Kryengritjet shqiptare të shekujve të XVII-XVIII

Depërtimi i spahinjve nëpër malësitë e vetëqeverisura, përhapja e sundimit osman dhe rritja e detyrimeve ndaj fshatarësisë shqiptare, shkaktuan një qëndresë më të fuqishme të malësorëve, gjallëruan lëvizjen e pjesës tjetër të fshatarësisë shqiptare, si dhe përpjekjet e krerëve shqiptarë laikë e fetarë për t’i shndërruar kryengritjet e veçanta të armatosura dhe pakënaqësinë e shqiptarëve në një lëvizje të përgjithshme për çlirim, me një organizim më të lartë e më të gjerë se deri atëherë.
Përvoja luftarake e dështimi i kryengritjeve të shekullit të XVI u tregoi kryengritësve malësorë se mbrojtja e vetëqeverisjes dhe lufta për çlirim nga zgjedha osmane mund të arriheshin duke bashkuar forcat e tyre me ato të krahinave të tjera, dhe me forma organizative më të përshtatshme. Një formë e tillë u bë në kuvendet shqiptare, që kishin karakter tejkrahinor, një bashkim më i lartë e më i gjerë forcash. Në kuvendet shqiptare, përveç krerëve të krahinave të vetëqeverisura malore, morën pjesë përfaqësuesit e krahinave të tjera. Me këto kuvende u bashkuan edhe një varg prelatësh katolikë e ortodoksë, interesat e të cilëve, sikurse ato të fshatarësisë, nuk pajtoheshin me sunduesit osmanë.[1]
Organizimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Kalimi në këtë formë të re organizative prapa së cilës qëndronte fshatarësia dhe krerët e saj laikë e klerikë, e ngriti luftën në një shkallë më të lartë, më të gjerë e më të ashpër, e futi atë në një fazë të re. Malësitë shqiptare, të favorizuara edhe nga terreni malor, tashmë u bënë qendrat e shtabeve drejtuese dhe vatrat kryesore nga shpërthyen dhe u përhapën në pjesën tjetër të vendit lëvizje kryengritëse të papara deri atëherë për gjerësinë e forcën e tyre.
Përvoja e luftës i mësoi krerët shqiptarë të përqafonin një formë të re lufte për t’i bërë ballë më me sukses fuqisë së madhe të pushtuesve: të bashkonin e të drejtonin nëpërmjet kuvendeve shqiptare të gjitha vatrat e qëndresës shqiptare, dhe të bashkërendonin luftën e tyre për liri me atë të popujve të shtypur të Gadishullit Ballkanik e me luftën e shteteve evropiane për dëbimin e osmanëve nga Evropa.[2]
Në kuvende u hartuan një sërë projektesh. Ato iu drejtuan shteteve evropiane për çlirimin e gjithë tokave shqiptare. Në promemorjet e tyre tregohej gatishmëria e shqiptarëve për luftë, sasia e luftëtarëve, strategjia dhe taktika që do të ndiqej për çlirimin e vendit, duke përfshirë këtu edhe bashkëpunimin e kryengritësve me rojtarët e kështjellave, të cilët kishin prejardhje shqiptare. Ato përpiqeshin t’i bindnin qeveritë e shteteve evropiane të ndërmerrnin veprime kundër Perandorisë Osmane, i cili do të bashkërendohej me veprimet luftarake të kryengritësve shqiptarë dhe ballkanas. Njëkohësisht kuvendet kërkonin prej tyre edhe armë zjarri, meqenëse me shpatat, heshtat e shigjetat, kryengritësit shqiptarë gjendeshin në kushte inferiore në krahasim me forcat osmane.
Në periudhën midis viteve 1590-1620 u organizuan një varg kuvendesh të tilla. Qendra ku u zhvilluan këto kuvende ishte krahina e Matit. Lufta e kryengritësve të krahinave të veriut e arriti kulmin e vet në vitet 1590-1595, kur 10 000 kryengritës të krahinave malore të Sanxhakëve të Ohrit e të Dukagjinit i dëbuan autoritetet e pushtetit osman nga malësitë dhe i shtrinë sulmet në krahinat fqinje.[3] Kryengritja pati një ndikim të madh brenda dhe jashtë kufijve të trojeve shqiptare, dhe veçanërisht, ajo gjallëroi luftën çlirimtare të popullsisë maqedone.

Në flakën e këtyre kryengritjeve, më 7 nëntor të vitit 1594, u mblodh një kuvend i përgjithshëm i krerëve shqiptarë në manastirin e Shën Mërisë në Mat, për të hartuar projektin e kryengritjes dhe të çlirimit të krejt vendit. Krerëve shqiptarë, Tomë Plezha e Mark Gjini, të cilët mbanin edhe titullin e kalorësit, si dhe ipeshkvit Nikollë Mekajshi, iu ngarkua detyra të hynin në bisedime me papën për zbatimin e planit të kryengritjes.[4]
Fshehtaz Republikës së Venedikut, që nuk donte të prishte paqen me Perandorinë Osmane, në shkurt të vitit 1595 plani iu paraqit delegatit të papës. Kërkesat e përfaqësuesve shqiptarë në Romë për të siguruar armë nuk dhanë asnjë fryt. Papa i këshilloi shqiptarët që të prisnin mbasi nuk kishte ardhur koha e duhur. Nga ana tjetër, Republika e Venedikut, mundi t’i përçajë radhët e pjesëmarrësve të kuvendit, duke shfrytëzuar ndikimin që kishte mbi disa prej krerëve të saj. Në qershorin e vitit 1595, kur në Shqipëri u mor vesh formimi i aleacës evropiane kundër Perandorisë Osmane, krerët shqiptarë e njoftuan papën, se shqiptarët, katolikë e ortodoksë, ishin gati të fillonin kryengritjen, sapo të niste lufta.
Në të njëjtën kohë edhe në krahinat e Shqipërisë së Jugut u bënë përpjekje për të siguruar armë e mjete për kryengritjen nga shtetet evropiane. Në vitin 1595, patriarku i Ohrit, pasi u kthye nga Moska, shkoi në Butrint dhe, me anën e qeveritarit të Korfuzit, i kërkoi senatit venedikas ndihmë për kryengritjen. Por senati do ta hidhte poshtë kërkesën e tij.
Armë iu kërkuan edhe Papatit dhe Spanjës (1596), por papa nuk dërgoi asnjë ndihmë, duke paraqitur si pretekst shpenzimet e mëdha që bënte në Hungari për luftën e këtij vendi me Perandorinë Osmane. Oborri i Spanjës premtoi dhe nisi një kontingjent të vogël ushtarësh. Gati 10 000 kryengritës të armatosur me jataganë e shigjeta e të nisur nga krahinat rreth e qark Vlorës, e sulmuan ushtrinë osmane në qytet me shpresë se në portin e Vlorës do të vinin ndihmat spanjolle. Por ndërmarrja shkoi huq, se edhe ato armë që ishin nisur u sekuestruan në det prej venedikasve.

Ky qëndrim i shteteve evropiane dhe i Vatikanit, i dëmtoi kryengritjet në Shqipëri, por nuk mundi t’i ndalte përpjekjet për përhapjen e tyre në shumicën e krahinave. Në vitin 1598 u organizua Kuvendi i dytë ndërkrahinor në Blinisht të Zadrimës. Ai iu drejtua për ndihmë perandorit austriak. Republika e Venedikut kapi përfaqësuesit e kuvendit duke e sabotuar aleancën.
Megjithatë, idea e organizimit të një kryengritjeje të përgjithshme u përhap në krejt tokat shqiptare. Një rol për përhapjen e saj luajtën klerikët e prelatët. Me krerët e prelatët e krahinave të Mbishkodrës dhe të Dukagjinit u bashkuan edhe shumë krerë të krahinave të tjera veriore, të mesme dhe jugore. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre në vitin 1601 u mbajt një kuvend i madh pranë kishës së Shën Llezhdrit (Aleksandrit) në fshatin Dukagjin.[5]
Në punimet e tij, që vazhduan edhe në vitin 1602, do të mernin pjesë 2 656 përfaqësues laikë e fetarë të ardhur nga 14 krahina të Shqipërisë (Malësia e Shkodrës, Zadrima, Dukagjini, Kosova, Lezha, Kurbini, Mati, Dibra, Petrela, Durrësi, Elbasani, Shpati dhe Myzeqeja). Kuvendi u drejtua nga Nikollë Mekajshi, Nikollë Bardhi dhe Gjin Gjergji.[6]
Kuvendi mori vendimin të fillonte luftën për çlirimin e vendit. Këtë vendim historik e nënshkruan 52 krerë kryesorë, 4 nga secila krahinë. Por mbeti si problem sigurimi i aleatëve dhe i armëve. Për të larguar dyshimet e venecianëve dhe për ta tërhequr atë në anën e vet, kuvendi vendosi këtë radhë t’i drejtohej më parë Republikës së Shën Markut për t’i kërkuar ndihmë dhe armë.[7]

Për këtë qëllim, dy përfaqësues, Nikollë Bardhi dhe Pal Dukagjini u dërguan në Venedik. Por edhe këtë herë senati i përcolli përfaqësuesit shqiptarë me porosinë e zakonshme për të pritur pasi nuk kishte ardhur koha për luftë kundër turqve.
Kuvendi vendosi që t’i niste përsëri dy përfaqësuesit e vet në Venedik për t’i deklaruar senatit se po të mos e ndihmonte lëvizjen e armatosur, të 40 mijë kryengritësit shqiptarë do të ishin të shtrënguar t’i drejtoheshin mbretërisë tjetër evropiane, duke pasur parasysh Spanjën, rivalen e Venedikut. As këto kërcënime nuk e bindën Venedikun, i cili më shumë se kurdoherë donte të ruante paqen me osmanët, për arsye se në këtë kohë, midis Perandorisë Osmane dhe Austrisë, kishin filluar bisedime për paqe. Edhe këtë herë Venediku veproi aty për aty për të mbjellë farën e përçarjes në radhët e udhëheqësve të kuvendit me qëllim që të mënjanonte rrezikun e afrimit të shqiptarëve me Spanjën.[8]
Ajo mundi të korruptonte me ar dhe të bënte për vete Nikollë Bardhin e Pal Dukagjinin, si dhe disa krerë të tjerë. Kështu përpjekjet për të siguruar një aleat të jashtëm aktiv, si dhe armë, nuk dhanë asnjë fryt. Situata politike ndërkombëtare nuk ishte e përshtatshme për veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane, sepse, fuqitë kryesore evropiane, duke u nisur nga interesat e tyre për të ruajtur paqen me Perandorinë Osmane, nuk do tu jepnin ndihmën e kërkuar shqiptarëve.
Veprimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Krahas kuvendeve në Shqipëri, shpërthyen edhe një varg kryengritjesh. Sipas letrës së Nikollë Mekajshit drejtuar papa Klementit të VIII në vitin 1603, dukagjinasit vazhdonin të ishin në kryengritje. Përveç zonave të vetë-qeverisura, kryengritja u shtri edhe në zonën e timarit. Një lëvizje e tillë qe kryengritja e vitit 1607, e drejtuar nga Andrea (Idar) Manesi. Ai shpalli se do të bëhej një Skënderbe i dytë.[9]
Thirrjes për luftë të Andrea Manesit iu përgjigjën 3 000 veta. Ai pretendonte se zoti i kishte besuar Perandorinë Osmane për të shpaguar të këqijat që ndodhnin në të. Për të përmirësuar gjendjen e fshatarëve ai zbriti madhësinë e taksave në 3/4 e tyre. Andrea Manesi ishte për të qeverisur me drejtësi, prandaj u bëri thirrje kadilerëve, se në rast se do të kryenin me ndershmëri detyrën, do ta mbanin atë, në të kundërt, do të ndëshkoheshin.
Shumë qeveritarë e braktisën detyrën e tyre. Brenda një kohe të shkurtër, kryengritësit u shtuan shumë. Kryengritja përfshiu krahinat e Dukagjinit, të Kthellës e të Selitës. Kjo kryengritje ishte me mbulesë fetare dhe kërkonte rivendosjen e drejtësisë ligjore islamike. Sulltani e thirri në Stamboll Andrea Manesin për të vërtetuar profecinë e tij. Andrea kuptoi se ftesa ishte një kurth për ta eleminuar, prandaj nuk u paraqit në pallat. Atëherë sulltani mobilizoi forca të shumta për ta shtypur këtë kryengritje që zhvillohej krahas atyre të malësive dhe që mund të përhapej në të gjitha zonat fushore dhe më tej në gjithë vendin.

Megjithatë, udhëheqësi i saj, bashkë me ndjekësit e vet më të afërt, arriti të shpëtonte, duke u strehuar në Dukagjin. Prej këndej ai zbriste kohë më kohë në krye të çetës së vet në zonat fushore të Shqipërisë së Mesme, duke mbajtur gjallë një lëvizje kaçake deri në vitin 1610. Andrea hyri në lidhje me mbretin e Spanjës, duke i kërkuar atij ndihmë, por nuk mori përgjigje. Në vitin 1610, në këtë mënyrë, kryengritja do të shtypej.[10]
Në zonën e Tivarit e të Ulqinit, në vitin 1608, fshatarët u ngritën kundër grabitjeve të bëra nga sanxhakbeu i Shkodrës gjatë një vizite në atë krahinë. 3 000 shqiptarë e rrethuan atë dhe e detyruan të mbyllej në Kalanë e Shkodrës. Numri i kryengritësve para qytetit të Shkodrës arriti në 10 000 veta. Tre vjet më vonë, shqiptarët që ndodheshin në Malin e Zi e pritën me armë sanxhakbeun, i cili kishte shkuar për të vjelë haraçin, dhe e vranë atë së bashku me spahinjtë që e shoqëronin. Qeveria osmane dërgoi kundër tyre pashain e Bosnjës në krye të 10 000 ushtarëve.[11]
Gjatë dekadës së parë të shekullit të XVII edhe lëvizja çlirimtare e malësive erdhi duke u rritur. Kryengritja e malësorëve, e udhëhequr nga krerët e tyre, pjesëmarrës në kuvende, filloi me thyerjen e sigurisë së rrugëve dhe u zhvillua me sulme plaçkitëse kundër karvaneve tregtare në rrugët Shkodër-Prizren e Shkodër-Podgoricë-Pejë si dhe me sulme kundër kështjellave e qytezave të fortifikuara, të mbrojtura nga garnizone ushtarake.

Me gjithë varfërinë e të dhënave rreth kësaj kryengritjeje, dokumentet dëshmojnë për faktin se u dëbuan njëri pas tjetrit të gjithë spahinjtë dhe vojvodët e vendosur në krahinat malore të sanxhakëve të Shkodrës dhe të Dukagjinit. Arritjet e kësaj kryengritjeje ishin shumë të rëndësishme.
Spahinjtë u dëbuan dhe nuk mundën ti rimernin pozitat e humbura dhe këto krahina u bënë vatrat kryesore të luftës kundër sundimit osman. Pas këtyre fitoreve gjatë viteve të para të shekullit të XVII, malësorët kryengritës u sulën për një kohë të gjatë edhe kundër fushave që rrethonin malësitë e tyre, duke dëmtuar në radhë të parë bazat ushtarake dhe ekonomike të sunduesve osmanë në tokat shqiptare dhe në viset fqinje.
Qeveritarët osmanë, duke vlerësuar humbjet që kishin pësuar nga lëvizjet kryengritëse të malësorëve, organizuan ekspedita ndëshkimore veçanërisht kundër vatrës kryesore të këtyre lëvizjeve - Malësisë së Dukagjinit. Në mënyrë të veçantë ndërprerja e rrugës Shkodër-Prizren, i shtyu sundimtarët osmanë të ndërmerrnin ekspedita të fuqishme. Një ekspeditë e parë prej 1 500 ushtarësh, e komanduar nga Ahmet bej Kuka, i sulmoi kryengritësit në krahinën e Iballës, por nuk arriti ta hapte rrugën dhe dështoi plotësisht. Prandaj sanxhakbejlerët e Shkodrës dhe të Prizrenit, me t’u kthyer nga fronti i luftës me Austrinë, morën masa të rëndësishme për të hapur këtë rrugë të domosdoshme që lidhte bregdetin me viset e brendshme të Shqipërisë dhe me ato të vendeve ballkanike përreth.
Gjatë kësaj periudhe, si nga vetë shqiptarët, ashtu edhe nga të huajt, u hartuan plane për çlirimin e Shqipërisë dhe të krejt Ballkanit nga sundimi osman. Kalorësi boshnjak Bertuçi, hartoi dhe u përpoq të vërë në jetë një plan të vetin për çlirimin e Shqipërisë e të Ballkanit. Për vite me radhë ai u end nëpër kryeqytetet e Evropës si udhëheqës i një ushtrie kryengritësish prej 30 000 shqiptarëve dhe 50 000 boshnjakëve. Mbreti i Spanjës dhe mëkëmbësi i mbretit të Napolit, nëpërmjet kalorësit Dofisti dhe personave të tjerë, u përpoqën të hartonin në bashkëpunim me Nikollë Mekajshin, Lala Drekalin etj. një plan për çlirimin e Shqipërisë.

Anton Kaboja dhe Aleksandër Kastro, u paraqitën atyre disa plane të tjera. Por edhe ata u ligështuan, kur panë qëndrimin e shqiptarëve, të cilët më mirë pranonin sundimin osman, sesa të kalonin nën sundimin spanjoll. Në vitet 1609-1610, Nikollë Mekajshi i paraqiti mbretit të Spanjës, Filipit të II dy relacione. Por të gjitha planet do të mbeteshin në letër.
Në vitin 1610, ushtritë e dy sanxhakbejlerëve, të nisura njëra nga Shkodra dhe tjetra nga Prizreni, hynë në Luginën e Drinit. Malësorët, duke mos siguruar nga jashtë asnjë lloj ndihme dhe duke qenë të armatosur vetëm me armë të vjetra, nuk mundën të ndalonin marshimin e tyre. Këto dy ushtri përparuan gjatë rrugës, vendosën garnizone nëpër qytezat e kështjellat dhe u takuan te Vau i Dejës. Duke u sulur në brendësi të krahinave përreth rrugës, forcat osmane u shkaktuan humbje të ndjeshme malësorëve, por nuk mundën të vendosnin kontrollin e tyre në thellësi.
Kjo ekspeditë e tronditi mjaft rëndë qendrën e qëndresës, në malësinë e Dukagjinit. Vendosja e garnizoneve bëri që Dukagjini ta humbiste rëndësinë e vet si qendra kryesore e qëndresës së malësorëve të Shqipërisë Veriore. Tashmë, një vatër e re qëndrese u bë Mirdita. Duke u nisur nga një krahinë e vogël fillestare që mbante këtë emër, qëndresa përfshiu në këtë periudhë edhe nahijet e Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël.
Pak më në jug, midis krahinave malore të Shqipërisë së Mesme, u krijua një bashkim politiko-ushtarak me emrin Lidhja e Arbënit. Por, vatra më e rëndësishme e qëndresës së malësorëve, u bënë krahinat në veri të Lumit Drin. Nga malësitë e sanxhakut të Dukagjinit, qendra e kryengritjeve kaloi në malësitë e Sanxhakut të Shkodrës. Krahinat e Kastratit, Shkrelit, Hotit, Kuçit, Piprit, Vasojeviqit, Palabardhit etj., të cilat njihen me emrin e përbashkët Malësia e Madhe ose Malësia e Mbishkodrës, u lidhën me njëri-tjetrin për luftë kundër osmanëve dhe formuan një bashkim politik e ushtarak që njihet në dokumentet e kohës me emrin Malet Shqiptare.
Në kuvendet e përbashkëta, krerët e tyre lidhën besën se do t’u bënin ballë me çdo kusht forcave ushtarake shtypëse, se do të luftonin bazat e këtyre ushtrive në viset fqinje dhe se do ta mbronin vetëqeverisjen e vet, për të mos lejuar të vendoseshin përsëri në trojet malore pushteti osman dhe spahinjtë. Nën drejtimin e këtyre kuvendeve, malësorët filluan sulme të shpeshta, duke dëmtuar veçanërisht pronat e spahinjve në Plavë dhe në krahinat e Bosnjës dhe të Maqedonisë.
Qeveritarët osmanë, tashmë sulmet e tyre do ti drejtonin kundër kësaj vatre të re të qëndresës malësore. Në vitin 1612, në krye të një ushtrie prej 25 000 vetash, që u grumbullua në Podgoricë, ata filluan ekspeditën ndëshkimore kundër Malësisë së Madhe. Për tre muaj rresht, këto forca luftuan rreth shtigjeve kryesore për të depërtuar në brendi të kësaj malësie, mirëpo nuk ia arritën qëllimit. Pasi dogjën vetëm Palabardhin, ato u detyruan të tërhiqeshin duke lënë 300 spahinj të vrarë.
Një vit më pas, forcat e bashkuara ushtarake të sanxhakbejlerëve të Shkodrës, të Dukagjinit, të Prizrenit dhe të Elbasanit, nën komandën e Asllan Pashës, ndërmorën një ekspeditë të re kundër Kelmendit, qendrës kryesore të lëvizjes, për ta shkatërruar një herë e mirë dhe për të vendosur këtu më në fund sundimin e sulltanit. Pas dy javë luftimesh, edhe kjo ekspeditë dështoi. Meqënëse nuk mundën ti thyenin luftëtarët malësorë, këto forca ushtarake u mjaftuan me shkatërrimin e një vargu fshatrash të braktisura dhe me robërimin e një numri grash e fëmijësh.
Gjatë rrugës së kthimit, ato u sulmuan rreptë nga çetat e kryengritësve dhe pësuan humbje të mëdha në njerëz, kafshë, ushqime dhe veshmbathje, që do ti linin në fushën e betejës, prej nga do të iknin të shpartalluar. Fitorja e arritur kundër këtyre dy ekspeditave, si dhe nevoja për t’u bërë ballë të tjerave në të ardhmen, e rritën autoritetin e Lidhjes së Maleve dhe e fuqizuan luftën çlirimtare. Ishin krerët e malësorëve të Kelmendit dhe të Kuçit ata që tani e tutje do të luanin rolin kryesor në udhëheqjen e kuvendeve të Lidhjes, duke u njohur si të tillë edhe nga përfaqësuesit e krahinave të tjera përreth Malësisë së Madhe.
Lufta që bënë malësorët me forcat e veta të kufizuara nën udhëheqjen e kuvendeve kushtonte shumë shtrenjtë. Prandaj ata nuk i reshtën përpjekjet për të fituar aleatë dhe për t’u lidhur edhe me kryengritësit antiosmanë të vendeve fqinje, ku luftimet dhe fitoret e kryengritësve shqiptarë patën një jehonë të madhe. Në disa raste malësorët shqiptarë ndërmorën veprime luftarake të përbashkëta me kryengritësit fqinjë, veçanërisht me malësorët malazezë.
Organizimet ballkanike
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në dekadën e parë të shekullit të XVII, lufta antiosmane e popujve ballkanas pati një organizim më të lartë, që karakterizohet nga përpjekjet për të bashkërenditur lëvizjet çlirimtare të vendeve të veçanta. Një rol të dorës së parë në këtë drejtim luajtën krerët shqiptarë, të cilët u bënë nga organizatorët më të rëndësishëm të luftës së popujve të shtypur. Fryt i përpjekjeve të tyre ishin mbledhjet e disa kuvendeve ballkanike që u mbajtën në Kuç, në Prokuplje dhe në Beograd. Më 13 dhjetor 1608, në manastirin e Moraçës, pranë Liqenit të Shkodrës, nën drejtimin e patriarkut të Pejës, u mblodhën krerë serbë, shqiptarë, bullgarë, boshnjakë dhe hercegovinas, ku u diskutua për dëbimin e osmanëve, duke i kërkuar ndihmë dukës së Savojës. Kjo mbledhje shërbeu si pikënisje për organizimin e disa kuvendeve ballkanike.
Kuvendi i parë u mblodh në vitin 1614 në Kuç, në zemrën e Maleve shqiptare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të kryengritësve të Shqipërisë, të Malit të Zi, Bosnjës, Hercegovinës, Serbisë dhe të Maqedonisë. Ai u zhvillua në dy sesione, njëri në korrik ndërsa tjetri në shtator. Nga të gjashtë krerët kryesorë ballkanas të këtij kuvendi, nga përfaqësuesit shqiptarë ishin Gjin Gjergji nga Dukagjini dhe Lala Drekali i Kuçit, kurse nga 44 përfaqësuesit ballkanas, një e katërta vinin nga vatrat e qëndresës shqiptare.[12][13]
Në sesionin e dytë të kuvendit, u hartua plani i veprimeve luftarake. Rëndësi e veçantë për përgatitjen dhe fillimin e veprimeve ushtarake në Ballkan iu kushtua vatrave malore kryengritëse shqiptare. Në këto vatra u dërguan në ndihmë 12 000 luftëtarë nga të gjitha krahinat ballkanike, të cilët do të pajiseshin me armë dhe, së bashku me kryengritësit shqiptarë, do të shpërthenin prej andej sulmet kundër garnizoneve osmane.[14]
Nga Himara do të kryhej sulmi për çlirimin e Vlorës, nga malësia e Dukagjinit do të zhvilloheshin operacionet për çlirimin e Krujës, nga Malësia e Madhe do të fillonte sulmi për çlirimin e Shkodrës; po kështu edhe nga Mali i Zi do të sulmohej Kastelnovo në Grykën e Kotorrit. Në themel të këtij plani qëndronte gatishmëria luftëtare dhe përvoja shumëvjeçare e kryengritjeve të deri-atëhershme të popujve ballkanikë, e veçanërisht ajo e shqiptarëve. Në kryengritje do të merrnin pjesë edhe mitropoliti i Durrësit e peshkopët ortodoksë të Janinës e të Artës.
Në këtë sesion u shtrua përsëri si çështje kryesore ajo e sigurimit të armëve. Të dëshpëruar nga dështimet e mëparshme, pjesëmarrësit morën një vendim të ri, që ishte një goditje e rëndë për princat katolikë, të cilët i kishin mbajtur deri tani me fjalë për organizimin e kryqëzatave dhe nuk kishin dhënë ndihmë konkrete në armë. Kuvendi ngarkoi të dërguarin e vet diplomatik, shqiptarin Gjon Renësi, që të deklaronte në oborret katolike të shteteve italiane se kuvendi nuk do të ngurronte t’u drejtohej për ndihmë shteteve protestante, si Anglisë, Holandës dhe princave të tjerë protestantë të Gjermanisë.[15]
Midis burrave të shtetit të Evropës Perëndimore, që filluan ta inkurajonin kryengritjen ballkanase me shpresë se fitorja do t’u jepte mundësi atyre të vinin dorë mbi tokat e çliruara, ishin duka i Parmës në Itali dhe duka i Neverit në Francë, prapa të cilëve në fakt qëndronte Spanja. Duka i Parmës pranoi ta ndihmonte me armë kryengritjen e planifikuar dhe nisi një anije të ngarkuar me furnizime për në brigjet shqiptare, por kjo u sekuestrua rrugës nga venedikasit. Atëherë kuvendi vendosi të bashkërendiste kryengritjen me ekspeditën që planifikonte duka i Neverit për të zbarkuar në Ballkan. Mirëpo edhe përpjekja e këtij princi frëng dështoi për shkak të kontradiktave politike evropiane.
Meqenëse hapat e parë nuk dhanë rezultatet e dëshiruara, pas Kuvendit të Kuçit, u përpoqën për një kuvend të ri. Më 11 nëntor 1616 në Prokuplje, morën pjesë, siç do të thoshte një burim bashkëkohës, zotnitë kryesorë të mbretërisë së Bosnjës, të Kosovës, të Serbisë, të Shqipërisë, të Maqedonisë dhe të Arkidukatit të Hercegovinës. Për shkak të kushteve të reja që ishin krijuar me rritjen e rolit të Austrisë si kundërshtari kryesor i Perandorisë Osmane, këtë herë kuvendi vuri në plan të parë, si detyrë për të çliruar së pari Bosnjën, meqenëse kishte mundësi më të mëdha të ndihmohej nga ana e Austrisë.
Megjithatë, edhe në këtë kuvend u pa i nevojshëm një zbarkim në Shqipëri, sepse kryengritjet shqiptare mbanin vazhdimisht të hapur një plagë në anët më të dobëta të Perandorisë Osmane. Në bregdetin shqiptar, prej nga niseshin rrugët drejt viseve të brendshme ballkanike dhe - siç thuhej në vendim, - një pjesë e popullit të këtij vendi nuk i bindet sulltanit dhe jeton i lirë – zotërit e Dukagjinit, e Kelmendit, e Piprit, e Palabardhit dhe të Malit të Zi.
Prandaj në çdo projekt ushtarak, si më parë, ashtu edhe tani, Shqipëria zuri një vend mjaft të rëndësishëm. Me të zbarkuar flota evropiane në brigjet shqiptare, 10 000 burra do të bashkoheshin me forcat hercegovinase. Me 40 000 veta nga Dukagjini, Kelmendi, Pipri, Palabardhi e nga Mali i Zi do të merrnin Kalanë e Shkodrës dhe prej andej do të shkonin drejt Sofjes, ku do të bashkoheshin me forcat e tjera për të parashtruar projektin për marrjen e Stambollit. Plani mbeti përsëri në letër. Duka i Neverit e zgjati shumë përgatitjen e ekspeditës. Në pragun e nisjes flota u dogj. Spanja i druhej luftës me shtetin osman.
Një dëshmi tjetër e lëvizjes çlirimtare ballkanike u bë kuvendi në Beograd, që do të mblidhej më 18 nëntor 1620. Aty u shqyrtuan më me hollësi projektet e dy kuvendeve të mëparshme dhe u theksua nevoja e çlirimit të Shkodrës nga kryengritësit e Malësisë së Madhe dhe të malësisë së Dukagjinit, si dhe çlirimi i Krujës nga banorët e malësive të Shqipërisë së Mesme.
Nga 24 krerët e kuvendit në Beograd që nënshkruan planin e luftimit, më të rëndësishmit ishin Lala Drekali i Kuçit, Gjin Gjergji i Dukagjinit dhe Vuk Gjeçi i Kelmendit, pas të cilëve vinin krerët e tjerë të ardhur në kuvend nga malet shqiptare. Të bashkuar në Lidhjen e Arbënit, Dukagjini, Pipri dhe Kelmendi nxorën 14 000 luftëtarë. Të gjithë do të grumbulloheshin në Pejë, ku do të krijohej një ushtri prej 50 000 këmbësorëve e 30 000 kalorësve prej forcave të Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë. Edhe këtë herë, si një prej të dërguarëve të vet në oborret evropiane, kuvendi zgjodhi shqiptarin Gjon Renësi. Por, edhe këtë herë nuk u siguruan dot ndihmat e kërkuara me armë dhe zbarkimin në brigjet shqiptare.
Kuvendet ballkanike nuk arritën të organizonin një aksion të përbashkët për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Ballkanasve, e në radhë të parë kryengritësve shqiptarë, iu desh të luftonin me forcat e veta. Shkaqet e dështimeve të përpjekjeve për organizimin e një aksioni të përbashkët ballkanik qëndrojnë kryesisht në kontradiktat midis shteteve evropiane, të cilat ishin në rivalitet me njëra-tjetrën në zotërimet osmane.
Gjatë kohës së kuvendeve ballkanike u hartuan mjaft plane. Patriku i Ohrit, Athanasi, hartoi një plan në vitet 1615-1616. Ai kishte vënë në lëvizje peshkopë e klerikë të ndryshëm. Si njohës shumë i mirë i gjendjes në Ballkan, krahas kulturës teologjike, Athanasi kishte njohuri edhe nga arti ushtarak, aq sa ishte në gjendje të hartonte planin e kryengritjes. Ai kishte hyrë në lidhje me dukagjinasit, kelmendasit dhe pastroviqasit dhe shqiptarët e tjerë, të cilët prisnin ndihmën nga Spanja dhe Napoli.
Në vitin 1621, Pjetër Budi hartoi një relacion, me anë të të cilit përkrahte planin e Bertuçit dhe kërkonte zbatimin e tij. Sipas tij, 30 000 shqiptarë të krishterë e myslimanë, ishin gati të rrëmbenin armët. Shqiptarët kishin nevojë për armë, municione dhe për një princ për t’i udhëhequr. Koha më e përshtatshme qe në vitin 1621, pasi forcat ushtarake osmane të tokave shqiptare kishin shkuar në luftë kundër Polonisë. Por as relacioni i Pjetër Budit nuk do të gjente përkrahje.
Fushatat kundër Malësisë së Madhe (1638)
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Kërcënimi i kryengritjeve malësore shqiptare dhe mundësia e shndërrimit të Malësisë së Madhe në qendër bashkërendimi të përbashkët ballkanike dhe evropiane kundër Perandorisë Osmane, shqetësoi, bashkë me sundimtarët osmanë në Shqipëri edhe vetë Portën e Lartë. Prandaj u organizuan fushata të shumta luftarake njëra pas tjetrës mbi malësitë e të dy krahinave të Lumit Drin, e veçanërisht mbi Malësinë e Madhe.[16]
Këto fushata dështuan pa e arritur dot qëllimin e tyre, shuarjen e kryengritjes. Fitoret kundër këtyre fushatave qenë fryt i përpjekjeve të mëdha të malësorëve. Sipas misionarëve të kishës katolike, që vepronin në këto malësi, popullsia e këtyre trojeve u përgjysmua. Klerikët, si p.sh. arkipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, u munduan t’i bindnin malësorët, që besonin se liria ishte më e çmuar se çdo gjë, të bindeshin dhe të paguanin haraçin për të mos u shfarosur krejt.
Në vitin 1638, para se të hynte në luftë kundër Bagdadit, sulltan Murati IV mori masa për të mbrojtur kufijtë perëndimorë të shtetit nga ndonjë sulm ose zbarkim i mundshëm i shteteve evropiane, që mund të përfitonin nga lëvizjet kryengritëse shqiptare. Prandaj ai organizoi një fushatë të madhe për ta nënshtruar një herë e mirë qendrën kryesore të lëvizjes, Malësinë e Madhe. Me këtë detyrë të rëndësishme ai ngarkoi Vuço Pashën, bejlerbeun e Bosnjës.
Bejlerbeu do të mblidhte ushtritë e shtatë sanxhakëve të krahinave të Shkodrës dhe të Dukagjinit në Podgoricë. Numri i ushtarëve i kaloi të 15 000 vetat. Pasi nënshtruan në fillim krahinat e Piprit dhe të Palabardhit, në ditët e para të shkurtit 1638, ushtarët e Vuço Pashës u nisën në drejtim të Kelmendit, vatrës së kryengritësve. Komandanti i fushatës parashikonte se, si pasojë e dëborës, malësorët do t’i gjente në shtëpitë e tyre, duke mundur të bënte kërdinë mbi ta.
Mirëpo, kur ushtarët e Vuço Pashës hynë në luginat e Kelmendit, malësorët i kishin braktisur vendbanimet e tyre me gjithçka dhe ishin tërhequr nëpër shpella. Pasi dogji disa fshatra, në mungesë të ushqimeve dhe nga frika e mbylljes së rrugëve prej dëborës, pas dy javësh, Vuço Pasha do të jepte urdhrin e tërheqjes. Ndërkohë malësorët kelmendas, të stërvitur në këto vende malore të mbuluara me dëborë, ua mbyllën armiqve dy shtigjet nga mund të dilnin prej Kelmendit dhe nën udhëheqjen e Vuk Dodës, do ti sulmonin me vrull.
Ushtria e bejlerbeut pësoi dëme të mëdha. Disa muaj më vonë, Frang Bardhi shkroi se vetëm në përleshjen e parë u vranë një mijë ushtarë armiq. Duke e goditur pareshtur andej nga nuk e priste, malësorët e vunë ushtrinë osmane në ikje dhe e shpartalluan rëndë, duke e detyruar të linte shumë të vrarë dhe shumë plaçkë lufte. Deri në ditët tona ruhet kujtimi i heroizmave të kelmendasve në këto luftime, si ajo e Norës së Kelmendit, që flijoi veten për të vrarë pashain osman, zgjuarsinë e Dedë Gjesit, që ndërtoi një top duke gdhendur një trung lisi etj.
Jehona e këtij shpartallimi të bejlerbeut të Bosnjës dhe e trimërive të malësorëve u përhap gjerësisht në Ballkanin dhe në vendet e tjera evropiane. Por dëmet e malësorëve në njerëz dhe në mjete jetese dhe humbja e çdo shprese për ndihma e ndërhyrje nga jashtë, i detyruan kuvendet malësore të lidhnin marrëveshje me sundimtarët osmanë.
Sipas kësaj marrëveshjeje krahinat e Malësisë së Madhe do të ruanin vetëqeverisjen, me kusht që të paguanin haraçin, një flori në vit për çdo shtëpi dhe që të pranonin të dërgonin një burrë për derë në rast lufte. Të drejtën e vetëqeverisjes me të njëjtin kusht e ruajti edhe malësia e Dukagjinit. Por, në një varg rastesh, sundimtarët osmanë i shkelën marrëveshjet dhe i sulmuan malësitë. Atëherë malësorët i kundërshtuan me luftë, siç bënin gjithmonë në këto rase.
Në vitin 1639, sanxhakbeu i Dukagjinit u përpoq të hynte në Shalë, për ti nënshtruar banorët. Megjithëse ata i dërguan fjalë se ishin gati t’i paguanin detyrimet dhe i kërkuan që të hiqte dorë nga synimi për të shkelur krahinën, ai nuk pranoi. Atëherë Shala, e bashkuar me fqinjët, e sulmoi dhe e vuri përpara ushtrinë e sanxhakbeut, deri sa ai bashkë me shumë të tjerë u vranë.
Në vitin 1648, Venediku përhapi lajmin se do të niste një fushatë në Shqipëri nën drejtimin e sulltan Jahjasë, një pretendent për fronin e sulltanit që endej në kryeqytetet e vendeve evropiane. Kjo i dha gjallëri lëvizjes kryengritëse. Një vit më vonë kelmendasit sulmuan kështjellën e Medunit duke e shtënë në dorë pas tre ditë luftimesh.
Kryengritës të tjerë goditën Risanin në Grykën e Kotorrit. Kryepeshkopi i Durrësit, Mark Skurra, me 7 000 luftëtarë do të sulmonte Shkodrën. Himariotët do të rrëmbenin armët duke pritur fushatën. Me pretekstin e vdekjes së sulltan Jahjasë, Venediku hoqi dorë nga fushata. Mungesa e armëve dhe e mbështetjes politike nga jashtë, ndikuan në mënyrë të ndjeshme në rënien e përkohshme të hovit të kryengritjes.
Kryengritjet e shekullit të XVI dhe ato të gjysmës së parë të shekullit të XVII, megjithëse shpeshherë morën përpjesëtime të gjera dhe kërkuan sakrifica shumë të mëdha, nuk e realizuan dot synimin kryesor, d.m.th. çlirimin e vendit. Sidoqoftë ato patën një varg rezultatesh shumë pozitive. Së pari mbajtën gjallë frymën e qëndresës e të luftës çlirimtare, duke ruajtur individualitetin kombëtar të shqiptarëve. Së dyti, krahinat malësore ruajtën të drejtën e vetëqeverisjes së brendshme, në bazë të kanuneve dokësore vendase dhe nuk lejuan zbatimin e sistemit të timarit dhe vendosjen në to të përfaqësuesve të administratës osmane.
Përveç këtyre, malësorët ruajtën edhe të drejtën të mbanin armët kudo që të ishin, madje edhe para autoriteteve më të larta të sanxhakut. Kryengritjet shqiptare vazhduan të luanin një rol të rëndësishëm ndërkombëtar gjatë shekullit të XVI deri në mesin e shekullit të XVII. Ato nuk lejuan që osmanët të krijonin në trojet shqiptare një bazë të fuqishme ushtarake për t’u hedhur përtej Adriatikut. Kryengritësit shqiptarë bllokuan për një kohë të gjatë një pjesë të konsiderueshme të forcave ushtarake armike dhe penguan zbarkimin e tyre drejt Italisë dhe Evropës Perëndimore.
Kryengritjet e shekujve XVI-XVII e kthyen vendin tonë në një nga qendrat kryesore të luftës çlirimtare kundër osmanëve në gjithë Ballkanin. Me luftën e tyre shqiptarët ndikuan në aktivisht në luftën e popujve të Perandorisë Osmane për çlirim. Pikërisht kjo luftë bëri që në projektet e shteteve evropiane kundër Perandorisë Osmane, Shqipëria të zinte një vend të rëndësishëm nga ku do të mund të fillonin ndërmarrjet ushtarake. Megjithëse projektet e shteteve evropiane mbetën vetëm në letër dhe shqiptarët nuk mundën të gjenin një aleat të jashtëm, ata e vazhduan luftën, duke e rritur bashkëpunimin me fqinjët e tyre që luftonin për të njëjtën kauzë, që u shpreh qartësisht në kuvendet ballkanike.
Mesi i shekullit të XVII – mesi i shek. XVIII
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Në gjysmën e dytë të shekullit të XVII, ndërsa Perandoria Osmane filloi luftën kundër koalicionit të Austrisë, Venedikut, Polonisë dhe pastaj Rusisë, lëvizjet fshatare morën hov më të madh, duke u shndërruan në kryengritje të armatosura me karakter çlirimtar. Disa prej tyre u zhvilluan në kushte të favorshme ndërkombëtare dhe në vitet 1683-1691, morën përpjesëtime shumë të mëdha në të gjithë Shqipërinë, posaçërisht në Kosovë.
Pas vitit 1683, Shqipëria ziente aktiviteti antiosman. Kleri katolik shqiptar me Pjetër Bogdanin në krye, i nxiti shqiptarët të ngrinin krye. Përkrahja që u dhanë shqiptarët ushtrive austriake dhe venedikase, kundër forcave osmane i ndihmoi ata të përparonin në brendi të Ballkanit dhe të zaptonin disa qytete bregdetare. Peshkopi shkrimtar, Pjetër Bogdani, hartoi një plan për çlirimin e vendit, mbështetur te lufta e shpërthyer, ku shqiptarët po jepnin një ndihmë të çmuar.[17]
Pasi u thye hovi i osmanëve kundër forcave austriake në dyert e Vjenës, as sulmet e tyre kundër venedikasve nuk patën përfundim më të mirë. Në vitin 1686, sanxhakbeu i Shkodrës, Sulejman Pasha, kaloi kufirin dhe sulmoi qytetin e Budas. Por sulmi i tij dështoi, se rruga për aty u ndërpre nga malazezët, të cilët u dolën në ndihmë venedikasve. Edhe pas dështimit të këtij sulmi, Sulejman Pasha me forcat e veta kërkoi të kalonte përmes Malësisë së Madhe, ai ndeshi në qëndresën e malësorëve shqiptarë të lidhur me fqinjët malazezë. Kështu që pashai u detyrua të kthehej në Shkodër.
Lëvizja e malësorëve shqiptarë dhe malazezë grumbulloi rreth 10 000 luftëtarë, që kërkuan të merrnin kalatë e Shkodrës, Podgoricës dhe të Zhabjakut. Pas luftimeve që u zhvilluan në vitin 1687 dhe pranverën e vitit 1688, forcat e Sulejman Pashës si dhe ato të disa sanxhakbejlerëve boshnjakë dhe hercegovinas dështuan. Kryengritësit e Malësisë së Madhe, të Kuçit, të Piprit dhe të Kelmendit, sulmuan dhe çliruan kalanë e Medunit, por duke mos pasur mjetet e nevojshme, ua dorëzuan atë venedikasve ta mbronin.[18]
Pas kësaj fitoreje, në majin e vitit 1688, shqiptarët dhe malazezët zhvilluan një kuvend të përbashkët në Gradec, vendosën ta vazhdonin luftën duke sulmuar e çliruar kështjellën e Podgoricës, duke i koordinuar veprimet e tyre me ato të Venedikut, që do të sulmonte qytetet e Ulqinit dhe të Tivarit. Megjithatë, në qershor, malësorëve shqiptarë iu desh të përballonin sulmin e 10 000 ushtarëve të Sulejman Pashës, që u përpoq të nënshtronte Kuçin, Grudën e Kelmendin dhe të merte prapë kështjellën e Medunit. Forcat e tij të ndeshuara me kryengritësit shqiptarë, u thyen, duke u detyruar të tërhiqeshin në Podgoricë. Edhe forcat që u drejtuan për në Mal të Zi, do të thyheshin në fshatin Osriniq.
Në pranverën e vitit 1689, konti Ludvig Baden, komandanti i frontit austriak, vendosi të pushtonte Nishin dhe nëpërmjet Prokupjes të depërtonte në Kosovë. Nëpërmjet Prizrenit dhe Kukësit, ai desh të dilte në Shkodër dhe në Detin Adriatik për ta ndarë Bosnjën dhe Hercegovinën nga Porta e Lartë. Konti i Badenit ftoi ballkanasit për t’u bashkuar me ushtrinë e tij.
Në to u përfshinë serbë, bullgarë, grekë dhe shqiptarë. Në afërsi të Nishit u zhvillua një betejë e ashpër (24 shtator 1689), të cilën e fituan e austriakët. Osmanët lanë në fushë-betejë 10 000 të vrarë. Pas kësaj fitoreje, austriakët u nda në dy pjesë: e para e komanduar nga konti i Badenit, u nis drejtë Vidinit (Bullgari), kurse e dyta me gjeneral Pikolominin në krye, u nis për në Kosovë, ku u mirëprit nga shqiptarët. Shqiptarët ishin gati të pranonin mbrojtjen e perandorit austriak. Të njëjtin gjë bënë edhe shqiptarët e Kelmendi.[19]
Kur Pikolomini hyri në Prishtinë, 6 000 shqiptarë ortodoksë (Albanensen) u bashkuan me austriakët. Të njëjtën situatë, Pikolomini e ndeshi edhe në Prizren, ku banorët i dolën përpara, duke e pritur me nderime. Rreth 5 000 shqiptarë me kryepeshkopin e tyre, Pjetër Bogdanin, e përshëndetën me breshëri të shtënash. Gjenerali kërkoi nga shqiptarët, që hynin në ushtrinë austriake, t’u bindeshin oficerëve austriakë dhe të mbanin armët, ndërsa të tjerët duhej të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Burimet austriake, angleze e papale pohojnë se pranë Pikolominit ishin mbi 20 000 shqiptarë. Sipas llogaritjes, 5 000 veta ishin nga Prishtina, 3 000 veta nga Peja, 6 000 nga Klina dhe Drenica, 6 000-8 000 veta nga Prizreni.[20]
Shqiptarë të tjerë të palidhur me ushtrinë austriake vazhdonin kryengritjen. Kur forcat austriake hynë në Prizren, 3 000 kryengritës shqiptarë morën Pejën. Sapo gjeneral Pikolomini kaloi në Shkup (25 tetor 1689), shqiptarët shprehën gatishmërinë për të hyrë nën mbrojtjen e austriakëve. Një grup kryengritës u nis drejt Tetovës për ta spastruar zonën nga forcat osmane, që ndeshën në qëndresë në Kaçanik. Ndërkohë, në Prishtinë hynë forca tatare nga Krimea, por që do të thyheshin nga shqiptarët e Prishtinës.[21]
Sipas burimeve osmane, me austriakët ishin bashkuar Peja, Prizreni, Tetova, Shtipi, Prishtina, Vuçiterna, Kosova (Bellasica), Jenipazari, Mitrovica, Shkupi, Çiçaku, Plevla, Jagodina, Kumanova etj.
Pas vdekjes së gjeneral Pikolominit në nëntor 1689, qëndrimi i shqiptarëve ndryshoi për disa shkaqe. Në radhë të parë, qëndrimi i pasardhësve të Pikolominit dhe oficerëve të tjerë austriakë. Ata filluan t’i trajtojnë keq shqiptarët. Duka i Holshtajnit në fillim i pa shqiptarët me shpërfillje dhe zili, duke u sjell ashpër me ta. Në Prizren u përpoq ti çarmatoste shqiptarët, kurse në Lumë, urdhëroi djegien e disa fshatrave. Edhe komandantë të tjerë vepruan keq me shqiptarët. Kur këta të fundit zemëroheshin për padrejtësitë e tyre, duke kërkuar drejtësi, keqtrajtoheshin me përçmim dhe me fyerje të padurueshme nga komanda ushtarake.
Së dyti, austriakët nuk i mbajtën premtimet e bëra ndaj shqiptarëve. Fillimisht ata premtuan t’u lehtësonin barrën e detyrimeve, por ky premtim mbeti në letër. Së treti vdekja e arkipeshkvit të Shqipërisë, Pjetër Bogdanit, ndikoi negativisht, pasi ai ishte përpjekur disa herë për ti zbutur pakënaqësitë e shqiptarëve.[22] Megjithatë, mjaft shqiptarë vazhduan t’i mbeten besnikë qeverisë austriake dhe morën pjesë në disa beteja. Shtrirja e kryengritjes e shqetësoi Portën e Lartë, e cila më 1 dhjetor 1689 njoftonte se në rast se do të vazhdojë kjo kryengritje e arbërve, i gjithë vendi do të rrënohej deri në Durrës madje, ndoshta edhe Greqia do të pësojë shumë dëme, sepse kudo shtetasit po çohen në kryengritje.[21]
Një tjetër vatër kryengritjeje ishte Luma. Mjaft banorë të kësaj krahine ishin bashkuar me austriakët, duke dhënë një tribut si dëshmi e besnikërisë. Por, përballë forcave të shumta të komanduara nga Mahmut Pasha, lumianët ulën armët dhe pranuan amnistinë e qeveritarit osman. Zjarri i kryengritjes ishte shtrirë edhe në Rozhajë, ku shqiptarët e kësaj krahine u bashkuan me austriakët. Kundër tyre, në krye të forcave të shumta ushtarake, erdhi beu i Filipopolit. Pas një bombardimi të ashpër, kryengritësit e Rozhajës, pranuan kërkesën e faljes që u parashtroi beu osman. Gjendja e ushtrisë austriake dhe e kryengritësve shqiptarë u keqësua me emërimin e Vezirit të Madh, shqiptarit Mustafa pashë Kypryliut, si kryekomandant i ushtrisë.
Ushtria osmane përbëhej nga forca të khanit të Krimesë, të bejlerbeut të Rumelisë dhe të sanxhakbejlerëve të trevave shqiptare. Në fillim, forcat osmane iu drejtuan Karposhit, që vepronte si kryengritës, të cilin e kapën, e ngulën në hu dhe e hodhën në Vardar. Forcat austriake dhe kryengritësit shqiptarë u tërhoqën në Kaçanik. Duka i Holshtajnit u detyrua të organizonte një këshill ushtarak, i cili vendosi t’u bënte thirrje shqiptarëve që kishin qenë pranë Pikolominit, megjithëse vonë. Prapë, shqiptarët, besnikë të austriakëve, morën pjesë në luftën me tartarët e khanit të Krimesë.
Në fillim ra Prishtina, më vonë Prizreni dhe Peja. Shkalla e kërcënimit së kryengritjes shqiptare u duk edhe në dhunën e egër osmane. Pas betejës së Kosovës, osmanët kryen mizori të papara, duke djegur fshatra të panumërta, duke shkretuar vendin, duke vrarë barbarisht ata banorë të mjerë, vetëm sepse i kishin shfaqur bindje dhe kishin ndihmuar ushtrisë gjermanike.
Duke parë potencialin ushtarak të shqiptarëve dhe gatishmërinë e tyre, Thoma Raspasari, vikar françeskan për Shqipërinë, e këshilloi perandorin austriak të shpërndante diploma perandorake, drejtuar popujve të Ballkanit, ku t’u premtohej njohja e të gjitha privilegjeve, njohja e krerëve të tyre, zgjedhja e lirë e vojvodëve (komandantëve ushtarakë), ushtrimi i lirë i fesë, përjashtimi nga detyrimet dhe nga pagesat në të holla. Me këto kushte shqiptarët do të ngriheshin me armë në dorë përkrah austriakëve.
Perandori austriak, Leopoldi I në bazë të këtij propozimi, duke pasur parasysh edhe ndihmesën e mëparshme të shqiptarëve, më 6 prill 1690, lëshoi një thirrje drejtuar popujve të Ballkanit, në të cilën në krye radhiteshin shqiptarët dhe u kërkonte që të rroknin armët kundër osmanëve. Si shpërblim u premtonte pak a shumë propozimet e Tomë Raspasarit, një qeverisje lokale autonome nëpërmjet vojvodëve të zgjedhur. Shqiptarët shprehën menjëherë dëshirën për të bashkëpunuar me austriakët.
Sipas një letre nga Nishi të 22 prillit 1690 thuhej se arbrit i kanë çuar fjalë gjeneral Veteranit se përherë janë perandorakë të mirë, se nuk presin veçse ardhjen e ushtrisë sonë për t’u bashkuar kundër turqve e tartarve. Megjithë këtë gatishmëri, një kryengritje e dytë e shqiptarëve nuk u organizua. Me sa duket qeveria austriake nuk dëshironte ta vazhdonte luftën, prandaj ajo nuk pranoi as propozimin e Veteranit që ta mbështeste me mjete financiare për të krijuar një ushtri me shqiptarë.
Në këto kushte, Veterani u largua nga Nishi, ndërsa shqiptarët mbeten vetëm përballë ushtrisë osmane: Mahmut Pasha, siç thuhej në dokumentet e kohës, ndërmori një fushatë ndëshkimore kundër Surrojit, Gashit e Krasniqes, vende që në mënyrë të patundur kanë mbajtur besën ndaj madhërisë perandorake, duke mos pranuar kurrë miqësinë turke, ndonëse shumë herë janë joshur me premtime e kërcënime prej atij (pashës).
Me ushtrinë austriake u larguan nga Serbia e Kosova shumë kryengritës, besnikë të Austrisë. Mbi këtë fakt u ngrit teza e historiografisë serbe mbi të ashtuquajturën shpërngulje të madhe të serbëve nga Kosova dhe mbi popullimin e saj nga shqiptarët. Është e vërtetë se midis atyre që u tërhoqën së bashku me ushtrinë austriake ishte patriarku i Pejës, Arsen III Cërnojeviçi, së bashku me disa murgjër, që nëpërmjet Jenipazarit e Studenicës, u vendos në Panoni. Por serbët që u larguan me të nuk ishin aq të shumtë në numër sa të bëhet fjalë për një shpërngulje të madhe të tyre nga Kosova në ato vite.[21]
Pretendimet për shpërngulen serbe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]E ashtuquajtura shpërngulje e madhe e serbëve nga Kosova është një sajesë e historiografisë serbe, e bërë me qëllime të caktuara politike. Të mbështetur në të dhënat e kishës serbe, mjaft historianë serbë, duke synuar t`i japin “një mbështetje” historike e shkencore politikës grabitqare të Serbisë ndaj tokave shqiptare të Kosovës, janë orvatur të provojnë se Kosova në mesjetë kishte qenë qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët deri në fund të shekullit të XVII - fillimi i shekullit të XVIII. Pas luftërave austro-osmane të viteve 1683-1699, pohojnë këta autorë, një pjesë e popullsisë serbe që mori anën e Austrisë, qenkërka tërhequr për në veri dhe vendin e tyre e paskan zënë shqiptarët e ardhur nga vise të brendshme të Shqipërisë së Veriut.[21]
Historianë të tjerë, duke rënë viktimë e njëanshmërisë së burimeve dokumentare serbe, janë bashkuar me autorët serbë. Kështu është krijuar një letërsi e tërë historike që nuk i përgjigjet të vërtetës shkencore. Megjithatë, ka edhe mjaft studiues që e kundërshtojnë këtë mendim që mbizotëron në historiografinë serbe. Në disa vepra të historiografisë austriake dhe italiane, të mbështetura në burime të besueshme, pranohet se territoret e Kosovës ishin të banuara nga popullsi shqiptare dhe përfshiheshin brenda kufijve të Shqipërisë si nocion etnik.[23]
Dokumentet e komandës së lartë ushtarake tregojnë se nga forcat që u vunë përkrah forcave austriake, dy grupe ishin më kryesorët: shqiptarët dhe serbët. Nga një përllogaritje e përafërt del se numri i shqiptarëve ishte dy herë më i madh se ai i serbëve. Përveç dokumenteve të komandës ushtarake, edhe dokumentet angleze e papale dëshmojnë se, shumë shqiptarë qëndruan deri në fund me austriakët. Edhe ndër të shpërngulurit, që nuk i kalonin të 10 000 vetat, shqiptarët ishin më të shumtë. Sipas një interpretimi që meriton të përmendet, edhe termi serb, i cili përdorej në dokumente, nënkuptonte shqiptarët ortodoksë, që bënin pjesë në juridiksionin e kishës së Pejës. Në këtë rast duhet pranuar se kryengritësit e Kosovës, që u bashkuan me austriakët, ishin thuajse të gjithë shqiptarë.[24]
Ndërsa në krahinën e Kosovës kryengritja u shtyp në verën e vitit 1690, ajo vazhdoi në Shqipërinë Jugore, në krahinat e sanxhakëve të Delvinës e në krahinën e Himarës. Në bashkëpunim me forcat detare venedikase, që zbarkuan në Ujin e Ftohtë, pranë Vlorës, kryengritësit sulmuan kështjellat e Kaninës dhe të Vlorës dhe i dëbuan garnizonet e tyre.[25]
Pas 6 muajsh, një ushtri osmane e përbërë nga forcat e më shumë se 10 sanxhakbejlerëve mundi t’i ripushtonte. Venedikasit, para se të largoheshin, si hakmarrje, i vunë zjarrin qytetit të Vlorës, duke dëmtuar në radhë të parë vlonjatët.[25]
Duke përfituar nga hutimi që shkaktoi kundërsulmi osman, Sulejman Pasha i Shkodrës guxoi të ndërmerrte dy fushata ndëshkimore kundër malësorëve shqiptarë dhe malazezëve, të cilat do të dështonin. Vetëm në vjeshtën e vitit 1692 do të mund të hynte në Malin e Zi, duke shkelur Cetinën, ndërsa përpjekjet për të nënshtruar Malësinë e Madhe, nuk i shkuan prapë mbarë.
Gjatë luftës së viteve 1683-1699 dhe fill pas saj, fshatarësia raja e krahinave jugore dhe veriore, vazhdoi të kundërshtonte me këmbëngulje e gjer në përleshje të armatosura pagimin e detyrimeve të rënda feudale. Kështu, ajo jo vetëm e përkrahu, por edhe bashkëpunoi me fshatarësinë e vetëqeverisur në luftën çlirimtare kundër sundimit osman. Një qëndrim i tillë u mbajt prej tyre dhe në fillimet e shekullin e XVIII.[25]
Kryengritjet e fshatarsisë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Thellimi i shfrytëzimit ekonomik dhe grabitjet e feudalëve dhe të nëpunësve osmanë sollën domosdoshmërisht qëndresë kundër tyre. Lufta e zhvilluar nga katundarësia shqiptare pati forma të ndryshme, që nisnin me rezistencën, vazhdonin me arratisjen dhe përfundonin me rrebelimet e armatosura. Qëndresa u zhvillua me dy mënyra: mënyra e parë ishte qëndresa ekonomike. Kjo mori rrugën e përpjekjeve të katundarit për të rritur të ardhurat e tij dhe për të pakësuar sasinë e rentës që merrte feudali dhe shteti. Kjo ishte forma më e ulët e qëndresës së fshatarëve kundër shtypjes feudale. Në këto mënyra bëjnë pjesë edhe orvatjet e katundarëve për të shtënë në dorë tokat e hapura prej tyre.
Në kushte primitive të punës, rritja e rendimentit, që mund të çonte në shtimin e të ardhurave të katundarit, ishte shumë e vogël, prandaj fshatari që kishte krahë pune, përpiqej të gjente mënyra të tjera për të siguruar tokë buke e për të shtuar të ardhurat. Një nga këto rrugë ishte kthimi i kullotave verore ose dimërore në toka buke. Kështu, në vitin 1671 çifçinjtë e çifliqeve moçalore në Kazanë e Myzeqesë kishin hapur pa leje tokë në kullotën dimërore dhe e kishin kthyer në arë.
Përveç kullotave, fshatarët prisnin drurët e pyjeve dhe tokat i kthenin në toka buke. Në vitin 1655 çifçinjtë e çiflikut Lifaj kishin prerë pyllin dhe e kishin kthyer në arë, duke e mbjellë me grurë dhe elb. Por, sipas ligjeve, toka e hapur mund t’u jepej me tapi atyre që e hapën ose njerëzve të tjerë, në rast se të parët nuk pranonin ta merrnin me tapi. Këto toka kalonin shpesh në duart e çifligarëve. Kështu ndodhi në Barbullinjë (1654), në fshatin Dukas të Mallakastrës (1686).
Përveç luftës ekonomike, rezistenca e fshatarësisë mori edhe forma të hapura, siç ishin ankesat e protestat që shkonin deri te sulltani. Ankimi ishte një rrugë ligjore, të cilën e lejonte sheriati, për të vënë në dukje dhunën, grabitjen e shkeljen e legjislacionit osman. Ankuesit u drejtoheshin organeve shtetërore për çështjet që ishin në kompetencat e tyre dhe, në rast se ato nuk i zgjidhnin, u drejtoheshin organeve më të larta.
Zakonisht ato fillonin nga kadiu për problemet që i takonin atij. Ankesat preknin aspekte të ndryshme të shtypjes. Ato drejtoheshin kundër nëpunësve ose vjelësve të detyrimeve shtetërore, që bënin kërkesa më të mëdha sesa ishte parashikuar në dëfterët, kundër marrjes së të hollave më tepër se parashikimi, angarive të paligjshme etj. Më të shpeshta ishin ankesat e protestat kundër grabitjes nga ana e feudalëve dhe nga taksidarëve. Këto ankesa pasqyronin rastet e shkeljes së ligjeve osmane. Gjithashtu ankesa të tjera, që nuk ishin të parashikuara në sheriat, dëshmonin faktin se gjendja e fshatarësisë përkeqësohej gjithmonë e më shumë.
Meqënëse ankesat nuk sillnin ndryshimin e gjendjes, fshatarësia shqiptare e rriti qëndresën në një shkallë më të lartë, duke kundërshtuar në mënyrë kategorike shlyerjen e detyrimeve të mbështetura në sheriat e në urdhrat e sulltanit. Ky refuzim mund të ishte individual, ose kolektiv. Refuzimet në bazë fshati bëheshin edhe më të organizuara. Në vitin 1685, fshatarët e Pobratit, kundërshtuan shlyerjen e së dhjetës e të salaries. Kjo vendosmëri i detyronte feudalët të kërkonin ndihmën e gjyqit në veçanti e të shtetit në përgjithësi.
Gjyqi në përgjithësi ndihmonte feudalët. Në grindjen e organizuar midis popullsisë së Libofshës e Mahmut Tabakut, gjyqi i besoi spahiut dhe urdhëroi fshatarësinë t’i jepte pjesën që spahiu pretendonte. Si rezultat i kundërshtimit të fshatarëve, feudalët dhe shteti qenë të detyruar të hartonin lista me taksa të prapambetura që duheshin paguar më vonë. Në vitin 1680 në Sanxhakët e Shkodrës, Ohrit, Vlorës, Elbasanit, Delvinës, Prizrenit e të Dukagjinit, nuk ishin vjelë xhizja, avarizi, nuzuli e surati për vitet 1670-1680.
Kishte raste të veçanta, ku fshatarësia vinte dorë mbi kullotat dimërore e verore të spahinjve ose të çifligarëve. Popullsia e fshatit Gribë, në vitin 1644 hyri në kullotën verore dhe dëboi bagëtitë e spahiut. Banorët e katundit Qereshnik, në vitin 1678 pohuan përpara kadiut se feudalët, zotërues të kullotës së fshatit, u kishin marrë kullotën arbitrarisht, kishin ngritur stane e vatha dhe kishin sjellë 1 500 dhenë për t’i kullotur.
Kur këto forma të qëndrese nuk sillnin ndonjë përfitim, fshatarësia si rrugëdalje nga gjendja e mjeruar zgjidhte ikjet nga vendbanimet e mëparshme. Ikjet synonin shkëputjen e plotë ose të pjesshme të varësisë feudale. Fshatarët e arratisur dëshironin të gjenin kushte më të mira jetese në krahina të tjera. Duke u larguar pa lënë adresë, ata shpresonin se do t’i këpusnin lidhjet me feudalin. Për rrjedhojë do të shpëtonin nga detyrimet ndaj tij si zot i rajasë. Po kështu ata shpresonin të shpëtonin përkohësisht nga taksa për kokë.
Ikja përfshinte shtresa të ndryshme fshatarësie. Në radhë të parë iknin fshatarët raja. Shumë raja arratiseshin nga vendbanimi i përhershëm dhe vendoseshin në vise të tjera, ku merreshin me punëra të ndryshme. Shkaqet e shpërnguljeve lidheshin me gjendjen e rëndë të rajave dhe me përpjekjet për të shpëtuar nga kjo gjendje. Disa dokumente theksojnë se arsyeja kryesore e largimit të fshatarëve qe shmangia e pagimit të taksës për kokë, në disa raste të tjera shmangia pagimit të avarizit dhe të nuzulit. Në një ferman të sulltanit të datës 5 shtator 1716, pohohet se rajatë janë rrënuar keqas.
Strehimi i fshatarëve të shpërngulur u bënë edhe çifliqet e tjera. Në fermanët e sulltanëve, në vitet 1644, 1696, 1700, 1702 dhe 1707, përr qeveritarët e sanxhakëve shqiptarë, pohohet se çifligarët fshihnin rajatë e arratisur. Një strehim tjetër i fshatarëve të arratisur ishin pronat tokësore të institucioneve fetare myslimane (vakëfet) e të atyre të krishtera (të manastireve), institucione që përfitonin nga këto largime. Për t’i tërhequr në pronat e tyre, ata i joshnin të arratisurit, duke i vënë përkohësisht në disa kushte të favorshme vetëm për disa vjet. Gjendja e çifçinjve u bë më e mjerë, duke filluar nga vitet 1680 të shekullit të XVII, kur dhe ata filluan të largoheshin nga çifligjet në masë.
Një vendstrehim tjetër i fshatarëve të ikur ishin qytetet shqiptare ashtu dhe qytetet më të mëdha të perandorisë, si Stambolli, Edreneja e Bursa, të cilat ndodheshin shumë larg tokave shqiptare. Në vitin 1646, sulltani pranonte se fshatarët ishin arratisur nga kazatë e Vlorës, Skraparit dhe të Myzeqesë, duke u vendosur nëpër qytete.
Ikjet ndodhnin në kushte të vështira. Dovleti mundohej ta shtonte trysninë ndaj individëve ose krejt fshatit për ti penguar ikjet. Xhizjedarët e vjelësit e tjerë të detyrimeve shtetërore ishin pajisur me dokument për t’ua vjelë taksat kudo që të ndodheshin. Ata dhe spahinjtë, caktonin njerëz për të mbledhur fshatarët e zhvendosur. Administrata vendoste garanci kolektive, me anë të së cilës ndaheshin detyrimet e të zhvendosurve midis atyre që kishin mbetur në fshat. Strehuesit e fshatarëve të zhvendosur viheshin nën presionin dhe kanosjet e administratës, që nuk hezitonte edhe t’i ekzekutonte.
Megjithatë arratisjet vazhduan. Në vitin 1738 ato përfshinë 40% të fshatrave të zonës së Beratit, kurse numri i shtëpive të shpërngulura kapte gati 12% të numrit të shtëpive. Ndonjëherë, arratisjet ishin aq të shumta sa u braktisën krejt fshatrat. Në regjistrat e taksave të jashtëzakonshme haset shënimi i rrënuar krejtësisht, i braktisur etj.
Si pasojë e arratisjeve, hapsira të tëra toke mbeteshin pa punuar, gjë që çonte në pakësimin e prodhimit bujqësor. Nga kjo dëmtoheshin si feudalët, ashtu edhe shteti. Duke qenë se kahu kryesor i shpërnguljeve ishte nga vendet me nivel më të madh shtypjeje ekonomike drejtë vendeve me shtypje më të ulët, ato ndihmuan në përmirësimin e situatës fshatare. Për të penguar ose pakësuar arratisjet, feudalët shtrëngoheshin ta ulnin nivelin e shtypjes ekonomike. Arratisjet ndihmuan disi në tejkalimit të izolimit feudal dhe ndihmuan në lidhjen më të madhe të krahinave me njëra-tjetrën, të qytetit me rrethinat dhe të qyteteve me njëri-tjetrin.
Gjendja e keqe e fshatarësisë, i shtrëngoi ata të përdornin edhe forma më të ashpra të qëndrese, si formimin e çetave të armatosura nëpër pyje e male. Lëvizjet kaçake në tokat shqiptare patën veçori që e dallonin nga vendet e tjera të ballkanike. Si një shfaqje e vetvetishme e qëndresës, ajo nuk pati fizionominë dhe përhapjen e madhe, si në vendet e tjera. Ajo lidhej më së shumti me veçantitë konkrete të viseve shqiptare, ku kryengritjet ndoqën njëra-tjetrën. Në këtë situatë, i arratisuri bashkohej me lëvizjet kryengritëse, gjë që e zvogëlonte shumë rolin e kaçakërisë.
Me shthurjen e timarisë dhe me përhapjen e sistemit të çiflikut, mjaft fshatarë e humbnin të drejtën e përdorimit të tokës dhe pronën private. Kjo zhveshje tërësore ose pjesërore e fshatarit nga pronësia, çonte në rrënimin e tij. Kjo e shtynte një pjesë të fshatarëve të mernin rrugën e kaçakut. Meqë deri në mesin e shekullit të XVIII, sistemi i çiflikut nuk pati shtrirje të madhe edhe lëvizja kaçake nuk mori përhapje të gjerë.
Në çetat kaçake bashkoheshin fshatarë që kishin humbur të drejtën e shfrytëzimit të tokës ose që kishin ngritur dorën kundër feudalëve dhe tagrambledhësve shtetërorë. Çetat e malësorëve të varfër, të cilët nuk ishin në gjendje të shlyenin detyrimet, kishin përbërje tjetër. Në këto çeta merrnin pjesë gjithashtu ish-spahinjtë, të zhveshur nga zotërimet, elementë të klasës feudale që ishin fuqizuar e rivalizonin në sipërmarrjet e tagrambledhëse ose të nëpunësive, klerikë myslimanë etj. Të gjithë këta përfaqësues të ndryshëm shtyheshin nga arsye të ndryshme. Prandaj, lufta e kaçakëve merrte tipare të anarkisë feudale, e cila la gjurmët e veta në lëvizjet kaçake.
Çetat e armatosura sulmonin edhe spahinjtë, shtëpitë e tyre dhe u merrnin pasurinë, madje nuk kursenin as familjet e tyre. Në këtë mënyrë, në vitet 1681-1682, kaçakët nga fshati Pobrat, sulmuan odat dhe haremet e Ahmet Agait e të Ali Efendiut, duke u rrëmbyer plaçkat e mallrat ushqimore. Në vitin 1708, kaçakët nga fshati Kaçë i Zadrimës rrëmbyen pasurinë e bejlerëve të Zadrimës. Në vitet 1712-1713 kaçakët nga fshati Qidhnë sulmuan shtëpinë e spahiut Ahmet dhe i rrëmbyen gjënë e gjallë. Shpesh herë shënjestër të sulmeve bëheshin edhe pronat shtetërore, si daljanet (vivaret) etj. Në vitin 1707 kaçakë nga fshatrat Margëllëç, Kuç e Globoçar sulmuan vivaret e mukatasë shtetërore dhe në bashkëpunim me çifçinjtë plaçkitën çifligjet shtetërore. Shënjestër sulmi ishin edhe tagrambledhësit e nëpunësit shtetërorë, si dhe banesat e tyre. Në vitin 1606, një çetë nga Kurveleshi sulmoi sanxhakbeun e Delvinës, i cili kishte marrë përsipër të mblidhte taksat në sanxhakët e Vlorës, Delvinës, Elbasanit etj., duke i rrëmbyen xhizjen e mbledhur.
Çetat shpesh merrnin në mbrojtje fshatarët dhe qytetarët varfër, duke mos lejuar mbledhjen e taksave. Në vitin 1713, Ali Hoxha, së bashku me të tjerë, pengoi mbledhjen e taksave. Lëvizja e çetave të armatosura ishte më e rëndësishme se format e tjera të ulta të qëndresës.
Gjatë viteve 1699-1704, popullsia e Kazasë së Tepelenës nuk pagoi taksat e jashtëzakonshme të avarizit dhe bedelin e nuzulit. Kjo lëvizje u përhap gjatë këtyre viteve thuajse në gjithë Shqipërinë Jugore. Përveç vështirësive ekonomike, që i detyronin rajatë të mos paguanin taksat e jashtëzakonshme, qëndresa e tyre u nxit edhe nga grupe feudalësh të vegjël të krahinave të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Skraparit, Tomorricës dhe Shpatit, që u bashkuan me fshatarët.[25]
Të shpronësuar nga timaret, ose të kërcënuar që t’i humbisnin ato për shkak të thellimit e përhapjes së procesit të çifligimit, këta feudalë të pakënaqur, të lidhur dhe me feudalë të tjerë në zonën e Beratit, u ngritën kundër qeveritarëve vendas.
Sanxhakbeu i Vlorës nuk mundi ti shtypte kryengritësit e bashkuar. Meqënëse lëvizjet fshatare u bënë të rrezikshme për osmanët, Porta e Lartë ndërmori veprime të tjera, dërgoi kundër kryengritjes së vitit 1700, forcat e të katër sanxhakëve nën urdhrat e ish-Vezirit të Madh, Ali Pashës. Por as këto nuk arritën ta shtypnin kryengritjen.
Në vjeshtën e vitit 1701, Porta e Lartë urdhëroi Hydaverdi Pashën e Shkodrës që, në krye të forcave të sanxhakëve të Shkodrës, Dukagjinit, Elbasanit, Ohrit dhe të Vlorës, me rreth 10 000 veta, të shtypte kryengritjen që e kishte qendrën në Kurvelesh. Hydaverdi Pasha përdori së pari taktikën e përçarjes së kryengritësve, duke shkëputur nga lëvizja drejtuesit e përbërë nga grupet e feudalëve të vegjël. Në këto rrethana lëvizja fshatare ra përkohësisht në të gjitha krahinat, duke përfshirë edhe Kurveleshin, për të rifilluar me hov të ri në vitet 1703-1704.
Në këtë fazë të dytë, në krye të saj doli një feudal vendas, komandanti i garnizonit të kështjellës së Tepelenës, çaushi i jeniçerëve Muço Aga Hysoja. Në qershorin e vitit 1704, kundër kësaj kryengritjeje u dërguan forca ushtarake nga Ejaleti i Rumelisë nën komandën e valiut, Hasan Pasha. Në këto forca bënin pjesë edhe ushtri të sanxhakëve të Janinës, Delvinës, Ohrit, Elbasanit, Shkodrës, Dukagjinit dhe të Prizrenit. Me përqëndrimin e gjithë këtyre forcave, qeveria më në fund arriti ta nënshtronte Kurveleshin. Në dështimin e kryengritjes një rol të rëndësishëm luajti braktisja e lëvizjes nga Muço aga Hysoja, i cili u fal dhe u la në postin e vet të mëparshëm.[25]
Një lëvizje fshatare, e udhëhequr nga krerë malësorë, shpërtheu në të njëjtën kohë në krahinën e Matit. Në majin e vitit 1703, kryengritës nga Selita e Macukulli, rrethuan garnizonin e kështjellës së Stelushit. Mirëpo nuk arritën ta merrnin, sepse të rrethuarve u shkuan në ndihmë forcat e sanxhakëve të Ohrit, Shkodrës, Dukagjinit dhe Prizrenit. Në fundin e gushtit, osmanët arritën ta nënshtronin edhe krahinën e Matit.
Fshatarësia e lirë e Malësisë së Madhe, e sidomos kelmendasit, e vijuan qëndresën, që u rrit në fillim të shekullit të XVIII. Në vitin 1701, 6 000 ushtarë turq, të komanduar nga Hydaverdi Pasha i familjes së Begollajve të Pejës, sulmuan viset malore dhe rrethuan Kelmendin. Rrethimi vazhdoi për një kohë të gjatë. Të ndodhur pa ushqime dhe pa bukë, një pjesë e kelmendasve pranuan të hiqnin dorë nga kryengritja.
Për këtë arsye Hydaverdi Pasha ata i la të lirë në krahinat e tyre, ndërsa pjesën tjetër (274 familje) që e vijuan luftën, ai i shpërnguli nga Kelmendi në tokat që zotëronte në pllajën e Peshterit, pranë Pazarit të Ri. Por, më vonë, në vitin 1707, shumica e 274 familjeve i braktisën tokat e tij, duke u kthyer në Kelmend.
Largimi i forcave ushtarake të qeveritarëve vendas për në frontin e luftës veneto-osmane gjatë viteve 1714-1718 i dha rast shpërthimit me përmasa më të mëdha të lëvizjeve kryengritëse. Kur feudalët vendas u ndaluan malësorëve ti shtegtonin bagëtitë në kullotat dimërore dhe i pushtuan ato, malësorët e Kelmendit, Pultit, Shalës, Gashit dhe të Mirditës, sulmuan krahinat fushore fqinje dhe ndërprenë qarkullimin e rrugëve.
Në të njëjtën kohë, rreth dy mijë raja matjanë, dibranë, lezhjanë e krutanë refuzuan të paguanin xhizjen dhe taksat e tjera shtetërore. Këto lëvizje u përkrahën përkohësisht edhe nga disa feudalë të pakënaqur nga shteti si ajanët e Matit, që synonin t’i përdornin ato si mjet trysnie për të fituar të drejtën e taksave në dobi të vet dhe për të forcuar pozitat e tyre politike në pushtetin vendor.
Po kështu, fshatarët e nahijes së Mazarakut dhe Ajdonatit në Çamëri, e sidomos banorët e Margëllëçit, që ishin ngritur kundër pagimit të taksave që në vitin 1708, vranë tagrambledhësit dhe rojen që i shoqëronte dhe u hodhën në kryengritje të hapur. Në majin e vitit 1714, rreth 1 500 çamë thyen forcën ushtarake të sanxhakbeut të Delvinës, që u dërgua kundër tyre. Kryengritës të tjerë nga Kolonja dhe Konica nuk pranuan të paguanin taksat dhe vranë xhizjedarin në Leskovik.
Krahas këtyre lëvizjeve, në vitin 1715, shpërtheu një tjetër kryengritje e madhe, që kishte si qendër Kurveleshin. Në korrikun e vitit 1715, fshatarësia raja e kazave të Tepelenës dhe të Përmetit, refuzoi të paguante taksat e jashtëzakonshme si dhe xhizjet e vitit 1714. Kundër këtij rrebelimi u dërguan forcat e kështjellave të Vlorës, të Kaninës dhe ato të esnafëve të qytetit të Beratit.[25]
Meqenëse kryengritja shpërtheu ndërsa ushtria osmane luftonte me forcat venedikase të Korfuzit, kjo shkaktonte një kërcënim serioz. Prandaj, valiu i Rumelisë, Ahmet Pasha, shkoi vetë në nëntorin e vitit 1715, për të drejtuar operacionet ushtarake për shtypjen e kryengritjes së Kurveleshit. Ai mori gjithashtu përforcime nga Sanxhakët e Janinës, Delvinës, Vlorës, Ohrit dhe të Elbasanit, me të cilat arriti ta shtypte kryengritjen dhe ta shtronte krahinën.[25]
Në vitin 1729 banorë të disa fshatrave të Kazasë së Matit u hodhën në kryengritje, duke mos pranuar ta paguanin xhizjen, avarizin e nuzulin. Për shtypjen e saj, sulltani ngarkoi qeveritarët e sanxhakëve të Elbasanit e të Shkodrës. Në pamundësi për t’i rezistuar forcave osmane, kryengritësit pranuan të nënshtroheshin. Qeveritarët morën si peng 10 nga ata më me ndikim, por kur ata u larguan nga krahina e Matit, kryengritja filloi përsëri. Popullsia e Matit, nën drejtimin e Hal Bajramit, refuzoi të shlyente detyrimet, ktheu mbrapa të ngarkuarit për marrjen e tyre dhe liroi pengjet. Pushteti qendror i nisi prapë qeveritarët, që me forca të shumta do ta shtypnin kryengritjen.
Në fillimvitin 1739 u hodh në kryengritje popullsia e krahinave të Kurveleshit, Margëllëçit dhe të Ajdonatit, që nuk donte ta paguante xhizjen. Qeveria osmane, për shtypjen e saj, ngarkoi qeveritarin e Sanxhakut të Delvinës, që u ndihmua nga bejlerët e Delvinës.
Në vitin 1744, fshatarësia e Peqinit, kundërshtoi me armë pagimin e taksës ndihmë në kohë lufte. Meqë përpjekjet e valiut të Rumelisë, për shtypjen e saj dështuan, ky pranoi të mbledh vetëm shumën që i ofruan kryengritësit, kurse pjesa tjetër do të shënohej në listën e të prapambeturave.
Dy vjet më vonë, krahinat e Beratit e të Mallakastrës u përfshinë në kryengritje, popullsia e të cilave nuk pranoi të paguante taksën ndihmë në kohë lufte. Kryengritja u zgjerua sa valiu i Rumelisë u detyrua të vinte në krye të fushatës ndëshkimore ndaj atyre që kishin ngritur krye dhe për të mbledhur taksat, duke e shtypur edhe këtë kryengritje.
Në përgjithësi, kryengritjet e viteve 1718-1750 treguan se kjo nuk ishte një periudhë e qetë për qëndresën e fshatarësisë shqiptare. Ato e shtynë periudhën kohore të përfundimit të qëndresës deri në mesin e shekullit të XVIII. Atëherë dolën në skenë pashallëqet shqiptare, si formacione shtetërore autonome. Që nga kjo kohë, kryengritjet e fshatarësisë shqiptare, morën disa tipare të reja.
Qëndresa e fshatarësisë pati pothuajse shkaqe të njëjta gjatë gjithë periudhës nga fillimi i shekullit të XVI, deri në mesin e shekullit të XVIII. Gjatë kryengritjeve të shekujve të XVI-XVII, forca kryesore lëvizëse ishte fshatarësia raja dhe ajo e krahinave të vetëqeverisura, kurse në shekullin e XVIII, shtohen edhe feudalët dhe disa klerikë të lartë të krishterë. Në qëndresën e shekullit të XVIII, morën pjesë edhe fisnikë të mëdhenj shqiptarë, për shkak të rivalitetit në sipërmarrjen e detyrimeve ose pse kishin hyrë në rrugën e shkëputjes nga klasa feudale osmane. Krahas të krishterëve, në kryengritje merrnin pjesë edhe myslimanët, si nxënës të medreseve (softë), muezinë, haxhinj, shejhlerë, deri dhe dijetarët islamë (ulema). Në raste të veçanta kryengritjet morën ngjyrë fetare, ndonëse shteti gjithnjë përpiqej t’i trajtonte kryengritësit si armiq të fesë e pastaj të shtetit.
Tiparet çlirimtare të kryengritjeve ishin të mpleksura me ato shoqërore. Në varësi të kushteve historike, të forcës dhe shkallës së organizimit të tyre, ato herë merrnin veçori më tepër çlirimtare, e herë veçori shoqërore. Sidomos, kur kryengritësit bashkëpunonin me shtetet evropiane, shtrohej si synim flakja e zgjedhës së huaj, duke nxjerr në plan të parë tiparin çlirimtar. Në përgjithësi, kryengritjet e kësaj periudhe dështuan dhe nuk arritën ti përmbushnin synimet e tyre.
Shiko edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Shqipëria Osmane
- Sanxhaku i Arbërit
- Kryengritja Arbërore (1432-1436)
- Kryengritja e Himarës (1472)
- Kryengritja Arbërore (1432-1436)
- Kryengritjet shqiptare në vitet 1680
- Kryengritjet shqiptare të shekullit të XVI
- Kuvendi i Matit
- Kuvendi i Dukagjinit
- Kuvendet ballkanike
- Kuvendi Kishtar i Arbërit
- Kuvendi i Kuçit
- Kryengritja e Bogdanit
- Pirateria shqipëtare
- Shkolla dhe arsimi në tokat shqiptare (shek. XVI-XVII)
- Gjergj Basta
- Gjon Renësi
- Mark Gjini
- Nikollë Mekajshi
- Tomë Plezha
- Luftërat osmane në Evropë
- Luftërat turko-veneciane
- Lufta Osmano-Venedikase (1570-1573)
- Frankokracia
- Shteti i Detit
- Lufta e Madhe Turke
- Perandoria Osmane në shek. XVII-XVIII
- Kryengritja antiosmane e vitit 1689 në vilajetin e Rumelisë
- Andrea Manesi
- Gjin Gjergji
- Gjergj Vladanji
- Nikollë Bardhi
- Nora e Kelmendit
- Perandoria Osmane në gjysmën e parë shek. XVIII-XIX
- Perandoria Osmane në gjysmën e dytë të shekullit XVIII-XIX
- Historia e luftërave Ruso-Turke
- Lufta e Krimesë
- Lufta Ruso-Turke (1877-1878)
- Armada Spanjolle
- Lufta Tetëdhjetë Vjeçare
- Lufta Tridhjetëvjeçare
- Lufta e Madhe Veriore
- Pashallëqet shqiptare
- Rilindja Kombëtare Shqiptare
- Kriza Lindore dhe Shqipëria
- Kriza lindore dhe lëvizja shqiptare
- Shqipëria në fillim të Krizës Lindore (1875-1876)
- Kriza Lindore
- Shkaqet për shpërthimin e Krizës Lindore
- Perandoria Osmane në shek. XIX-XX
- Traktati i Shën Stefanit
- Kongresi i Berlinit
- Traktati i Berlinit (1878)
- Konferenca e Berlinit
- Konferenca e Stambollit
- Lidhja e Prizrenit
- Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë
- Konferenca e Londrës (1912–1913)
- Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë
- Shpërbërja e Perandorisë Osmane
- Sanxhaku
- Sanxhakbeu
- Kuçi (Mali i Zi)
- Piperët
- Xhizja
- Spahiu
- Nahije
- Timari
- Timarliu
- Lale Drekali
- Kazaja
- Raja
- Çifliku
- Çifçiu
- Kaçakët
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ Injac Zamputi (1965). "Randësia ndërkombëtare e kuvendeve shqiptare në kalimin prej shekullit të XVI-të në të XVII-tin". Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike: Tiranë, 15-21 nëndor 1962. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. fq. 498–505.
- ↑ Selami Pulaha (2002). "Kreu II: Zhvillimi Politik i Tokave Shqiptare. Kryengritjet e Armatosura (Shek. XVI – Mesi i Shek. XVIII)". përmbledhur nga Petrika Thëngjilli (red.). Historia e Popullit Shqiptar. Vëll. Pjesa e Tretë: Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – vitet 20 të shek. XIX. Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë. fq. 565–569. ISBN 99927-1-622-3. Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016.
- ↑ Robert Elsie (2015). The Tribes of Albania: History, Society and Culture (në anglisht). I. B. Tauris. fq. 27–28. ISBN 978-085773932-2.[lidhje e vdekur]
- ↑ Injac Zamputi (1961). Përpjekjet e shqiptarëve për liri në dy shekujt e parë të sundimit otoman. N.Sh.B. Naim Frashëri.
- ↑ Luan Tetaj (nëntor 2017). "The convention of Dukagjini of 1602" (PDF). Academic Journal of Business, Administration, Law and Social Siences (në anglisht). 3 (3): 217–223. ISSN 2410-3918.
- ↑ Injac Zamputi (1957). "Bashkimi i Maleve Shqiptare në fillim të shekullit XVII". Buletini i Shkencave Shoqërore. 10 (1). Universiteti Shtetëror i Tiranës: 62–85.
- ↑ Selami Pulaha (1975). "Mbi gjallërimin e lidhjeve farefisnore dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e Veriut në shek. XVI-XVII". Studime historike. 12 (2). Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë - Tiranë: 121–145.
- ↑ Kristo Frashëri (1964). The history of Albania: A Brief Survey (në anglisht). fq. 94–95.
- ↑ Robert Elsie (2015). The Tribes of Albania: History, Society and Culture (në anglisht). I. B. Tauris. fq. 28–29. ISBN 978-085773932-2.
- ↑ Gligor Stajonević; Milan Vasić (1975). Istorija Crne Gore (3): od početka XVI do kraja XVIII vijeka (në serbisht). Titograd: Redakcija za istoriju Crne Gore. fq. 97–98. OCLC 799489791.
- ↑ Injac Zamputi (1963). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shekullin XVII. Vëll. 1. 1610-1634. Universiteti Shtetëror i Tiranës. OCLC 1508078734.
- ↑ Actes du premier Congrès international des études balkaniques et sud-est européens: Histoire (Ve – XVe ss.; XVe – XVIIe ss.) (në frëngjisht). Association internationale d'études du Sud-Est européen. Editions de l'Académie Bulgare des Sciences. 1967. fq. 867.
{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Është përdorur gabimisht parametri i të tjerëve (lidhja) - ↑ Injac Zamputi (1989). Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë. Vëll. 1. Instituti i Historisë - Tiranë; Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 8–10.
- ↑ "8 shtator 1614, në Kuvendin e Kuçit, mblidhen nga gjithë Ballkani krerët e lëvizjeve antiosmane". Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. 8 shtator 2021. Arkivuar nga origjinali më 8 shtator 2022.
- ↑ Peter Bartl (1974). "Der Westbalkan zwischen spanischer Monarchie und osmanischen Reich: zur Türkenkriegsproblematik an der Wende vom 16. zum 17 Jahrhundert". Albanische Forschungen (në gjermanisht) (14). O. Harrassowitz: 188–190. ISBN 978-344701553-0.
- ↑ Aleks Buda; Injac Zamputi (1965). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shekullin XVII. Vëll. 2. 1634-1650. Universiteti Shtetëror i Tiranës. OCLC 947824240.
- ↑ Bashkim Iseni (2008). La question nationale en Europe du Sud-este: Genèse, émergence et développement de l’identité nationale albanaise au Kosovo et en Macédoine (në frëngjisht). Peter Lang. ISBN 978-3-03911-320-0. OCLC 269329200.
- ↑ Peter R. Prifti (2005). Unfinished Portrait of a Country (në anglisht). East European Monographs. ISBN 978-088033558-4.
- ↑ Noel Malcolm (1998). Kosovo – A Short History (në anglisht). Macmillan. fq. 139–162. ISBN 978-033366612-8.
- ↑ Yll Rugova (2024). "Dokumente e materiale: Letra dhe relacione nga fushata habsburgase e vitit 1689". Studime Historike. 61 (1): 217–241. doi:10.61773/1ANA2798.
- 1 2 3 4 Noel Malcolm (2020). "7. The 'Great Migration' of the Serbs from Kosovo (1690): History, Myth and Ideology". Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians (në anglisht). Oxford University Press. fq. 128–148. ISBN 978-0-19-885729-7.
- ↑ Robert Elsie (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Rowman & Littlefield. fq. 54-56. ISBN 978-081086188-6.
- ↑ Tim Judah (2000) [1997]. "3. It Is Better to Die in Battle Than to Live in Shame". The Serbs: History, Myth and the Destruction of Yugoslavia (në anglisht). Yale University Press. fq. 29–47. ISBN 978-030008507-5.
- ↑ Selami Pulaha (2002). "Kreu II: Zhvillimi Politik i Tokave Shqiptare. Kryengritjet e Armatosura (Shek. XVI – Mesi i Shek. XVIII)". përmbledhur nga Petrika Thëngjilli (red.). Historia e Popullit Shqiptar. Vëll. Pjesa e Tretë: Shqipëria nën Perandorinë Osmane gjatë shek. XVI – vitet 20 të shek. XIX. Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Historisë. fq. 560–586. ISBN 99927-1-622-3. Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016.
- 1 2 3 4 5 6 7 Pëllumb Xhufi (2014). "Turq që luftojnë kundër turqve..." Revista Studime Historike (në shqip dhe anglisht). 63 (3–4): 31–44.
Bibliografia
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Actes du premier Congrès international des études balkaniques et sud-est européens: Histoire (Ve – XVe ss.; XVe – XVIIe ss.) (në frëngjisht). Association internationale d'études du Sud-Est européen. Editions de l'Académie Bulgare des Sciences. 1967.
{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Është përdorur gabimisht parametri i të tjerëve (lidhja) - Peter Bartl (1974). "Der Westbalkan zwischen spanischer Monarchie und osmanischen Reich: zur Türkenkriegsproblematik an der Wende vom 16. zum 17 Jahrhundert". Albanische Forschungen (në gjermanisht) (14). O. Harrassowitz. ISBN 978-344701553-0.
- Aleks Buda; Injac Zamputi (1965). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shekullin XVII. Vëll. 2. 1634-1650. Universiteti Shtetëror i Tiranës. OCLC 947824240.
- Robert Elsie (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Rowman & Littlefield. ISBN 978-081086188-6.
- Robert Elsie (2015). The Tribes of Albania: History, Society and Culture (në anglisht). I. B. Tauris. ISBN 978-085773932-2.
- Kristo Frashëri (1964). The history of Albania: A Brief Survey (në anglisht).
- Bashkim Iseni (2008). La question nationale en Europe du Sud-este: Genèse, émergence et développement de l’identité nationale albanaise au Kosovo et en Macédoine (në frëngjisht). Peter Lang. ISBN 978-3-03911-320-0. OCLC 269329200.
- Tim Judah (2000) [1997]. "3. It Is Better to Die in Battle Than to Live in Shame". The Serbs: History, Myth and the Destruction of Yugoslavia (në anglisht). Yale University Press. fq. 29–47. ISBN 978-030008507-5.
- Noel Malcolm (1998). Kosovo – A Short History (në anglisht). Macmillan. ISBN 978-033366612-8.
- Noel Malcolm (2020). "7. The 'Great Migration' of the Serbs from Kosovo (1690): History, Myth and Ideology". Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians (në anglisht). Oxford University Press. fq. 128–148. ISBN 978-0-19-885729-7.
- Peter R. Prifti (2005). Unfinished Portrait of a Country (në anglisht). East European Monographs. ISBN 978-088033558-4.
- Selami Pulaha (1975). "Mbi gjallërimin e lidhjeve farefisnore dhe krijimin e fiseve në Shqipërinë e Veriut në shek. XVI-XVII". Studime historike. 12 (2). Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë - Tiranë: 121–145.
- Yll Rugova (2024). "Dokumente e materiale: Letra dhe relacione nga fushata habsburgase e vitit 1689". Studime Historike. 61 (1): 217–241. doi:10.61773/1ANA2798.
- Gligor Stajonević; Milan Vasić (1975). Istorija Crne Gore (3): od početka XVI do kraja XVIII vijeka (në serbisht). Titograd: Redakcija za istoriju Crne Gore. OCLC 799489791.
- Luan Tetaj (nëntor 2017). "The convention of Dukagjini of 1602" (PDF). Academic Journal of Business, Administration, Law and Social Siences (në anglisht). 3 (3): 217–223. ISSN 2410-3918.
- Injac Zamputi (1957). "Bashkimi i Maleve Shqiptare në fillim të shekullit XVII". Buletini i Shkencave Shoqërore. 10 (1). Universiteti Shtetëror i Tiranës: 62–85.
- Injac Zamputi (1961). Përpjekjet e shqiptarëve për liri në dy shekujt e parë të sundimit otoman. N.Sh.B. Naim Frashëri.
- Injac Zamputi (1965). "Randësia ndërkombëtare e kuvendeve shqiptare në kalimin prej shekullit të XVI-të në të XVII-tin". Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike: Tiranë, 15-21 nëndor 1962. Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. fq. 498–505.
- Injac Zamputi (1963). Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shekullin XVII. Vëll. 1. 1610-1634. Universiteti Shtetëror i Tiranës. OCLC 1508078734.
- Injac Zamputi (1989). Dokumente të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë. Vëll. 1. Instituti i Historisë - Tiranë; Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
- Pëllumb Xhufi (2014). "Turq që luftojnë kundër turqve..." Revista Studime Historike (në shqip dhe anglisht). 63 (3–4): 31–44.
Lidhjet jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- "I madhi Pjeter Bogdani – Pjetër Bogdani (1665-1689)". Arkivuar nga origjinali më 3 korrik 2008. Marrë më 10 korrik 2025.
- "Kryengritja shqiptare antiosmane e vitit 1689". Arkivuar nga origjinali më 3 korrik 2008. Marrë më 10 korrik 2025.
- Vetitë CS1: Vlerë e madhe vëllimi
- Mirëmbajtja CS1: Është përdorur gabimisht parametri i të tjerëve
- Artikuj që përmbajnë tekst në gjuhë gjermanisht-cituar haptazi
- Pages using div col with small parameter
- Historia e Ballkanit
- Historia e Perandorisë Osmane
- Historia e Evropës
- Historia e Shqipërisë
- Rebelime në Ballkan
- Rebelime shqiptare
- Shqipëria nën Perandorinë Osmane
- Kryengritës shqiptarë të Perandorisë Osmane
- Çështja shqiptare
- Periudha e hershme moderne
- Shekulli XVII në Shqipëri
- Shekulli XVII në Ballkan
- Shekulli XVII në Evropë
- Shekulli XVII në Perandorinë Osmane
- Shekulli XVIII në Shqipëri
- Shekulli XVIII në Ballkan
- Shekulli XVIII në Evropë
- Shekulli XVIII në Perandorinë Osmane