Masakra e Përbregut

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Masakra e vitit 1913 në Përbreg të Lumës sipas gojdhënave dhe ndonjë burimi të shkruar, në katundin Përbreg u ekzekutuen 375 persona, megjithëse sipas raportit zyrtar të Fuqive të Mëdha të asaj kohe, në këtë fshat u ekzekutuen më shumë se 400 njerëz: burra, gra dhe fëmijë e ku dhjetra familje u shuan plotësisht. Por duke përfituar nga terreni etj. një pjesë e familjeve mbijetuen.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Masakra ndodhi në tetor të vitit 1913, afërsisht një vit nga lufta e Lumës. Katundi në atë kohë kishte 112 shtëpi e duke pasur parasysh strukturën e atëhershme të familjes mendohet se fshati ka pasë rreth 1.000 banorë. Ashtu si shumë katunde të krahinës së Lumës, Përbregu ndodhej nën pushtim, pasi ushtria serbe kishte gazermat e veta në Kodrën e Pecës nga ku kontrollonte Kullën e Lumës si pikë strategjike. Genocidi mbi popullsinë e këtij fshati si dhe në zona të tjera u krye në befasi. Ushtria serbe erdhi nga Qafa e Zbinecit e në lagjen Hallaç i sipërm, që ishte një nga drejtimet e sulmit mbi Lumë. Kishin kaluar më parë nëpër Zapod dhe Bele por ende nuk është e qartë përse nuk pati sinjale se ushtritë serbe po mësynin Lumën, në rastin konkret Përbregun, sepse banorët ruajnë në kujtesë faktin që pleqësia e katundit i druhej një sulmi në befasi. Ata mbrojnë idenë se i është dërguar një letër pleqsisë së Zapodit ku i kërkohej që t'u dërgonin fjalë nëse mësynin ushtritë serbe, pasi donin të përgatiteshin për të luftuar. Katundi u gjet në befasi, i pa organizuar, ashtu si krejt Luma. Një repart shfarosës me rreth 1.200 ushtarë, ndonsëse shifra e saktë nuk dihet, rrethoi lagjet e i ekzekutoi për disa orë. Atë ditë pleqsia e katundit, e përmes saj çdo familje ka qenë e porositur që asnjë person të mos dilte nga shtëpia. Viktimat e para u shënuen në lagjen Hallaç i Sipërm ku gjysma e lagjes janë të fisit Kovaçi. Beram Limani dhe Riza Musë Avdyli, jo bashkë por veç e veç janë kacafytë me serbët duke vra disa prej tyre. Dëshmitë tregojnë se Beramin e vrasin me shpatë, dhe është viktima e parë, kurse Musën e therrin me bajonetë duke u kacafytë. Serbët aty masakrojnë familjen e Beramit, gruan dhe 5 fëmijë bashkë me rreth 50 persona të tjerë të lidhur dorë për dore me shoka e me tela. Në atë fis bëri një qëndresë heroike Baftije Hallaçi, nji nuse e re, bijë e Bashës nga Shtiqni (motër e Brah Osmanit), ajo vrau me sopatë dy ushtarë serbë, më pas plagoset në krye e në kambë dhe rrëzohet mbi grumbullin e trupave të masakruar por mbijeton. Në atë plojë mbijetoi edhe Berdan Kovaçi, djal i ri, i plasogur në kambë por kishte humbur plot 23 njerëz të familjes së vet dhe të vllezërve. Ai, më vonë tregoi se të mbeturit gjallë që rënkonin vriteshin përsdyti me pushkë ose shpoheshin me bajonetë, nuk bzajta duke lënë të kuptohej se kisha vdekur. Në Hallaç te Zabeli i Branesë u vranë edhe katër djem të katundit Gjegjën, tre ishin mysafirë ndërsa një po kulloste bagëtitë. Në lagjen Hallaç një grup prej 7-8 fëmijësh të vegjël bashkë me to edhe dy gra, nënat e tyre siç duket, të trembur prej gjakut shkojnë e futen në një mullar bari për t'u fshehur, por ushtarët serbë i panë dhe i vunë flakën mullarit duke i djegë fëmijët të gjallë. Sipas banorëve të mbijetuar jenoha e të bërtiturave të tyre dëgjohet edhe sot... Në Përbregun e sipërm ushtria serbe mblodhi të gjithë njerëzit që gjeti nëpër shpi, i mori të lidhur për duarsh dhe i pushkatoi te muri i xhamisë, një ngrehinë e cila në vitet 70 u kthye në furrë buke. Mendohet se aty janë masakruar rreth 140 persona, kanë shpëtuar vetëm barinjtë që kanë qenë në mal duke kullotur bagëtitë dhe ndonjë person që kishte qëlluar mik diku jashtë katundit. Dëshmitë mbas ngjarjes i dhanë Ali Seda dhe Shaip Halili, të dy në atë kohë rreth moshës 17 vjeç. Ata kanë dëgjuar klithmën e tmerrshme të grave e fëmijëve që masakroheshin, ndërsa kanë parë me sytë e tyre ekzekutimin e Liman Beramit nga Hallaçi te vendi që thirret Nërthane. Alia e Shaipi kanë dëshmuar se Hajdar Brah Matmuja u shkit nga rreshti e u nis drejt në Përbregun e poshtëm duke thirrë: ikni se shkuem dam!, por serbët e arritën dhe e vranë në afërsi të kroit të Zhgjuzës ku edhe sot e ka varrin përbri rrugës që të çon në Prizren. Nëna e Shaip Halilit, Mane, siç ka treguar më vonë ajo vetë, e lidhur me shokë në rresht për t'u pushkatuar, i tha një ushtari serb: a ban shpirt me pare? Ai pranon dhe e shkëput nga rreshti për të shkuar të gjejë paratë te shpia. Ajo mori me vete edhe nënën e Hashim Mahmutit me Hashimin e vogël në gji, i thotë është nuse e djalit tim. Te shpia, kanë parë duke u djegur në plemë Bjaram Sulën rreth 70 vjeç. Ushtari serb merr disa florinj prej Manes e largohet duke i porositur gratë që të qëndrojnë në shtëpi. Mbas largimit të ushtarit, zbret nga brendësia e oxhakut të një shtëpie të papërfunduar ku ishte fshehur Izet Emërllahu, 25 vjeç. Pak para mbrëmjes serbët kthehen dhe i djegin shtëpitë që kishin mbetur pa u djegur po dy gratë me fëmijën e vogël fshihen në mal, po ashtu edhe Izeti. Burrat e katundit u detyruan ta hapnin me duart e tyre gropën ku do ti fusnin bashkë me gratë e fëmijët që i kishin ekzekutuar. Halil Lul Matmuja, babai i Shaipit u gjet dy javë mbas vrasjes me krye të premë, i biri e kishte njohur prej veshjeve dhe disa sendeve që kishte në xhepin e koporanes. Nga shpia e Halilit u masakruan 11 persona. Nga shtëpia e Sedë Ali Matmujës u masakruan 15 persona, shpëtoi vetëm Aliu që ndodhej me bagëti, nga shpia e Hysen Osmanit 6 persona e kështu me radhë. Shumë familje u shuan plotësisht. Dëshmohet së oficerët serbë morën me vete nga Përbregu, të bijën e Beram Sulës (Matmuje) i cili u dogj i gjallë në plemë dhe një nuse të re te Beram Dani, (barku i Vesel Ahmetit, gjithashtu Matmuje). Në Përbregun e poshtëm masakra vijon njëkohësisht në disa lagje. Një bateri ekzekutorësh vret 9 persona në familjen e Halil dhe Ramë Hajredinit te Didet, ndër ta Ramën Hajredinin dhe gruan e tij me barrë ndërsa i biri Mustafa 15 vjeç u ikën prej duarsh dhe shpëton. Një bateri tjetër e ushrisë serbe kryen masakrën te familjet Hallaçi dhe Kovaçi në afërsi të përroit të Kaniçit. Në shtëpinë e Vesel Ademit ekzekutojnë 7 persona, ku mbeti gjallë vetëm Veseli 13 vjeç që ndodhej me bagëti bashkë me Rasim Sejdinë e Dideve. Veselit i morën tufën e dhive në mal, e siç ka treguar ai do vite më vonë, serbët ua çanin barkun bagëtive ashtu të gjalla dhe ua shkulnin mushkritë dhe të brenshmet e tjera e i merrnin t'i piqnin në zjarr. Te kjo shpi vranë tre djemt e Mahmutit, përkatësisht Dautin, Baftjarin dhe Ismailin e po ashtu dy fëmijë të Ismailit, Shanën dhe Selmanin etj. Një grua e mbijetuar e fshehur në arën me misër ka treguar se Shahja iu lut në gjunj oficerit serb ta linte të gjallë vëllain e vogël Selmanin që ishte pak ma shumë se një vjeç. Por ushtaraku serb me sadizëm e ngriti fëmijën me dorën e majtë, ia nguli bajonetën në fyt dhe e vari në një hu të gardhit, po aty qëlloi me pushkë Shahën por ajo e plagosur u fshehë mbas nji koshi drithi, ku një patrullë tjetër kalon përbreg kanalit e dëgjuar duke rënkuar dhe e vret nga afër me pushkë. Familjarët duhet të jenë përpjekur të iknin prej rrethimit, mbasi trupat e tyre janë gjetur tri ditë më vonë të shpërndarë disa te dera e shpisë, ndonjë në derën e oborrit, e disa në kanalin e ujit. Po aty kanë masakruar edhe familjet e Halit Liman Kovaçit, Rasim Skënder Kovaçit, të Imer Sali Hallaçit etj. Njëkohësisht janë masakruar burrat, gratë dhe fëmijët te shpia e Sejdi Rrahmanit, të fisit Dida. Vesel Ademi dhe Rasim Sejdia që mbijetuan, kanë parë me sytë e tyre masakrimin. Dhjetra persona të lidhur krahë për krahë me shoka dhe tela i kanë vënë në rresht të ulur përtokë. Kur do ti pushkatonin janë urdhëruar të çohen në këmbë dhe një skuadër ka gjuajtur mbi ta nga afër. Aty, përmes britmash tmerri, një djal i ri nga Mujet e Shtiqnit me emrin Zenel, që kishte qëlluar mysafir, iku e shpëtoi i gjallë me nja dy plagë pushke në kambë e në krye. Ikja e tij shërbeu si alarm për një numër familjesh në drejtimin e Kodrës së Pecës të cilat në të vërtetë, kanë dalë prej shpiave e janë fshehur në mal ose në arat e misrit dhe kanë shpëtuar. Një barbarizëm të padëgjuar kanë realizuar edhe në lagjen Shënelaz te Didet. Duke i kapur brenda në shpi serbët shuan gati plotësisht disa familje si atë të Sali Demir Didës dhe Sulë Demir Didës me gjithsej 13 persona. Vranë që të gjithë burrat, gratë dhe fëmijët. Gruaja e Salihit, bijë te fisi Guri në Bicaj, ka pasë në gji një djal të vogël Merxhanin, tregojnë se para se të vritej nga serbët e ka vendosur në grazhd të lopëve lirekun me fëmijën e vogël. Mbas tri ditësh, kur erdhi vëllai i vet nga Mëhalla e Gurit e gjeti motrën me krye të prerë e të varur në hu të gardhit, po ashtu nipat dhe mbesat, dhëndrrin dhe persona të tjerë të vrarë, ndër ta një grua me barkun e çarë përmes e me kokë po ashtu të prerë. Ai dëgjoi rënkimin e fëmjës, të nipit që ishte ende gjallë aty në grazhd dhe e mori me vete. Mbasi i dha të pinte diku në Shtiqën te një grua, foshnja shtëpoi. Ai e rriti dhe e bëri djal në shpirt dhe jetoi me të në Prizren. Nga Merxhan Salihi sot janë dy djem, Salajdini dhe Muharremi me familjet si dhe dy vajza me familjet e tyre. Nga Didet në Shënelaz shtëpuan Miftar dhe Sefi Rexhepi, i pari thonë se i dha një oficeri nja dy qypa me mjaltë ndërsa tjetri ishte larguar më herët prej katundi. Nga familjet e shuara plotësisht është shumë e vështirë të identifikohen emrat e viktimave, mbasi nuk lanë pasardhës që t'i identifikonin.

Ekzekutimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dëshitë e vetë serbëve ekzekutorë, dëshmitë e të mbijetuarve si dhe disa burime mediatike të asaj kohe tregojnë se serbët përdorën mënyrat më sadiste për mbytjen e njerëzve në Përbreg. Burrat i qëlluan me pushkë ose i therën me bajonetë e ua prenë kryet, disa i varën nëpër pemë; gratë i therën me bajonetë, grave me barrë ua çanë barkun me thikë e foshnjat i coptuan përtokë, shumë grave ua prenë kryet e i vendosën në hunj të gardhit; fëmijët i shpuan me bajonetë e i ngritën në piskamë, shumë fëmijëve ua prenë fytin e i ngulën në hunj gardhi, disa fëmijë i kanë mbështjellë me cergat e odave e i kanë shpue me bajonetë, në disa shpia fëmijët e vegjël i kanë mbështjellë me kashtë e ua kanë vu flakën... një numër banorësh i shtynë në hendek të plagosur e i mbuluan me dhè pa u dalë shpirti. Ja disa dëshmi nga banorët që i mbijetuen masakrimit, sipas shënimeve të dr.prof. Shefqet Hoxhës në librin “Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë 1912-1913”: Serbia hyri në katund prej Pikllime nji ushtri të madhe e na preu 375 burra, pleq, plaka, të rinj e të reja e cullë të vegjël. Burrat vetë e kanë gërmue hendekun e mbrapa serbi i ka pushkatue në breg. Cullët i ka qepë nëpër cerga e i ka shpue me bajoneta. Për çudi, një cucë e vogël kishte shpëtue; nuk e kishin kapë plumbat. Mbasi u rrit, u martue me Bajram Ramadan Zaskocin prej Mamzi. Serbia na mori 2000 dhen, 3000 dhi, 300 lopë. (Sul Agush Rustemi, vjeç 90, Perbreg, mars 1950).[1] Ishem Carrok. Disa ushtarë serbë me muerën mue bashkë me disa cullë të tjerë dhe na grumbulluen në fund të lagjes. U ndëgjue nji za në gjuhën serbe dhe mbrapa krisi pushka. Unë që ishem në fund e pash veten në midis të grumbullit, nën trupat e të tjerëve, gjaku i ngrohtë i shokëve të mi më dha me kuptue se ç'kishte ndodhë ... (Berdan Kovaci, 79 vje, 1978). I mbaj mend mirë mizorite e ushtrisë serbe. I grumbulluen bashkëfshatarët e mi të lagjeve Hallaç e Kovaç sipër shtëpisë së Ramadan Zenelit, burrat me nji anë e gratë në anen tjetër. Fëmijëve të vegjël u ngulnin bajonetat e i fugjnin të çamë e të copëtuem. Disa katundarë i mbuluen në nji gropë për së gjalli. (Mehmet Hallaçi).

Informime për masakrën e Përbregut[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në dhjetor të vitit 1913 autori austriak Leo Freundlich në shkrimin me titull Albania's Golgotha thotë se në Lumë ndodhi një genocid i përmasave të mëdha. Të gjitha tmerret e historisë që njeh njerzimi mbeben prapa në krahasim me sjelljet mizore të trupave serbe të Jankoviçit në Lumë, thotë ai. Në të njëjtin tekst ai shënon se në territorin e Lumës, tridhjetë e dy komunitetet u dogjën dhe kushdo që u kap aty u vra. Kryepeshkopi i Shkupit imzot Lazër Mjeda, në letrën dërgue princit Austro-Hungarez ne Prizren me datën 4 dhjetor 1915 shënon se gjenerali Jankoviç, i informuar që lumjanët nuk do të lejonin trupat serbe të kalonin nëpër territorin e tyre, ve në zbatim programin e shuarjes së këtij komuniteti, të vriten të gjithë, të shuhen si fise. Fëmijët i shkulnin nga zemrat e nanave të tyne, i mbështillnin me kashtë dhe i digjnin të gjallë. Ushtarët serbë kanë shpërthye me bajonetë barqet e grave shtatzëna e më pas kanë vrarë me thikë foshnjat. Eshtë e paimagjinueshme, por është e vërtetë. Nga fshati Përbreg me 112 familje, vetëm 4 të rritur kanë mbetur gjallë, thotë Mjeda. Në të vërtetë Përbregu ishte i vetmi fshat në Lumë ku u shkretuan familje të tëra që nga foshnja e deri te plaku. Burimet sllave për invazionin serb në Shqipëri nuk janë gjithmonë realiste, për më tepër në shumë raste janë denigruese për shqiptarët. Edhe përshkrimi i Kosta Novakoviçit në shkrimin e gjatë “Katër muaj në Shqipërinë e mesme” të botuar në janar dhe shkurt të vitit 1914 në revistën BORBA në Beograd paraqet një tablo e cila përveçse viktima, i paraqet shqiptarët në pozita fyese. Por për rastin e marshimit drejt detit ai na jep këtë fakt: për 10 ushtarë serbë të vrarë, ushtarët tanë vranë dhjetë burra shqiptarë, ua prenë kryet e ua vendosën në varr te këmbët e serbëve sepse skllavi duhet të varroset te këmbët e zotërisë, shkruan Novakoviçi. I thirrëm të binin bukë e i vramë, dëshmon një ushtar serb në ditarin e Novakovicit. Asnjë libër historie nuk i kushton vëmendjen e duhur genocidit të vitit 1913 në Përbreg, gati që të gjithë i shkojnë përkitas duke theksuar se në Përbreg u masakruan 375 njerëz e në ndonjë rast duke u mjaftuar me shënimet e një ushtari serb i cili shpreh habinë e vet se si njeriu mundet të realizoi barbarizma të tilla siç u realizuan në Përbreg, e ku thotë se Luma nuk ekziston ma. Botimet e historisë zyrtare e kanë injoruar sakrificën e Lumës duke mos e përmendur e duke mos i dhënë vendin që i takon në pavarësinë e Shqipërisë. As botimet e Tiranës e as botimet e Prishtinës nuk shkruajnë për Lumën. Ndër të tjera librat që pretendojnë të jenë libra historie nuk reshtin duke drejtuar gishtin kah Evropa sepse sipas tyre Evropa na qenka armike e jona, kur në të vërtetë armiku jonë janë sllavët e përkatësisht serbët etj. Vite më parë ka shkelë në Përbreg edhe historiani Zekeria Cana i cili me atë rast mbajti shënimet e veta dhe përmend një shifër prej më shumë se 300 vetësh të masakruar sipas gojdhënës. Përpjekja e parë për të sjellë dëshmi nga pasardhësit e të mbijetuarve është bërë nga mësuesi Xhafer Kovaçi i cili në librin Monografi për Tërthoren i kushton një vend të caktuar edhe masakrës së Përbregut, madje ai shënon edhe 88 emra të viktimave të asaj masakre, listë të cilës duhet t'i shtohen disa emra kryefamiljarësh si dhe të qindra grave e fëmijëve të vegjël që u masakruan në mënyrën më të egër. Shtojmë se me subjektin e kësaj masakre B.Z.Cengu ka shkruar në vitet 2000 prozën letrare “Elez Alai i Lumës” ndërsa nuk kanë munguar për të atë ngjarje rapsoditë apo vjershat nga autorë të ndryshëm. Gjithashtu, ditët e fundit dr.prof. Shefqet Hoxha ka nxjerrë në dritë librin e tij me titull “Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë 1912-1913”, T.2013, ku ndriçon në mënyrë shkencore atë periudhë, përfshi edhe masakrën e Përbregut. Gjatë regjimit komunist genocidi mbi Lumë, ashtu si edhe lufta e 1912-tës janë mbuluar nga lëmyshku i miqësisë fatale që ndërtuan qeveritë komuniste, përkatësisht Boegradi e Tirana në dëm të kombit shqiptar.

Varret masive[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në Lagjen Hallaç banorët thonë se ndodhen dy gropa ku janë mbuluar me dhjetëra njerëz që u masakruan nga serbët. Te Lisat e Lekës është gropa ku u varrosën në një vend 4 të rinjtë e fshatit Gjegjën të cilët ishin gjetë disa ditë mbas ekzekutimit. Në Hordhaç është varri i përbashkët me trupat e Pleqve të katundit, përkatësisht të Mustaf Idrizit dhe 4 të tjerëve të masakruar, ata ishin gjetur një javë mbas ekzekutimit. Në Përbregun e sipërm, në afërsi të ish xhamisë së katundit ndodhet varri masiv, ndoshta më i madhi i asaj masakre. Në vitet 70, gjatë gërmimeve për ujsellësin e katundit punëtorët kanë zbuluar gropën ku prehen trupat e banorëve të masakruar: fëmijë, gra e burra të veshur siç kanë qenë në momentin e ekzekutimit. Në lagjen Shënelaz të Përbregut të poshtën, (te Luma, siç e kanë thirrë), ndodhet varri masiv në Kodrën e Shënelazit. Aty për shumë dekada ka bërë hije një man i bardhë. Të parët u kanë thënë pasardhësve se aty prehen eshtrat e dy palë krushqve të vrarë mesveti n’kohë të vjetra, por kjo gojdhënë mbetet për t'u vërtetuar, mbasi ka shumë gjasa që pleqtë ta kenë përdorë këtë shpjegim si eufemizmë me qellimin për të mos friksuar fëmijët. Në afërsi të përroit të Kaniçit ka qenë gjithashtu një varr masiv, varr i cili në vitet 90 u rrëmbye nga ujët e përroit duke i bartë një pjesë të eshtrave deri në liqen, në atë kohë njerëzit kanë parë kafka fëmijësh që pluskonin në ujë.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Dr. prof. Shefqet Hoxha: “Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë 1912-1913”

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • 1. Hoxha Sh., Barbaritë serbe në Lumë dhe në rrethinë 1912-1913, T.2013
  • 2. Cana Z., Shpalime Historike, Prishtinë 1982
  • 3. Cana Z., Ditari i Robërisë I, P.2000
  • 4. Shala Xh., Mardhnëiet shqiptaro-serbe 1912-1918, Prishtinë 1990
  • 5. Braha Sh., Beteja e Drinit kundër agresionit serb, Prizren 2000
  • 6. Braha Sh., Genocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare, Tiranë 1992
  • 7. Kovaci Xh., Tërthorja monografi, Kukës 2006
  • 8. Duraku I., Për dëshmorët e harruar... Gaz.55, 16.11.2012
  • 9. Onuzi S., Mundja e serbëve në Lumë, Gaz.55, 14.11.2012
  • 10. Berisha Sh., Krijimi i hartave të reja në Ballkan, forumishqiptar.com, 25.08.2008
  • 11. Bilali E., Shkrime Historike I, Lezhë 2002