Lugina e Valbonës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Shko te: navigacion, kërko
Kanjoni i Lumit Valbona
Rragami fshat në Luginën e Valbonës

Lugina e Valbonës shtrihet në qendër të Alpeve Shqiptare, në Rrethin e Tropojës. Lugina e Valbonës ka statusin e Parkut Nacional dhe shtrihet ne nje siperfaqe prej 8.000 hektarësh.

Natyra e këtij parku është e pasur me varitete të përshtatshme për turizëm, peshkim e alpinizëm. Në pjesën e brendshme të Parkut ka mjaft shpella interesante, nga të cilat dallohet Shpella e Dragobisë. Ka një klimë malore me dimër të ashpër e reshje të pasura shiu e bore dhe me temperatura të ulëta e periudhë të gjatë me ngrica dhe erëra. Nga Mbaskollat dhe deri në Shoshan është e mbrojtur në mënyrë natyrore, ndaj temperatura mesatare në Dragobi është 10,7 gradë: e janarit 0,3 gradë dhe ajo e korrikut 20,4 gradë. Reshjet në Valbonë i kalojnë të 2082 milimetrat, ndërsa lartësia maksimale e dëborës ka shkuar deri në 224 centimetra me mesatare 94 centimetra. Burimet e saj gjenden në rrëzë të shpatit lindor e qafës me të njëjtin emër, ku ushqehet me burime karstike në lartësinë 1450 m. Nën ujëvarën e pragut të Valbonës, ujërat e këtyre burimeve zhduken nën zhavorre deri në hyrje të Rragamit. Nga ky fshat deri në atë të Valbonës (Selimaj) është 7 kilometra. Sipërfaqja e ujit mungon gjatë verës për shkak të natyrës karstike. Në sektorin e poshtëm, ndanë kalimit në pellgun e Tropojës, Valbona merr degët e rëndësishme, që janë lumi i Gashit (në Shoshan) dhe atë të Bushtricës (Bujan), që e pasurojnë atë më tej. Prurja në Dragobi dhe Gri është respektivisht 12.2 m kub në sek dhe 33.3 metra kub në sekondë. Prurjet maksimale janë në maj dhe lidhen me shkrirjen e borës, kurse prurjet minimale janë 3.7 metra kub në sekondë dhe 11 metra kub në sekondë. Prurjet janë më të mëdha në vjeshtë.

Ka toka të murrme pyjore mes lartësive 500-1200 metra; pastaj vijnë tokat e kadifenjta që shtrihen në shpatin e majtë të kësaj lugine nga Mbaskollata dhe deri në Shoshan në lartësinë 400-900 metra.

Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës,madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit. Kjo zonë me bukuri të rralla është e preferuar jo vetëm nga turistët vendas por edhe nga turistët e huaj, të cilët parapëlqejnë të njihen edhe me zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.

Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtohet të paktën 7 orë nga Tirana. Pjesa dërrmuese e rrugës është aksi Tiranë-Bajram Curri, ku çdo turist ka mundësinë të shijojë një udhëtim me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malorë që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit janë të paharrueshme. Fshatrat e vegjël në të dyja anët e liqenit dhe kullat e vetmuara prej guri, banorët e të cilave lidhen me njëri-tjetrin vetëm nëpërmjet varkave të vogla, janë një tjetër dekor interesant i udhëtimit. Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malorë. Gjatë udhëtimit me traget shikon dhe dy digat gjigande të hidrocentraleve në kas-kadën e Drinit. Udhëtimi me traget zgjat për dy orë e gjysëm. Me ndërtimin e Autostradës “ Rruga e Kombit” e cila vazhdon për Kosovë me merin Autostrada “ Ibarahim Rugova” përveq të mirave tjera , në një mënyrë ka shkurtuar distancën nga Tiranë- Luginë të Valbonës, ku mund të shkohet nëpërmjet rrugës Gajkovë –Tropojë-Bajram Curr.

Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës shkohet me mjete fuoristrada por dhe me furgonë. Valbona ndodhet 25 kilometra larg Bajram Currit dhe për të shkuar drejt saj duhet të kalosh më parë nëpërmjet Kanionit të Shoshanit, Grykës së Klisyrës, Grykës së Dragobisë e Qukut të Dunishës. Nga hyrja në kanionin e Shoshanit e deri në Valbonë udhëtimi kalon nëpërmjet një luginë të ngushtë, ku në të dyja anët e saj ka shpate shkëmbore dhe pyje me ahe bredh, ndërsa rruga është e shtruar me çakëll. Pamjet e mahnitshme që nisin me Kanionin e Shoshanit i lënë vendin njëra-tjetrës për tu zëvendësuar nga gryka e ngushtë me shpate të thepisura e Klisyrës. Më sipër shfaqet fshati Dragobi, më i madhi i zonës, me kulla guri 100 e 200 vjeçare, madje dhe më të vjetra se kaq. Gati në mes të fshatit, në krahun e majtë të rrjedhës së Valbonës ndodhet një ujëvarë disa dhjetra metra e lartë që bie pingul nga shpati i malit. Sapo kalon Dragobinë në krahun e djathtë të rrjedhës së Valbonës, në rrëzë të një shkëmbi që mezi shquhet mes pyllit të dendur ndodhet shpella e Bajram Currit. Gjatë gjithë udhëtimit të shoqërojnë gjithnjë ujërat e kthjellëta të Valbonës që burojnë nga shkrirja e borës në masivin malorë të Alpeve. Një tjetër vend për tu ndalur është dhe Quku i Dunishës. Një bar-hotel alpin, indërtuar tërësisht prej druri nga vëllezërit Metalia është një tjetër pike shlodhjeje.

Klima e luginës është mjaft e freskët dhe i nxeht i verës nuk egziston fare. Fshati Valbonë është gati 1000 metra mbi nivelin e detit dhe shtrihet në një zallishte të krijuar prej lumit Valbona. Aktualisht fshati Valbonë ka afro 30 shtëpi, kryesisht kulla të vjetra dy dhe trekatëshe me mure të trashë guri e çati karakteristike alpine me dërrasa druri. Në kullat karakteristike të tërheqin vëmendjen dritaret shumë të vogla dhe frëngjitë e ndërtuara në çdo drejtim për tu mbrojtur. Në qëndër të fshatit ndodhet një lokal që shërben në natyrë kryesisht, mish të pjekur në hell dhe meze e bylmet të zonës. Pranë lokalit është në ndërtim e sipër një basen i vogël për rritjen e troftës pikaloshe të Valbonës. Në Valbonë nuk ka hotel të mirfilltë, por disa shtëpi-kulla karakteristike janë përshtatur sipas traditës në hotele për turistët. Çmimet e fjetjes dhe ushqimit janë të arsyeshme. Nëpërmjet bllokut të lartë malor të Jezercës në veri, Zhaborreve dhe Grykave të Hapta në Jug, formohet një govatë tipike akullnajore. Në shpatet e thepisura të maleve të Kollatës e Rrethit të Bardhë shikon borë të përhershme dhe ngjitja në to, do të ishte një sfidë për çdo alpinist profesionist.Ujëvara e Rragamit që ndodhet pranë fshatit me të njëjtin emër, sipër Valbonës, është një tjetër mrekulli e natyrës alpine që nuk duhet lënë pa vizituar. Valbona gjatë 4-5 muajëve të dimrit është krejtësisht e izoluar nga bora kështu që në këtë kohë është e pamundur të vizitohet.[1]

Burim i të dhanunave[redakto | redakto tekstin burimor]

  • http://www.docstoc.com, Projektet e Produktit Turistik në Rajonin Turistik të Bjeshkëve të Nemuna ( Alpet Shqiptare) Prishtinë 2008.
  • Bërxholli dhe Xh Lleshi, Gjeografia 12, rojet Shqiptare, Uegen, Tiranë 2009.
  • Musa Gashi Dr. Bazat e turizmit, EMMKSK Prishtinë 1986.

Referenca[redakto | redakto tekstin burimor]

  1. ^ http://www.zemrashqiptare.net/news/id_31290/Ismet-Azizi:-Tropoja-dhe-Lugina-e-Valbon%C3%ABs.html