Llukë Gjidede
Dr. Llukë Milo Gjidede (lindur më 24 tetor 1933) është një mjek stomatolog i specializuar në Kirurgjinë Maksilo-Faciale. Është vlerësuar me tituj e dekorata nga organe të ndryshme shtetërore në Shqipëri dhe shoqata të shërbimit mjekësor. Ai është vëllai i shkrimtarit Pavllo Gjidede.
Jeta
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Lindur në fshatin Ilias, pranë fshatit Vuno të Himarës nga Atë Milo Tole Gjidede, një teolog ortodoks dhe nga nëna Aleksandra Josif Averbah (Gjidede) nga Dhërmiu me prejardhje gjermane. Qysh prej moshës fëmijërore i rritur në kushtet e varfërisë ekstreme, u detyrua të aktivizohej me punë të vështira në bujqësi dhe blegtori. Kjo periudhë përkoi me një sëri vuajtjesh dhe tmerresh katastrofike të luftës midis ushtrive pushtuese Italo-Greke në vitet 1940-1941 dhe Luftës Nacional Çlirimtare kundër pushtimit nazist gjerman në vitet 1943-1944.
Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes Ilias në vitet 1942-1947 me ndërprerje për shkak të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa shkollën 7-vjeçare në Dhërmi në vitet 1947-1950. Më tej, shkollimin e mesëm e vijoi në gjimnazin "Asim Zeneli" të Gjirokastrës me një bursë shteti, të cilën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera. Prej këtu nisi hapi i parë i sigurtë i rrugëtimit të jetës së tij drejt diturisë dhe qytetarisë atdhetare. Shteti i atëhershëm komunist e dërgoi për studime të Larta në Sofje, Bullgari në Universitetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë (1954-1960) të cilën gjithashtu e përfundoi me rezultate shumë të mira.
Në vitin 1983, ai ka mbrojtur disertacionin për gradën shkencore “Doktor i shkencave mjekësore” me studimin “Anomalitë e zhvillimit të skeletit facial dhe metodat e mjekimit kirurgjikal” në 169 faqe në një aparat bibliografik të pasur prej 194 autorësh, ndër ta shqiptarë.[1]
Karriera profesionale
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Pas studimeve të arrira u emërua mjek në specialitetin e Stomatologjisë në Qytetin e Vlorës më 2 shtator 1960 dhe pas katër muajsh Drejtor i Shërbimit Stomatologjik për rrethin e Vlorës, detyrë të cilën e kreu për 28 vite. Gjatë kësaj periudhe, ai njëkohësisht ka ushtruar dhe specialitetin e Kirurgjisë Maksilofaciale në Spitalin e Qytetit të Vlorës për 50 vite me radhë. Për kontributin dhe punën e tij i janë akorduar shumë tituj e dekorata. [1][2] Ka shkruar e botuar libra me tematikë shkencore mbi mjekësinë dhe historike-letrare. Është gjithashtu zotërues i disa gjuhëve të huaja: anglisht, bullgarisht, rusisht, italisht dhe greqisht.
Vepra të botuara
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- "Anomalitë e zhvillimit të skeletit facial dhe metodat e mjekimit kirurgjikal", 1983;
- Identitet dhe Memorial, 2008;
- Duke kujtuar të paharruarin Thoma Bifsha, 2010;
- Unë dhe Ai, 2012;
- Historiku i Dentistrisë, 2013;
- Pavllo Gjidede, 2014;
- Labëria Histori Lavdie, 2015;
- Rrënjët e fshatit tim Ilias, Himarë, 2016;
- Atë Milua, 2018;
- Mana, 2019;
- Njëqind vjetori i Stomatologjisë Vlonjate, 2018;
- Në dallgët e jetës Kujtim Izet Memaj, 2018;
- Hapa të sigurta në rrugëtim të jetës, 2021;
- Një jetë midis gëzimeve e dhëmbjeve njerëzore, 2023;
Tituj dhe dekorata
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- "Doktor i Shkencave Mjekësore", 1983
- "Nder i Stomatologjisë Shqiptare"
- "Mirënjohje e Qytetit të Vlorës"
- "Personalitet i Kirurgjisë Maksilo-Faciale"
- "Personalitet i Shquar i Labërisë", Shoqata Kulturore Atdhetare Kombëtare, 2015 [1][3]
- "Mirënjohje e Stomatologjisë Vlonjate"
- "Nder i Asociimit Nacional Shqipëri-Itali"
- "Urdhri i Punës"
Referime
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- 1 2 3 "DOKTORI I VLORES LLUKË GJIDEDE – Dielli | The Sun". 2015-12-21. Marrë më 2025-06-11.
- ↑ "60 vite në mjekësi/ Lluka Gjidede, mjeku i njohur i Vlorës". top-channel.tv. Marrë më 2025-06-11.
- ↑ tg (2015-11-16). "Vlora dhe Shoqata "Labëria" nderojnë personalitete të shquara të kombit tonë". Gazeta Telegraf. Marrë më 2025-06-11.