Jump to content

Kushtetuta e Kaçanikut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Kushtetuta e Kaçanikut ishte një kushtetutë e Republikës së Parë të Kosovës, e miratuar më 7 shtator 1990 nga Kuvendi i Kosovës, e njohur sipas vendit të shpalljes së saj, në Kaçanik. [1]

Përmbledhje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kushtetuta e Kaçanikut përbënte hapin e dytë të akteve konstitutive kushtetuese dhe politike (pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut), me të cilat u përcaktuan bazat e shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Me këtë akt, në të vërtetë, shprehej avancimi i pozitës kushtetuese-politike të Kosovës nga njësia autonome në njësi të pavarur, në kuadër të bashkësisë së Jugosllavisë. Kushtetuta përbëhej nga pjesa hyrëse dhe pjesa normative. Në preambule theksoheshin shkaqet e miratimit të Kushtetutës dhe qëllimet e saj. Pjesa normative përbëhej nga 9 pjesë të shpërndara në gjithsej 140 nene. Në dispozitat e përgjithshme, Republika e Kosovës përkufizohej si "shtet demokratik i popullit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare të serbëve, myslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë. [2]

Kushtetuta e Kaçanikut e shihte Kosovën si "anëtare të bashkësisë së Jugosllavisë" dhe e shprehte orientimin e saj për barazi me njësitë e tjera federale të ish-Jugosllavisë. Në dispozitat e tjera të përgjithshme përcaktohej pozita e qytetarit, si bartës i pushtetit, organizimi shtetëror i Republikës së Kosovës dhe atributet e shtetësisë së saj. Si organe kryesore të Republikës së Kosovës përcaktoheshin: Kuvendi i Republikës, Kryesia e Republikës, Qeveria e Republikës, gjyqet dhe prokuroritë publike, Banka Popullore dhe Gjyqi Kushtetues i Kosovës. Me Amendamentin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të vitit 1991, institucioni i Kryesisë u zëvendësua me kryetarin e Republikës, si shef individual i shtetit. Lidhur me ndryshimin e Kushtetutës përcaktoheshin zgjidhjet e njëjta me ato që i parashihte Kushtetuta e KSA të Kosovës e vitit 1974. Megjithatë, kishte një përjashtim: mundësia e ndryshimit të Kushtetutës me referendum.[3]

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 924–925. ISBN 9789951615846. OCLC 1083870022.
  2. ^ https://kosovapress.com/%E2%80%8B32-vjet-nga-kushtetuta-e-kacanikut-osmani-me-te-nisi-krijimi-i-identitetit-shteteror-te-kosoves/
  3. ^ https://gazetablic.com/sot-behen-31-vjet-nga-kushtetuta-e-kacanikut/
Wikibooks:Category
Wikibooks:Category
Wikibooks ka më shumë informacione për ketë temë:

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]