Mentor Nazarko

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mentor Nazarko është analist i shtypit periodik dhe i mediave prej një kohe të gjatë. Me një eksperiencë si Këshilltar i Presidentit të Republikës dhe drejtues i disa mediave, ai ka angazhime universitare në disa institucione publike dhe private të arsimit të lartë.

Pedagog i "E drejtës publike", "Faqja Editoriale" dhe "Gazetaria e Zhvillimit" në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës si dhe "Historia e Ballkanit" në Fakultetin e Shkencave Politike të po këtij universiteti. Nazarko drejton dhe Qendrën e Studimeve Rajonale pranë Universitetit "Marin Barleti". Në kuadër të kësaj Qendreje, Mentor Nazarko ka drejtuar dhe drejton revistën periodike kërkimore "Gjeopolitika".

Mentor Nazarko ka botuar disa libra dhe artikuj të shumtë publicistikë dhe shkencorë në shtypin periodik dhe të specializuar të vendit dhe atë ndërkombëtar. Ai është autor i librit me komente mbi veprimtarinë politike të ish Presidentit Rexhep Meidani, "Presidenti Meidani dhe Kosova", një lloj libri i bardhë mbi këtë veprimtari në në periudhën e krizës së Kosovës në vitet 1997-2002.

Nazarko ka botuar dhe një libër në anglisht, botim i shtëpisë botuese hollandeze "Strengthening Religious Tolerance for a Secure Civil Society in Albania and the Southern Balkans", botim nga IOS, së bashku me Xhejms Petifer. Libri më i rëndësishëm i tij është "Lufta e Fundit", kushtuar problemit të pasurive shqiptare në Greqi, monografi juridike-historike në këtë temë.