burim]

Lidhje të jashtme[redakto | përpunoni burim]