Shko te përmbajtja

Miho Gjini

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Miho Gjini (lindur më 20 mars 1938 në Piqeras, Himarë) është studiues, kritik i artit skenik, shkrimtar dhe publicist shqiptar. Ai ka mbajtur disa detyra në institucionet kulturore dhe arsimore në Shqipëri, përfshirë drejtimin e teatrit “Skampa” në Elbasan dhe funksione të tjera në fushën e teatrit dhe botimeve. Pas viteve 1990, ka qenë aktiv në komunitetin kulturor shqiptar në Greqi. Në vitin 2005 është nderuar me titullin "Mjeshtër i Madh".

Miho Gjini u lind më 20 mars 1938 në fshatin Piqeras të Himarës, ku kreu edhe shkollën fillore. Arsimin e mesëm e vazhdoi në Tiranë, në Politeknikumin “7 Nëntori”, ku u specializua edhe si teknik i radiologjisë, profesion që e ushtron për një periudhë në spitalin civil të Gjirokastrës.

Studimet e larta i kreu në Shkollën e Lartë të Aktorëve “Aleksandër Moisiu”, ku u diplomua në vitin 1963 si aktor, regjisor dhe me specializim në kritikë teatri.

Veprimtaria profesionale (1963–1976)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Teatri “Skampa” – Elbasan

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitet 1963–1966 shërbeu si drejtor dhe regjisor i Teatrit Profesionist “Skampa” në Elbasan, ku realizoi disa premiera, përfshirë:

  • “Justina” e Hella Wuolijoki (1964)
  • “Kutia prej argjendi” e John Galsworthy (1965)

Institucionet qendrore të teatrit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitet 1966–1969 u emërua kryeredaktor i revistave “Teatri” dhe “Estradat” të Republikës së Shqipërisë, si dhe pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve.

Në vitin 1969 u caktua Inspektor i Përgjithshëm i Teatrove dhe Estradave të Republikës, detyrë që e mbajti paralelisht me punën si pedagog deri në vitin 1976.

Vitet e ndëshkimeve politike (1976–1982)

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në vitin 1976 u largua nga detyrat në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe u emërua mësues në Shkollën e Mesme të Kulturës në Tiranë. Më pas u dërgua me detyrim pune dhe u internua në zonën e Memaliajt dhe Tepelenës.

Në dhjetor të vitit 1978 u arrestua dhe u dënua me akuzën e “agjitacionit dhe propagandës”, duke qëndruar në burg deri në vitin 1982, kur u lirua me amnisti të përgjithshme.

Pas lirimit vazhdoi të punonte si punëtor krahu, në kuadër të kufizimeve të vendosura nga politika e “luftës së klasave”.

Periudha pas vitit 1990

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Pas ndryshimeve politike, emigroi në Greqi, ku ka jetuar dhe ka zhvilluar veprimtari kulturore. Ai ka qenë për 15 vite kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Greqi, si dhe kryeredaktor i revistës “Pegasi”. Ka shërbyer gjithashtu si redaktor në disa antologji letrare me autorë nga Bregdeti i Jugut.

Në vitin 2005, me vendim të Presidentit të Shqipërisë, u rehabilitua dhe u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh”.

Mban titujt “Qytetar Nderi i Bregdetit” dhe “Ambasador i Paqes”.

Letërsi, kritikë, drama dhe studime

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Trokitje në dyert e teatrit (1967)
  • Bijtë e partizanëve – dramë për fëmijë (1965)
  • Dashi me këmborë – komedi (1968)
  • Pas shfaqjes – shkrime kritike për estradën (1971)
  • Gjemba në livadhin e shokut Bardhok – komedi (1973)
  • Teatri i të vegjëlve – metodikë regjisoriale (1974)
  • Teatri dhe koha – studime dhe kritika (1974)
  • Vdekja e mjellmës – tregime (1995)
  • Mihal Popi – Artist i Popullit – monografi (1997)
  • Pasardhësi i Moisiut: Naim Frashëri – monografi (1998)
  • Adio, Xhulia R! – tregime dhe novela (2000)
  • Jetë artistësh – portrete dhe shkrime (2001)
  • Një jetë e ndërprerë – monografi (2001)
  • Vila e vetmuar – novelë (2002)
  • Dëbimi: Udha për në ferr – roman autobiografik (2003)
  • Arratisja e kujtesës – tregime dhe novela (2003)
  • Vdekja e artistit – tregime dhe novela (2005)
  • Një jetë me teatrin dhe për teatrin – bibliografi (2008)
  • Bisedë me muzat – studime dhe kritika (2008)
  • Letra nga Spanja – roman (2012), përkthyer në greqisht (2014)
  • Diva shqiptare Margarita Xhepa – monografi (2013)
  • Piqerasiotët – studim letrar-historik (2013)
  • Shpirti artistik (2014)
  • Acari i dashurisë – tregime dhe novela (2014)
  • Dy ditë sa për dy shekuj – publicistikë (2014)
  • Artisti i Popullit Nikolin Xhoja – monografi (2015)
  • 55 vjet publicistikë (2017)
  • Teatri dhe letërsia – kritika dhe studime (2018)
  • Piqerasi – guidë artistike (2018)
  • 10 + 1 portrete artistësh (2020)
  • Mozaik – studime (2022)
  • Piqerasiotët – libri i dytë (2022)
  • Dritëhijet e skenës dhe ekranit (2023)
  • Brezi i artë i aktrimit (2024)