Kërceni tek përmbajtja

Mirush Kabashi

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Ky artikull është propozuar për t'u shpallur artikull i mirë. Një artikull i mirë duhet të përmbushë kriteret për përmbajtjen, burimet dhe materialet multimediale. Ju lutemi, ndihuni të lirë dhe komentoni.


Mirush Kabashi (17 prill 1948 - 5 dhjetor 2023) ishte një aktor shqiptar. Ai ka interpretuar rreth 100 role, në teatër dhe në kinema. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Roli i tij më i rëndësishëm është ai i Sokratit në veprën teatrore "Apologjia e vërtetë e Sokratit". Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisëShqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare. Familja e tij është pjesë e fisit Kabashi.

Mirush Kabashi
Lindi(1948-04-17)17 prill 1948[1]
Vdiq5 dhjetor 2023 (75 vjeç)
ProfesioniAktor
Fëmijë2
FamiljaKabashi
Çmimet Artist i Popullit
Mirush Kabashi në rolin e Sokratit

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. E ka origjinën nga Gjakova. Në vitin 1970 u diplomua për aktrimAkademinë e ArteveTiranë dhe filloi punë në teatrin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit.[2] Aty vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit në vitet 1991-1993. Më pas punoi në Radio Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga viti 2002 e në vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, është aktivizuar si pedagog i "Mjeshtërisë së Aktorit" pranë Akademisë së Arteve.

Pasioni për aktrimin u shfaq që në fëmijëri tek artisti. "Mbaj mend që në fëmijëri i kam pasur shumë qejf jo vetëm shfaqjet teatrore por edhe filmat. Tani, i kujtoj pak me buzëqeshje kur mendoj që një film, p.sh. 'Hamletin', e kam parë mbi 15 herë me lloj-lloj pozicionesh, në kinemanë verore apo atë dimërore. Gjithmonë kam pasur dëshirë të shihja filma, të admiroja dhe të diskutoja për artistët pjesëmarrës. Pastaj afrimi me aktrimin qe një okazion."- shprehet aktori në një intervistë të dhënë për mediat.

Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor 2023 në moshën 75 vjeçare, pasi vuante prej disa kohësh nga një sëmundje.[3] Kishte dy fëmijë.

Interpretimi dhe ngjyrimi emcional i roleve, e veçojnë Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga Kabashi bien në sy për origjinalitet, për elegancë, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mençuri dhe intuitë. Ka spikatur në rolet satirike dhe komike.[4] U dallua fillimisht me krijimin e figurës qesharake të Telit në komedinë "Kartela e verdhë" e Haxhi Ramës (1976), ku luajti me lirshmëri edhe tifozin e apasionuar që ndjek skuadrën dhe lojtarin e tij të zemrës ndeshje pas ndeshjeje e hall pas halli duke përdorur një sërë detajesh shprehëse, si në plastikë ashtu edhe në mënyrën e të folurit.

Ky rol u pasua më tutje me personazhe të tilla komike, si: Diafarusi në komedinë "I sëmuri imagjinar i Molierit" (1982), me të cilin luajti mjaft bukur me elegancën plastike të tij, me përpunimin e gjestit, që i ka dhënë Kabashit hirin, sharmin, ngjyrimin dhe stilin klasicist. "Në teatër mësova se ç’ishte aktori, pata peripeci si gjithë të tjerët, pastaj kam marrë pjesë nëpër filma, shfaqje. Të vetmen gjë që mund t’jua them me bindje: nuk i jam trembur e nuk i jam shmangur kurrë punës në çfarëdolloj kushtesh. Kur është fjala për të provuar, për të pasur mundësinë e kontaktit me spektatorin, unë nuk kam refuzuar, por përkundrazi kam provuar me guxim. Njëra prej këtyre fushave është edhe ajo e recitimit që tregova sot para jush."- shpreh Kabashi.

Një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek "Apologjia e vërtetë e Sokratit". Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik, ku fuqia interpretuese mbërrin në caqe vërtet të lavdërueshme dhe realisht konkurruese në rrafsh ndërkombëtar. Kabashi pësoi një transformim të plotë psikofizik, plastika e tij u paraqit tejet e përpunuar, e folura gjithashtu, dhe me temperamentin dhe energjinë që ka ndërkallur në fjalën pasionante e ironike të Sokratit realizoi një akuzë të fortë ndaj tiranisë, padrejtësisë, korrupsionit, në suazën e një sarkazme të pamëshirshme, duke i dhënë krejt lojës një qasje të dukshme bashkëkohore.

Ndërsa në kinematografi, një ndër rolet e tij më të njohur është ai i Apostol Sakos në komedinë "Edhe ashtu edhe kështu" (1989).

Çmimet dhe nderimet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Çmimet më të rëndësishme që fitoi ishin titujt "Artist i Merituar", "Mjeshtër i Madh i Punës" dhe "Nderi i Kombit", ky i fundit në vitin 2014.[5]

Në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesionistë të vitit 1989 u shpall "Aktori më i mirë" me rolin e Sadush Nezirit te komedia "Hija e tjetrit" e Ruzhdi Pulahës. Po me këtë rol, në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në KorintGreqisë, u vlerësua si një ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi çmimin e "Aktorit më të mirë protagonist" në Festivalin e Aktrimit "Apollon 2002" me rolin e Nokës në komedinë "Sa mirë bëri që vdiq" të Ilir Bezhanit.

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të Teatrit të organizuar në KajroEgjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me "Sfinksin e artë" si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

  1. ^ "Mirush Kabashi sot 70 vjeç, ja pse krenohemi me të". Shqiptarja.com. 17 prill 2018. Marrë më 24 korrik 2018.
  2. ^ "Mirush Kabashi sot 70 vjeç, ja pse krenohemi me të - Shqiptarja.com". shqiptarja.com. Marrë më 2025-03-16.
  3. ^ "Arti në zi! Shuhet 'Sokrati', ndërron jetë në moshën 75-vjeçare aktori i njohur Mirush Kabashi". www.balkanweb.com. Marrë më 2025-03-16.
  4. ^ "Mirush Kabashi sot 70 vjeç, ja pse krenohemi me të - Shqiptarja.com". shqiptarja.com. Marrë më 2025-03-16.
  5. ^ "Ndërron jetë aktori i madh Mirush Kabashi". Gazeta Tema. 2023-12-05. Marrë më 2025-03-16.