Kosova në Luftën e Dytë Botërore

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte e ndarë në tri zona pushtuese: italiane, gjermane dhe bullgare.

Kosova në Luftën e Dytë Botërore karakterizohej me një jetë politike e cila ndonëse ishte e determinuar nga fuqitë që ishin vendosur në Kosovë, pjesë e saj ishin edhe elita politike shqiptare. Kjo është periudhë tejet dramatike, ngase rryma të ndryshme përplaseshin pikërisht në Kosovë, duke sjellë tensione të vazhdueshme brenda saj. Luftën nacionalçlirimtare në Kosovë e udhëhoqën partizanët shqiptarë dhe jugosllavë kundër okupatorit dhe aleatëve të tij.[1]

Marrëveshja e partizanëve shqiptarë dhe jugosllavë ishte që pas luftës Kosova t'i bashkohej Shqipërisë, e cila pastaj do t'i bashkohej federatës jugosllave ose ballkanike. Këto plane nuk u realizuan për shkak të ndarjes mes Titos dhe Stalinit.

Pushtimi i Kosovës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte pushtuar dhe ndarë në tri zona pushtuese:

  1. Zona italiane
  2. Zona gjermane
  3. Zona bullgare

Zona e pushtimit italian[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Midis viteve 1941 dhe 1945, gjatë pushtimit të Fuqive të Boshtit, Mbretëria e Italisë aneksoi pjesën më të madhe të Kosovës dhe ia bashkoi Mbretërisë kukull të Shqipërisë, nën protektoratin italian (shih: Shqipëria e Madhe). Dy pjesët tjera të Kosovës u pushtuan nga gjermanët dhe bullgarët. Italianët e paraqesin veten si çlirimtarët e shqiptarëve, futin gjuhën shqipe në administratë dhe arsim dhe lejojnë përdorimin e flamurit shqiptar. Nga shqiptarët u formuan njësitë ndihmëse të policisë, një batalion i milicisë fashiste dhe formacione të ndryshme vullnetare kuislinge. Për shkak të terrorit të pushtuesit dhe të çetave kuislinge shqiptare, një numër i madh i serbëve dhe malazezëve emigruan nga Kosova. Shumë kolonistë serbë dhe malazezë u dëbuan në Mal të Zi dhe Serbi dhe shumë u vranë. [2]

Organizimi i administratës në zonën italiane të pushtimit u bë sipas modelit të Shqipërisë. Efekti ishte i përnjëhershëm, ngase këto masa ndikuan në forcimin e lidhjeve, të unitetit e të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Italianët me politikën e tyre në fushën e arsimit, i dhanë mundësi popullsisë shqiptare në “Tokat e Liruara” të çliroheshin nga shtypja e mëparshme sllave, dhe të krijonin kushtet objektive në interes të kombit shqiptar, në veçanti në fushën e arsimit shqip.

Zona e pushtimit gjerman[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në kuadër të zonës së pushtimit gjerman, konform marrëveshjes së arritur në Vjenë, hynte rajoni i Mitrovicës, Vushtrria, Podujeva dhe pjesa tjetër e Veriut të Kosovës, për shkak të industrisë, minierave të Trepçës dhe pasurisë nëntokësore që ofronte ky rajon. Sipas dokumenteve rezulton se gjermanët ndiqnin një politikë të dyfishtë me shqiptarët me qëllim për të gjetur mbështetje në territoret e pushtuara. Andaj, nga njëra anë njihnin “Shqipërinë e Madhe” dhe u premtonin shqiptarëve Mitrovicën, nga ana tjetër, lejonin Drazha Mihajloviçin e çetnikët tjerë të kryenin mizori ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë.

Pas kapitullimit të Italisë në vitin 1943, gjermanët pushtuan edhe Shqipërinë dhe pjesët tjera të cilat ishin nën kontrollin italian. Gjermanët formuan organizatën Lidhja e Dytë e Prizrenit më 16 shtator 1943 dhe Regjimentin e Kosovës. Në fund të vitit 1943 dhe në janar 1944 u mbajt Konferenca e Bujanit, në të cilën Komiteti Nacionalçlirimtar i Kosovës mori vendim për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Vendimi i partizanëve të Kosovës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë nuk u zbatua për shkak të ndikimit të madh të serbëve dhe malazezëve në udhëheqjen komuniste jugosllave.

Zona e pushtimit bullgar[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Zona e pushtimit bullgar, mund të thuhet se ishte vazhdimësi e politikës së ndjekur nga bullgarët gjatë Luftës së Parë Botërore. Në zonën e Kosovës të pushtuar nga bullgarët nuk u lejua që në administratë të përdorej gjuha shqipe, por për më tepër i gjithë personeli administrativ erdhi nga Bullgaria, ndërsa gjuha bullgare zëvendësoi serbokroatishten, si gjuhë zyrtare, në çdo veprimtari duke përfshirë edhe arsimin.

Fillimet e rezistencës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Batalioni Bajram Curri
Pjestarë të Brigadës së Parë Sulmuese Kosovaro-Maqedone pas një aksioni.

Shqiptarët në fillim nuk u afruan nga partizanët sepse nuk donin rikthimin e Jugosllavisë, në të cilën ishin të diskriminuar skajshmërisht. Në vjeshtën e vitit 1942 u formua Shtabi Kryesor për Kosovë dhe çeta e parë shqiptare “Zenel Hajdini”. Në fillim të vitit 1943, Çeta Partizane Nacionalçlirimtare e Maleve të Sharrit bashkoi pjesët e çetave të riorganizuara shqiptare "Zenel Hajdini" dhe "Emin Duraku", dhe kompanitë tjera partizane maqedonase, serbe dhe malazeze, dhe në atë kohë kishte rreth 220 luftëtarë. Nga prilli i vitit 1943, delegati i Shtabit Suprem dhe Komitetit Qendror të PKJ-së Svetozar Vukmanović Tempo qëndron në Kosovë, i cili bëri përparim në organizimin e luftës së armatosur kundër pushtuesëve. [3] Në të njëjtin muaj, prill 1943, u vranë Ramiz Sadiku dhe Boro Vukmiroviq anëtarë të KQ të PKJ-së. Me gjithë përpjekjet, deri në çlirimin përfundimtar të Jugosllavisë, në Kosovë nuk kishte territor të lirë dhe partizanët vepronin në kushte shumë të vështira. Po ashtu, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në territorin e Kosovës vepronin njësitet çetnikeKosta Milovanoviq Peçanac, të cilat kryen krime të shumta ndaj banorëve të fshatrave shqiptare në kufirin e Kosovës dhe Sanxhakut.

Në mesin e vitit 1944 ndodh një zhvillim më masiv i kryengritjes dhe nga qershori u formuan gjithsej rreth 7 brigada të LNÇ, me emrin Brigadat e Kosovës. Në tetor 1944 filloi tërheqja e ushtrisë gjermane (Grupi i Ushtrisë E) nga Greqia përmes Kosovës kur edhe filloi Operacioni i Kosovës (1944), i cili supozohej të shkatërronte pjesën më të madhe të forcave gjermane. Pas këtij operacioni pjesa më e madhe e territorit të Kosovës u pushtua nga partizanët jugosllavë pas tërheqjes së gjermanëve në nëntor 1944

Çlirimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Partizanet e Kosovës në vitin 1944.

Pas çlirimit të Kosovës nga gjermanët, në dhjetor të vitit 1944, në pjesën më të madhe të Kosovës ndodhi një kryengritje e shqiptarëve (i ashtuquajturi rebelim ballist), të cilët nuk donin të bien më nën sundimin jugosllav. Fokusi kryesor i kësaj kryengritjeje ishte në Drenicë dhe udhëhiqej nga Shaban Polluzha.[4][5] Shtabi suprem i LNÇ të Jugosllavisë dërgoi rreth 30.000 ushtarë të APJ- së për të shtypur kryengritjen. Betejat më të rënda u zhvilluan në Drenicë, pastaj në Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë të Kosovës. Gjatë luftimeve kishte reprezalje të mëdha ndaj popullatës që mbështeti kryengritjen. Më 8 shkurt 1945 u krijua Administrata Ushtarake në Kosovë. [3] Me këto masa të ndërmarra, u arrit që vetëm në mars 1945 të thyhej rezistenca kryesore e shqiptarëve të Kosovës. Në shtypjen e rezistencës së Kosovës morën pjesë edhe dy brigada të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Shqipërisë .

Sipas marrëveshjes së pasluftës Hoxha-Tito, Shqipëria së bashku me Kosovën duhej të ishte republika e shtatë e Jugosllavisë dhe ishte planifikuar që të dy vendet të anëtarësoheshin në Republikën Federative Ballkanike. Megjithatë, këto plane dështuan pas zgjidhjes së Informbirës .

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Literatura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Ademi, H. (2017). The Bulgarian Occupation Zone During World War II. European Journal of Interdisciplinary Studies, 3, 125.
  • Ademi, H. (2022) Kosova gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941 - 1945)
  • Dobruna, A. (2021) The Conference of Bujan as a Foundation of the Statehood of Kosova
  • Hadri, A. (1971) Lëvizja Nacional Çlirimtare në Kosovë 1941-1945, Prishtinë
  • Hadri, A. (1978) Sistemi i pushtimit fashist në Kosovë (1941-1944), Kosova, Nr. 7, 1978
  • Hoxha, V. (1980) Aradha partizane “Zejnel Hajdini”, Kosova, Nr. 9-10
  • Karastojanov, S. (2007) Kosova: Një analize gjeopolitike, Shkup: Serembe
  • Konferenca e Bujanit : materiale nga sesioni shkencor kushtuar 50-vjetorit të Konferencës së Bujanit, 7 janar 1994, Prishtinë, Instituti i Historisë, 1998.
  • Lalaj, A. (2011) Konferenca e Bujanit, 31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944, një analizë e rivlerësuar”, në Studime historike, nr. 3-4(2011), viti LXV(XLVVIII)
  • Ljubica Štefan (1999). Mitovi i zatajena povijest (në kroatisht). K. Krešimir. ISBN 978-953-6264-85-8. U Baru ubijeno 1.600 Albanaca. Najveći masakr bio je u Baru 1. travnja 1945, kojemu je povod bio incident kod česme. Stražar zabranjuje Albancu pristup vodi, nastaje svađa, jedan časnik puca u Albanca, on se uspijeva sakriti među svoje ...
  • "Massive Grave of Albanian Victims of Tivari Massacre uncovered" (në anglisht). Albanian Telegraphic Agency. 19 shtator 1996. Marrë më 31 gusht 2012.
  • Mjeku, M. (1991) Lufta e Drenicës dhe Shaban Polluzha, Prishtinë, OCLC 450263977
  • Murtezai, E. (2011) Fadil Hoxha siç e njoha unë, Prishtinë: Shtëpia botuese “Libri shkollor”
  • Palnikaj, M. (2006) Konferenca e Bujanit 31 dhjetor 1943 - 2 janar 1944, Tiranë: Grand Prind
  • Repishti, S. (1997) Rezoluta e Bujanit- 2 janar 1944 një analizë”, në Studime historike, nr. 1-4(1995), viti XLIX(XXXII),
  • Rizvanolli, M. (2010) Sabrije Vokshi-simbol i patriotizmit të gruas shqiptare”, Kosova, Nr.33/34,
  • Sulltane Kojqini (1977) Zhvillimi dhe masivizimi Frontit Antifashist të Grave të Kosovës (1941-1945), Kosova, Nr. 6,
  • Syla, S. (red) Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore, IH_ Prishtinë, 2014
  • Shatri, M. (1997) Kosova në Luftën e Dytë botërore : (1941-1945) OCLC 245919900

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Malcolm, Noel (1998). Kosovo: A Short History (në anglisht). Macmillan. fq. 310. ISBN 0-333-66612-7.
  2. ^ Williamson Murray, The emerging strategic environment: challenges of the twenty-first century
  3. ^ a b Dimitrije Bogdanović. "Knjiga o Kosovu" (në serbo-kroatisht). Arkivuar nga origjinali më 2011-01-31. Marrë më 2014-11-22.
  4. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Kosovo (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 219. ISBN 9780810874831.
  5. ^ Dobra, Islam (1997). Krerë dhe prijës të lëvizjes kombëtare nga Drenica. Vëll. II. Prishtinë.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
Një kategori në Wikimedia Commons përmban dokumente multimediale për Kosova në Luftën e Dytë Botërore.

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]