Shko te përmbajtja

Kovashica

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Kovashica
Noimage.png

Kovashica është një fshat në Shqipëri...

Fshati Kovashicë banohet nga fiset Dumani e ardhur nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël, Bushi e ardhur nga fshati Hotesh i Luznisë, Skuka e ardhur nga Lishan i Epërm i Luznisë, etj..

Fisi Dumani. I pari i tyre ishte Ramadan Hajredin Dumani (1886 - 1976) nga fshati Stushaj i Grykës së Vogël. I ati i tij Hajredini (1850 - 1918) ishte kaçak dhe bashkë me burrat e fshatit Stushaj sulmonte fshatrat e banuar nga popullsia e krishterë ortodokse sllave në vilajetin e Manastirit duke rrëmbyer bagëtitë e tyre nëpër kullota. Pasi i shpëtoi jetën të birit të pop Teodorit (prifti ortodoks bullgar) nga Reka, ky i fundit i kërkoi që të largohej nga veprimtaria e tij keqbërëse dhe se do t'a ndihmonte që të kapërcente zinë e bukës që kishte mbërthyer qarkun e Dibrës në fund të viteve '90 të shek. XIX - fillimi i shek. XX. Ai madje i kërkoi Hajredinit që birin e tij të parëlindur Ramadanin t'a mbante në shtëpinë e tij dhe t'i mësonte shkrim e këndim. Më pas, pop Teodori do t'a dërgonte Ramën në shkollë tregtare në qytetin e Stambollit bashkë me të birin e tij.

Gjatë viteve të parë të shek. XX, Rama punoi në një familje tregtare turke në qytetin e Stambollit, e cila e ndihmoi që të rimëkëmbej ekonomikisht, ndërkohë që i ati Hajredini ndërroi jetë në Stushaj më 1918. Gjatë kësaj periudhe, Dibra ishte përfshirë nga zia e bukës. Toka bujqësore kishin mbetur të papunuara nga epidemia e murtajës që kishte pllakosur vendin duke shkaktuar shuarjen e familjeve të tëra.

Pas çlirimit të Dibrës nga forcat ushtarake jugosllave më 1921, Ramë Hajredin Dumani u largua nga vendlindja e tij në Stushaj. Me familjen e tij u vendos në fshatin Kovashicë ku kishte blerë 128 dynymë tokë bujqësore nga familja Kuka në qytetin e Dibrës. Rama hapi dyqanet e tij në fshatrat Kovashicë të Fushës së Shehrit, Shupenzë të Grykës së Vogël, Lunarë të Katër Grykëve dhe një fjetinë (Han) në qytetin e Tiranës (pranë Medresesë). Ai bashkëpunonte me tregtarin Rako (Irakli Qirjakos) të Korçës, etj.. Karvanet me mallra të Ramë Dumanit merreshin në mbrojtje nga familje me ndikim në viset ku ato kalonin; kur mallrat kalonin nga Qafa e Buallit nëpër Kryemate, ato merreshin nën mbrojtje nga shtëpia e Dullë Hoxhës në Gur të bardhë; kur mallrat kalonin nga Qafë Murra nëpër Mate të Poshtër, merreshin nën mbrojtje nga familja e Kurt Agë Kadisë nga fshati Lis. Në Katër Grykë, Ramë Dumani kishte byrazera Islam Bruçin nga fshati Lukan dhe Veli Ramën nga fisi Margjoka në fshatin Kacni, në Klos kishte byrazer Can Ahmed Dodën nga fshati Stragj.

Gjatë 1942 - 1943, karvanet e Ramë Dumanit transportonin nga Dibra në Tiranë florinjtë që Haxhi Halit Lleshi dhe xhaxhai i tij Aqif Tush Lleshi dërgonin për çetën e Myslim Pezës. Në një nga këto raste, lëvizja u dekonspirua nga forcat ushtarake italiane ku dhe u arrestuan Ramë Hajredin Dumani (vtl. 1886), Mane Avdi Dumani (vtl. 1908) dhe Musli Hajredin Dumani (vtl. 1917). Hajredini dhe Manja u liruan kundrejt garancisë pasurore, kurse Musliu do të lirohej me thyerjen e burgut të Tiranës në shtator 1943. Më 1946, Kryetari i degës së Punëve të Brendshme në Dibër Banush Goxho dhe forcat e Batalionit të Ndjekjes Popullore hynë në fshatin Kovashicë ku morën tregtarin Ramë Hajredin Dumani. Banush Goxho ishte strehuar në shtëpinë e Ramës, kur ishte arratisur nga shërbimi ushtarake në kufirin shqiptaro - malazez bashkë me Hajredin (i biri i Ramës). Falë ndërhyrjes së shpejtë të të birit, Rama u lirua, por do të shpallej kulak nga regjimi komunist.

Ramë Hajredin Dumani ndërroi jetë në qershor 1876 dhe u trashëgua nga bijtë e tij Hajredini II, Kadriu, Luti, Mendui. Pasardhësit e tyre janë vendosur me familjet në Tiranë dhe Londër të Anglisë, Varshavë të Polonisë, Gjermani dhe Francë.


Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]