Laguna e Patokut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko

Gjatë bregut shqiptar të Adriatikut, Kompleksi Ligatinor i Patokut përfaqëson një nga bukuritë natyrore më interesante të këtij bregu. I ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishëm në Jug, ky kompleks përfshin një llojshmëri të lartë habitatesh : laguna e brendshme dhe e jashtme (480 ha), pylli (200ha), tokat bujqësore (450ha) dhe blegtorale (150ha). Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga një zonë e mëparshme prej 4200 ha që ka kaluar një proces interesant zhvillimi, për shkak te faktorëve natyrore dhe aktiviteteve njerëzore.

Historia[redakto | redakto tekstin burimor]

E krijuar gjate periudhës së Holocenit, kjo zonë karakterizohej nga një dinamizëm i lartë gjeomorfologjik. Zhvillimi i tij ka kaluar 4 faza, të cilat korrespondojnë me formimin e 4 lagunave, të ndara nga kordonë litoral. Laguna e katërt është Laguna aktuale e Patokut. Një lagune e pestë (laguna e jashtme aktuale) është në një proces formimi aktiv, e influencuar edhe nga një zhvillim i shpejtë i kordonit litoral në pjesën perëndimore. E gjithë zona është e rrafshët dhe karakterizohet nga një proces intensiv tektonik dhe ujëra te shumtë nëntokësore. Procesi natyror i zhvillimit të lagunës i detyrohet 3 faktorëve kryesore: rrëgjimit të Lumit Ishëm, rrëgjimit të Lumit Mat dhe rrëgjimit talasografik. Deri në vitet 50 të shekullit XX kanë dominuar zhvillimet spontane dhe në te gjithë zonën kanë mbizotëruar elementet natyrore të habitateve.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, aktivitetet njerëzore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndryshimet e këtij ekosistemi nëpërmjet drenazhimeve, ndërtimit të digave, shpyllëzimeve etj.

Karakteristikat fiziko-gjeografike[redakto | redakto tekstin burimor]

Karakteristikat fiziko-gjeografike të kësaj zone janë faktor kryesor për potencialet e zhvillimit të saj dhe e bëjnë atë mjaft tërheqëse në shumë aspekte. Dimri relativisht i butë dhe vera e freskët, 2479 orë me diell në vit, temperatura mesatare vjetore 15,5 °C dhe sasia mesatare vjetore e reshjeve 1463 mm, tregojnë një potencial të lartë klimatik, që ushtron një ndikim të madh në zhvillimin intensiv të ekosistemit.

Këto karakteristika dhe shumëllojshmëria e habitateve janë te lidhur ngushte me biodiversitetin e larte te Kompleksit Ligatinor te Patokut. Shumëllojshmëria e bimësisë është një nga karakteristikat me spikatese te këtij kompleksi. Nga bimët detare, në pjesën perëndimore, me te zakonshmet janë livadhet nënujore te Fucus virsoides dhe Posidonia oceanica. Bimësia ujore e lagunës karakterizohen nga sasi e madhe e mikroalgave, sepse ka rritje te shpeshte te trofise si rrjedhoje e rritjes se azotit dhe fosforit. Një nga treguesit e kësaj gjendjeje është edhe sasia e larte e diatomeve.

Makroalgat e lagunës i përkasin algave te gjelbra (Chlorophyta) dhe algave te murrme (Pheophyta). Livadhet e fanerogameve mbulojnë rreth 40 % te fundit te lagunës. Ato përbehen nga Zostera noltii, por në ujëra te ceket dhe te qete gjendet gjithashtu Ruppia spiralis. Kjo fitocenoze ka një rol shume te rëndësishëm në lagune.

Bimësia higro dhe hidrofile mbulon një zone te konsiderueshme te pjesëve periferike te lagunës. Ato dominohen nga 3 shoqërime kryesore te kallamishtes (Phragmites), shavarit (Thypha) dhe shqirrës (Scirpus).

Bimësia halofile është me e prajshme në pjesën veriore dhe jugore te lagunës. Kjo bimësi i përket disa shoqërimeve, nga te cilat me te rëndësishme janë ato me Arthrocnemum dhe Juncus.

Bimësia e dunave gjendet kryesisht në pjesën perëndimore, me një numër te larte llojesh. Shkurret në brigjet e lagunës dominohen nga marina (Tamarix), konopica (Vitex) dhe manaferra (Rubus).

Sipërfaqja pyjore me e rëndësishme i përket pyllit te Fushe-Kuqes, në pjesën lindore te lagunës. Aktualisht ka mbetur vetëm gjysma e sipërfaqjes se pyllit dikur te famshëm, ku mbizotërojnë verri (Alnus glutinosa), frasheri (Fraxinus angustifolia) dhe me pak vidhi (Ulmus campestre), rrenja (Quercus robur), plepi i bardhe (Populus alba), pisha e bute (Pinus pinea) dhe pisha e egër (Pinus halepensis). Sipërfaqe te vogla me plep dhe akacie janë pyllëzuar artificialisht prej disa dhjetëra vitesh.

Fauna[redakto | redakto tekstin burimor]

Fauna invertebrore e Kompleksit Ligatinor te Patokut dhe pellgut ujëmbledhes te tij, duke përfshire ujërat e ëmbla, kanalet, kënetat, estuaret dhe bregun rreth lagunës, karakterizohet nga një shumëllojshmëri e grupeve dhe llojeve, nga molusqet (midhjet dhe kermijte) deri tek gaforret dhe insektet.

Iktiofauna përben një nga vlerat me te çmuara te lagunës, me shume lloje peshqish me interes ekonomik, siç janë qefujt (Mugil cephalus, Liza ramada, Liza saliens), ngjala (Anguilla anguilla), barbuni (Mullus barbatus), gjuheza (Solea vulgaris), koca (Sparus auratus), levreku (Dicentrarcus labrax) etj.

Amfibet dhe zvarraniket (Herpetofauna) gjenden me shume në pyje, këneta dhe kanalet rreth lagunës. Është interesant te theksohet sasia e madhe e breshkave te ujit (Caretta caretta) në brigjet e detit afër lagunës dhe prania e breshkave te gjelbra (Chelonia mydas).

Pozicioni i favorshëm dhe shumëllojshmëria e habitateve rreth lagunës kane krijuar kushte te përshtatshme për ornitofaunen. Inventarizimi i shpendëve ka regjistruar numër te larte llojesh, që i përkasin shpendëve te ujit, shkurretave, pyjeve, kullotave, dunave dhe tokave bujqësore. Në Kompleksin Ligatinor te Patokut është regjistruar numër i madh llojesh te shpendëve te kërcënuar në shkalle botërore si Pelecanus crispus, Phalacrocorax pygmaeus, Ciconia ciconia, Platalea leucorodia dhe Numenius tenuirostris.

Mamalofauna e Kompleksit te Patokut karakterizohet nga një numër i vogël llojesh dhe një degradim i strukturës se komunitetit. Kjo është me tepër e lidhur me tharjen e kënetave dhe shpyllëzimin e zonës. Mishngrënësit me te zakonshëm janë çakalli (Canis aureus), dhelpra (Vulpes vulpes), lundërza (Lutra lutra), baldosa (Meles meles), nuselala (Mustela nivalis) dhe qelbësi (Mustela putorius).

Në aspektin administrativ, Kompleksi Ligatinor i Patokut i përket Komunës se Fushe–Kuqes me 5 fshatrat: Adriatik, Patok, Gorre, Gurrëz dhe Fushe-Kuqe. Ajo ka një popullsi prej 7600 banore me një densitet prej 206 banore/km². Karakteristikat e saj natyrore ndihmojnë zhvillimin tradicional te zonës nëpërmjet bujqësisë, peshkimit dhe turizmit.

Komuna e Fushe–Kuqes ka potencial te larte energjetik dhe temperature te përshtatshme për shume bime bujqësore. Një avantazh tjetër është sasia e madhe e ujërave te ëmbla. Bujqësia ka një fond gjenetik te pasur. Bujqësia tradicionale bazohet kryesisht tek drithërat, patatet, fasule, shalqi, vreshta etj. Ekziston gjithashtu një tradite e vjetër në mbarështimin e bagëtive, veçanërisht te deleve dhe kuajve.

Peshkimi është një tjetër përparësi për zhvillimin e zonës. Bregdeti, laguna dhe 2 lumenjtë krijojnë kushte te përshtatshme natyrore për zhvillimin e peshkimit me interes te madh ekonomik. Kompleksi i Patokut karakterizohet nga një shumëllojshmëri e peshqve. Pozicioni gjeografik i kësaj zone lehtëson komunikimin me tregjet e shitjes, gjë që përben një tjetër faktor për perspektiven e mire te zhvillimit te peshkimit.

Turizmi ekologjik[redakto | redakto tekstin burimor]

Turizmi ekologjik është një nga potencialet me te rëndësishme për zhvillimin e zonës. Karakteristikat e saj natyrore me llojshmërinë e larte te habitateve (det, lagune, pyll, lumenj, toke bujqësore), biodiversitetin e pasur me shume grupe te florës dhe faunës, ekzistencën e bujqësisë dhe peshkimit tradicional janë faktorë kryesore për zhvillimin e eko-turizmit. Pozicioni i kësaj zone pranë Tiranes dhe rrugëve nacionale e lehtëson ardhjen e turisteve, nëse do te përmirësohej infrastruktura e kësaj zone në një te ardhme te afërt.

Neqoftese burimet natyrore do te administrohen në mënyrën e duhur dhe metodat tradicionale për rritjen e gjendjes ekonomike do te vazhdojnë te aplikohen, kjo zone do te ketë një perspektive te mire zhvillimi, te bazuar në zhvillimin e qëndrueshëm.