Letërsia shqipe për fëmijë
Letërsia shqipe për fëmijë është një rrugëtim i letërsisë shqipe që ndërthur pasurinë kulturore dhe shpirtin e pastër të fëmijërisë, duke reflektuar ndryshimet historike dhe shoqërore të popullit shqiptar. Ajo ka lindur si një nevojë për të edukuar dhe për të ushqyer dashurinë për gjuhën dhe atdheun në zemrat e më të vegjëlve, duke u zhvilluar në mënyrë graduale nga tekstet arsimore te veprat artistike të mirëfillta.[1]
Vështrim
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Letërsia për fëmijë në traditën shqiptare u formësua fillimisht si letërsi didaktike me një frymë të theksuar moralizuese. Elemente të tilla vërehen që në veprën e Lekë Matrëngës, "Doktrina e Krishterë" (1592), e cila njihet si dokumenti i parë i këtij lloji në gjuhën shqipe. Gjatë shekujve të mëvonshëm, këtë traditë e pasuruan autorë të tillë si Theodhor Kavalioti (1718-1797), Danil Haxhiu (1754-1825) dhe Konstandin Berati (1745-1825), të cilët përmes shkrimeve të tyre synonin të edukonin dhe të ndriçonin brezat e rinj.
Një hap më i avancuar në zhvillimin e kësaj letërsie u arrit me veprën e Naum Veqilharxhit (1797-1866), i cili jo vetëm që kontribuoi në edukimin kombëtar, por edhe krijoi materiale që ndihmuan fëmijët shqiptarë të mësonin gjuhën dhe kulturën e tyre. Ky zhvillim gradual dëshmon për përpjekjet e pandalura të autorëve shqiptarë për të ndërtuar një letërsi të pasur, që jo vetëm mësonte, por edhe frymëzonte brezat e ardhshëm.
Letërsia shqipe për fëmijë gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare, paraqet kohën kur poezia dhe proza u vunë në shërbim të ndërgjegjësimit kombëtar. Në këtë kohë përmes kontributit në fushën e hartimit të teksteve shkollore u shtua edhe numri i shkrimeve drejtuar fëmijëve. Ndihmesë me vlerë dhanë veprimtarët dhe shkrimtarët e shquar patriotë, si Naim Frashëri, një nga figurat më të ndritura të kohës, i cili i kushtoi vëmendje të veçantë fëmijëve me veprën e tij “Bagëti e Bujqësi” dhe me poezitë e tjera, që lartësonin natyrën dhe vlerat e punës. Vepra e tij "Vjersha për mësonjëtoren e parë" është ndër të parat që synonte t’u mësonte fëmijëve dashurinë për gjuhën shqipe dhe respektin për prindërit dhe mësuesit. Po në këtë kohë janë shkruar sadopak edhe vepra të mirëfillta letrare për fëmijë, siç ishin fabulat e përshtatura të Papa Negovanit dhe "Përrallat e përshtatura" (1921) të Andon Zako Çajupit etj.
Në fillim të shekullit XX, letërsia shqipe për fëmijë filloi të marrë formë më të strukturuar me autorë si Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, etj. të cilët krijuan poezi dhe tekste të mbushura me ndjenja atdhedashurie dhe mësime morale. Më vonë, Mitrush Kuteli solli tregime të frymëzuara nga folklori shqiptar, ku magjia dhe realiteti bashkëjetonin në mënyrë harmonike, duke ushqyer imagjinatën e lexuesve të rinj.[2]
Në vitet 30-40 të shekullit të kaluar bëhen përpjekje për të krijuar një letërsi për fëmijë që u shoqëruan me nismat për një shtyp të posaçëm për fëmijë, si revistat «Vatra e rinisë» e Vasil Xhaçkës dhe «Mituria» e Milto S. Gurrës. Një varg shkrimesh të autorëve përparimtarë të kohës kishin edhe krijime letrare ose vepra për fëmijë. Në përgjithësi veprat letrare për fëmijë të epokave të kaluara u karakterizuan nga fryma didaktike dhe morale.
Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, letërsia për fëmijë u institucionalizua më shumë me autorë të rinjë që krijuan vepra letrare që i afruan fëmijët me botën e tyre emocionale, por edhe me mesazhe edukative. Poezia dhe tregimet e kësaj periudhe shpesh mbartnin mesazhe të qarta morale dhe ndërtuan një traditë të fortë të letërsisë arsimore.
Ashtu sikurse edhe gjithë letërsia shqiptare e realizmit socialist, edhe krijimtaria letrare për fëmijë u mbështet në një bazë të re ideore. Ajo i edukonte lexuesit e vegjël me dashurinë për atdheun por në frymën socialiste duke ngjallur tek ata urrejtjen për shoqërinë me klasa shfrytëzuese dhe moralin e saj. Në hapat e parë të letërsisë sonë për fëmijë ndihmesë me vlerë dhanë edhe Qamil Guranjaku, Teufik Gjyli, Zihni Sako, Sterjo Spasse, Agim Deva, Bedri Dedja, Rifat Kukaj, Naum Prifti, etj.. të cilët shkruajnë posaçërisht për të vegjëlit.
Në fund të viteve 50 dhe në fillim të viteve 60 dolën një varg shkrimtarësh që iu kushtuan tërësisht krijimtarisë letrare për fëmijë. Zhvillim të mirë ka shënuar poezia, vjersha me tematikë të larmishme kanë botuar Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi, Tasim Gjokutaj etj. Edhe proza e përfaqësuar nga shkrimet e Bedri Dedjes, Gaqo Bushakës ka ecur përpara. Hovi që ka marrë letërsia për fëmijë duket në zhvillimin e mbarë të llojit të romanit, i cili u shfaq në vitet 60. Në lëmin e letërsisë për fëmijë vijojnë të punojnë edhe shkrimtarë të tjerë, veprimtaria e të cilëve zhvillohet kryesisht në fusha të tjera. Krahas poezisë dhe prozës është zhvilluar edhe drama që ka gjetur vend përherë e më të madh në skenat e teatrove të kukullave. Një përhapje të gjerë ka ndodhur me botimet e ilustruara për fëmijët e vegjël.
Në dekadat e fundit, letërsia shqipe për fëmijë është bërë më e shumëllojshme dhe më e ndjeshme ndaj temave bashkëkohore. Autorët bashkëkohorë kanë sjellë poezi dhe tregime që përqendrohen te bota emocionale e fëmijëve, lidhja me natyrën dhe bukuria e jetës së përditshme. Tregimet moderne shqyrtojnë miqësinë, diversitetin, dhe guximin për të ëndërruar, duke krijuar një botë ku fëmijët mund të ndihen të kuptuar dhe të frymëzuar.
Kështu, letërsia shqipe për fëmijë ka evoluar nga një mjet edukimi dhe formimi kombëtar në një univers të pasur artistik, ku çdo brez gjen pasqyrën e vet. Ajo mbetet një thesar i çmuar, që ruan në vetvete ëndrrat dhe zërin e pastër të fëmijërisë, duke frymëzuar brezat e ardhshëm të lexuesve dhe krijuesve.[3] [4]
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ^ Gaçe, Bardhosh (2006). Letërsia shqipe për Fëmijë. Triptik. ISBN 978-99943-820-4-0.
- ^ Bishqemi, Astrit (2001). Historia e letërsisë shqiptare për fëmijë. Sejko. ISBN 978-99927-692-5-6.
- ^ "Letërsia për fëmijë është mission…". Bota Sot (në anglisht). Marrë më 2025-03-01.
- ^ "Letërsia shqipe për fëmijë: Në zgrip!". Telegrafi. 2019-04-15. Marrë më 2025-03-01.