Krishtërimi në Shqipëri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Krishterimi në Shqipëri)

Nga 1000 pas Krishtit, Perandoria Bizantine kryer misione të Kishës në këtë zonë. Me ndikimin në rritje të Venedikut, françeskanët filluan të vendosen në Arbëri deri në shekullit të 13-të. Nga shekullit të 15-të deri në shekullit të 19-të, nën sundimin e Perandorisë Osmane, krishterimi u zëvendësua nga Islami si fe e shumicës në Shqipëri. Një studim demografike nga vitit 2009 i Pew Research Center thekson se përqindja e myslimanë në Shqipëri është 80%.[1] CIA World Factbook jep një shpërndarje prej 70% myslimanë, 20% Ortodoksë Lindorë dhe 10% Katolikë Romakë.[2] Megjithatë, Qeveria e Shqipërisë paraqiti versionin e vet të statistikave në lidhje me shpërndarjen e përkatësive fetare në Shqipëri duke parashtruar se në Shqipëri ka vetëm 38% myslimanë, 16% ortodoksë, 17% katolikë dhe 25% ateistë ose jo-fetarë.[3] Gjithësesi, nga ana tjetër, Baza e të Dhënave Botërore e CIA-s (CIA World Factbook) siguron shpërndarjen e popullatës fetar si myslimanë - 70%, ortodoksë - 20%, dhe katolikë - 10%. Megjithatë, qeveria e Shqipërisë ofron përqindjet e përkatësive fetare me vetëm 38% myslimanë, 16% ortodoksë, 17% katolikë dhe 25% ateistë apo jo-fetarë. Në regjistrimin e vitit 2011 - regjistrimi më i fundit në lidhur me këtë çështje - deklaroi se përkatësia fetare e popullsisë së Shqipërisë ishte: myslymanë 56.7%, padeklaruar 13.79%, katolikë 10.03%, ortodoksë 6.75%, besime të tjera fetare 5.49%, ateistë 2.5%, bektashinjë 2.09%, dhe krishterë të tjerë 0.14%.[4]

Arti[lidhje e vdekur] mesjetar arbnor

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në monografinë e tij Geografia Ecclesiastica dell'Albania, botuar në 1934, studiuesi jezuit dhe albanologu i madh Fulvio Cordignano (1887-1951) renditi në një listë rreth 275 kisha katolike që ekzistonin në Shqipëri aty nga mesi i dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë dhe mesi i të shtatëmbëdhjetit. Këto kisha ishin emërtuar sipas një radhe shenjtorësh të krishterë, mbi dyzet në tërësi, por po të vërehet me më kujdes lista, shihet se më se gjysma e kishave të asaj periudhe mbante emrat e vetëm katër shenjtorëve: Shën Mëria, Shën Kolli, Shën e Premtjadhe Shën Gjergji.

Nga 275 kisha katolike të renditura nga Cordignano, 42 i kushtoheshin Shën Mërisë, më shumë se cilitdo shenjti tjetër. Kishte kisha historike katolike në Ulqin (sot në Mal të Zi), Shurdhah (Shkodër), Dejë (Shkodër) dhe Drisht (Shkodër) që ishte capitulum ecclesie S. Marie de Drivasto e shënuar në 1353, Naraç (Shkodër), Hajmel (Shkodër), Renc (Lezhë), Fishtë (Lezhë), Troshan (Lezhë), Kalivaç (Lezhë), Lezhë, Mërtur (Pukë), Surroj (Kukës), Shpërdhaze (Mirditë), Malaj (Mirditë), Ndërshenë (Mirditë), Ndërfanë (Mirditë), Lurë (Dibër), Çidhne (Dibër), Gur i Bardhë (Mat), Sebasta (Laç), Mbret (Laç), Kurcaj (Krujë), Kepi i Rodonit (Durrës) shënuar në 1418, Brar (Tiranë) që prej shekullit të dymbëdhjetë, Skuterrë (Tiranë), Pëllumbas (Tiranë), Buçimas (Tiranë), Linzë (Tiranë), dhe Bishqem (Peqin).

Kishte gjithashtu mjaft kisha dhe manastire ortodokse përkushtuar Virgjëreshës së Bekuar midis të cilëve ata në: Berat që nga viti 1797, Peshtan (Berat), Elbasan që nga viti 1833, Ardenicë (Lushnjë), Apolloni (Pojan, Fier), që nga fillimi i shekullit të trembëdhjetë, Dhërmi (Vlorë) nga shekulli i trembëdhjetë tek i katërmbëdhjeti, Dhivër (Sarandë) e vitit 1604, Peca (Sarandë) e vitit 1770, Piqeras (Sarandë) e vitit 1672, Nivicë-Bubar (Sarandë) e shekullit XVII, Malçan (Sarandë) aty nga viti 1600, Marmiro pranë Orikumit (Vlorë) që nga fillimi i shekullit të dhjetë, Kameno në verilindje të Delvinës, Zvërnec (Vlorë) nga shekujt XIII-XVIV, Goranxi (Gjirokastër) aty nga viti 1600, Vllaho Goranxi (Gjirokastër) që nga viti 1622, Koshovicë (Gjirokastër) që nga viti 1669, Saraqinishtë (Gjirokastër) që nga viti 1634, Nivan (Gjirokastër) që nga viti 1702, Konicka (Gjirokastër) që nga viti 1789, Dhuvjan (Gjirokastër) Llongo (Gjirokastër), Treneshishta (Gjirokastër), Vanistër (Gjirokastër), Peshkëpi (Gjirokastër) që nga fillimi i shekullit të dhjetë, Zervat (Gjirokastër) e hapur që nga fillimi i shekullit të dhjetë, Labovë e Kryqit (Gjirokastër) që nga fundi i shekullit të dhjetë, Skora (Gjirokastër) që nga viti 1773, Sopik (Gjirokastër) që nga viti 1770, Leusa (Përmet) që nga viti 1812, Kosinë (Përmet) nga shekulli i dymbëdhjetë te i katërmbëdhjeti, Seranjperat (Përmet)nga shekulli XVII, Leskovik (Ersekë), Barmash (Ersekë) që nga viti 1616, Postenan (Ersekë) që nga shekulli i shtatëmbëdhjetë te i tetëmbëdhjeti, Lashovë (Ersekë) që nga shekulli i tetëmbëdhjetë, Voskopojë (Korçë) nga viti 1712, Vithkuq (Korçë) nga shekulli i shtatëmbëdhjetë te i tetëmbëdhjeti, Maligrad në Liqenin e Prespës që nga viti 1345, Pogradec, Niçe (Pogradec) që nga shekulli i tetëmbëdhjetë, dhe në Lin (Pogradec).

Shën Mëria adhurohej sidomos gjatë shtegtimeve në ditën e përkujtimit të saj, 15 gushti, Dita e Ngritjes në Qiell, e njohur në Shqipëri si Shën Mëria e gushtit. Për ortodoksët kjo ditë festohet si Fjetja e Shën Mërisë, dikur e shënuar më 27 gusht sipas kalendarit bizantin, por tani më 15 gusht sipas kalendarit latin. Shtegtime në nderim të Shën Mërisë përfshinin edhe ngjitjen në male të larta, mbeturinë e kulteve të hershme të para-krishtera : në malin e Tomorrit, në malin e Gjalicës pranë Kukësit, në malin e Shën Lleshit pranë Krujës, në malin e Kundrevicës të Kurveleshit, në malin Pashtrik në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës. Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689) e përshkruan festimin në malin e fundit në 1681 si vijon :

"E kalojnë aty gjithë natën, me daulle, bilbila, duke kërcyer e kënduar.

Pas mesnate fillojnë një procesion të përzier myslimanët, serbët dhe grekët me qirinj të ndezur dylli, me gjatësi të ndryshme sipas moshës së personit që i mban në dorë. I sillen rrotull majës së malit më të lartë për tre orë me këmbët zbathur (disa nga myslimanët që prijnë janë kalëruar.)"

Në Shqipërinë qendrore, gratë shterpë udhëtonin për në plazhet e Kavajës dhe të Durrësit për t'u larë në ujërat e detit. Ky zakon, me të cilin gratë shpresonin të mbeteshin shtatzëna, u ndoq në heshtje e pa bujë edhe gjatë diktaturës komuniste. Në Seltë, në zonën e Shpatit të Shqipërisë qendrore, gjatë kësaj dite flijohej një lopë.

Në fshatin e Bibajt të Rekës së Epërme (Maqedoni), shqiptarët ortodoksë festonin më 4 dhjetor Shën Mërinë e Dimrit. Edhe shqiptarët ortodoksë të Shqipërisë e shënojnë këtë festë, e njohur edhe me emrin "Festa e Paraqitjes së Shën Mërisë në Tempull", duke e festuar më 21 nëntor sipas kalendarit latin. Sipas traditës, gjatë kësaj feste ndizeshin qirinj dhe piqej bukë e cila, pasi bekohej nga prifti, hahej.

Po në Reken e Epërme, në fshatin e Sences kryhej festa e Shën Mërisë se Vogël, (rumanisht Sfanta Maria Mica, vllahçe St|marie N'ic) e cila përkujton lindjen e Shën Mërisë me 21 shtator sipas kalendarit bizantin dhe tani me përgjithësisht me 8 shtator sipas kalendarit latin. Kjo dite njihet edhe si Dita e Bletëve, meqë përkon me periudhën e vitit kur kryhet shitblerja e bletëve. Fisi i Grudajve dhe qyteti i Shkodrës e festonin ditën e Shën Mërisë me 8 shtator, ndërsa banoret e Vuklit dhe te Nikçit e nderonin Virgjëreshen me 24 maj. Shën Meria përnderohej ne veçanti brenda kishës katolike te Shqipërisë si Zoja e Shkodrës ose Zoja e Bekueme, e njohur edhe si Zoja e Këshillit të Mirë. Festa e Zojës së Shkodrës shënohej nga te gjithë fiset katolike te veriut. Këshilli i katërt i ipeshkvijve shqiptare, i mbajtur ne vitin 1895, e shpalli Zojen e Shkodrës Pajtore te Shqipërisë. Zoja e Shkodrës ka edhe një legjendë te veten :

Zoja (Madonna) gjendej në fillim në një kishë te vogël të Shkodrës se vjetër ne këmbe te malit te Rozafes, ku katolikët e Shkodrës e përnderonin portretin e saj në një pikturë me bojë vaji. Në 1467, kur trupat osmane e mbanin Shkodrën ne rrethim dhe kërcënonin të çshenjtëronin kishën, piktura u shkëput për mrekullitë nga muri, u largua nga ndërtesa dhe mori fluturimin drejt perëndimit mbi detin Adriatik për ne Itali. E ndoqën dy shtegtarë shqiptarë, Gjorgji dhe De Sclavisi. Portreti në pikturë i Zojes erdhi e u preh në qytetin e Genazzano-s pranë Romes, ku u ngrit një kishë për nder të saj, Kisha e Zojes se Këshillit të Mirë (La Chiesa della Madonna del Buon Consiglio).

Që prej asaj kohe, vendi i shenjtë i Genazzano-s ka qenë pikë shtegtimi për katolikët shqiptarë. Rreth vitit 1700, përnderimi i Zojës së Genazzano-s u përhap edhe mes arbëreshve të Kalabrisë, në veçanti në San Benedetto Ullano, falë klerikut Stefano Rodotà. Kisha e tanishme e Genazzano-s u ndërtua në fillim të shekullit XX dhe shtegtarët e vizitojnë duke ecur zbathur, sidomos gjatë ditës përkujtimore të Zojes se Këshillit të Mirë që është 26 prilli.

Edhe Kisha e Zojes në Shkodër ka qenë gjithmonë shumë e përnderuar nga katolikët shqiptarë të veriut. Në prill 1946, një vit pas marrjes se pushtetit nga komunistët, mbi dy mijë vetë morën pjesë ne shtegtimin tek ajo. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë, kisha u mbyll dhe u shndërrua në salle vallëzimi dhe ne vitin 1967, gjatë fushatës komuniste kundër fesë, kisha u rrafshua përtokë.

Përhapja e krishterimit në Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

I pari që predikoi (parathà) ungjillin në Shqipëri mund të ketë qenë vetë Shën Pali i cili shprehet, "Nga Jeruzalemi e rrethinat deri në Iliri plotësova predikimin e Ungjillit të Krishtit" (Romakëve 15:19). Edhe apostulli Shën Ndrea besohet se ka predikuar në Epir. Një numër i papërcaktuar të krishterësh ka jetuar në portin e Durrësit në vitin 58 e. r., dhe aty nga shekulli i katërt deri në të pestin krishterimi kishte lënë gjurmë të dallueshme anembanë vendit. Peshkopët e krishterë nga Dardania dhe Maqedonia Salutare, d.m.th zyrtaret e lartë nga Shqipëria lindore dhe Kosova e sotme, dihet se kanë marrë pjesë në Këshillin e parë Ekumenik që u mblodh në Nikeja në vitin 325 të erës së re nga Perandori Kostandin (sundoi në 307-337 e. r.) qëllimi i të cilit mes të tjerash ishte të pengonte ngritjen e Arianizmit brenda perandorisë. Gjithashtu, pesë a gjashtë peshkopë nga Dardania, Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër morën pjesë në Këshillin e Sardikës në vitet 343-344 e. r.). Gjysmë shekulli më vonë, në 395, Shqipëria Ilire e ndjeu çarjen fillestare midis Perandorisë Romake të Lindjes dhe asaj të Perëndimit, pasi gjendej që në krye të herës në kufirin kulturor dhe politik mes Lindjes bizantine dhe Perëndimit italian. Ajo mori dhe përfitoi nga të dyja kulturat, por njëkohësisht e pësoi keqas në shekuj nga konfliktet mes dy gjysmave të perandorisë. Hë për hë, pak të dhëna ka mbi Kishën e Krishterë të hershme në Shqipëri, ngaqë strukturat kishtare u fshinë me pushtimin dhe ngulimet sllave të Shqipërisë aty nga viti 600. Fjala angleze për Mesjetën e hershme "Dark Ages" (Kohët e Errëta), e përshkuan më së miri errësirën e plotë të Shqipërisë së asaj kohe. Krishtërimi u themelua në të gjithë vendin në 100 pas Krishtit në Shqipëri. Shqipëria është përcaktuar si një nga vendet mesdhetare, ku krishterimi depërtoi qysh në shekujt e parë.

Autori i shek. VI, Kosmas, i përfshin iliro-shqiptarët në grupin e popujve që në kohën e tij kishin përqafuar krishterimin. Durrësi, Nikopoja ishin qendrat kryesore bregdetare, nga ku feja e re u përhap pastaj në thellësi të katër provincave ilire: të Prevalit, Dardanisë, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër. Që në shekujt e parë të erës së re, në qendrat urbane të këtyre trevave përmenden bashkësitë e para të krishtera, si dhe ngrihen ndërtesat e para të kultit të ri. Të tilla ndërtesa, bazilika e pagëzimore (baptistere) të shek. IV-VI, ruhen edhe sot pjesërisht në rrethet e Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Matit, Apolonisë, Elbasanit, Dibër, Ohrit, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Butrintit e akoma më në jug.

Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë gjithashtu një sërë emrash vendesh që u referohen martirëve të parë të Lindjes, kulti i të cilëve ka qenë i përhapur në shek. IV-VI. Të tilla janë toponimet Shirgj (Shën Sergji), Shubak (Shën Baku), Shëndekla (Shën Tekla), Shën Vlashi, që ndeshen në Shkodër, Durrës, Himarë e deri poshtë në Çamëri (Shën Vlash, Shën Tekla). Të lidhur me kultin e martirëve në fjalë si dhe me historinë e hershme të krishterimit, janë toponime të tilla të huazuara nga vendet e Lindjes, si Rozafë (vend në Siri, ku u varros Shën Baku e Shën Serxhi), Barbullush (Barbalista, vend buzë Eufratit, ku u masakrua Shën Baku), Sebaste, Jeriko.

Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan edhe në Shqipëri martirë të shumtë, kulti i të cilëve u ruajt në shekuj. Më të shquarit ndër këta martirë janë Shën Asti, peshkop i Durrësit, Shën Terini nga Butrinti, Shën Donati, peshkop i Evrojës (Paramithi), Lauri dhe Flori nga Dardania etj. Po në këtë kohë në toponomastikën e vendit futen emra të krishterë të tipit Shëngjin, Shën Gjergj, Shupal (Shën Pal), Shmil (Shën Mëhill), Shën Koll apo Shën Nik (Shën Nikollë), Shëmri (Shën Mëri), Shëndëlli (Shën Ilia), Shëngjergj, Shtish - Shën Matish (Shën Matheu), Shingjon, Shëgjun (Shën Gjon), Shën Ndreu etj., etj. Të gjithë këta emra bëjnë pjesë në fondin e hershëm të toponomastikës së krishterë (shek. I-VII). Të tilla toponime, që në Ballkan në një masë e në një shtrirje të tillë gjenden vetëm në trevat shqiptare, lidhen gjithsesi me periudhën para vendosjes së sllavëve në shek. VI-VII. Përhapja e tyre sa në viset bregdetare, aq edhe në viset e thella malore larg bregdetit, është një e dhënë më shumë që provon se këto hapësira mbetën në thelb të paprekura nga ngulimet e sllavëve paganë dhe se edhe pas dyndjeve sllave të shek. VI-VII, popullsia vendase autoktone u ruajt e paprekur në pjesën më të madhe të Ilirisë së Jugut.

Shen[lidhje e vdekur] Gjon Vladimiri veper e Kostandin Shpatarakut ne muzeun e Durresit

Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë së re, krishterimi u afirmua në Shqipëri në mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë kishtare mjaft të konsoliduar. Ajo ishte e organizuar mbi bazën e provincave administrative të epokës së Dioklecianit. Në qendrën e çdo province ndodhej kisha mitropolitane dhe aty e kishte selinë kryepeshkopi. Nën juridiksionin e këtij të fundit ndodheshin peshkopët e dioqezave vartëse (sufragane). Kështu, në katër qendrat kryesore kishtare në trevat shqiptare ishin kryepeshkopatat e Shkodrës (Prevali), Justiniana Prima (Dardania), Durrësi (Epiri i Ri), Nikopoja (Epiri i Vjetër). Kryepeshkopi i Shkodrës kishte nën varësi 3 peshkopata vartëse (sufragane), ai i Shkupit 5, i Durrësit 8 dhe i Nikopojës 9. Me përhapjen e krishterimit në viset e brendshme, numri i peshkopatave sa vinte e rritej. Kështu, në shek. X mitropolia e Durrësit kishte tashmë 14 peshkopata vartëse (sufragane) mes të cilave: Tivari, Licini (Ulqini), Shkodra, Drishti, Dioklea (Genta), Pulti, Elisoni (Lezha), Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Cërniku. Siç shihet, në atë kohë juridiksioni i mitropolisë së Durrësit ishte shtrirë drejt veriut duke përfshirë brenda saj provincën e dikurshme të Prevalit. Siç ndodhte shpesh, një përhapje e tillë e pushtetit fetar kishte pasuar shtrirjen në atë drejtim të juridiksionit politiko-administrativ të Durrësit (krijimi i temës së Durrësit në shek. IX). Kryepeshkopët kishin për detyrë të emëronin, të shkarkonin, të transferonin e të shuguronin peshkopët e juridiksionit të tyre. Për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që kishin të bënin me administratën kishtare të provincës së tij, kryepeshkopi thërriste periodikisht sinodin provincial. Nga ana e tyre, kryepeshkopët, të shoqëruar herë-herë edhe nga peshkopë të dalluar, merrnin pjesë në koncilet ekumenike, ku mblidheshin përfaqësuesit më të lartë të klerit të botës së krishterë, për të diskutuar mbi problemet e dogmës dhe të organizimit kishtar. Kështu, në Keshillin e Nikese, më 431, mitropoliti i Durrësit i shoqëruar nga sufraganët e tij, nënshkroi aktin përfundimtar që dënonte herezinë nestoriane. Në Keshillin tjetër të rëndësishëm, në atë të Kalcedonisë të vitit 451, ku u zgjidhën përfundimisht grindjet dogmatike mbi natyrën e Krishtit, morën pjesë edhe Lluka, mitropolit i Durrësit, Evandri, peshkop i Dioklesë dhe Euzebi, peshkop i Apolonisë.

Organizimi kishtar i trevave shqiptare[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm kishtar, kisha shqiptare ishte në varësi të Papës së Romës. Ky i fundit ushtronte autoritetin e vet në trevat shqiptare nëpërmjet mëkëmbësit (vikarit) të tij të përgjithshëm, me seli në Selanik. Por, duke filluar nga shek. V, Patrikana e Kostandinopojës u përpoq t’i vërë në varësinë e vet peshkopatat shqiptare. Ballafaqimi midis Romës e Kostandinopojës për hegjemoni kishtare në Shqipëri (në kishën e Ilirikut) doli veçanërisht në pah gjatë së ashtuquajturës “Kriza akaciane” (484-519). Me atë rast, peshkopët iliro-shqiptarë konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj Romës.

Shen[lidhje e vdekur] Nikolla Ikone e shek.XV

Veçanërisht të vendosur në komunionin me Papën ishin kleri i provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Prevalit. Kurse në provincën e Epirit të Ri qëndrimi qe i pavendosur. Sipas raporteve të të dërguarit të papës Hormisda, më 519, populli dhe kleri i Skampës apo i Liknidit (Ohrit) ishin besnikë të vendosur të Papatit, ndërkohë që peshkopë të tjerë të provincës kishtare të Epirit të Ri, midis tyre edhe kryepeshkopi i Durrësit, anonin nga Patrikana i Kostandinopojës (sot Stamboll). Perandori Anastasi I(491-518), me origjinë nga Durrësi, ndikoi nga ana e tij për të forcuar lidhjet e mitropolisë së Durrësit me Patrikanen e Kostandinopojës. Gjithsesi, perandori tjetër bizantin me origjinë iliro-shqiptare, Justiniani I (527-565), e njohu juridiksionin e Romës mbi kishën e Ilirikut, aq më tepër që, nën sundimin e tij, Italia u bashkua me Perandorinë Bizantine dhe kontrolli i Perandorit përfshiu edhe territoret nën juridiksionin e Papës së Romës. Nën sundimin e tij u krijua edhe një vikariat i dytë në Justiniana Prima (Shkup), që mori nën juridiksion provincat kishtare të Dardanisë dhe të Prevalit. Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër vazhduan të varen nga vikariati i Selanikut. Ndryshe nga bashkëpatrioti i tij nga Durrësi, perandori Anastas, që u përpoq t’i shkëpuste lidhjet e episkopatit të Ilirikut me Romën dhe ta vendoste atë nën juridiksionin e Kostandinopojës, Justiniani rikonfirmoi lidhjet e peshkopatave të Ilirikut me Papën e Romës, duke u vënë fre ambicieve të Patriarkut të Kostandinopojës për t’i shtënë ato në dorë.

Ndryshimet politike që ndodhën në trevat shqiptare dhe në krejt rajonin në shek. VI-X, u shoqëruan me ndryshime të rëndësishme edhe në kuadrin e organizimit kishtar. Në përfundim të dyndjeve të popujve, një sërë qendrash peshkopate u rrënuan dhe nuk përmenden më; të tilla qenë: Onkezmi, Skampa, Amantia, ndërkohë që të tjera seli peshkopate shfaqen për herë të parë: Cerniku, Deja, Kruja, Himara, Devolli, Kolonja, Dibra etj.

Në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X), selia mitropolitane e Nikopojës (Epiri i Vjetër) u zhvendos më në jug, në Naupakt, ajo e Dardanisë nga Shkupi kaloi në Ohër, kurse mitropolia e Prevalit nga Shkodra kaloi në Tivar.

Por ngjarja më e madhe në kuadrin e organizimit kishtar të trevave shqiptare ishte vendimi i vitit 732 i perandorit bizantin ikonoklast, Leoni III, për t’i hequr peshkopatat shqiptare nga varësia e Papës së Romës dhe për t’i kaluar ato nën juridiksionin e Patriarkut të Kostandinopojës. Tashmë një pjesë e mirë e Italisë bashkë me Romën ndodhej nën sundimin e frankëve, rivalë të rreptë të bizantinëve, kështu që pushoi së vepruari edhe ndikimi i perandorit bizantin mbi Papën e Romës.

Gjithsesi, edhe pas kësaj date vazhdoi ndikimi i Romës në një varg dioqezash të Shqipërisë së Epërme, në Preval e Dardani në mënyrë të veçantë. Në këtë drejtim luajtën rol lidhjet gjithnjë të gjalla ekonomike, tregtare e kulturore midis dy brigjeve të Adriatikut (atë kohë Italia e Jugut ishte gjithmonë provincë bizantine). Por një rol të veçantë në ruajtjen e lidhjeve kishtare me Romën luajtën manastiret e mëdha të urdhrit të Shën Benediktit, që shfaqen në trevat shqiptare që prej shek. VI dhe që vazhduan të mbijetojnë përgjatë gjithë mesjetës.

Histori e shenjtorëve në Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historia e shenjtërve në Shqipëri fillon me një numër martiresh të hershëm të krishtere,të cilët vepronin brenda vendit apo që kishin ndonjë farë lidhjeje me të. Këta shenjtër, sidoqoftë, nuk ishin shqiptarë në kuptimin etnik të fjalës. I pari i tyre ishte Shën Asti (Άστιος/Astius), peshkop i Durrësit në kohën e Perandorit Trajan (sundoi 98-117 pas Krishtit/e.r.). Gjatë kësaj kohë, shumë të krishterë u arratisen në Shqipëri për t'i shpëtuar përndjekjes në Itali. Midis tyre gjendeshin edhe shtatë martire të shenjtë: Peregrini, Lukiani, Pompei, Hezikiasi, Papiasi, Saturnini dhe Germani, të cilët, me të mbërritur u arrestuan, u hodhën në zinxhirë dhe më pas u mbytën në Detin Adriatik. Vetë Asti u arrestua nga guvernatori romak i Durrësit, Agrikola, rreth vitit 98 pas Krishtit (e.r.). dhe u torturua për vdekje, siç duket ngaqë nuk pranoi të adhuronte Perëndinë Dionis. Dita e festës së tij është 6 korriku.

Ende më pak e njohur është legjenda e Shën Florit (Florus) dhe Laurit (Laurus) nga Kostadinopoja. Flori punonte si gurgdhendës në Iliri dhe e torturuan bashkë me shokun e tij Laurin si dhe me punëtoret e vet Prokulin (Proculus) dhe Maksimin (Maximus) ngaqë kishin ndihmuar në ndërtimin e një kishe të krishtere. Ai u hodh në pus dhe vdiq dikur nga shekulli i dytë. Disa autorë e lidhin Florin dhe Laurin me ngulimet e lashta të Ulpianës, në jug të Prishtinës. Dita e festës së tyre është 18 gushti.

Shën Lefteri (Ελευθέριος/Eleutherius) ishte me prejardhje nga Roma dhe u bë peshkop i Mesinës dhe i Ilirisë kur ende s'kishte mbushur njëzet vjeç. Duket se ka jetuar në Vlorë. Nuk dimë shumë mbi të përveç faktit që u thirr në Romë rreth viteve 117-120 dhe që u martirizua bashke me te ëmën, Shën Anthinë (Anthia) dhe njëmbëdhjete shokë gjate një fushate përndjekjeje anti-të krishtere gjatë sundimit të Perandorit Adrian (117-138 e.r.). Dita e festës se tij është 18 prilli.

Shen Therini (Θερίνος/Therinus) i ngulimit të lashtë të Butrintit në jug të Shqipërisë se sotme, u ther bashkë me një numër martiresh të tjerë gjatë sundimit të Perandorit Decio (Decius, 249-250) në shekullin e tretë. Dita e festës së tij është 23 prilli, e njëjte me atë të Shën Gjergjit. Së fundmi, Shën Donati (Donat), edhe ai nga Butrinti, i cili jetoi gjatë sundimit të Perandorit Theodhos (Theodosius, 379-394). Sipas Sozomenit, historian grek i shekullit të pestë, Donati ka qenë Peshkop i Evorese ose Eurias, që ndoshta mund të identifikohet me qytetin e Paramithise ne Çamëri. Atij i mvishën shume mrekulli. Ka therur dragoin, ka pastruar një pus të helmatisur, ka shpëtuar te bijën e perandorit nga djalli dhe ka ngjallur të vdekurit. Vdiq ne vitin 387. Eshtrat ia shpërngulen ne Kasiopi, Korfuz, ne vitin 602 për t'ia shpëtuar nga pushtimet e barbareve. Kjo solli si pasojë një çështje juridiksioni mbi të drejtën e ruajtjes të relikeve të shenjta, mosmarrëveshje qe u zgjidh nga Papa Gregori i Madh (590-604). Kulti i Donatit u përhap shume gjate mesjetës. Dita e përkujtimit te tij është 30 prilli.

Shenjtorë të tjerë që lidhen me jetën e krishterë në territorin e Shqipërisë janë edhe : Dëshmorët Isauri, Vasili, Inocenti, Feliksi, Hermia e Peregrini, që u martirizuan në Apolloni të Fierit, në shek. III (përkujtohen në 17 qershor) ; Dëshmor Trifoni nga Sheqishta e Fierit, martirizuar në vitin 313 (përkujtohet në 14 korrik) ; Shën Joan Vladimiri, i cili veproi e u martirizua pranë Elbasanit në shek. X ose në fillim të shek. XI, ku u ngrit më vonë edhe një manastir me të njëjtin emër; Shën Joan Kukuzelit, nga Durrësi, muzikant i madh bizantin që jetoi në shek. XII ose sipas disa të tjerëve në shek. XIII-XIV, në Malin e Shenjtë (Atos) (përkujtohet në 1 tetor) ; po në këtë në Malin e Shenjtë (Atos) asketuan edhe Shën Nifoni nga Lukova e Himarës (përkujtohet në 14 qershor) dhe Shën Nili Erihioti nga Kanina ; oshënar-dëshmor Nikodhimi që jetoi në vitin 1722 (përmendet nga Elbasani, por është nga Vithkuqi i Korçës [ku është ngritur edhe një kishë në shek. XXI] dhe u martirizua në Berat) (përkujtohet në 10 korrik); Kristo kopshtari ose arvanitasi, nga zonat përqark lumit Shkumbin, martirizuar në Kostandinopojë (Stambolli) në vitin 1748 (përkujtohet në 12 shkurt); Kozma etolosi që u martirizua në krahinën e Beratit dhe trupi i tij doli mbi sipërfaqen e lumit Seman, ku edhe Ali pashë Tepelena i ndërtoi një kishë në fshatit Kolkondas të Fierit, pranë saj u ngrit edhe një manastir me të njëjtin emër (përkujtohet në 24 gusht).

Ortodoksia Lindore në Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas numrat e dhënë nga ana e qeverisë në vitin 2010 deklarohet se Ortodoksia Lindore u praktikua nga 20% e shqiptarëve brenda Shqipërisë [3]. Megjithatë, në regjistrimin e 2011 përqindja e besimtarëve ortodoksë ishte vetëm 6.75%.[4]. Ortodoksia (fenë krishtëre ortodokse) është praktikuar edhe nga disa shqiptarë etnikë në Ballkan dhe shumë komunitete shqiptare veçanërisht në SHBA, edhe në Evropën Perëndimore dhe në Australi. Shqipëria është e lidhur historikisht me të dy katolicizmit romak dhe Ortodoksia Lindore, dhe Islamin edhe pse relativisht më pas historikisht. Ortodoksia ishte në mesin e popujve të parë të rajonit për të marrë misionarët dhe të pranuar krishterimin. Me ndarjes së Kishës, ortodoksia u bë feja për ata shqiptarë që banojnë në zonat nën sundimin bizantin. Ndonëse Krishtërimi Ortodoks ka ekzistuar në Shqipëri për shumë shekuj, dhe historikisht ortodoksia (para ardhjes së Islamit) përbënte rreth gjysmën e popullsisë së Shqipërisë, liturgjia e parë ortodokse në gjuhën shqipe nuk u mbajt në Shqipëri, por në Masaçusec, SHBA. Rrjedhimisht, kur Kisha Ortodokse Lindore u lejua asnjë ekzistencën zyrtare në Shqipërinë komuniste, ortodoksia shqiptare mbijetoi në mërgim në Boston (1960-1989).

Katolicizmi në Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kisha Katolike Romake në Shqipëri është pjesë e Kishës Katolike në mbarë botën, nën udhëheqjen shpirtërore të Papës dhe Curise në Romë. Sipas numrat e dhënë nga ana e qeverisë në vitin 2010 deklarohet se rreth 17% të popullatës është fetar katolik,[3] Megjithatë në regjistrimin e vitit 2011 përqindja e katolikëve ishte 10.03%.[4]. Ka pesë dioqeza në vend, duke përfshirë dy Arqidioqeza dhe një administratë Apostolike që mbulon Shqipërinë jugore.

Protestantizmi në Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Protestantët në Shqipëri, qëndrojnë në rreth 8000 [5], ndërsa 189 shoqata të ndryshme protestante, duke përfshirë Aleancën Ungjillore Shqiptare, ekzistojnë në Shqipëri.[6].

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Miller, Tracy, red. (2009). "Mapping the Global Muslim Population: A Report on the Size and Distribution of the World's Muslim Population" (PDF). Pew Research Center. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 25 korrik 2013. Marrë më 8 tetor 2009. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "2009 CIA World Factbook". Arkivuar nga origjinali më 24 dhjetor 2018. Marrë më 6 korrik 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b c Albanian Government. "L'Albania oggi" (në italisht). Ministry of Foreign Affairs of Albania. Arkivuar nga origjinali më 6 korrik 2010. Marrë më 30 gusht 2010.
  4. ^ a b c "Albanian census 2011" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 30 qershor 2017. Marrë më 6 korrik 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "First Protestant Church Dedicated". Christianity Today Library. Arkivuar nga origjinali më 22 nëntor 2016. Marrë më 6 korrik 2013. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ "International Religious Freedom Report 2007: Albania". US Dept. of State/Bureau of Democracy, Human Rights, and Labor. www.state.gov. 2006-09-15. Marrë më 2010-05-13. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)