Musa Juka

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Musa Juka
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
28 shtator 1925 – 10 shkurt 1927
Paraprirë ngaCeno Kryeziu
Pasuar ngaAbdurrahman Dibra
Në detyrë
3 nëntor 1930 – 16 tetor 1935
Paraprirë ngaRauf Fico
Pasuar ngaEt'hem Toto
Në detyrë
9 nëntor 1936 – 7 prill 1939
Paraprirë ngaEt'hem Toto
Pasuar ngaZef Kadarja
Ministër i Punëve Botore e Bujqësisë / më 12 shkurt 1929 Ekonomisë Kombëtare
Në detyrë
28 shtator 1925 – 20 tetor 1927
Paraprirë ngaKostaq Kotta
Pasuar ngaF. Vokopola
Në detyrë
20 qershor 1928 – 5 mars 1930
Paraprirë ngaFerit Vokopola
Pasuar ngaMehdi Frashëri
Në detyrë
mars 1933 – 14 qershor 1934
Paraprirë ngaSait Toptani
Pasuar ngaDhimitër Beratti
Kryetar i Bashkisë Shkodër
Në detyrë
1916 – qershor 1924
Paraprirë ngaMuharrem Gjylbegu
Pasuar ngaMuhamet Gjyrezi
Të dhëna vetjake
U lind më10 mars 1885
Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më13 nëntor 1955
Aleksandri, Egjipt
Nënshtetësiashqiptar
Punësiminëpunës, ministër

Musa Juka (Shkodër, 10 mars 1885 - Aleksandri, 13 nëntor 1955) ka qenë kryetar i bashkisë së Shkodrës për tetë vite,[1] Ministër i Brendshëm i Shqipërisë gjatë periudhave 28 shtator, 192510 shkurt, 1927 dhe 11 nëntor, 1933 - 16 tetor, 1935 si dhe Ministër i Punëve Botërore i Shqipërisë gjatë periudhave 9 nëntor, 1936 - 7 prill, 1939 dhe 22 prill, 1931 - 7 dhjetor, 1932.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind në Shkodër, djali i katërt i gjashtë fëmijëve të Zyberit dhe Hava Bekteshit, rridhte nga të dy anët prej familjesh të vjetra qytetare, të kamura dhe shpesh të përfshirë në punët e parisë së qytetit. I ati i tij Zyberi me të vëllanë, Ibrahimin, merreshin me tregti, veçanërisht të mëndafshit dhe të leshit. Kishin magaza në pazar, zotëronin çifligje në fshat dhe jetonin në lagjen Parrucë – zemra politiko-administrative e gjithë vilajetit –  ku kishin shumë dugaja që i jepnin me qira dhe dy hotele – njëri prej tyre shumë i shquar, i quajtur Europa, mbahej si një nga më të mirët e Rumelisë. Siç ia kërkonte sëra, kishin bërë pelegrinazhin në Mekë dhe thirreshin haxhí.

Musai i mori mësimet e para në mejtepin e Parrucës. Sipas kujtesës historike të trashëguar në familje, shkolla e tij mesme ka qenë “hem për administrim, hem fetare”. Asnjë material shkresor i zbuluar derimësot nuk konfirmon që Musai të ketë kryer arsimin e lartë.[2]

Në rininë e tij ishte kazaz (mëndafshdredhës).[3] Rreth vitit 1905, në moshën 20-vjeçare, punësohet në Drejtorinë e Financës së vilajetit të Shkodrës. Në 1910 bëhet drejtor i saj – detyrë që e ushtron deri në dorëzimin e qytetit Malit të Zi nga Esat pashë Toptani. Pas largimit të malazezëve, Administrata Ndërkombëtare që mori në administrim qytetin e ftoi të ishte anëtar i Komisionit të Buxhetit. Por vëmendja e Musait u përqëndrua në fushën e propagandës politike.

Si themelues dhe drejtues bashkë me Ymer Lutfinë i gazetës Seda-i Milet, Musa efendiu u bë një ndër prijësit e qëndrimit të myslimanëve të Shkodrës. Kjo e përkohshme propagandonte për një mbret mysliman.[4]

Më 19 mars 1916, gjatë pushtimit austro-hungarez, Musa Juka bëhet Kryetar i Përlimtares së Shkodrës me 70% të votave (28 nga 40 zgjedhës të dytë). Rizgjidhet në detyrë më 10 mars 1920 kur Shkodra ishte ende nën administrimin e dytë ndërkombëtar të përfaqësuar nga guvernatori francez Bardi de Fortou. Si në të gjithë Shqipërinë, më 9 korrik 1922 u bënë zgjedhje të reja dhe Musai fitoi mandatin e tij të tretë si kryetar i bashkisë më të madhe të vendit.

Juka diti të mbante marrëdhënie të mira pune me cilindo autoritet në fuqi, duke e shfrytëzuar këtë bashkëpunim në dobi të punëve publike dhe shërbimeve ndaj qytetarëve. Nën kujdesin e Musait, u çelën dhe u shtruan rrugë të reja, u realizua ndriçimi i qytetit, u ndreqën urat mbi Bunën dhe Drinin, u sigurua një shërbim spitalor dinjitoz dhe shumë gjëra të tjera.[1] Me rastin e Luftës së Koplikut qe treguar mjaft aktiv, veçanërisht përsa u përkiste furnizimeve të ushtrisë vullnetare dhe nxitjen e popullit për furnizimin e frontit.[3]

Refuzoi bashkëpunimin me lëvizjen kryengritëse të Elez Isufit, Bajram Currit dhe Halit Lleshit të marsit 1922. Nën trysninë e ndarjes së thellë që po përvijohej ne skenën politike shqiptare, u rreshtua me Partinë Popullore të Ahmet Zogollit. Mbi Jukën vërshoi një lum i pafund kritikash dhe qortimesh. opozita, përmes organit Ora e Maleve, e akuzonte për braktisje të interesave të qytetarëve dhe kërkonte ja dorëheqjen nga posti, ja heqjen dorë nga marrja me politikë. Zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues të 27 dhjetorit 1923 rezultuan një dështim i rëndë për Kryetarin e Bashkisë. Nga 13 përfaqësues të prefekturës së Shkodrës, vetëm njëri ishte zogist, Halit Rroji.

Me Lëvizjen e qershorit Rexhep Shala, Xhemal bej Bushati dhe Ndok Gjeloshi u dyndën në Shkodër që të largonin Abedin Nepravishtën, prefekt, Ferit Frashërin, komandant i Xhandarmërisë, dhe Jukën, kryetar i Bashkisë, së bashku me forcat besnike qeveritare dhe me ndjekësit e tyre, u mbyllën në prefekturë dhe i bënë rezistencë lëvizjes së armatosur. Vrasja e Ferit Frashërit theu vullnetin e mbrojtësve dhe ata vendosën të dorëzohen.

U arratis në Podgoricë, ku me Ceno bej Kryeziun, Hasan beg Bushatin dhe të tjerë formoi Komisionin e Podgoricës, i cili në bashkërendim me grupimet e tjera legaliste kishte për detyrë përgatitjen dhe realizimin e rikthimit në pushtet të autoriteteve të ligjshme. Triumfi i Legalitetit rezultoi veçanërisht i lehtë edhe në Shkodër ku mbështetësit e Zogut ishin në minorancë. Keqadministrimi i drejtuesve të dalë nga Lëvizja e qershorit dhe masat ndëshkuese arbitrare të ndërmarra nga Mustafa Kruja, i emëruar prefekt i Shkodrës, kishin ngjallur ndjesi jo të mira ndër shkodranët.

Për familjen Juka morri fund një nga periudhat më të errëta të saj. Nën terrorin e sundimit revolucionar, vëllezërit e Musait u shtrënguan në klandestinitet, shtëpia iu shkatërrua, iu konfiskuan pasuritë. U desh ndërhyrja e konsullit francez Billecocq për të shpëtuar nga përndjekjet gruan shtatzënë të Musasë. Pas rikthimit qe zv/prefekt i Shkodrës deri në shtator 1925.[5] Zogu e thirri në Tiranë. Musai ngurroi. Pas turpërimit të Opozitës, ai tashmë ishte i plotfuqishëm në Shkodër.

Megjithë rezistencën e Sadetes, Musai vendosi të pranonte ofertën e Presidentit të Republikës së saposhpallur. Hyri si deputet zëvendësues nga lista e Dibrës. Nga 1925 deri në 1939, përveç disa periudhave të shkurtra, luajti rolin e një viceroi dhe një mbështetësi të palëkundur të regjimit zogist. Si ministër i Punëve Publike, mania e Musait qenë rrugët dhe infrastruktura rrugore në tërësi. Ura e Matit është në këtë drejtim trashëgimia e tij më e shquar ndërsa në cilësinë e ministrit të Punëve të Brendshme garantoi një rend dhe qetësi. Njëkohësisht, shpesh herë pa të drejtë, emri i Musa Jukës u bë sinonim i plagëve më të rënda të qeverisjes së kohës, si korrupsioni, nepotizmi dhe arbitrariteti i policisë sekrete.

Pas një mërgimi të gjatë dhe të vuajtshëm në Stamboll (1939-1949) dhe në Aleksandri (1949-1955), Musa Juka ndërroi jetë më 13 nëntor 1955, ora 9.30 e paradites.

Familja[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ishte i martuar me Sadete Shpuzën, nga një familje e shquar maxharre, Kokotlija, që kishte sunduar mbi qytet-kështjellën e Shpuzës përpara se ajo të binte në duart e Princ Nikollës. Ajo ishte një grua shumë e devotshme dhe shpirtërore. Edhe Musai ishte “mysliman që e praktikon[te] fenë e tij me njëfarë rigoroziteti, në kontrast me pjesën më të madhe të bashkëkohësve të tij” thuhet në dokumentet arkivore britanike.

La katër fëmijë: Burhanin, i diplomuar për drejtësi dhe letërsi në Sorbonne; Safete Sofien, e diplomuar në Arkelogji, Histori arti dhe Letërsi. Po në Sorbonne, ajo mbrojti tezën në filozofi mbi temën “A. Suares, G. Rouault, Mendimet e tyre mbi jetën dhe mbi artin nëpërmjet veprës dhe letërkëmbimit të tyre”. Është autore e monografisë shumë të rëndësishme “Kosova: Shqiptarët në Jugosllavi nën dritën e dokumenteve historike”, New York, 1984; Lumnijen (l. 20 janar 1925), mësuese dhe bashkëpunëtore e njohëse intime e Nanë Terezës; si edhe Fiqretin, i diplomuar për shkenca politike në Strasburg.

Mirënjohje[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Ishte dekoruar Kalorës i Urdhrit të Franc Jozefit të Austro-Hungarisë, Kumandar i Urdhrit të Legjionit të Nderit të Francës, Kryq i Madh i Urdhrit të Kurorës së Rumanisë, Kryq i Madh i Urdhrit të Shën Savës së Jugosllavisë, Kryq i Madh i Urdhrit të Kurorës së Italisë, Kordon i Math me Hyll i Urdhrit të Skënderbeut dhe, për besnikërinë personale ndaj Ahmet Zogut në rastin e Triumfit të Legalitetit, ky i kishte akorduar medaljen “Shokëvet të Mij”.[2]

Referime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

  1. ^ a b Juka A., I mistershmi Musa Juka në 60-vjetorin e vdekjes, Tiranë: Mapo, 13 nëntor 2015.
  2. ^ a b Juka A., 128 vjetori i lindjes se Musa Jukës, 10 mars 2013.
  3. ^ a b Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet v. I. Shkodër: Idromeno. fq. 195. OCLC 645720493.
  4. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 19. ISBN 978-9928-140-54-8.
  5. ^ Juka, Gëzim H. (2014). Shkodra në Triumfin e Legalitetit. Reklama. fq. 135. ISBN 9928125945.