Mustafa Demiri

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Mustafa Demiri (Elbasan, 13 qershor 1923 - 1985) ka qenë botanist i shquar shqiptar.

Biografia[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 1923 në Elbasan, nga prindër Xhaferr dhe Hasie, me origjinë nga Dibra e Madhe. Në vendlindje kreu arsimimin fillor dhe Shkollën Normale, studimet e larta në Universitetet e Zagrebit e të Sofjes dhe kualifikime pasuniversitare në Budapest e Leningrad. U angazhua pandërprerje në veprimtarinë akademike e shkencore, në Institutin e Shkencave dhe Universitetin e Tiranës, duke u shquar si pedagog i talentuar, për nivelin e lartë shkencor-metodik, stilin efikas e tërheqës në marrëdhënie me studentët; përgatitjen e teksteve cilësore; u dallua si figurë e shquar e arsimit mbarë kombëtar, autor i 12 tituj tekstesh, deri me 7 ribotime. Prof. M. Demiri ka iniciuar fusha e drejtime të reja, ka realizuar studime themelore në tematika të rrokura për herë të parë dhe me kontribute të mirëfillta origjinale. Më kryesoret prej tyre janë fushat e Fitogjeografisë, të Gjeobotanikës, etj, në të cilat ka themeluar disiplinat universitare, drejtimet kërkimore shkencore, ka realizuar dhe studimet dhe publikimet e para shkencore dhe didaktike, si dhe ka iniciuar studiuesit e rinj në këto fusha. Prof. Demiri është realizuesi i Kopshti Botanik i Tiranës dhe autori i veprës enciklopedike "Flora ekskursioniste shqiptare"

Nderime[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Prof. M.Demiri, në saje të kontributit jo të zakonshëm, u njoh nga shumë forume të institucioneve shkencore e dikasteriale, si një personalitet i shquar shkencor dhe akademik. Ai është vlerësuar me Çmimin e Republikës, me titullin e lartë “Mësues i Popullit”, me Urdhrin “Naim Frashëri” të Kl.I, me titullin “Qytetar Nderi” i Qytetit të Elbasanit.

Referimet[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]