Manastiri i Graçanicës

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Jump to navigation Jump to search
Manastiri i Graçanicës
Lloji Arkeologjike
Vendndodhja Graçanicë, Kosovë
Ndërtuar Mesjetë
Emri zyrtar: Monument / Ansambël
Lloji Nën mbrojtje
Përcaktuar 427/1947; LZVM
Nr. i referencës 390

Manastiri i Graçanicës (serbe: Манастир Грачаница) është një monument i trashëgimisë kulturore në Graçanicë, Kosovë. Manastiri i Graçanicës gjendet në bregun e majtë të lumit Graçanka, në jug të Prishtinës. Manastiri i sotëm është rikonstruktim i një kishe të shek. XIV kushtuar Virgjërës Mari, e cila kishë ishte ndërtuar në themelet e një bazilike të hershme krishtere të shek. VI. Sipas konceptit të saj hapësinor i takon tipit të kishave me pesë kupola mbi bazë katrore me kryq të brendashkruar, karakteristike për arkitekturën bizantine. Në eksterier është arritur një marrëdhënie ideale në proporcionet dhe volumin e manastirit. Ngritja graduale e harqeve dhe kupolave duke shkuar kah pjesët e sipërme si dhe ndarja e fasadës ballore në tri pjesë përmes harqeve, i japin kishës një harmoni të jashtëzakonshme dhe vlerë të veçantë arkitekturore. Tamburi i kupolës kryesore është origjinal, mbi të takohen harqet, duke e theksuar kështu bazën katrore të kryqit të brendashkruar. Katër kupolat anësore ngrihen mbi tamburet mjaft të larta, të cilat e theksojnë vertikalen e ndërtesës, që nuk ishte karakteristikë tipike e asaj periudhe. Restaurimi më i madh në manastir është bërë kah fundi i shek. XVI, ku të gjitha hapjet në narteksin e jashtëm janë murosur dhe janë pikturuar afreske të reja. Manastiri pësoi dëme të mëdha gjatë fundit të shek. XVII, kurse pas Luftës së Dytë Botërore u rinovua nga murgeshat dhe që nga ajo kohë ka shërbyer si kuvend i tyre. Enterieri i manastirit është i pasur me afreske. Piktorët e famshëm nga Selaniku Mihajli dhe Evtihije i përfunduan afresket në kishën kryesore deri më 1321, prej të cilave Cikli i Festave të Mëdha, Mundimet dhe Mrekullitë e Krishtit janë më të njohurat. Përpos afreskeve të jashtëzakonshme të shek. XIV ekzonarteksi i manastirit përmban afreske shumë të çmuara post-bizantine të shek. XVI si dhe një thesar të ikonave të periudhave të mëvonshme prej të cilave më të rëndësishmet janë ikona e Jezu Krishtit dhe ajo e Virgjërës Mari. Manastiri i Graçanicës në vitin 2006 i është bashkangjitur Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCOS nën emrin: Monumentet Mesjetare në Kosovë.[1] Ky monument është i kategorisë "Arkeologjik", i miratuar me numër 427/1947 .

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ LISTA E TRASHËGIMISË KULTURORE PËR MBROJTJE TË PËRKOHSHME (PDF). Republika e Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrë më 17 gusht 2016. 

Lidhje të jashtme[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

 Commons: Manastiri i Graçanicës – Album me fotografi dhe/apo video dhe materiale multimediale