Lituania

Coordinates: 55°N 24°E / 55°N 24°E / 55; 24
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

55°N 24°E / 55°N 24°E / 55; 24

Republika e Lituanisë
Lietuvos Respublika
Flamuri i Lituanisë Emblema e Lituanisë
Vendndodhja e Lituanisë
Vendndodhja e Lituanisë
Vendndodhja e Lituanisë   (e gjelbër e errët)

–  në Europë   ( e gjelbër & gri e errët)
–  në Bashkimin Europian   (e gjelbër)

Himni Kombëtar "Tautiška giesmė" (Himni Kombëtar)
Kryeqyteti Vilnius (njëkohësisht qyteti më i madh)
Gjuha zyrtare Lituanisht
Pavarësia
  • e deklaruar
  • e rivendosur

16 shkurt 1918
11 mars 1990
Anëtarësimi në OKB 17 shtator 1991
Forma e qeverisjes Republikë Parlamentare
President Dalia Grybauskaitė
Kryeministër Algirdas Butkevičius
Sipërfaqja
– totale
– % ujë

65.300 km²   (i 123-ti)
1,35
Popullsia (2016)
– totale
– dendësia

2.875.593 banorë   (i 141-ti)
45 banorë/km²
PBB (2015)
 PBB për banor
41,267 miliard dollarë
14.210 dollarë   (i 51-ti)
Monedha Euro (€) (EUR)
Zona kohore
– zakonisht
– në verë

UTC+2
UTC+3
Prefiksi telefonik +370
Kodi i internetit .lt
Kodi ISO 3166-1 LT

Lituania (lituanisht: Lietuva), zyrtarisht Republika e Lituanisë, është një shtet në Europën Veriore. Ajo është një nga tre shtetet balltike, dhe ndodhet përgjatë bregut juglindor të Detit Balltik, në lindje të Suedisë dhe Danimarkës. Ajo kufizohet nga Letonia në veri, Bjellorusia në lindje dhe në jug, Polonia në jug, dhe Provinca e Kaliningradit (një eksklave ruse) në jugperëndim. Lituania ka një popullsi prej 2.9 milion banorë (2015), dhe kryeqyteti i saj dhe qyteti më i madh është Vilnius. Lituanezët janë një popull balltik. Gjuha zyrtare, lituanishtja, së bashku me letonishten, janë dy gjuhët e vetme të gjalla të degës Balltike, të familjes së gjuhëve indo-evropiane.

Për shekuj me radhë, brigjet juglindore të Detit Baltik janë banuar nga fise të ndryshme balltike. Në vitet 1230, të tokat Lizuaneze u bashkuan nga Mindaugas, Mbreti i Lituanisë, dhe më 6 korrik 1253 u krijua shteti i parë bashkuar lituanez, Mbretëria e Lituanisë. Gjatë shekullit të 14-të, Dukata e Madhe e Lituanisë ishte shteti më i madh në Europë. Ajo përfshinte Lituaninë, Bjellorusinë, Ukrainën, dhe pjesë të Polonisë dhe Rusisë së sotme. Me Bashkimin e Lublinit të vitit 1569, Lituania dhe Polonia formuan një bashkim vullnetar me dy shtete, Komonuelthi Polako-Lituanez. Komonuelthi zgjati më shumë se dy shekuj, deri sa shtetet fqinje e shkatërruan sistematikisht nga 1772-95, ku Perandoria Ruse aneksoi territirin më të madh të Lituanisë.

Kur Lufta e Parë Botërore po i afrohej fundit, më 16 shkurt 1918 u nënshkrua Akti i Pavarësisë Lituanisë, duke deklaruar krijimin e një shteti sovran të Lituanisë. Në vitin 1940, Lituania u pushtua në fillim nga Bashkimi Sovjetik dhe më pas nga Gjermania naziste. Kur Lufta e Dytë Botërore po i afrohej fundit, në vitin 1944 dhe gjermanët u tërhoqën, Bashkimi Sovjetik ripushtoi Lituaninë. Më 11 mars të vitit 1990, një vit para shpërbërjes zyrtare të Bashkimit Sovjetik, Lituania u bë republika e parë sovjetike që deklaroi pavarurësinë, duke rezultuar në restaurimin e një shteti të pavarur të Lituanisë.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mesjeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lituania ka qenë e banuar fillimisht nga fise balltike të pavarur. Në vitet 1230 territoret lituaneze u bashkuan nga Mindaugas, i cili u kurorëzua si Mbret i Lituanisë më 6 korrik 1253. Pas vrasjes së tij në vitin 1263, Lituania pagane u bë objektiv i kryqëzatave të krishtera e të Kalorësve Teutonë dhe Urdhërit Livonian. Me gjithë luftën shkatërruese shekullore me Urdhërin Livonian, Dukata e Madhe e Lituanisë u zgjerua me shpejtësi, duke marrë ish principatat sllave të Rusit Kievan.

Deri në fund të shekullit të 14-të, Lituania ishte një nga vendet më të mëdha në Evropë dhe përfshinte Bjellorusinë, Ukrainnën, dhe pjesë të Polonisë dhe Rusisë së sotme. Situata gjeopolitike mes perëndimit dhe në lindjes përcaktoi karakterin shumëkulturor të Dukatit të Madh të Lituanisë. Elita në pushtet praktikoi tolerancën fetare dhe gjuha sllave Chancery u përdor si gjuhë ndihmëse ndaj latinishtes për dokumentet zyrtare.

Në vitin 1385, Duka i Madh Jogaila pranoi ofertën e Polonisë për t'u bërë mbret i saj. Jogaila filloi kristianizimin gradual të Lituanisë krijoi një bashkim personal mes Polonisë dhe Lituanisë. Ai la të kuptohet se Lituania, vend i pavarur, është një nga zonat e fundit pagane të Europës që pranoi krishterimin.

Hartë që tregon ndryshimet e territorit të Lituanisë nga shekulli i 13-të deri në ditët e sotme.

Pas dy luftërave civile, Vytautas i Madh u bë Duka i Madh i Lituanisë në vitin 1392. Gjatë mbretërimit të tij, Lituania arriti kulmin e zgjerimit të saj territorial, filloi centralizimi i shtetit, dhe fisnikëria lituaneze u bë gjithnjë e më aktive në politikë shtetërore. Në Betejën e madhe të Lumit Vorskla në vitin 1399, forcat e bashkuara të Tokhtamysh dhe Vytautas u mundën nga Mongolët. Falë bashkëpunimit të ngushtë, ushtritë e Lituanisë dhe Polonisë arritën një fitore të madhe mbi Kalorësit Teutonë në vitin 1410 në betejën e Grunwald, një nga betejat më të mëdha të Europës mesjetare.

Pas vdekjes së Jogailës dhe Vytautas, fisnikëria lituaneze u përpoq të prishë bashkimin e Polonisë me Lituaninë, duke zgjedhur në mënyrë të pavarur Dukën e Madh nga dinastia Jagiellon, por në fund të shekullit të 15-të, Lituania u detyrua të kërkojë një aleancë më të ngushtë me Poloninë, kur rritja e fuqisë së Dukatit të Madh të Moskës kërcënoi principatat ruse Lituanisë dhe ndezi Luftërat Ruso-Lituaneze dhe Luftën Livoniane.

Pasmesjeta[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Komonuelthi Polako-Lituanez u krijua në vitin 1569. Si anëtar i Komonuelthit, Lituania ruajti institucionet e saj, duke përfshirë një ushtri të veçantë, monedhën, dhe ligje kushtetuese. Polonizatimi preku të gjitha aspektet e jetës lituaneze, politikën, gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Nga mesi i shekullit të 16-të deri në mes të shekullit të 17-të, kultura, artet, dhe edukimi lulëzuan, të nxitura nga Rilindja dhe Reformimi Protestant. Që nga viti 1573, mbretërit e Polonisë dhe Dukët e Mëdhenj të Lituanisë zgjedheshin nga fisnikëria, të cilëve iu dhanë gjithnjë e më shumë Liritë e Arta. Këto liri, sidomos liberum veto (liria e vetos), çuan në anarki dhe shpërbërjen eventuale të shtetit.

Gjatë luftërave Veriore (1655-1661), territori dhe ekonomia e Lituanisë u shkatërruan nga ushtria suedeze. Para se ajo mund të përmirësohej plotësisht, Lituania u shkatërrua gjatë Luftës së Madhe të Veriut (1700-1721). Lufta, një epidemi, dhe një uri shkaktoi vdekjen e rreth 40% të popullsisë së vendit. Fuqitë e huaja, veçanërisht Rusia, u bënë dominuese në politikën e brendshme të Komonuelthit. Grupet të shumta të përçara midis fisnikërisë përdorën Liritë e Arta për të parandaluar çdo reformë. Përfundimisht, Komonuelthi u copëtua në vitet 1772, 1792 dhe 1795 nga Perandoria Ruse, Prusia dhe Austria e Habsburgëve.

Zonat më të mëdha të territorit të Lituanisë u bënë pjesë e Perandorisë Ruse. Pas kryengritjeve të pasuksesshme në vitet 1831 dhe 1863, autoritetet cariste zbatuan një numër politikash rusifikuese. Ata ndaluan shtypin lituanez, mbyllën institucionet kulturore dhe arsimore, dhe e bënë Lituaninë pjesë të një rajoni të ri administrativ të quajtur Territori Veriperëndimor. Rusifikimi dështoi për shkak të një rrjet të gjerë të përhajpjes së fshehtë të librave dhe shkollimit të fshehtë në shtëpi në gjuhën lituaneze.

Pas Luftës Ruso-Turke të viteve 1877-1878, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perandorisë Gjermane u komplikuan. Perandoria Ruse rifilloi ndërtimin e fortesave në kufijtë e saj perëndimorë për mbrojtje kundër një pushtim të mundshëm nga Gjermania në perëndim. Më 7 korrik 1879 Cari rus Aleksandri II miratoi një propozim nga udhëheqja ushtarake ruse për të ndërtuar Strukturën mbrojtëse "të klasit të parë", më të madhe në të gjithë shtetin, Fortesën Kaunas prej 65 km². Një numër i madh lituanezësh shkuan në Shtetet e Bashkuara në vitet 1867-1868, pas një urie. Rilindja Kombëtare Lituaneze hodhi themelet e kombit modern të Lituanisë dhe Lituanisë pavarur.

Shekujt e 20-të dhe 21-të[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Këshilli i Lituanisë (Lietuvos Taryba) shpalli pavarësinë e Lituanisë dhe rikrijimin e shtetit lituanez më 16 shkurt 1918. Politika e jashtme e Lituanisë u dominua nga mosmarrëveshjet territoriale me Poloninë dhe Gjermaninë. Rajoni Vilnius dhe Vilnius, kryeqyteti historik i Lituanisë (e përcaktuar edhe në Kushtetutën e Lituanisë), u kapën nga ushtria polake gjatë Rebelimit Żeligowski në tetor 1920 dhe iu bashkua dy vjet më vonë Polonisë. Për 19 vjet Kaunas u bë kryeqyteti i përkohshëm i Lituanisë. Kontrolli polak mbi Vilnius e indinjoi shumë Lituaninë. Dy vendet nuk ka kishin marrëdhënie diplomatike për pjesën më të madhe të periudhës midis dy luftërave botërore.

20 anëtarëe e Këshillit të Lituanisë, pas nënshkrimit të Aktit të Pavarësisë së Lituanisë

Rajoni Klaipėda (gjermanisht: Memelland) i marrë në vitin 1923, gjatë Revoltës së Klaipedës, iu la Gjermanisë pas një ultimatumi gjerman në mars të vitit 1939. Gjatë periudhës midis dy luftërave, punët e brendshme të Lituanisë kontrolloheshin nga Presidenti autoritar, Antanas Smetona dhe partia e tij, Bashkimi Nacionalist Lituanez, i cili erdhi në pushtet pas grushtit të shtetit të vitit 1926.

1939-1941[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Bashkimi Sovjetik ia ktheu Vilniusin Lituanisë, pas pushtimit sovjetik të Polonisë lindore në shtator 1939. Në qershor 1940, Bashkimi Sovjetik e pushtoi Lituaninë në përputhje me protokollet sekrete të Paktit Molotov-Ribentrop. Pushtimi u shoqërua me arrestime dhe dëbime masive. U dëbuan rreth 34.000 qytetarë lituanezë. Sipas një zyrtari të qeverisë lituaneze, ky ishte fillimi i një heqjeje të planifikuar të 700.000 banorëve nga Lituania.

1941-1944[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Një vit më vonë, Bashkimi Sovjetik u sulmua nga Gjermania naziste, duke çuar në pushtimin nazist të Lituanisë. Gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre filluan vrasjet menjëherë, në Lituani. Që nga 22 qershori i vitit 1941 deri në 1 dhjetor 1941 u vranë mbi 120.000 hebrenj lituanezë.

Gjatë pushtimit, gjermanët kapën dhe vranë intelektualë, oficerë të ushtrisë, romë dhe rreth 190.000 hebrenj të Lituanisë (91-95% e bashkësisë hebraike të paraluftës) gjatë Holokaustit.

Dhjetë nga 25 batalionet e policisë lituaneze, që punonin me Einsatzkommando naziste, ishin të përfshirë në vrasjet masive. Ata mendohet të kenë ekzekutuar 78.000 persona.

1944-1991[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas tërheqjes së forcave të armatosura gjermane, sovjetikët ripushtuan Lituaninë në vitin 1944. M ndryshimet e kufijve të vendosur në Konferencën e Potsdamit në vitin 1945, Memellandi gjerman, me portin e tij balltik Memel (lithuanisht: Klaipeda), iu dha përsëri Lituanisë, apo siç quhej ajo pas vitit 1945 RSS Lituaneze. Shumica e banorëve gjermanë të zonës kishin ikur në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Sovjetikët kryen dëbime masive të lituanezëve në Siberi. Ata bënë shtetëzimin, kolektivizimin dhe sovietizimin e përgjithshëm të jetës së përditshme. Nga viti 1944 deri në 1952 rreth 100.000 partizanë lituanezë luftuan një luftë guerile kundër sistemit sovjetik. Rreth 30,000 partizanë dhe përkrahësit e tyre u vranë dhe shumë të tjerë u arrestuan dhe u internuan në gulagët e Siberisë. Është vlerësuar se Lituania ka humbur 780.000 njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ardhjen e perestrojkës dhe gllasnostit në fund të viteve 1980, lejoi krijimin e Sąjūdis, një lëvizje anti-komuniste për pavarësi. Pas një fitore dërrmuese në zgjedhjet e Sovjetit Suprem, anëtarët e Sąjūdis shpallën pavarësinë e Lituanisë më 11 mars 1990 duke u bërë republika e parë sovjetike që e bëri këtë. Bashkimi Sovjetik u përpoq për të shtypur shkëputjen duke imponuar një bllokadë ekonomike. Trupat sovjetike sulmuan Kullën e TV-së së Vilniusit, duke vrarë 14 civilë lituanezë dhe duke plagosur 600 të tjerë në natën e 13 janarit 1991 (Ngjarjet e janarit). Më 31 korrik 1991 paramilitarët sovjetike vranë shtatë roje kufitare lituaneze në kufirin me Bjellorusinë. Kjo ngjarje njihet si Masakra Medininkai.

Më 4 shkurt 1991, Islanda u bë vendi i parë që njohu pavarësinë e Lituanisë. Pas grushtit të shtetit sovjetik në gusht, Lithuania e pavarur mori njohje të gjerë zyrtare dhe u pranua në Kombet e Bashkuara më 17 shtator 1991.

1991 deri sot[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Trupat e fundit sovjetike lanë Lituaninë më 31 gusht të vitit 1993, edhe më herët se ata u larguan nga Gjermania Lindore. Lituania, duke kërkuar lidhje më të ngushta me Perëndimin, aplikoi për anëtarësim në NATO në vitin 1994. Pas një tranzicioni nga një ekonomi e planifikuar në një ekonomi të tregut të lirë, Lituania u bë anëtare e me të drejta të plota në NATO dhe Bashkimin Europian në pranverën e vitit 2004 dhe anëtare e Marrëveshjes Shengen më 21 dhjetor 2007.

Gjeografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lituania ndodhet në pjesën veriore të Europës. Ajo ka një sipërfaqe prej 65.200 km². Vendi shtrihet midis gjerësive gjeografike veriore 53° dhe 57°, dhe kryesisht midis gjatësive gjrografike lindore 21° dhe 27° (pjesë e Spit Curonian shtrihet në perëndim të 21°). Ajo ka rreth 99 kilometra bregdet me rërë, nga i cili vetëm rreth 38 kilometra janë në detin e hapur Baltik dhe që është më e shkurtër midis vendeve të Detit Baltik. Pjesa tjetër e bregdetit ndodhet në gadishullin ranor Kuronian. Porti i madh, me ujë jo të ftohtë i Lituanisë, Klaipėda, shtrihet në grykën e ngushtë të Lagunës Kuronian (lithuanisht: Marios Kuršių), një lagune cekët që zgjerohet në jug drejt Kaliningradit. Lumi kryesor dhe më i madh, lumi Nemunas, dhe disa prej degëve të tij shërbejnë për transportin detar ndërkombëtar.

Qendra e Europës, Lituani

Lituania shtrihet në buzë të Fushës Veriore Europiane. Terreni i Lituanisë është një kombinim i ultësirave mmesatare dhe zonave kodrinore. Lartësia e saj maksimale është Kodra Aukštojas 294 metra në pjesën lindore të vendit. Terreni përmban liqene të shumta, si Liqeni Vištytis, dhe moçalishte. Zonat pyjore mbulojnë rreth 33% të vendit.

Pas një ri-vlerësim i kufijve të kontinentit të Europës në 1989, Jean-George Affholder, një shkencëtar në Institutin Gjeografik Kombëtar Francez, përcaktoi se Qendra gjeografike e Evropës ndodhet në 54° 54' Veri dhe 25° 19' Lindje. Metoda e përdorur për llogaritjen e kësaj pike ishte ajo e qendrës së gravitetit të figurës gjeometrike të Evropës. Kjo pikë ndodhet në Lituani, pikërisht 26 kilometra në veri të kryeqytetit të saj, Vilnius.

Klima[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Klima e Lituanisë, është një klimë e butë midis klimës bregdetare dhe asaj kontinentale. Temperaturat mesatare në bregdet janë -2.5 °C në janar dhe 16 °C në korrik. Në Vilnius temperaturat mesatare janë -6 °C në janar dhe 17 °C në korrik. Gjatë verës, 20 °C është e zakonshme gjatë ditës, ndërsa 14 °C është e zakonshme gjatë natës. Mesatarja e rreshjeve vjetore është 800mm në bregdet, 900mm në malësitë Samogitia dhe 600mm në pjesën lindore të vendit. Dëborë bie çdo vit, nga tetori në prill. Ndonjëherë borë me shi mund të bjerë në shtator ose maj. Stuhi të forta janë të rralla në pjesën lindore të Lituanisë, por të zakonshme në zonat bregdetare.

Lituania pati një thatësirë në vitin 2002, duke shkaktuar zjarre në pyje. Vendi kaloi së bashku me pjesën tjetër të Evropës Veriperëndimore një vale të nxehtë në verën e vitit 2006.

Politika[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Që kur Lituania shpalli rivendosjen e pavarësisë së saj më 11 mars 1990, ajo ka ruajtur tradita të forta demokratike. Në zgjedhjet e para të përgjithshme pas pavarësisë më 25 tetor 1992, 56,75% e numrit të përgjithshëm të votuesve mbështetën kushtetutën e re. Ka pasur debate të forta në lidhje me kushtetutën, veçanërisht rolin e presidentit. Një referendum i veçantë u mbajt më 23 maj të vitit 1992 për të vlerësuar opinionin publik lidhur me këtë çështje dhe 41% të të gjithë votuesve të mundshëm mbështetën forcimin e rolit Presidentit të Lituanisë. Sipas shpjegimit të Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë në 10 janar 1998 Republika e Lituanisë është një republikë parlamentare me disa atribute të një sistemi gjysmë-presidencial.

Dalia Grybauskaitė ka qenë Presidente e Lituanisë që nga 12 korriku i vitit 2009.

Kreu i shtetit është Presidenti, i zgjedhur drejtpërdrejt për një mandat pesë vjeçar me një maksimum prej dy mandatesh. Posti i presidentit është mjaft ceremonial. Funksionet kryesore të politikës përfshijnë punët e jashtme dhe sigurinë kombëtare. Presidenti është edhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë. Presidenti emëron Kryeministrin dhe, me propozimin e këtij të fundit, pjesën tjetër të kabinetit, si dhe një numër nëpunësish të tjerë të lartë civilë dhe gjyqtarëve për të gjitha gjykatat.

Presidentja e tanishme e Lituanisë, Dalia Grybauskaitė, u zgjodh më 17 maj 2009, duke u bërë Presidentja e parë femër në historinë e vendit dhe kryetarja e dytë femër e shtetit në shtetet balltike pas Letonisë që zgjodhi liderin e saj të parë femër në vitin 1999. Dalia Grybauskaitė u rizgjodh për një mandat të dytë në vitin 2014.


Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese (Konstitucinis Teismas), të cilët shërbejnë një periudhë dhjetë vjeçare, emërohen nga Presidenti (tre gjyqtarë), Kryetari i Seimas (tre gjyqtarë), dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë (tre gjyqtarë). Parlamenti njëdhomësh i Lituanisë, Seimas, ka 141 anëtarë, të cilët zgjidhen për një mandat katër vjeçar. 71 nga anëtarët e këtij organi legjislativ zgjidhen në zonat njëemërore dhe 70 të tjera zgjidhen në një votim në mbarë vendin me sistem proporcional. Një parti duhet të marrë të paktën 5% të votave kombëtare të kenë të drejtë për ndonjë nga 70 vendet në Seimas.

Njësitë administrative[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndarja aktuale administrative u krijua në vitin 1994 dhe u ndryshua në vitin 2000 për të përmbushur kërkesat e Bashkimit Evropian. Lituania ka një ndarje administrative tri-shtresore. Ajo ndahet në 10 qarqe (lituanisht: njëjës - Apskritis, shumës - apskritys) që ndahen më tej në 60 bashki (lituanisht: njëjës - savivaldybė, shumës - savivaldybės), të cilat përbëhen nga më shumë se 500 pleqësi (lituanisht: njëjës - seniūnija, shumës - seniūnijos).

Ekonomia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Veprimtaria ekonomike. Ekonomia lituane eshte e bazuar tek industria, sidomos metalurgjia, tekstile, agroushqimore dhe e perpunimit te drurit. Deget e reja te industrise, sic jane ato qe kerkojne teknologji te larte kane marre zhvillim vitet e fundit. Bujqesia e Lituanise prodhon drithera, patate, panxharsheqeri. Kohet e fundit eshte zhvilluar shume ekonomia pyjore, transporti dhe turizmi. Nderkaq peshkimi dhe blegtoria mbajne nje peshe te madhe ne te ardhurat kombetare.

Demografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]


Shih dhe këtë[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

 Commons: Lituania – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale
 Commons: Lituania – Album me fotografi dhe/apo video dhe material multimediale