Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

ORIGJINA DHE HISTORIA E LËVIZJES SË KRYQIT TË KUQ DHE GJYSMËHËNËS SË KUQE[redakto | redakto tekstin burimor]

Kryqi i Kuq u krijua për të ndihmuar njerëzit në nevojë në fushën e betejës. Henry Dunant, themeluesi i Lëvizjes së Kryqit të Kuq, ishte nje biznesmen nga Gjeneva që u bë rastësisht dëshmitar i betejës së Solferinos në Itali më 1859 dhe u trondit thellë kur pa shumë ushtarë të plagosur të braktisur në fatin e tyre. Shumë prej tyre mund të shpëtonin prej vdekjes po t'u jepej ndihmë, por personeli sanitar që dispononin ushtritë në atë kohë, ishte shumë më i vogël se ç'nevojitej. Numri i viktimave të betejës së Solferinos arrinte në 40.000 vetë. Pas kthimit në Gjenevë ai shkruan një libër "Një kujtim nga Solferino" ku bën dy propozime që shënojnë në të njëjtën kohë edhe lindjen e idesë së Kryqit të Kuq. Propozimi i parë që bëri Henry Dunant, ishte krijimi në çdo vend i një shoqate e cila do të formonte që në kohë paqeje, vullnetarë për të ndihmuar personelin mjekësor të forcave të armatosura në rast se do të shpërthente lufta. Dhe duke qenë se të formosh këta vullnetarë në dhënien e ndihmës nuk mjafton, por duhet gjithashtu që ata të jenë pranë të plagosurve në fushën e betejës, ai bëri propozimin e dytë sipas të cilit shtetet të nxirrnin rregulla të zbatueshme në të gjitha konfliktet e armatosura ndërkombëtare, të cilat do të siguronin ndihmë dhe mbrojtje për luftëtarët e plagosur dhe do të mbronin personat e ngarkuar për t'u kujdesur për ta.

Sot, 185 vende kanë një Shoqatë Kombëtare të Kryqit të Kuq apo të Gjysmëhënës së Kuqe të cilat janë njohur nga Asambleja e Lëvizjes dhe me miliona vullnetarë janë formuar prej tyre në dhënien e ndihmës. Ndërsa që nga marrëveshja e parë që bënë shtetet më 1864 që ishte një traktat që përmblidhte rregullat për të cilat shkruante Dunanti dhe që u bë i njohur nën emrin Konventa e Parë e Gjenevës, sot ekzistojnë një mori marrëveshjesh në këtë fushë që formojnë të ashtuquajturën të Drejtë Ndërkombëtare Humanitare. Shumë i rëndësishëm është në këtë kuadër identifikimi me lehtësi i personave që japin dhe marrin ndihmë në kohë lufte me qëllim që të mbrohen prej palëve në konflikt. Për këtë arsye u vendos që të përdorej e njëjta shenjë mbrojtëse dhe identifikuese: një kryq i kuq mbi një fushë të bardhë. Prej kësaj embleme morën më vonë edhe emrin shoqatat e ndihmës, ato u quajtën shoqata të Kryqit të Kuq. Vëndet e botës arabe dhe të besimit mysliman e zëvendësuan me një simbol tjetër: një Gjysmëhënë të Kuqe në një fushë të bardhë. Këto dy simbole kanë sot të njëjtin qëllim dhe të njëjtën vlerë. Ato shpalosin që të dyja neutralitetin dhe paanësinë, parime të domosdoshme për të siguruar besimin e të gjithë luftëtarëve dhe të të gjithë viktimave dhe për t'u lejuar mbajtësve të tyre të identifikohen dhe të ndihmojnë viktimat në vendin ku ato janë goditur.

Në rrjedhën e viteve, Konventa I e Gjenevës u zgjerua për t'iu përshtatur nevojave në ndryshim të luftës moderne. U nënshkruan njëra pas tjetrës tre Konventa të tjera, të cilat bëjnë fjalë për viktima të tjera të ndryshme nga të plagosurit në fushën e betejës, siç janë të mbyturit në det, robërit e luftës dhe popullsia civile. Këto katër Konventa, të rishikuara më 1949 dhe të nënshkruara deri në fund të vitit 1992 nga 185 vende, janë quajtur katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949.

Më 1977 u miratuan Protokollet shtesë për të plotësuar katër Konventat e Gjenevës duke u dhënë kështu një mbrojtje më të gjërë viktimave të konflikteve, si atyre ndërkombëtare ashtu dhe atyre lokale. Thelbi i konventave dhe protokolleve shtesë të Gjenevës është mbrojtja e dinjitetit të njeriut, dinjitet që duhet të respektohet në çdo kohë. Kjo duhet bërë pa asnjë lloj diskriminimi, për të zbutur vuajtjet e atyre të cilët nuk marrin pjesë direkt në konflikt apo që kanë dalë jashtë luftimit për arsye sëmundje, plagosje ose burgosje. Që nga akti i realizuar më 1859, në fushën e betejës së Solferinos në të cilën i'u dha ndihmë qënies njerëzore që vuan pa dallim kombësie, vepra e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe është zhvilluar gjatë viteve duke përfshirë veprimtari të shumta shpesh të krijuara nga një përvojë e gjatë, nganjëherë të improvizuar me ngut në terrene nga më të ndryshmet, por gjithmonë të mbështetura në disa vlera humanitare. Këto vlera shprehen në mënyrë të përmbledhur në shtatë parimet themelore të Lëvizjes të cilat janë baza e veprimtarisë së shoqatave të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në çdo kohë. Këto parime janë: Humanizmi, Paanësia, Neutraliteti, Pavarësia, Vullnetarizmi, Uniteti dhe Universaliteti.

HISTORIKU I KRYQIT TË KUQ SHQIPTAR[redakto | redakto tekstin burimor]

Shih Historiku i Kryqit të Kuq Shqiptar

PARIMET THEMELORE TË LËVIZJES[redakto | redakto tekstin burimor]

Humanizmi E lindur nga dëshira për t'u ardhur në ndihmë pa dallim të plagosurve në fushat e betejës, Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, në rrafshin ndërkombëtar dhe kombëtar, përpiqet në çdo rrethanë të parandalojë dhe të lehtësojë vuajtjet e njerëzve. Ajo synon mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të njeriut si dhe respektimin e tij. Përkrah mirëkuptimin e ndërsjelltë, miqësinë, bashkëpunimin dhe një paqe të qëndrueshme midis të gjithë popujve.

Paanësia Lëvizja nuk bën asnjë dallim për arsye kombësie, race, feje, gjëndje shoqërore apo përkatësie politike. Punon vetëm për t'u ardhur në ndihmë njerëzve në vuajtjet që kanë dhe për t'u dhënë zgjidhje me përparësi nevojave më urgjente.

Neutraliteti Me qëllim që të ketë gjithnjë besimin e të gjithëve, Lëvizja i shmanget pjesëmarrjes në çfarëdo polemike me karakter politik, racial, fetar apo ideologjik.

Pavarësia Lëvizja është e pavarur. Duke qenë ndihmëse e pushteteve publike në veprimtaritë e tyre humanitare dhe duke iu nënshtruar ligjeve të vendeve përkatëse, Shoqatat Kombëtare duhet megjithatë të ruajnë një autonomi që u lejon të veprojnë gjithnjë sipas parimeve të Lëvizjes.

Vullnetarizmi Ajo është një lëvizje që jep ndihmë vullnetare dhe pa interes

Uniteti Nuk mund të ketë veçse një Shoqatë të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe në të njëjtin vend. Ajo duhet të jetë e hapur për të gjithë dhe të shtrijë veprimin e saj humanitar në tërë territorin.

Universaliteti Lëvizja Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe në gjirin e së cilës të gjitha Shoqatat kanë të drejta të barabarta dhe detyrën të ndihmojnë njëra-tjetrën, është e përbotshme.

STRUKTURAT E LËVIZJES NDËRKOMBËTARE TË KRYQIT TË KUQ DHE GJYSMËHËNËS SË KUQE[redakto | redakto tekstin burimor]

Një Lëvizje Ndërkombëtare

Strukturat e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Kryqi i Kuq Shqiptar është pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit te Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, organizatës më të madhe humanitare botërore.

Përbërësit e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Lëvizja është e formuar nga tri përbërës, që janë:

- 185 Shoqata Kombëtare - Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq - Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit te Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Shoqatat Kombëtare të Kryqit të Kuq dhe të Gjysmëhënës së Kuqe.

Sot pothuajse në të gjitha vendet ekziston një shoqatë e Kryqit të Kuq apo e Gjysmëhënës së Kuqe. Këto Shoqata janë të hapura për të gjithë dhe shërbimet e tyre i përgjigjen vetem një kriteri, atij të nevojës.

Për t'u njohur nga KNKK e për t'u pranuar në gjirin e Federatës, ato duhet të përmbushin disa kushte. Ato njëkohësisht duhet të zbatojnë shtatë parimet e Kryqit të Kuq, midis të cilëve ato të neutralitetit, humanizmit , paanësisë dhe vullnetarizmit janë të një rëndësie të vecantë. Ato duhet njëkohësisht të njihen nga vetë qeveritë e tyre si shoqata vullnetare ndihmëse të Pushtetit Publik.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK)

KNKK është një institucion privat humanitar i pavarur. Ai vepron si ndërmjetës neutral në çështjet humanitare gjatë konflikteve ndërkombëtare, ose në konfliktet e armatosura apo trazirat e brendshme.

Ai siguron mbrojtje dhe ndihmë si për viktimat e konflikteve, për robërit e luftës dhe të internuarit civilë, për të plagosurit dhe anijembyturit e luftës ashtu dhe për civilët që ndodhen në territorin armik apo të pushtuar nga armiku. Përfaqësuesit e KNKK vizitojnë në burgje gjithashtu edhe të dënuarit politikë. Roli i KNKK në kohë konflikti është përcaktuar në katër Konventat e Gjenevës dhe në Protokollet shtesë. Promotor dhe mbrojtës i këtyre traktateve ndërkombëtare, Komiteti ndihmon në zhvillimin dhe njohjen e tyre në botë. Financimi: Kontributet vullnetare të qeverive , të Shoqatave Kombëtare dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare ose dhe donacione të njerëzve të veçantë.

Misioni KNKK rrjedh nga nevoja themelore njerëzore, e përbashkët për të gjitha qytetërimet, për të vendosur rregulla të cilat do të kontrollojnë përdorimin e forcës dhe do ta ruajnë dinjitetin e të pafuqishmëve.

Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe

Përbëhet nga gjithë Shoqatat e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe të njohura. Sekretariati i saj ndodhet në Gjenevë. Federata koordinon ndihmën ndërkombëtare që sigurohet nga Shoqatat Kombëtare për viktimat e fatkeqësive natyrore dhe për refugjatët e zhvendosur jashtë zonave të konfliktit. Ajo gjithashtu ndihmon Shoqatat e Kryqit te Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe për zhvillimin e kapaciteteve të tyre, duke i ndihmuar ato në planifikimin dhe ndërhyrjen në rast dizastre, zbatimin dhe menaxhimin e projekteve në shërbim të njerëzve në nevojë në komunitetet e tyre lokale.

STRATEGJIA E KRYQIT TË KUQ SHQIPTAR 2005 – 2010[redakto | redakto tekstin burimor]

VIZIONI[redakto | redakto tekstin burimor]

Kryqi i Kuq Shqiptar synon të jetë një shoqatë humanitare e zhvilluar që punon për përmirësimin e jetës hde të dinjitetit të njerëzve në nevojë, në përputhje me Parimet Themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

MISIONI[redakto | redakto tekstin burimor]

Kryqi i Kuq Shqiptar, ndihmon, njerëzit në nevojë duke mobilizuar forcën e humanizmit të shoqërisë, nëpërmjet veprimtarisë së vet humanitare.

QËLLIME[redakto | redakto tekstin burimor]

Qëllimi 1: Të përhapen më tej njohuritë rreth misionit dhe veprimtarive të Kryqit të Kuq dhe të promovohen vlerat humanitare dhe Parimet themelore të Lëvizjes ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Qëllimi 2: Të rriten dhe të përsosen kapacitetet e shoqatës për një ndërhyrje sa më efektive në raste katastrofash.

Qëllimi 3 : Të kontribuohet në forcimin e shëndetiti të popullatës.

Qëllimi 4 : Të kontribuohet për plotësimin e disa prej nevojave bazë të njerëzve në nevojë dhe për përmirësimin e gjedjes së tyre sociale.

Qëllimi 5: Të zhvillon më tej elementët e një shoqatë që funksionon mirë.

Qëllimi 6: Të rritet qëndrueshmëria financiare e shoqatës, duke u bazuar në burimet e brendshme.

POLITIKA E MENAXHIMIT TË VULLETARËVE[redakto | redakto tekstin burimor]

POLITIKA E MIRATUAR NË ASAMBLENË V TË PËRGJITHËSHME MBI MENAXHIMIN E VULLNETARËVE

Kryqi i Kuq Shqiptar e përmbush misionin e tij duke u mbështetur në ndihmën vullnetare që ofrojnë anëtarët e shoqatës. Për këtë arsye ai e konsideron vullnetarizmin si bazën e gjithe veprimtarisë së vet humanitare. Vullnetarizmi është një nga shtatë parimet themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe Kryqit të Kuq Shqiptar si pjesë përbërëse e saj.

Në përputhje me të, KKSH:

• Promovon vullnetarizmin si rrugë që nxit dhe mobilizon solidaritetin njerëzor me qëllim lehtësimin e njerëzve në nevojë.

• Promovon vullnetarizmin si mënyrë për të mbështetur emancipimin e shoqërisë civile.

• Konsideron vullnetar çdo person i cili i nisur nga dëshira e mirë e tij, kryen punë vullnetare për të kontribuar në përmirësimin e jetës së njerëzve në nevojë pa përfitim material apo financiar duke respektuar parimet themelore të Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjkyëmëhënës së Kuqe.

• Njeh dhe vlerëson vullnetarizmin si mënyrë për krijimin e një rrjeti të gatshëm që vepron në raste katastrofash.

• Rekruton vullnetarë në përputhje me Statutin e Shoqatës.

• Siguron trajnimin e përshtatshëm për të aftësuar vullnetarët në realizimin sa më profesional të detyrave që kanë marrë përsipër.

• Krijon kushte për vullnetarët që të njohin dhe të kuptojnë vullnetarizmin brenda kuadrit të Kryqit të Kuq si dhe siguron zbatimin e tërësisë së politikave dhe udhëzimeve të shoqatës për vullnetarët.

• Siguron një mjedis pune të sigurtë dhe mbështetës për vullnetarët me qëllim që t'u përgjigjet në mënyrë të përshtatshme dhe të arsyeshme nevojave të tyre.

QËLLIMI/OBJEKTIVAT E PROGRAMIT TË MENAXHIMIT TË VULLNETARËVE[redakto | redakto tekstin burimor]

QËLLIMI

Tw zhvillohen më tej elementët e një shoqate që funksionon mire.

OBJEKTIVAT

• Të sigurohet një përfshirje active e të rinjve në veprimtaritë dhe në vendimmarrjen e KKSH • Të përmirësohen treguesit, standartet dhe humanizmi në sistemin e Menaxhimit të Vullnetarëve • Të promovohet vullnetarizmi

PËRKUFIZIMI I VULLNETARIT[redakto | redakto tekstin burimor]

Vullnetar i KKSH është ai person i cili nisur nga dëshira e lirë e tij kryen punë vullnetare për të kontribuar në përmirësimin e jetës së personave në nevojë.

Çdo punë e vullnetarit është pa përfitim material apo financiar dhe kryhet duke respektuar Parimet bazë të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënes së Kuqe.

TË DREJTAT DHE PËRGJEGJËSITË[redakto | redakto tekstin burimor]

VULLNETARI[redakto | redakto tekstin burimor]

TË DREJTAT[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Të ketë mundësi për të dhënë mendim dhe të ndikojë në ndryshime.
  • Ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitetet e Kryqit të Kuq për të cilat ka aftësinë dhe trajnimin e nevojshëm.
  • Të marrë pjesë në hartimin, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të ndryshme.
  • Të njihet dhe të vlerësohet puna e tij.
  • Të marrë orientimin e përshtatshëm, trajnimin e nevojshem
  • Të marrë supervizimin dhe vlerësimin e duhur për punën e tij.
  • Të rimbursohet për shpenzimet e tij të kryera në aktivitete të Kryqit të Kuq të miratuara më parë.

PËRGJEGJËSITË[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Të ruaj imazhin e Kryqit të Kuq Shqiptar.
  • Të njohë dhe të zbatojë Parimet e Kryqit të Kuq.
  • Të respektojë përshkrimin e pozicionit të vullnetarit.
  • Të ruaj konfidencialitetin e aktivitetit.
  • Të informojë për punën që kryen.
  • Të respektojë kodin etik të shoqatës.
  • Të informojë në kohën e duhur në rast dorëheqjeje.

KRYQI I KUQ SHQIPTAR[redakto | redakto tekstin burimor]

TË DREJTAT[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Të presë bashkëpunim dhe angazhim nga vullnetarët.
  • Të përcaktojë dhe të vendosë cilat janë detyrat e përshtatshme për secilin vullnetar.
  • Të përcaktojë një kod etik që duhet të ndjekin vullnetarët.
  • Të përcaktojë përshtatshmërinë e vullnetarëve në raport me detyrën që duhet të kryejënë.
  • Të largojë një vullnetar i cili nuk vepron sipas dokumentave bazë të Kryqit të Kuq (statutit, politikave, rregullores, kodit etik).

PËRGJEGJËSITË[redakto | redakto tekstin burimor]

  • Të rrisë nivelin e njohurive të vullnetarit nëpërmjet trajnimit, duke siguruar mundësinë e përmirësimit të performancës së tij .
  • T'u japë vullnetarëve mbështetjen, udhëzimin e duhur dhe t'i vlerësojë ata.
  • Të japë letra rekomandimi ose referenca personale kur kjo gjë është e përshtatshme dhe kur kërkohet për punëdhënësit e ardhshëm apo për edukimin e mëtejshëm.

Të tregojë kujdes të veçantë për sigurinë e vullnetarëve gjatë ushtrimit të aktivitetit.

  • Të informojë vullnetarët për mundësitë që ofron Kryqi i Kuq.
  • Të rimbursojë vullnetarët për shpenzimet që ata kryejnë në aktivitete të Kryqit të Kuq Shqiptar të miratuara më parë.
  • Të regjistrojë në mënyrë të përshtatshme të dhëna rreth përfshirjes së vullnetarëve në aktivitete të Kryqit të Kuq Shqiptar.

VULLNETARË NË KRYQIN E KUQ SHQIPTAR[redakto | redakto tekstin burimor]

Kryqi i Kuq Shqiptar synon të përfshijë sa më shumë të jetë e mundur anetarët e komunitetit dhe sidomos të rinjtë në aktivitetet humanitare të Shoqatës, jo vetëm si përfitues por edhe si partnerë në organizimin e aktiviteteve.

Në nivel lokal vullnetarët luajnë një rol kryesor në ndërmarrjen e nismave në ndihmë të njerëzve në nevojë . Të organizuar në grupe dhe nën drejtimin e një lideri ata janë të angazhuar në zbatimin e detyrave të vecanta. Kjo detyrë mund të jetë:

  1. Dhënia e ndihmës së parë në stadiume, komplekse sportive apo grumbullime publike.
  2. Shpërndarje ndihmash humanitare në raste katastrofash.
  3. Përgatitje në raste dizastre.
  4. Aktivitete me fëmijët e institucioneve sociale.
  5. Vizita tek të moshuarit e vetmuar.
  6. Fushata të ndryshme ndërgjegjësimi si : fushata për Mbledhje Fondesh, fushata për Ditën e Urisë, për Ditën Ndërkombëtare të Sida-s, fushata kundër Drogës, Alkolit dhe Duhanit etj.
  7. Aktivitete në fushën e edukimit shëndetësor si: higjena personale, higjena në komunitet etj.
  8. Aktivitete mbi peer-education ( të rinjtë për të rinjtë) në: fushën e vlerave humanitare, tolerancës, parandalimit të AIDS-it, etj.

Janë me qindra detyra dhe aktivitete të ndërmarra nga vullnetarë të Kryqit të Kuq në nivel lokal në të tërë vendin

Duke marrë në konsideratë situatën e të rinjve në vendin tonë Kryqi i Kuq Shqiptar i ka kushtuar një vemendje të veçantë punës me të rinjtë. Të rinjtë përbëjnë një pjesë shumë të rëndësishme të anëtarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar. Angazhimi i tyre në aktivitetet që synojnë të parandalojnë dhe lehtësojnë vuajtjen njerëzore është një detyrë me të cilën ata mund të identifikohen lehtësisht .

Janë këta njerez një faktor ndryshimi të cilët japin një kontribut të vlefshëm në plotësimin e nevojave të njerëzve vulnerabël në komunitetet e tyre lokale.

PSE DUHET TË JENI VULLNETARË NË KRYQIN E KUQ SHQIPTAR ?[redakto | redakto tekstin burimor]

SEPSE NË KËTË MËNYRË JU KENI MUNDËSINË:

• Të bëheni pjesëtarë të një Lëvizje humaniste mbarëbotërore dhe të një misioni humanitar universal.

• Të realizoni aspiratat tuaja të natyrshme kundrejt solidaritetit dhe humanizmit.

• Të kontribuoni kështu në ndryshimin e jetesës së njerëzve në nevojë dhe për një të ardhme më të mirë.

• Të keni kontakte me njerëz të ndryshëm dhe të jeni pjesë e një mjedisi shoqëror ku mund të gëzoni shoqërinë e të tjereve dhe të ndani eksperiencat.

• Të rrisni kapacitetet tuaja apo të zhvilloni aftësitë tuaja komunikuese nëpërmjet takimeve, trajnimeve dhe kurseve formuese që ne ofrojmë.

• Të siguroni një të ardhme më të mirë për veten tuaj dhe të arrini qëllimin tuaj personal për një vend pune më të mirë nëpërmjet aftësive dhe eksperiencës së punës që fitoni pranë KKSH, çertifikatave apo dëshmive të dhëna për pjesmarrjen tuaj në aktivitete dhe trajnime.

JU MUND TË SILLNI NDRYSHIMIN[redakto | redakto tekstin burimor]

Falë bujarisë së njerëzve, Kryqi i Kuq Shqiptar ndihmon në përmirësimin e jetës së atyre që ndodhen në kushte të vështira ekonomike dhe sociale në gjithë SHQIPËRINË.

Në qoftë se ju do të donit të jepnit ndihmesën tuaj, qoftë duke dhënë kontribut në donacione, qoftë duke u bërë anëtarë dhe vullnetarë të Kryqit të Kuq Shqiptar, lutemi të kontaktoni me Zyrën e Kryqit të Kuq në qytetin tuaj ose në zonën ku ju banoni.