Mbretëria e Arbërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mbretëria e Shqipërisë)
Mbretëria e Arbërisë
Latinisht: Regnum Albaniae
1271–1368
Kingdom of Albania in 1368 AD.png
GjendjaMbretëri
KryeqytetiDurrës
Gjuhët e zakonshmeArbërishtja
Besimi
Qeveria
Lloji i qeverisjesMonarki absolute
Mbret, Zotëri 
• 1272-1285
Karli I Anzhu
• 1285-1368
Louis
Epoka historikeMesjeta
• Themeluar
1271
• Shpërbërë
1368
Të dhëna të tjera
Paraprirë nga
Pasuar nga
Perandoria Bizantine
Principata e Topiajve


Mbretëria e Arbërisë (Latinisht: Regnum Albaniae) u themelua nga Karli I Anzhu në territoret arbërore që rimori nga Perandoria Bizantine në vitin 1271. Mbretëria e Arbërisë u shpall në fund të shkurtit në vitin 1272. Mbretëria shtrihej nga rajoni i Dyrrahut (lat. Dyrrhachium) në jug përgjatë bregdetit të Butrintit. Një përpjekje e madhe për të avancuar më tej në drejtim të Kostandinopojës dështoi në rrethimin e Beratit (1280-1281). Një kundërsulm bizantin shpejt u pasua, gjë që çoi Anzhuinët brendësi të teritorit deri në vitin 1281. Vespersat sicilian më tej e dobësuan pozicionin e Karlit, dhe Mbretëria u zvogëlua shpejt nga Bizantinët në një zonë të vogël rreth Durrësit. Anzhutë mbahen këtu, megjithatë, deri në 1368, kur qyteti u kap nga Karl Topia. Në vitin 1392, djali i Karl Topisë e dorëzoi qytetin dhe fushat e tij në Republikën e Venedikut.

Historia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sfondi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë konfliktit midis Despotatit të Epirit dhe Perandorisë së Nikeas në vitin 1253, Golemi, zoti i Krujës fillimisht ishte në aleancë me Epirin. Trupat e Golemit kishin pushtuar zonën e Kosturit në përpjekje për të ndaluar forcat nikease të John Vatatzes për të hyrë në Devoll. Vatatzes arriti të bindte Golemin për të ndryshuar anë dhe një marrëveshje e re u nënshkrua midis tyre ku Vatatzes u zotua t'i garantonte Golemit autonominë e tij. Në të njëjtin vit Despoti i Epirit Mikaeli II nënshkroi një traktat paqeje me Nikean duke njohur autoritetin e tyre mbi Maqedoninë perëndimore dhe Shqipëri. Kalaja e Krujës iu dorëzua nikeasve ndërsa perandori nikeas njohu privilegjet e vjetra dhe mundësoi dhe të reja. Të njëjtat privilegje u ruajtën dhe nga pasardhësi i tij Teodori II Laskaris.[1]

Nikeasit morën nën kontroll Durrësin nga Mikaeli II në vitin 1256. Gjatë dimrit të 1256-57, Gjergj Akropoliti u përpoq të rivendoste autoritetin bizantin në rajonin e Arbërisë. Kështu, autonomia u hoq dhe një administratë e re u imponua. Kjo ishte në kundërshti me atë çka nikeasit kishin premtuar. Udhëheqësit vendas arbërorë u revoltuan kur e morën vesh lajmin dhe Mikaeli II gjithashtu e denoncoi traktatin e paqes me Nikean. Me mbështetjen e forcave arbërore, ai sulmoi qytetet e Dibrës, Ohrit dhe Prilepit. Ndërkohë, Manfredi i Siçilisë përfitoi nga situata dhe u nis për të pushtuar në Arbëri. Forcat e tij të udhëhequra nga Filip Chinard morën Durrësin, Beratin, Vlorën, Spinarizza (Zvërneci) me rrethina dhe bregdetin jugor shqiptar nga Vlora në Butrint.[2] Përballë një lufte në dy fronte, despoti Mikael II u dorëzua përballë Manfredit dhe u bë aleat i tij. Ai njohu autoritetin e Manfredit në rajonet e pushtuara të cilat u dhanë si një pajë pas martesës së vajzës së tij Helena me Manfredin.[2][3]

Pas mposhtjes së Mikaelit II dhe Manfredit në Betejën e Pellagonisë, forcat e reja nikease vazhduan të përparonin duke marrë të gjitha territoret e Manfredit në Arbëri duke përjashtuar Durrësin. Megjithatë, në shtator 1261, Manfredi organizoi një ekspeditë të re dhe arriti të pushtojë të gjitha zotërimet e tij në Arbëri dhe i mbajti ato deri në vdekjen e tij në 1266.[4] Manfredi e respektoi autonominë dhe privilegjet e vjetra të fisnikërisë vendase dhe rajonet e tyre. Ai gjithashtu i integroi fisnikët arbëror në administratën e tij, siç ishte rasti me Andrea Vrana i cili ishte kapiteni i përgjithshëm dhe guvernator i Durrësit dhe rajonit fqinj të Arbërisë. Trupat arbërore gjithashtu përdoreshin nga Manfredi në fushatat e tij në Itali. Manfredi e caktoi Filip Chinard si guvernator të përgjithshëm të zotërimeve të tij në Arbëri. Fillimisht i vendosur në Korfuz, Chinard e zhvendosi selinë e tij në Kaninë. Atje ai u martua me një të afërm të Mikaelit II.[5]

Krijimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas mposhtjes së forcave të Manfredit në Betejën e Beneventos në 1266, Traktati i Viterbos u nënshkrua me Karlin Anzhu që përfitonte të drejta në zotërimet e Manfredit në Arbëri[6][7] bashkë me të drejtat që ai fitoi në zotërimet latine në Despotatin e Epirit dhe në More.[8] Sapo mori vesh lajmin e vdekjes së Manfredit në betejën e Beneventos, Mikaeli II komplotoi dhe arriti të vrasë guvernatorin e Manfredit, Filip Chinard, me ndihmën e gruas së Chinard, por ai s'mundi të merrte zotërimet e Manfredit. Fisnikët dhe komandantët vendas refuzuan të dorëzonin zotërimet e Manfredit në Arbëri te Mikaeli II. Ata i dhanë të njëjtën përgjigje negative të dërguarit të Karlit, Gazo Chinard në 1267, kur ai kërkoi që ata të dorëzonin zotërimet e Manfredit në Arbëri siç thuhej dhe në traktatin e Viterbos.[9]

Pas dështimit të Kryqëzatës së Tetë, Karli Anzhu e ktheu vëmendjen e tij në Arbëri. Ai filloi të kontaktonte drejtues vendorë arbërorë nëpërmjet klerit vendas katolik. Dy priftërinj katolikë vendas, Gjoni nga Durrësi dhe Nikola nga Arbëria, ishin negociatorë midis Karlit Anzhu dhe fisnikëve vendas. Gjatë vitit 1271 ata bënë disa udhëtime midis Arbërisë dhe Italisë eventualisht duke arritur sukses në misionin e tyre.[10] Më 21 shkurt 1272,[6] një delegacion fisnikësh dhe qytetarësh arbërorë nga Durrësi shkuan në pallatin e Karlit. Karli nënshkroi një marrëveshje me ta dhe u shpall Mbret i Arbërisë me "dakordësinë e peshkopëve, kontëve, baronëve, ushtarëve dhe qytetarëve" duke iu premtuar atyre mbrojtje dhe ruajtje të privilegjeve që ata kishin nga Perandoria Bizantine.[11] Marrëveshja deklaroi bashkimin midis Mbretërisë së Arbërisë (latinisht: Regnum Albanie) dhe Mbretërisë së Siçilisë nën Mbretin Karli I Anzhu (Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae).[10] Ai caktoi Gazo Chinard si Famulltar të Përgjithshëm dhe shpresonte të fillonte ekspeditën e tij kundër Konstandinopojës përsëri. Përgjatë 1272 dhe 1273 ai dërgoi sasi të mëdha furnizimesh në Durrës dhe Vlorë. Kjo alarmoi perandorin bizantin, Mikael VIII Paleolog, i cili filloi të dërgonte letra te fisnikët arbërorë, në përpjekje për t'i bindur ata që mos ta mbështetnin më Karlin Anzhu dhe të ndërronin anë. Fisnikët arbërorë i dërguan ato letra te Karli i cili i lavdëroi ata për besnikërinë e tyre. Atëherë, shpresat e Mikaelit VIII për të ndaluar përparimin e Karlit ishin në influencën e Papa Gregori X. Gregori kishte shpresa të mëdha për të pajtuar Europën, duke bashkuar kishat greke dhe latine, dhe duke nisur një kryqëzatë të re: për këto ai deklaroi Këshillin e Lionit që do të mbahej në 1274 dhe punoi për të organizuar zgjedhjen e një perandori, kështu e urdhëroi Karlin për të ndaluar veprimtarinë e tij.[12]

Karli I Anzhu imponoi një sundim ushtarak në Mbretërinë e Arbërisë. Autonomia dhe privilegjet e premtuara në marrëveshje de fakto u anulluan dhe taksa të reja u vendosën. Tokat konfiskoheshin për hir të fisnikëve anzhuinë dhe fisnikët arbërorë u përjashtuan nga detyrat e tyre qeveritare. Në një përpjekje për të përforcuar sundimin e tij dhe besnikërinë vendase, Karli, mori peng bijtë e fisnikëve vendas. Kjo krijoi një pakënaqësi të përgjithshme në vend dhe disa fisnikë arbërorë filluan të kontaktonin perandorin bizantin Mikaelin VIII i cili i kishte premtuar të njihte privilegjet e tyre të dikurshme.[13]

Sulmi bizantin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Duke qenë se synimet e Karlit I për një sulm të ri u ndaluan nga Papa dhe tanimë kishte një pakënaqësi të përgjithshme në Arbëri, Mikaeli VIII përfitoi nga rasti dhe filloi një fushatë në Arbëri në fund të vitit 1274. Forcat bizantine të ndihmuara nga fisnikët vendas arbërorë morën qytetin e rëndësishëm të Beratit dhe më vonë atë të Butrintit. Në nëntor 1274, guvernatori vendor i raportoi Karlit se forcat arbërore dhe bizantine kishin rrethuar Durrësin. Sulmi bizantin vazhdoi dhe ata morën qytet-portin e Zvërnecit. Kështu Durrësi bashkë me Krujën dhe Vlorën u bënë të vetmet zotërime në Arbëri që ishin ende nën kontrollin e Karlit I, por ato ishin të rrethuara me tokë dhe ishin të izoluara nga njëra tjetra. Ato mund të komunikonin me njëra tjetrën vetëm nëpërmjet detit por flota bizantine e vendosur në Zvërnec dhe Butrint i mbanin nën presion të vazhdueshëm. Karli gjithashtu mundi të mbante ishullin e Korfuzit.[14][15]

Mikaeli VIII arriti edhe një fitore të rëndësishme diplomatike mbi Karlin I duke pranuar që të bashkonte dy kishat në Këshillin e Dytë të Lionit në 1274. Entuziast nga rezultatet e këshillit, Papa Gregori X, ndaloi çdo tentativë të Karlit ndaj forcave të Mikaelit VIII. Nën këto rrethana Karli I Anzhu u detyrua të nënshkruante një armëpushim me Mikaelin VIII në 1276.[14]

Kundërsulmi anzhuin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prania bizantine në Butrint alarmoi Nikeforos I Dukas, Despoti i Epirit. Ai kontaktoi Karlin Anzhu dhe vasalin e tij Uilliamin e Villehardouin i cili në atë kohë ishte princi i Akesë. Nikeforos I premtoi që të bënte zotim homazhi ndaj Karlit (në Mesjetë homazhi ishte një ceremoni ku vasali i garantonte besnikëri dhe shërbimin e tij të zotit të tij feudal) në këmbim të disa tokave në Ake. Në 1278 Trupat e Nikeforosit morën qytetin e Butrintit. Në mars 1279 Nikeforosi I e deklaroi veten si vasal të Karlit I Anzhu dhe i dorëzoi atij kalatë e Sopotit dhe Butrintit. Si garanci, Nikeforosi dërgoi djalin e tij te kastelani anzhuin i Vlorës që ta mbante si peng. Ambasadorë u shkëmbyen me këtë rast, por Karli nuk priti derisa të mbaronin formalitetet; ai urdhëroi kapitenin dhe famulltarin e përgjithshëm të tij në Korfuz për të marrë jo vetëm Butrintin, por gjithçka që dikur i përkiste Manfredit dhe tanimë ishte nën Despotatin e Epirit.[16]

Në të njëjtën kohë Karli filloi të krijonte një rrjet aleancash në rajon me sulmin e ri që po afronte. Ai hyri në aleancë me mbretërit e Serbisë dhe Bullgarisë.[17] Ai gjithashtu u përpoq të fitonte mbëshetjen e fisnikëve vendorë arbërorë. Pas kërkesave të vazhdueshme nga fisnikë të tjerë arbërorë, ai liroi një numër fisnikësh arbërorë të cilët ishin arrestuar para se të akuzoheshin si bashkëpunëtorë me forcat bizantine. Midis tyre ishte Gjin Muzaka, Dhimitër Zogu dhe Guljem Blinishti. Gjin Muzaka veçanërisht ishte i rëndësishëm për planet e Karlit sepse territoret e familjes Muzaka ishin rreth qytetit të Beratit. Ata u liruan por u urdhëruan që t'i dërgonin bijtë e tyre si pengje në Napoli.[18]

Në gusht 1279, Karli Anzhu caktoi Hugo de Sully si Kapiten dhe Famulltar të Përgjithshëm të Arbërisë, Durrësit, Vlorës, Sopotit, Butrintit dhe Korfuzit. Në muajt pasardhës, një kundërsulm i madh anzhuin u përgatit.[17] Shumë materiale dhe burra iu dërguan de Sully-t, i cili kishte marrë Zvërnecin nga bizantinët duke e bërë selinë e tij.[19] Synimi i parë i ekspeditës ishte rimarrja e qytetit të Beratit, i cili kishte qenë nën kontroll bizantin që prej vitit 1274. Megjithatë, përgatitjet e Karlit u kufizuan nga Papa Nikolla III i cili e kishte ndaluar Karlin për të sulmuar Perandorinë Bizantine. Megjithatë, Papa Nikolla III vdiq në gusht 1280 dhe për më shumë se 6 muaj vendi i tij mbeti bosh. Kjo i dha Karlit një mundësi për të vazhduar para. Gjatë vjeshtës 1280 ai urdhëroi Hugo de Sully për të ecur para.[20] Në dhjetor 1280 forcat anzhuine morën rrethinat e Beratit dhe rrethuan kalanë e tij.[19]

Kundërsulmi bizantin[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Perandori bizantin po shpresonte se Papa do t'i ndalonte kundërshtarët e tij latinë. Pas vdekjes së Papa Gregorit X, mbështetësit kryesor të bashkimit të kishave, pasardhësit e tij mbajtën të njëjtin kurs, gjë e cila kufizoi lëvizjet e Karlit. Megjithatë, në shkurt 1281, Karli I Anzhu arriti një fitore diplomatike duke imponuar një Papë francez si kreun e Kishës Katolike. Perandori bizantin Mikaeli VIII u çkishërua dhe ekspedita e Karlit kundër tij u bekua si një kryqëzatë e re.[17]

Situata ishte mjaft e komplikuar për Mikaelin VIII, megjithatë, ai dërgoi ndihmë për garnizonin e rrethuar. Ushtria bizantine e cila përfshinte dhe mercenarë turq arriti pranë Beratit në mars 1281. Ata ishin urdhëruar që të shmangnin betejën e hapur dhe të përqendroheshin në kurthe dhe bastisje.[21] Ata arritën të mposhtnin forcat anzhuine duke zënë rob komandantin e tyre Hugo de Sully në një kurth. Kjo përhapi panik në ushtrinë e tij duke i bërë ata të braktisnin betejën. Ushtria anzhuine humbi pjesën më të madhe të forcave të saj dhe vetëm një pjesë e vogël gjeti strehim në kalanë e Kaninës, e cila ishte në duart e Anzhuinëve.[22] Ushtria bizantine vazhdoi të përparonte më tej. Ata rrethuan bazat anzhuine të Vlorës, Kaninës e Durrësit por s'mundën t'i marrin. Fisnikët arbërorë në rajonin e Krujës u bashkuan me perandorin bizantin dhe ai i dha një statut me privilegje për qytetin dhe dioqezën e tyre.[23]

Përgatitjet e Karlit dhe Mbrëmjesoret Siçiliane[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Traktati i Orvietos[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Dështimi i ekspeditës së Hugo de Sully-t e bindi Karlin Anzhu se një pushtim i Perandorisë Bizantine nëpërmjet tokës nuk ishte i mundshëm,[21] dhe kështu ai konsideroi një ekspeditë detare kundër Bizantit. Ai pa një aleat te venedikasit dhe në korrik 1281, Traktati i Orvietos e formalizoi këtë bashkëpunim. Qëllimi i përcaktuar i tij ishte që të hiqte nga froni Mikaelin VIII dhe të vendoste perandorin latin Filipin e Courtenay si dhe themelimin me forcë të Bashkimit të Kishave, duke e sjellë Kishën Ortodokse Greke nën autoritetin e Papës. Arsyeja kryesore, megjithatë, ishte që të rithemelohej Perandoria Latine nën dominimin e anzhuinëve dhe për të restauruar privilegjet tregtare venedikase në Konstandinopojë.[24]

Sipas kushteve të marrëveshjes, Filipi dhe Karli do të jepnin 8,000 trupa dhe kavaleri, si dhe mjaftueshëm anije për t'i transportuar në Konstandinopojë. Filipi, Doge (drejtuesi) i Venedikut Giovanni Dandolo si dhe vetë Karli ose i biri i tij, Karli i Dytë, do ta shoqëronin personalisht ekspeditën. Në praktikë, Karli do të jepte gati të gjithë trupat, duke qenë se Filipi nuk kishte burime ose kishte burime të pamjaftueshme të vetat. Venedikasit do të jepnin dyzet galera si eskorta për flotën pushtuese, e cila do të lundronte nga Brindizi jo më vonë se prilli i 1283. Sapo Filipi të vendosej në fron, ai do të konfirmonte lëshimet në Traktatin e Vitierbos dhe privilegjet e dhëna venedikasve në themelimin e Perandorisë Latine, duke përfshirë njohjen e Doge (drejtuesit) si dominator të "një të katërtës dhe një të tetës së Perandorisë Latine".[25]

Një dokument i dytë u krijua për organizimin e një force për të paraprirë ekspeditën kryesore të 1283. Karli dhe Filipi do të jepnin 15 anije dhe 10 anije transporti me rreth 300 burra dhe kuaj. Venedikasit do të siguronin 15 luftanije për shtatë muaj të vitit. Këto forca do të bënin luftë kundër Mikaelit VIII dhe "pushtuesve të tjerë" të Perandorisë Latine dhe do të takoheshin në Korfuz nga 1 maji 1282, duke shtruar rrugën për pushtimin e vitit pasardhës.[25]

Mbrëmjesoret Siçiliane[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në të hënën e Pashkës më 30 mars 1282, në Siçili popullsia vendase sulmoi forcat franceze në një kryengritje që do të njihej si Mbrëmjesoret Siçiliane. Masakra vazhdoi për javë të tëra në ishull dhe ata gjithashtu shkatërruan flotën anzhuine të mbledhur në portin e Mesinës të cilën Karli kishte për qëllim ta përdorte në ekspeditën e re kundër Bizantit. Karli u përpoq ta shtypte kryengritjen, por më 30 gusht 1282, Pjetri III i Aragonit mbërriti në Siçili, ishte e qartë që Karli nuk kishte më mundësi për ta sulmuar Bizantin.[26] Në shtator 1282, dinastia anzhuine e humbi përgjithmonë Siçilinë. I biri i tij, Karli i Dytë i Napolit u zu rob nga ushtria aragoneze në Betejën e Gjirit të Napolit dhe ishte akoma i burgosur kur i ati, Karli I Anzhu, vdiq më 7 janar 1285. Me vdekjen e tij Karli i la të gjitha zotërimet e tij te i biri, i cili në atë kohë mbahej nga katalanasit. Ai u mbajt i burgosur deri në 1289, kur ai u lirua.[27]

Restaurimi[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Humbja e Durrësit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Rezistenca anzhuine vazhdoi për disa vite në Kaninë, Durrës dhe Vlorë. Megjithatë Durrësi ra në duart e bizantinëve në 1288 dhe në të njëjtin vit perandori bizantin Andronikos II Paleolog rinovoi privilegjet që paraardhësit e tij i kishin garantuar arbërorve në rajonin e Krujës.[23] Kalaja e Kaninës ishte e fundit që ra nën kontrollin bizantin me gjasa në vitin 1294, ndërsa Korfuzi dhe Butrinti mbetën në duart e anzhuinëve deri në 1292.[28] Në 1296, mbreti serb Stefan Milutin mori nën zotërim Durrësin. Në vitin 1299 Andronikos II Paleolog martoi vajzën e tij Simonida me Milutinin dhe tokat të cilat ai kishte pushtuar u konsideruan si pajë.[29]

Rimarrja e Durrësit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Megjithëse territoret arbërore ishin humbur, nocioni dhe të drejtat e Mbretërisë së Arbërisë vazhduan për anzhuinët për shumë kohë pas vdekjes së Karlit I Anzhu. Mbretëria u trashëgua prej Karlit II pas vdekjes së të atit në 1285. Në gusht 1294, Karli II ia kaloi të drejtat e tij në Arbëri të birit, Filipit I të Tarantos. Në nëntor 1294, Filipi I ishte i martuar me vajzën e Despotit të Epirit, Nikeforosi I, duke ringjallur aleancën e vjetër midis dy shteteve.[30] Planet e tij për të rimarrë zotërimet e vjetra anzhuine u ndalën për pak kohë kur në 1299 Filipi i Tarantos u bë i burgosur i Frederikut III të Siçilisë gjatë Betejës së Falkonarias. Megjithatë, pas lirimit të tij në 1302, ai pretendoi të drejtat e tij në Mbretërinë e Arbërisë dhe filloi përgatitjet për ta rimarrë. Ai mori mbështetjen e vendasve katolikë arbërorë të cilët preferonin një fuqi italiane katolike si mbrojtëse të tyre në vend të ortodoksëve grekë apo serbë, si dhe mbështetjen e Papa Benediktit XI. Në verën e 1304, serbët u dëbuan nga qyteti i Durrësit nga qytetarët dhe fisnikët durrsakë, të cilët në shtator e dorëzuan veten ndaj sundimit anzhuin. Filipi dhe i ati, Karli II, ripërtërinë privilegjet e vjetra që Karli I Anzhu i kishte premtuar qytetarëve dhe fisnikëve të Durrësit. Në vitin 1305, përjashtime të mëtejshme të gjera nga tarifat dhe taksat të qytetarëve dhe fisnikëve të Durrësit u bënë nga Karli II.[31]

Territori i Mbretërisë së Arbërisë nën sundimin e Filipit të Tarantos ishte i kufizuar afërsisht sa Rrethi i Durrësit në ditët e sotme. Në një përpjekje për të zgjidhur tensionet midis dinastisë Anzhu dhe aragonezëve, Mbretëria e Arbërisë dhe tokat në Ake nën zotërimin anzhuin u ofruan në këmbim të Mbretërisë së Siçilisë të sunduar nga Frederiku II. Këto negociata zgjatën për disa vite por u braktisën në vitin 1316.[32]

Me vdekjen e Filipit të Tarantos në 1332, kishte pretendime të ndryshme mbi zotërimet e tij brenda familjes anzhuine. Të drejtat e Dukatit të Durrësit dhe Mbretërisë së Arbërisë së bashku iu dhanë Gjonit të Gravinës me një shumë prej 5,000 paundësh ar.[33] Pas vdekjes së tij në 1336, zotërimet e tij në Arbëri i kaluan të birit, Karlit.

Gjatë kësaj periudhe kishte familje fisnike të ndryshme arbërore që filluan të konsolidonin pushtetin dhe zotërimet. Një prej tyre ishte familja Topiaj, zotërimet e të cilëve ishin në Arbërinë qendrore. Serbët po shtynin fort në drejtimin e tyre dhe fisnikët arbërorë gjetën një aleat natyral te anzhuinët.[34] Aleanca me udhëheqësit arbërorë ishte jetike gjithashtu edhe për sigurinë e Mbretërisë së Arbërisë, sidomos gjatë viteve 1320 dhe 1330. Më të spikatur prej këtyre udhëheqësve ishin Topiajt, duke sunduar në një rajon midis lumenjve Mat dhe Shkumbin[35] dhe familjes Muzaka në territorin midis lumenjve Shkumbin dhe Vlorë.[36] Ata i shihnin anzhuinët si mbrojtës të zotërimeve të tyre dhe bënë aleanca. Përgjatë viteve 1336-37 Karli korri suksese të ndryshme ndaj forcave serbe në Arbërinë qendrore.[37]

Dekadat e fundit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Presioni i Mbretërisë së Serbisë mbi Mbretërinë e Arbërisë u rrit sidomos nën udhëheqjen e Stefan Dushanit. Megjithëse fati i qytetit të Durrësit, kryeqytetit të mbretërisë, është i panjohur, nga viti 1346 e gjithë Arbëria thuhej të ishte nën sundimin e Dushanit.[34] Në vitin 1348, Karli, Duka i Durrësit, iu pre koka prej kushëririt të tij, Filipit II të Tarantos, i cili gjithashtu kishte trashëguar të drejta mbi Mbretërinë e Arbërisë. Ndërkohë, në Arbëri, pas vdekjes së Dushanit, perandoria e tij filloi të shkrihej dhe në Arbërinë qendrore, familja Topiaj nën Karl Topinë, pretendoi të drejta mbi Mbretërinë e Arbërisë. Stefan Uroshi I ishte i martuar me Helenën Anzhu dhe Karl Topia u njoh si Kont i Arbërisë.[38] Karl Topia mori Durrësin prej anzhuinëve në 1368 me konsensusin e qytetarëve durrsakë. Në 1376, Louis i Evreux, Duka i Durrësit, i cili kishte marrë të drejtat mbi Mbretërinë e Arbërisë nga gruaja e tij e dytë, sulmoi dhe e mori qytetin, por në 1383, Topia e mori përsëri kontrollin e qytetit.[39]

Në vitin 1385, qyteti i Durrësit u mor nga Balsha II. Topia thirri për ndihmë osmanët dhe forcat e Balshës u mposhtën në Betejën e Savrës. Topia rimori qytetin e Durrësit në të njëjtin vit dhe e mbajti deri kur vdiq në 1388. Më pas, Durrësi u trashëgua nga i biri, Gjergji. Në vitin 1392, Gjergji dorëzoi Durrësin dhe zotërimet e tij te Republika e Venedikut.[40]

Qeveria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbretëria e Arbërisë ishte një qenësi e veçantë nga Mbretëria e Napolit. Mbretëria kishte natyrën e një strukture politike të orientuar ushtarakisht. Kishte strukturën dhe organet qeverisëse të veta të cilat gjendeshin në Durrës.[41] Në krye të këtij trupi qeverisës ishte Kapiteni i Përgjithshëm i cili kishte statusin e një nënmbreti. Këta persona zakonisht kishin titullin capitaneus et vicarius generalis dhe ishin në krye të ushtrisë gjithashtu, ndërsa, forcat vendore komandoheshin nga persona që mbanin titullin marescallus in partibus Albaniae.[41]

Burimet mbretërore, sidomos të ardhurat nga prodhimi i kripës dhe tregtisë, paguheshin në thesaurius të Arbërisë. Porti i Durrësit dhe tregtia ishin jetike për mbretërinë. Porti ishte nën komandën e prothontius dhe flota arbërore kishte komandantin e saj. Zyra të tjera u krijuan dhe funksionuan nën autoritetin e nënmbretit.[41]

Me tretjen e territorit të mbretërisë, personat e caktuar si kapitenë të përgjithshëm filluan të humbnin pushtetin, duke u bërë më tepër guvernatorë të Durrësit sesa përfaqësues të mbretit.[41]

Roli i zotërve arbërorë u bë gjithnjë e më i rëndësishëm për fatin e mbretërisë dhe anzhuinët i integruan ata në strukturën e tyre ushtarake sidomos gjatë fazës së dytë të mbretërisë. Kur Filipi i Tarantos u kthye në vitin 1304, një fisnik arbëror, Gulielm Blinishti, u caktua në krye të ushtrisë anzhuine në Mbretërinë e Arbërisë me titullin marascallum regnie Albaniae.[42] Ai u pasua në 1318 nga Andrea Muzaka.[43] Nga viti 1304 e më pas, titujt e tjerë perëndimorë të fisnikërisë u dhanë nga anzhuinët te zotërit arbërorë.[44][45]

Megjithëse anzhuinët u përpoqën të krijonin një aparat shtetëror të centralizuar, ata lanë autonomi të madhe te qytetet arbërore. Në 1272 ishte vetë Karli I Anzhu që njohu privilegjet e vjetra të komunitetit të Durrësit.

Feja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Historikisht territori ku shtrihej Mbretëria e Arbërisë ishte ekspozuar ndaj fuqive të ndryshme metropolite si Antivari (Kryedioqeza e Tivarit), Durrësi, Ohri (Kryepeshkopata e Ohrit) dhe Nikopolis ku kishat katolike, greke, serbe, bullgare ushtronin pushtetin e tyre ndonjëherë edhe bashkë. Prania e mbretërisë përforcoi ndikimin e katolicizmit dhe konvertimin në të, jo vetëm në rajonin e Durrësit por edhe në pjesë të tjera të vendit.[46]

Kryepeshkopata e Durrësit ishte një nga peshkopatat kryesore në Arbëri dhe para Skizmës së Madhe (1054), kishte 15 peshkopata nën autoritetin e saj. Pas ndarjes mbeti nën autoritetin e Kishës Lindore ndërsa kishte përpjekje të vazhdueshme por të pasuksesshme nga kisha romake për ta konvertuar në ritin latin. Megjithatë, gjërat ndryshuan me rënien e Perandorisë Bizantine në 1204. Në 1208, një kryedhjak katolik u zgjodh për Kryepeshkopatën e Durrësit. Pas ripushtimit të Durrësit nga Despotati i Epirit në 1214, kryepeshkopi latin i Durrësit u zëvendësua me një kryepeshkop ortodoks. Pas vdekjes së tij në 1225, fuqi të ndryshme metropolite fqinje luftuan mbi vendin e lënë bosh prej tij. Në fund një kryepeshkop nikeas u caktua në 1256 por ai s'mundi ta kryejë punën efektivisht pasi qyteti në vitin 1258 u pushtua nga Manfredi.[47]

Pas krijimit të Mbretërisë së Arbërisë në 1272, një strukturë politike Katolike ishte një bazë e mirë për planet papnore të përhapjes së katolicizmit në Ballkan. Ky plan gjithashtu gjeti mbështetjen edhe të Helenës Anzhu, nuse e Mbretit Stefan Uroshi I dhe kushërirë e Karlit I Anzhu, si Mbretëreshë e Mbretërisë së Serbisë, e cila në atë kohë sundonte mbi territore të Arbërisë së veriut. Rreth 30 kisha Katolike dhe manastire u ndërtuan gjatë sundimit të saj në Arbërinë e veriut dhe Serbi.[48] Peshkopata të reja u krijuan veçanërisht në Arbërinë e veriut me ndihmën e Helenës Anzhu.[49]

Durrësi u bë përsëri një kryepeshkopatë Katolike në 1272. Territore të tjera të Mbretërisë së Arbërisë u bënë qendra Katolike gjithashtu. Butrinti në jug, edhe pse i varur prej Korfuzit, u bë Katolik dhe mbeti i tillë përgjatë shekullit të 14-të. E njëjta gjë ndodhi me Vlorën dhe Krujën sapo u krijua Mbretëria e Arbërisë.[50]

Një valë e re dioqezash, kishash dhe manastiresh Katolike u themeluan, një numër urdhrash të ndryshëm fetarë filluan të përhapeshin në vend dhe misionarë papnorë gjithashtu mbërritën në territoret e mbretërisë. Ata që nuk ishin Katolikë në Arbërinë qendrore dhe veriore u konvertuan dhe një numër i madh klerikësh dhe murgjish arbërorë ishin të pranishëm në institucionet katolike dalmate.[51]

Megjithatë, në Durrës riti bizantin vazhdoi dhe për një farë kohe pas pushtimit anzhuin. Ky autoritet i dyfishtë krijoi disi konfuzion në popullsinë vendase dhe një vizitor i kohës i përshkroi arbërorët si nuk janë as plotësisht Katolikë as plotësisht skizmatikë. Në mënyrë që të luftohej kjo dykuptimësi fetare, në 1304, Domenikanët u urdhëruan nga Papa Benedikti XI për të hyrë në vend dhe për të udhëzuar vendasit në ritin latin. Priftërinjtë domenikanë gjithashtu u caktuan peshkopë në Vlorë dhe Butrint.[52]

Midis urdhrave Katolikë që vepronin në Arbëri gjatë asaj kohe, mund të përmendësh Françeskanët, Karmelitët, Cistercinët dhe Premonstratensianët. Gjithashtu herë pas here, peshkopët vendas caktoheshin nga urdhra të ndryshëm pasi papët e ndryshëm kishin urdhrat e preferuar të vet.[53]

Kruja u bë një qendër e rëndësishme për përhapjen e katolicizmit. Peshkopata e saj kishte qenë katolike që prej 1167. Ishte nën varësinë direkte të papës dhe ishte vetë papa që e shenjtëronte peshkopin.[54] Fisnikët vendas arbërorë mbajtën marrëdhënie të mira me papatin. Influenca e tij u bë aq e madhe saqë filloi të nominonte peshkopët vendas.

Kauza katolike hasi jo pak vështirësi kur Stefan Dushani sundonte në Arbëri. Riti Katolik quhej herezi latine dhe kodi i Dushanit përmbante masa të rënda kundrejt tyre. Megjithatë, persekutimet e katolikëve vendas arbërorë nuk filluan në 1349 kur kodi qe shpallur, por shumë më herët, të paktën që nga fillimi i shekullit të 14-të. Nën këto rrethana marrëdhëniet midis arbërorve katolikë dhe kurias papale u bënë mjaft të ngushta.[55]

Midis viteve 1350 dhe 1370, përhapja e katolicizmit në Arbëri arriti pikun e vet. Në këtë periudhë kishte rreth 17 peshkopata në vend, të cilat vepronin jo vetëm si qendra për reformim katolik brenda Arbërisë, por dhe si qendra për veprimtari misionare në rajonet fqinje, me lejen e papës.[51]

Shoqëria[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ndërsa pronja bizantine ishte forma më e përhapur, anzhuinët sollën tipin e feudalizmit perëndimor, manorializmin. Në shekujt e 13-të dhe 14-të, pronjarët fituan një numër të madh privilegjesh dhe atributesh, duke larguar pushtetin nga autoriteti qendror. Përfitimet e fituara nga pronjarët prej tokave të tyre u rritën. Pronjarët filluan t'i vilnin taksat e tokës për vete e cila ishte një detyrë e shtetit. Ata gjithashtu filluan të shfrytëzonin autoritete administrative të cilat zëvendësuan ato të shtetit, siç ishte aftësia për të mbledhur punëtorë, roje, ushtarë dhe ndonjëherë gjykatësit e vetë. Në shekullin e 13-të, ishte e zakonshme për pronjarët që t'i jepnin të drejtë vetes në gjyq, fillimisht për probleme të vogla dhe më pas për krime serioze.[56]

Nga shekulli i 14-të, pronja kishte arritur statusin e zotërimit feudal. Tani mund të trashëgohej, ndahej ose shitej. Pronja gjithnjë e më rrallë përmbushte nevojat ushtarake të shtetit.[56] Përkrah pronjarëve ishin pronarë tokash të cilët zotëronin sipërfaqe të mëdha tokash që punoheshin nga fermerë. Këtu përfshiheshin dhe pronjarë nga Durrësi, Shkodra dhe Drishti. Qytetarët e Durrësit zotëronin prona dhe kullota në afërsi të malit Temal. Ndarja, trashëgimi dhe shitja e pronës ishte diçka e zakoshme.[57]

Zotërimet feudale në Arbëri, ashtu si në perëndim dhe në Perandorinë Bizantine, përbëheshin prej dy pjesësh: toka e fshatarëve dhe toka e cila zotërohej drejtpërdrejt nga zotërit e tokës. Toka e fshatarëve nuk ishte e centralizuar por ishte e ndarë në shumë parcela të vogla, shpesh larg njëra tjetrës. Toka e zotit zgjerohej vazhdimisht në të njëjtat linja që aristokracia forcoi.[57]

Toka gjithashtu ishte e centralizuar nën institucionet fetare, duke përfshirë manastiret dhe peshkopatat. Ndryshe nga shekulli i 12-të, ku zona nën kontroll dhurohej nga autoriteti qendror, pas shekullit të 12-të, shumica e dhuruesve të tokave të manastireve dhe peshkopatave ishin pronarë tokash të vegjël dhe të mëdhenj.[57] Nga fillimi i shekullit të 14-të, manastiret dhe peshkopatat kishin arritur të siguronin shuma të mëdha prej fondeve të tokës.[58] Të ardhurat e manastireve vinin kryesisht nga produktet agrokulturore, por një pjesë e vogël vinte dhe nga artizanati dhe veprimtari të tjera. Një burim qendor të ardhurash për kishën ishin taksat e mbledhura në mall dhe para në dorë. Një sasi e mirë shkonte në Romë ose Konstandinopojë. Dërgesa e obligacioneve ishte një nga shkaqet e fërkimit midis klerit vendas dhe papës në Romë ose patriarkut në Konstandinopojë.[59]

Në një përpjekje për të gjetur mënyra të tjera të financimit, sidomos në kohë lufte, autoriteti qendror vendosi taksa të larta mbi popullsinë. Piramida e shoqërisë varej prej punës së fermerëve. Përkrah kategorisë kryesore të fermerëve, kategori të tjera të fermerëve përfshinin dhe fermerë "të lirë" dhe fermerë "të huaj". Ata ishin të privuar nga toka dhe çdo lloj zotërimi dhe si rrjedhojë nuk ishin të regjistruar, duke i çuar në grindje për kualitetin e pagave. Me kalimin e kohës, ata morën një copë tokë për të cilën paguan taksë dhe u bashkuan me kategorinë kryesore të fermerëve.[59]

Detyrat feudale të fshatarit nuk ishin të njëjta për të gjitha rajonet arbërore por varionin në varësi të terrenit. Sistemet e pagesave në mall ose para në dorë gjithashtu varionin në përputhje me rrethanat, por fuqizimi i fisnikërisë ndaj autoritetit qendror në shekullin e 13-të shkaktoi që pagesat me para në dorë të rriteshin kundrejt atyre në mall. Në shekujt e 12-të deri në të 14-të fuqia e fisnikëve u thellua. Jo vetëm fushat u vunë nën kontrollin e fisnikëve por edhe zonat malore. Zotërimet feudale filluan të përfshinin dhe hapësirat komunale si pyjet, kullotat, dhe ato ku peshkohej. Ky evoluim ndodhi gjatë periudhës së rënies së Bizantit dhe përfshiu konvertimin e pronjës në një zotërim mjaft të ngjashëm me atë feudal.[60]

Shumica dërrmuese e popullsisë nën sundimin e zotit përbëhej nga punëtorë agrokulturor. Burime të kohës zbulojnë se në pjesë të mëdha të Arbërisë, popullata fshatare kishte rënë në statusin e bujkrobërisë. Një udhëtar anonim në 1308 zbuloi se fermerët në rajonet e Këlcyrës, Tomorricës, Stefaniakës, Kunavës dhe Pultë të Dibrës punonin tokat dhe vreshtat e zotërve të tyre respektivë, dorëzonin produktin dhe bënin punët e shtëpisë së tyre. Historiani bizantin Kantakuzenos dëshmon se fuqia e zotërve në këto rajone varej më së shumti prej bagëtive të cilat ishin të pranishme në numër të madh.[61]

Qytetet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë shekullit të 13-të, shumë qytete në Arbëri bënë shndërrimin nga fortesa ushtarake në qendra urbane. Në pamundësi për ta mbajtur zhvillimin brenda mureve të qytetit, shumë qytete u zgjeruan përtej tyre. Ndërtime jashtë mureve të qyteteve filluan të formoheshin, të quajtura proastion dhe suburbium dhe u bënë qendra të rëndësishme ekonomike. Në këto pjesë, bëhej tregti dhe dyqane bashkë me punishte përqendroheshin këtu. Me kalimin e kohës, shumë prej këtyre ndërtimeve gjithashtu u rrethuan me mure për t'i mbrojtur. Në mënyrë për të siguruar furnizimin me ujë, çisterna në vende të hapura dhe të sigurta u përdorën për të mbledhur ujë. Në disa raste të veçanta, uji u mblodh dhe nga lumenjtë e afërt.[62]

Në gjysmën e parë të shekullit të 14-të, popullsia e qyteteve u rrit mjaft. Durrësi thuhet të ketë pasur 25,000 banorë. Qyteti u bë një qendër i cili tërhiqte banorë nga zonat rurale.[62] Durrësi dihet të ketë pasur një numër të madh banorësh që erdhën nga fshatrat aty pranë. Ata fermerë që migronin në qytet shpesh detyroheshin të paguanin një pagesë fikse ose ta shlyenin këtë pagesë duke punuar. Bashkë me fermerët erdhën dhe fisnikë nga zonat përreth, të cilët ose u zhvendosën në mënyrë të përhershme ose kaluan një kohë të madhe në qytet për tu kujdesur për interesat e tyre ekonomike. Shumë kishin zotërime, dyqane dhe shtëpi në qytet. Lëvizja e fisnikëve në zonat urbane u bë normale dhe me kalimin e kohës ata u integruan në qytet duke u bërë qytetarë dhe shpeshherë duke marrë pozicione qeveritare.[63]

Arkitektura[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Përhapja e katolicizmit ndikoi në arkitekturën e ndërtesave fetare, me një stil të ri Gotik, kryesisht në Arbërinë qendrore dhe veriore. Këto zona ishin të lidhura me Kishën Katolike dhe kishin lidhje më të forta me perëndimin. Të dyja kishat si Katolike dhe ajo Ortodokse vepronin në Durrës, si rrjedhojë stilet arkitekturore perëndimore dhe bizantine u ndoqën.[64] Arkitektura perëndimore mund të gjendej edhe në zona ku sundues perëndimorë kishin zotërime. Kishat e ndërtuara në këtë formë në Arbërinë veriore dhe qendrore karakterizoheshin nga një theksim në një aks gjatësor lindje-perëndim me apsida drejtkëndore ose rrethore. Midis monumenteve më të spikatura arkitekturore të kësaj periudhe përfshihen Kisha e Shirgjit pranë fshatit Shirgj në Shkodër, Kisha e Shën Marisë në Vaun e Dejës dhe Kisha e Rubikut.[65] Dy kishat e para u ndërtuan në shekullin e 13-të ndërsa këto dy të fundit në shekullin e 12-të. Shumica e kishave të ndërtuara në këtë periudhë dekoroheshin me afreske.[65]

Bibliografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  • Abulafia, David (1996), "Intercultural contacts in the medieval Mediterranean", in Arbel, Benjamin, Intercultural contacts in the medieval Mediterranean, Psychology Press, pp. 1–13, ISBN 978-0-7146-4714-2
  • Abulafia, David (1996), "The Italian South", in Jones, Michael, The New Cambridge Medieval History, Volume VI: c. 1300-c. 1415, Cambridge University Press, pp. 488–514, ISBN 978-0-521-36290-0
  • Anamali, Skënder; Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar në katër vëllime (in Albanian). Botimet Toena. ISBN 978-99927-1-622-9.
  • Bartusis, Mark C. (1997), The Late Byzantine Army: Arms and Society 1204–1453, University of Pennsylvania Press, ISBN 978-0-8122-1620-2
  • Castellan, Georges (2002), Histoire de l'Albanie et des albanais, Editions ARMELINE, ISBN 978-2-910878-20-7
  • Ducellier, Alain (1999), "Albania, Serbia and Bulgaria", in Abulafia, David, The New Cambridge Medieval History, Volume V: c. 1198-c. 1300, Cambridge University Press, pp. 779–795, ISBN 0-521-36289-X
  • Fine, John Van Antwerp (1994), The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, University of Michigan Press, ISBN 978-0-472-08260-5
  • Frachery, Thomas (2005), Le règne de la Maison d'Anjou en Albanie (1272–1350), Rev. Akademos, pp. 7–26
  • Jacobi, David (1999), "The Latin empire of Constantinople and the Frankish states in Greece", in Abulafia, David, The New Cambridge Medieval History, Volume V: c. 1198-c. 1300, Cambridge University Press, pp. 525–542, ISBN 0-521-36289-X
  • Lala, Etleva (2008), Regnum Albaniae, the Papal Curia, and the Western Visions of a Borderline Nobility, Central European University, Department of Medieval Studies
  • Nicol, Donald M. (1992). Byzantium and Venice: A Study in Diplomatic and Cultural Relations. Cambridge University Press. ISBN 978-0-521-42894-1.
  • Nicol, Donald MacGillivray (2010), The Despotate of Epiros 1267–1479: A Contribution to the History of Greece in the Middle Ages, Cambridge University Press, ISBN 978-0-521-13089-9
  • Nicolle, David (1988), Hungary and the fall of Eastern Europe 1000-1568, Osprey Publishing, ISBN 978-0-85045-833-6
  • Norris, H. T. (1993), Islam in the Balkans: religion and society between Europe and the Arab world, University of South Carolina Press, ISBN 978-0-87249-977-5
  • O'Connell, Monique (2009), Men of empire: power and negotiation in Venice's maritime state, Johns Hopkins University Press, ISBN 978-0-8018-9145-8
  • Pollo, Stefanaq (1974), Histoire de l'Albanie, des origines à nos jours Volume 5 of Histoire des nations Collection Histoire des nations européennes Histoire des nations européennes, Horvath, ISBN 978-2-7171-0025-9
  • Setton, Kenneth M. (1976), The Papacy and the Levant (1204–1571), Volume I: The Thirteenth and Fourteenth Centuries, DIANE Publishing, ISBN 978-0-87169-114-9

Shih edhe[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ Anamali, Skënder; Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar në katër vëllime. p. 202
  2. ^ a b "Setton (1976), p. 81". {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ The New Cambridge Medieval History, Volume V: c. 1198-c. 1300 p. 791-792
  4. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 205
  5. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 205-206
  6. ^ a b Ducellier (1999), p. 793
  7. ^ Nicol (2010), p. 12
  8. ^ Jacobi (1999), p. 533
  9. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 206
  10. ^ a b Anamali & Prifti (2002), p. 207
  11. ^ Nicol (2010), p. 15
  12. ^ Nicol (2010), p. 15-17
  13. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 208-210
  14. ^ a b Anamali & Prifti (2002), p. 201
  15. ^ Nicol (2010), p. 18
  16. ^ Nicol (2010), p. 18-23
  17. ^ a b c Nicol (2010), p. 25
  18. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 211
  19. ^ a b Setton (1976), p. 136
  20. ^ Nicol (1992), p. 206
  21. ^ a b Bartusis (1997), p. 63
  22. ^ Setton (1976), p. 137
  23. ^ a b Nicol (2010), p. 27
  24. ^ Nicol (1992), p. 208-209
  25. ^ a b Nicol (1992), p. 208
  26. ^ Setton (1976), p. 140
  27. ^ Nicol (2010), p. 33.
  28. ^ Nicol (2010), p. 28
  29. ^ Nicol (2010), p. 67-68
  30. ^ Nicol (2010), p. 44-47
  31. ^ Nicol (2010), p. 68
  32. ^ Abulafia (1996), Intercultural contacts in the medieval Mediterranean, pp.1-13
  33. ^ Nicol (2010), p. 99
  34. ^ a b Nicol (2010), p. 128
  35. ^ Norris (1993), p.36
  36. ^ Fine (1994), p. 290
  37. ^ Abulafia (1996), The New Cambridge Medieval History, Volume VI: c. 1300-c. 1415, p. 495
  38. ^ Nicolle (1988), p.37
  39. ^ Fine (1994), p. 384
  40. ^ O'Connell (2009), p.23
  41. ^ a b c d Lala (2008), p.21
  42. ^ Lala (2008), p.138
  43. ^ Lala (2008), p.136.
  44. ^ Castellan (2002), p. 25
  45. ^ Pollo (1974), 54
  46. ^ Lala (2008), p.52
  47. ^ Lala (2008), p. 54-55
  48. ^ Lala (2008), p. 91-95
  49. ^ Lala (2008) p. 155
  50. ^ Lala (2008), p. 147-148
  51. ^ a b Lala (2008), p. 146
  52. ^ Lala (2008), p. 149-153
  53. ^ Lala (2008), p. 154
  54. ^ Lala (2008), p. 157
  55. ^ Lala (2008), p. 118-119
  56. ^ a b Anamali & Prifti (2002), p. 220.
  57. ^ a b c Anamali & Prifti (2002), p. 221.
  58. ^ Anamali & Prifti (2002), pp. 221-222.
  59. ^ a b Anamali & Prifti (2002), p. 222.
  60. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 223.
  61. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 224.
  62. ^ a b Anamali & Prifti (2002), p. 225.
  63. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 226.
  64. ^ Anamali & Prifti (2002), p. 314
  65. ^ a b Anamali & Prifti (2002), p. 315