Konsulta Gjuhësore e Prishtinës
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës ishte një organizim shkencor dhe kulturor me rëndësi të veçantë për standardizimin e gjuhës shqipe në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Konsulta u mbajt në Prishtinë më 27 dhe 28 prill 1968 dhe u organizua nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në bashkëpunim me Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe institucione të tjera kulturore e arsimore të krahinës së atëhershme autonome të Kosovës.[1]
Në këtë Konsultë morën pjesë 150 intelektualë të fushave të ndryshme (gjuhëtarë, shkrimtarë, pedagogë dhe veprimtarë të kulturës) nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Ajo kishte për synim përafrimin e gjuhës së shkruar shqipe në këto vise me normën gjuhësore të përdorur në Shqipëri dhe zyrtarizimin e saj si gjuhë e përbashkët standarde për të gjithë shqiptarët pa dallim. Duhet theksuar se para organizimit të saj, ishin mbajtur tri takime tjera më të vogla përgatitore në vitet 1952, 1957 dhe 1963.[2]
Ndër vendimet themelore të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës ishte 'përdorimi i normës letrare të shqipes së Shqipërisë në tekstet mësimore, në botimet zyrtare dhe në mediat e shkruara', duke lënë mënjanë variantet lokale apo ndikimet nga gjuhët sllave. Konsulta përbënte një hap vendimtar drejt pjesëmarrjes së shqiptarëve të Kosovës dhe viseve tjera përreth në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (Tiranë, 1972), ku u vendos përfundimisht standardi i shqipes moderne.[3]
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës u konsiderua si akt i rëndësishëm kulturor dhe politik, që shprehte përpjekjet e shqiptarëve për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar nëpërmjet gjuhës së përbashkët. Ajo u vlerësua nga studiuesit si themel për krijimin e një standardi unik të shqipes në gjithë hapësirën shqiptare.[4]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ "FJALORI ENCIKLOPEDIK I KOSOVËS I, A-K – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës". ashak.org. fq. 847. Marrë më 2025-06-07.
- ↑ Fjalor enciklopedik shqiptar: H-M. Akademia e Shkencave e Shqipërisë. 2008. fq. 1268–1269.
- ↑ Zeqiri, Melihate (2022). "Konsulta gjuhësore e Prishtinës, 1968". Univers. 23 (23): 128–141. doi:10.59164/univers.v23i23.618. ISSN 2959-1856.
- ↑ "Konsulta Gjuhësore e Prishtinës dhe rëndësia e vendimeve të saj". www.kultplus.com. Marrë më 2025-06-07.