Letërsia shqipe

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Letërsia shqiptare)
Jump to navigation Jump to search

Letërsia shqipe shtrihet që nga Mesjeta dhe përfshin atë letërsi dhe ato tekste të shkruara në gjuhën shqipe, duke përfshirë letërsinë e shkruar si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe në diasporat historike të arbëreshëve.

Arqipeshkvi i Tivarit, Guljelm Adami shkroi një raport më 1332 ku shkruhej se arbërit përdornin alfabetin latin ndër librat e tyre, ndonëse gjuha e tyre ishte e ndryshme nga gjuha latine.[1] Dokumenti më i vjetër që ka mbijetuar është Formula e pagëzimit shkruar nga Pal Engjëlli, ipeshkvi i Durrësit më 1462 dhe disa versete biblike të asaj periudhe.[2]

Mesjeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Shekulli 15[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Red right arrow.svg
 Artikulli kryesor: Letërsia e vjetër shqiptare.

Dokumentet e para të shqipes së shkruar:

  1. Formula e Pagëzimit (1462)
  2. Fjalori i Arnold Fon Harfit (1497) dhe
  3. Perikopeja e Ungjillit të Pashkës (fundi i sh. XV-fillimi sh. XVI)

Më i vjetri ndër këto tri dokumente është Formula e pagëzimit. Ajo i përket vitit 1462. Është një fjali e shkurtër: Un të pagëzonj pr`emen`t Atit e t`birit e t`shpirtit shenjt. Formula është shkruar në dialektin e veriut me shkronja latine.

Shekulli 16[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në fillimet e letërsisë shqiptare janë veprat e Marin Barletit (Historia e Skënderbeut, 1508) dhe të humanistëve të tjerë, të botuara latinisht. Libri i parë shqip është Meshari (1555) i Gjon Buzukut. Letërsia e vjetër përfaqësohet nga vepra fetare. Autorët më të rëndësishëm ishin Pjetër Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani dhe te arbëreshët e Italisë Lekë Matrënga e Jul Variboba.

Shekulli 17[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Red right arrow.svg
 Artikulli kryesor: Letërsia shqipe me alfabet arab.

Nga fundi i shekullit kemi të dhënat e para të kultivimit të letërsisë shqipe me alfabet arab, e cila më pas do të kishte poetët e njohur bejtexhinj si Nezimi i Beratit, Sulejman Naibi dhe Hasan Zyko Kamberi.

Shekulli 18[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Letërsia shqipe me alfabet arab vijoi duke patur përfaqësues të zëshëm Muhamet Kyçykun.

Shekulli 19[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Periudha moderne[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Jeronim de Rada
Dhjata e Re perkthim ne shqip me germa greke, 1827.

Vepra e parë madhore e kësaj periudhe qe poema Këngët e Milosaos, e poetit arbëresh Jeronim de Rada, botuar më 1836. Gjithë veprat që do të botohen më pas deri në 1912, do ti takojnë një periudhe letrare që njihet nën emrin letërsia e Rilindjes. Kjo, është një letërsi kryesisht patriotike, me nota luftarake dhe frymëmarrje romantike. Kësaj letërsie, do t'i prijë poeti Naim Frashëri, i cili me poezinë e vet lirike dhe epike u bë poeti kombëtar i popullit shqiptar.

Proza sapo do të bënte hapat e parë si prozë publicistike, historike dhe më pak si prozë letrare. Po kështu dhe dramaturgjia do të japë veprat e para pioniere. Letërsia e re kombëtare nis afër mesit të shek. XIX lidhur me lëvizjen e gjerë për çlirimin nga sundimi I huaj dhe prandaj quhet letërsia e Rilindjes Kombëtare. Pati një drejtim iluminist e në periudhën e fundit edhe vepra realiste, në të mbisundoi romantizmi, bashkëkohës me romantizmin evropian. U lëvrua sidomos poezia, tema themelore ishte dashuria për atdheun, evokimi i të kaluarës heroike dhe lufta për çlirim kombëtar. Te arbëreshët u shquan De Rada me një varg veprash të mëdha poetike, Gavril Dara i Riu me poemën Kënga e Sprasme e Balës, Zef Skiroi me shumë poemë, si Flamuri i Arbërit (1885), Mili e Hajdhia (1890), Te dheu i huaj (1891), dhe poezi, këngë tradicionale dhe përmbledhje folklorike, Françesk Anton Santori, Zef Serembe etj.

Poeti më i rëndësishëm i kësaj periudhe ishte Naimi, autor i poemës Bagëti e Bujqësi (1886), i Historisë së Skënderbeut në vargje dhe i shumë veprave të tjera patriotike, lirike e filozofike. Figura të tjera të shquara janë poeti lirik e satirik Filip Shiroka, Gavril Dara, Zef Serembe, Çajupi (Baba Tomorri, 1902), Mjeda, Asdreni, Grameno etj.

Pas pavarësisë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Fan Noli

Me pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, letërsia do të hynte në një periudhë të re duke lënë pas përherë e më tepër kanonet e romanticizmit. Në poezi u shquan Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Ali Asllani, Vinçens Prennushi etj. Ndër prozatorët janë romancierët Ndoc Nikaj, Foqion Postoli dhe Haki Stërmilli.

Gjergj Fishta dhe Fan Nolin u shquan në poliedrizmin e tyre, që nga dramaturgjia, poezia, publicistika dhe përkthimet.

Nga ana tjetër, në lëmin e prozës do të ndjehet një ngritje e nivelit të tregimit, e cila do të kualifikohet artistikisht nga Mitrush Kuteli dhe Ernest Koliqi.

Gjatë periudhës së Pavarësisë, tema patriotike nuk do të jetë më në qendër të letërsisë. Problemet e mprehta shoqërore do të trajtohen nga brezi i letrarëve realistë, ku përmendim poetin dhe prozatorin e talentuar Migjeni, i cili la gjurmë të thella dhe ndikoi në rrjedhat e letërsisë moderne shqiptare.

Në këtë drejtim mund të përmendim letrarët e rinj si Petro Marko, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Gaspër Pali, Aleks Çaçi etj. Kulmin e realizmit social e shënojnë veprat poetike dhe prozaike të Migjenit (Vargjet e lira, 1935).

Letërsia shqipe pas Luftës së Dytë Botërore[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një kopertinë e romanit Nëntori i një kryeqyteti nga Ismail Kadare (1974)

Shqipëri[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në lëmin e poezisë, Malëshova përmendet si "babai i letërsisë komuniste", pas tij më premtuesi qe Llazar Siliqi.[3] Me reformën agrare, Aleks Çaçi shkroi një poemë të frymëzuar "Ashtu, Myzeqe", duke i bërë vend fshatarakes së re tashmë letërsisë shqipe.[4] Me revolucionin kulturor doli në pah një tendencë e re në poezi, ku më përfaqësuesit ishin Kadare, Agolli dhe Arapi.[5]

Në prozë në vitet e para të pasluftës vërehet romani Çlirimtarët (1952) i Shuteriqit, nderuar me vendin e dytë të çmimit të Republikës.[6] Sterjo Spasse, me Ata nuk ishin vetëm (1953) u nderua me çmim Republike.[7] Fatmir Gjata me novelën e Tana (1955) u nderua po ashtu me çmim Republike, më pas shkroi romanin Këneta (1959).[8] Petro Marko me Hasta la Vista (1959) portretizoi përvojën e tij në Luftën civile spanjolle, nderuar me Çmim Republike. Lumi i vdekur (1967) i Xoxës është ndër më përfaqësuesit të realizmit socialist.[6]

Ndonëse shumë nga librat narrativ ishin në përkim me realizmin socialist, disa punë vijuan linjën realiste të ngelur përgjysmë. Në vitet 1951-1966 dolën disa punime realiste, ndër to qenë romani me pesë vëllime Kënga shqiptare i Trebeshinës me vepra të tjera të tij.[9]

Ismail Kadare u largua nga realizmin socialist[10] dhe e sfidoi për tre dekada[11] duke iu kundërvënë atij me realizëm subjektiv.[12][13] Pothuajse në të gjitha veprat e tij e ka sfiduar regjimin përmes një "disidence të heshtur".[13] Kadare iu shmang realizmit socialist dhe censurës shtetërore përmes mjeteve alegorike, simbolike, historike dhe mitologjike.[14] Ndonëse kushtet në të cilat ka jetuar dhe shkruar nuk ishin të krahasueshme me vendet tjera komuniste në Evropë ku kishte të paktën një shkallë të caktuar të tolerancës për disidencë, ai shfrytëzoi çdo rast për të sulmuar regjimin në veprat e tij nëpërmjet alegorive politike, të cilat kuptoheshin nga lexuesit e edukuar shqiptarë.[15]

Kosovë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Red right arrow.svg
 Artikulli kryesor: Letërsia në Kosovë.

Jashtë Shqipërisë, shkrimtarët shqiptarë shkruan të lirë nga kufizimet e ngushta të realizmit socialist të cilat ngulfatën letërsinë në Shqipëri. Në Kosovë u shfaqën talentë të rinj në poezi si Esad Mekuli, Ali Podrimja, Azem Shkreli[16] dhe për një kohë edhe Martin Camaj.[17] Kurse në prozë Hivzi Sulejmani, Adem Demaçi dhe veçanërisht Anton Pashku.[16]

Shkrimtarët kryesorë tri dekadat e fundit janë: Rexhep Qosja, Eqrem Basha, Musa Ramadani, Mehmet Kraja, Teki Dervishi, Jusuf Buxhovi etj.[16]

Letërsia e mërgimit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Letërsia pas diktaturës[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Kadare mbeti prozatori kryesor shqiptar[18][19], u përkthye në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke u bërë përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë,[20] si dhe një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm botërorë të shekullit XX dhe fillim shekullit XXI.[21]

Në prozë u shquan Bashkim Shehu, Ardian Vehbiu, Ridvan Dibra, Agron Tufa, Ben Blushi etj.

Pas diktaturës letërsia shqiptare pati njëfarë mpirjeje. Brezi i ri i shkrimtarëve solli një frymë të re realiste sidomos në poezi. Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por vetëm pak prej tyre ishin të një niveli të pëlqyeshëm. Peshën më të madhe e mbajtën akoma shkrimtarët e periudhës së pas luftës. Shkrimtarë si Diana Çuli, Visar Zhiti, Besnik Mustafaj, Sulejman Mato e plotë të tjerë vezulluan në këtë periudhë. Në poezi u shquan Mimoza Ahmeti, Irma Kurti, Luljeta Lleshanaku dhe ndër më të rinjtë Ervin Hatibi e Shpëtim Kelmendi.

Vlen të përmendet që periudha e Post Diktaturës pati vlera të veçanta sidomos për sa i përket ribotimit të veprave që censura komuniste i kishte ndaluar apo i kishte cunguar. U botuan të plota veprat e rilindësve, e Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Lasgush Poradecit, Mitrush Kutelit etj. U botuan veprat e ndaluara dhe të dënuara gjatë sundimit komunist të shkrimtarëve Petro Marko, Pjetër Arbnori, Fatos Lubonja, Kasëm Trebeshina, Dhimitër Xhuvani, Visar Zhiti e shumë të tjerë.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Skëndi 2015, p. 111.
  2. ^ Elsie, Robert (2005). Albanian Literature: A Short History. I.B.Tauris. f. 5.  9781845110314. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Princi. f. 165.  978-9928-4090-9-6. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ Pipa 2014, p. 168.
  5. ^ Pipa 2014, p. 169.
  6. ^ a b Pipa 2014, p. 189.
  7. ^ Pipa 2014, p. 114.
  8. ^ Pipa 2014, p. 159.
  9. ^ Çakirtas, Önder (2017). Ideological Messaging and the Role of Political Literature. IGI Global. f. 210.  9781522523925. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Pipa 2014, p. 167.
  11. ^ Apolloni 2012, p. 20.
  12. ^ Apolloni, Ag (2012). Paradigma e Proteut. OM.  9789951632041. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  13. ^ a b Alda Bardhyli (28 January 2018). "INTERVISTA/ Alda Bardhyli: Kadare, si shkroi letërsi i survejuar". Alpnews. Marrë më 3 November 2018. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. ^ Shatro, Bavjola (2016). Between(s) and Beyond(s) in Contemporary Albanian Literature. Cambridge Scholars Publishing. ff. 8, 51.  9781443899970. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  15. ^ Robert Elsie (2005). Albanian Literature: A Short History. London: I.B.Taurus. ff. 182–183.  1-84511-031-5. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  16. ^ a b c Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Kosovo. ff. 179–180.  978-0-8108-7483-1. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  17. ^ Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Princi. f. 172.  978-9928-4090-9-6. Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  18. ^ Morgan 2011, p. 66.
  19. ^ Apolloni 2012, p. 25.
  20. ^ Shatro 2016, p. 8.
  21. ^ Jose Carlos Rodrigo Breto (2018). Ismail Kadare: La grand estratagema. Ediciones del Subsuelo. ff. 317–318.  978-84-947802-0-2. Është injoruar "vendiBarcelona" (Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)

Burimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]