Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës
Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës ishte autoriteti më i lartë brenda të drejtave dhe detyrave të bashkësisë socio-politike në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës, nga viti 1945 deri në vitin 1990.
Vështrim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Çështja e krijimit të një organi përfaqësues rajonal për Kosovën u ngrit qysh gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore (1941–1945), kur nën udhëheqjen e Lëvizjes Nacionalçlirimtare u hodhën hapat e parë drejt formimit të Komitetit Krahinor Nacionalçlirimtar. Pas pëprfundimit të luftës në vjeshtën e vitit 1944 dhe stabilizimit të gjendjes në fillim të vitit 1945, Komiteti Krahinor i Kosovës u shpreh në favor të krijimit të një krahine autonome. Vendimi u miratua në prill të vitit 1945 nga Kuvendi Antifashist i Çlirimit Popullor të Jugosllavisë, ndërsa më 8–10 korrik 1945 në Prizren u mbajt Kuvendi i parë Krahinor, i cili përcaktoi bazat e autonomisë krahinore. Ky status u ligjërua më 1 shtator 1945 me miratimin e Ligjit për ndarjen administrative të Serbisë dhe më 3 shtator me ligjin e veçantë për themelimin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Dukagjinit.
Me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1946 dhe atë të Serbisë të vitit 1947, organi më i lartë i krahinës mori emrin Komiteti Krahinor Popullor. Statuti i parë i Krahinës u miratua më 23 maj 1948 dhe hyri në fuqi më 30 tetor 1948, duke përcaktuar organizimin e Komitetit si organ përfaqësues. Ky rregullim u konfirmua me Statutin e ri të vitit 1953. Me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1963, krahina u ngrit në nivel province me emrin Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë, ndërsa organi më i lartë mori emrin Kuvendi i Krahinës Autonome. Statuti i parë i saj u miratua më 10 prill 1963.
Amendamentet kushtetuese të vitit 1968 ndryshuan emrin në Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, duke hequr termin “Dukagjin - Metohi” ndërsa një vit më vonë mratohet edhe Ligji Kushtetues i Kosovës. Me Kushtetutën e Jugosllavisë të vitit 1974, krahinës iu dha e drejta për Kushtetutën e vet, e cila zgjeronte kompetencat legjislative të Kuvendit (Kushtetuta e Kosovës (1974)). Amendamentet në Kushtetutën e Serbisë të vitit 1989 ndalën përpjekjet për shndërrimin e krahinës në njësi federale. Në korrik 1990, një grup delegatësh shpallën Deklaratën Kushtetuese për Republikën e Kosovës, gjë që u konsiderua shkelje e rendit kushtetues të RS Serbisë dhe RSF të Jugosllavisë. Kuvendi i Serbisë më 5 korrik 1990 miratoi ligjin për ndërprerjen e punës së Kuvendit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.
Pas përfundimit të luftës së vitit 1999 dhe vendosjes së administratës së UNMIK-ut, organizimi i pushtetit në Kosovë mori trajta të reja.